“Benamazët” dhe mllefi i tyre kundër Islamit

 “Benamazët” dhe mllefi i tyre kundër Islamit

        Allahu i Madhërishëm në Kur’an thotë:

       “E, kush është më zullumqarë se ai që shpif gënjeshtra kundër Zotit, duke u thirrur në fé të vërtetë (Islame)? – E Perëndia nuk e shpie në rrugë të drejtë popullin zullumqarë (që bën padrejtësi).” (Kur’ani, Es-Saff, 7).

 

Hyrje

       Populli, zakonisht ata muslimanë që nuk shkojnë asnjëherë në xhami, i quan me emërtimin “benamazë”. Kur plejqit thonë, se “filani është benamaz”, nënkuptojnë një musliman, që publikisht e nënçmon fetarësinë islame dhe është kundërshtar e saj. E, fjala “benamazë” përbëhet prej dy fjalëve “be+namaz”, domethënë, betohem se nuk do të fali namaz (e bëj me be), si dëshmi për bindjen kategorike kundër fesë e riteve islame.

 

“Benamazët” në kontekstin historik

      Në fakt, nocioni “benamazë” prejardhjen e ka të hershme, por sidomos nga koha e periudhës komuniste, në gjysmën e dytë të shekullit XX. Gjatë kësaj kohe, si në Kosovë, po edhe në viset e tjera shqiptare, ideologjia komuniste pati udhëhequr një politikë të nënçmimit të fesë Islame, si fe e pjesës dërrmuese të shoqërisë. Çdo qelizë e sistemit komunist frymonte agjendë kundër fesë (Islamit). E, sistemi arsimor i kohës, ishte i ndërtuar për të përgatitur intelektual që do t’i shërbenin kauzës komuniste. Feja mësohej e propagandohej si opium, dogmë, prapambeturi dhe humbje kohe. Nwrsa, shkuarja në xhami dhe aplikimi i riteve fetare ishte fare nënçmim. Mirëpo, këto bindje të këqia nuk i kishte shtresa e popullit, e cila pati vazhduar të ruajë respektin ndaj fesë, pa marrë parasysh se sa e kanë zbatuar atë. Sepse, secili musliman gjurmët e fetarësisë islame i ka patur të freskëta apo dhe prezente te etërit, gjyshërit e stërgjyshërit.

       Problemi qëndronte te shtresa e shkolluar në përgjithësi. Këta, për më keq, nënçmimin ndaj fesë, e konsideronin si pjesë të intelektualit, ndërsa shkuarjen e mundshme të tyre në xhami, fare nuk mund ta mendonin. Në raste të varrimit, nuk I ngritnin duart lartë gjatë bërjes së duasë (lutjes për të vdekurin) te varri. Rallë, ndodhte që një intelektual, zakonisht ata që i kanë patur familjet fetare, të fliste fjalë të mira për fenë dhe të respektonte fetarësinë e individit. Porse, pjesa dërrmuese e tyre, ishin të vrazhdë, dhe pa fije turpi flisnin fjalë banale për xhaminë. Thëniet e tyre se feja është prapambeturi, kanë qenë krejtësisht “të zakonshme”, por, ka patur prej tyre që, kur e dëgjonin ezanin e hoxhës, thonin: “po pallë gomari”. Me këto bindje, këta (pseudo)intelektual, që veten e mbanin elitë të shoqërisë, filluan të imponoheshin në mjedise të shoqërisë me ligjërimet e tyre arkaike e antiislame. Në anën tjetër, popullata (xhemati), e cila kurrë nuk pajtohej me këtë banalizëm, megjithatë nuk ishte shumë konsistente për t’i kundërshtuar. Sepse, në radhë të parë ishte shtresë e thjeshtë (e pashkolluar) dhe s’kishte përgatitje intelektuale, dhe së dyti druheshin nga dëmi i tyre, ngase, në atë kohë, kundërshtimi i funksionarëve komunistë ka kushtuar me tortura të egra dhe burgosje të gjata, e besa deri në likuidim fizik.

       Por, el-hamdulil-lah, që pjesa dërrmuese e xhematit ka patur iman dhe zemër. Asnjëherë, me bindje nuk janë pajtuar me këta komunistë elitarë. Në ndërkohë, xhemati, duke i diferencuar këta komunistë, pra në kuptimin nënçmues, filloi t’i identifikojë me emërtimin “benamazët”. Kur thuhej “benamazë”, dihej qartë se për kë bëhej fjalë. Dhe, ky emërtim sot e më ditë ka vazhduar të jetë prezent në mesin e shoqërisë kosovare dhe më gjerë. Mirëpo, më vonë, me rënien e komunizmit, shumë “benamazë” kanë bërë teube-istigfarë (pendesë) dhe i janë kthyer fetarësisë islame. Disa të tjerë, kanë jetuar e kanë vdekur me bindjet e tyre të këqia për fenë, ndërsa trashigimtarët e tyre, sot janë muslimanë të devotshëm. Pra, kanë ndryshuar rrethanat, porse “benamazët” dhe “neobenamazët” janë prezentë dhe tipikë bashkëkohor.

 

 “Benamazët” janë kundërshtarë e zullumqarë

      Ne, në këtë punim nuk po flasim për ata muslimanë, të cilët, ngase nuk shkojnë asnjëherë në xhami, në sytë e njerëzve duken se janë “benamazë”, e në fakt, nuk janë të këtillë. Këta, mund të jenë muslimanë pasivë, dhe një ditë, mbase mund të shkojnë në xhami dhe të falin namaz, siç ndodhë shpeshherë. Por, po flasim për ata muslimanë, që nuk e mohojnë përkatësinë e tyre islame, e që në mënyrë kategorike, nuk shkojnë në xhami, madje as ne festat fetare islame, dhe gjatë gjithë kohës e shprehin mllefin e tyre kundër Islamit dhe muslimanëve.[1]  Këta, aq sa janë të rrezikshëm për veten e tyre, po aq janë të rrezikshëm për fenë islame në përgjithësi. Sepse, nuk janë muslimanë pasivë, por, janë kundërshtarë aktivë, dhe mund t’i bëjnë shumë dëm Islamit dhe muslimanëve. Kjo kategori, në bazë të deklarimeve dhe veprave të tyre, është e rreshtuar në anën e atyre që e kundërshtojnë Islamin dhe që mendojnë se si ta dëmtojnë sa më shumë atë.

      Në ajetin e cituar që në fillim, (Kur’ani, Es-Saff, 7), Allahu i Madhëruar dëshmon për mizorinë e atij, i cili shpif kundër Allahut, duke folur gjithçka që ia merr mendja, e në ndërkohë thirret se kjo është prej Islamit.[2] Ne, dëgjojmë, se si “benamazët” bashkëkohor, në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, etj., mundohen të folin e të përfolin për Islamin, duke nënçmuar akëcilin ritual fetar. Ndonjëherë iu del punë me ritualin e Haxhit, se shkuarja deri në vendet e shenjta Mekkë e Medinë, është e panevojshme; ndonjëherë e shpeshherë ngatërrohen me mbulesën islame të femrës (shaminë), se kinse është traditë arabe dhe bartja e saj nga femrat është prapambeturi etj.. Përditë e ndërrojnë diskursin, nga një sulm në tjetrin sulm. Muslimanët mbahen në tension. Madje, e urrejnë prezencën e Perandorisë Osmane (hilafetit islam) në hapësirat shqiptare, jo për shkak të dominimit të saj në Ballkan disa shekuj me radhë, por, për shkak se ajo është bërë sebeb (shkak), që populli shqiptar ta pranojë Islamin. Në anën tjetër, janë të vetëdijshëm se pranimi i Islamit nga ana e shqiptarëve ka qenë një mburojë e e vërtetë, që e ka ruajtur qenien shqiptare dhe drejtpërdrejt e ka penguar sllavizimin e shqiptarëve. Këtë, askush nuk mund ta mohojë. Mirëpo, mllefi i “benamazëve” ndaj Islamit, i ka verbuar sytë dhe mendjet e tyre, dhe gjithçka që ndërlidhet me Islamin, edhe nëse është e mirë, sipas “benamazëve” është e huaj dhe e keqe. Kjo është fytyra e vërtetë e tyre, fatkeqësisht!

      Këta tipash, mbase janë kategori e munafikëve tradicionalë e primitive, që vjellin helm kundër Islamit. Që nga periudha e Pejgamberit a.s. e gjer në kohën tonë, hipokritët kanë qenë elementi më i dëmshëm për muslimanët. Ata, janë të mbushur me urrejtje dhe intriga ndaj shoqërisë islame. Prej tyre ka vuajtur Pejgamberi ynë i dashur s.a.v.s., para më se 14 shekujve, dhe prej tyre vazhdon të vuajë bashkësia myslimane e kohës tonë. E njëjta kauzë dhe I njëjti synim. Kjo është sëmundja e tyre e pa shërueshme. Allahu I Lartësuar I përshkruan munafikët si në vijim:

    “Ka prej njerëzve që thonë: “Ne i besojmë All-llahut dhe jetës tjetër (ahiretit)”, por ata nuk janë besimtarë. (Përpiqen ta) mashtrojnë All-llahun dhe ata që besuan, por nuk mashtrojnë tjetërkë pos vetes, dhe nuk e kuptojnë! Në zemrat e tyre ka sëmundje, pra All-llahu ua shton sëmundjen, dhe pësojnë dënim të dhembshëm për shkak se përgënjenin. E kur atyre u thuhet: “Mos bëni ç’rregullira në tokë”! Ata thonë: “Ne jemi vetëm paqësues!” A nuk janë vërtet ata ç’rregulluesit?; Por nuk kuptojnë! Dhe kur atyre u thuhet: Besoni sikurse besuan njerëzit! Ata thonë: “A të besojmë ashtu siç besuan mendjelehtit?” A nuk janë vërtet mu ata mendjelehtit?; Por nuk e dinë. E kur i takojnë ata që besuan thonë: “Ne besojmë!” por kur veçohen me djajt e vet u thonë: “Ne jemi me ju, ne vetëm jemi tallur”. (El-Bekare, 8-14).

       Kur i lexojmë këto ajete kur’anore, në mendjen tonë paraqiten kryemunafikët e kohës së Pejgamberit a.s. si Abdullah ibn Sebe, e të tjerë, po edhe “benamazët” e kohës tonë, që i njohim me emër dhe mbiemër. Debatet televizive, përditë janë të mbushur me panelistë “benamazë”. Secili sipas dëshirës së vet, diskuton dhe shpreh mllefin ndaj Islamit. Për më keq, kauzën e tyre hipokrite, gjatë gjithë kohës e arsyetojnë me avancimin e Kosovës, drejt vendeve të përparuara, duke e konsideruar Islamin gjoja si të dëmshëm në këtë proces. Ndërsa, në fakt, qëllimi I tyre është që ta lëndojnë Islamin sa më shumë që është e mundur. Sepse, kështu thonin hipokritët e kohës së Pejgamberit a.s.: “E kur atyre u thuhet: “Mos bëni ç’rregullira në tokë”! Ata thonë: “Ne jemi vetëm paqësues!” E, në realitet, këta janë intrigantët më të mëdhenjë. E nënçmojnë Islamin sa të munden dhe kur të munden. Përzihen në kompetenca të Allahut, duke (zh)vlerësuar akëcilin ritual fetar. Atë që e ka bërë obligim Allahu, ata e zhvlerësojnë, sikurse janë obligimet islame, e atë që e ka ndaluar Allahu, sikurse është alkooli, prostoticioni, vjedhja, rrena, etj, ata e lejojnë. Prandaj, Allahu ka shtruar pyetjen: “E, kush është më zullumqarë se ai që shpif gënjeshtra kundër Zotit…” (Kur’ani, Es-Saff, 7).

 

“Benamazët” njollë e zezë e shoqërisë në të gjitha periudhat

     Në secilin tubim fetar, sidomos nëpër tubimet fetare që mbahen nëpër ambiente familjare me rastin e shërbimeve fetare, “benamazët” shquhen si njollë e zezë e tubimit. Ata, nuk dijnë të flasin mbarë, por gjithmonë janë të prirur ta kritikojnë Islamin dhe muslimanët. Të gjitha bisedat që i bëjnë, i zhvillojnë me sarkazëm dhe nënçmim për kulturën islame. Personat e këtillë, bëhen shkaktarë për ta zbehur ngrohtësinë e tubimit fetar, që i zoti shtëpisë me shumë sinqeritet e devotshmëri e ka organizuar. Por ç’e do që, të gjithë të pranishmit, i konsiderojnë benamazët si njerëz që reflektojnë tipare të ideologjisë komuniste. Për këtë arsye, fjala e tyre nuk ka fare peshë, veçse është zhurmë dhe diskreditim për vetë ata.

      Le ta falënderojmë Allahun, që sot, kemi një gjendje krejt tjetër në shoqërinë tonë shqiptare. Krenaria e Islamit është në piedestal e avantazh, si asnjëherë më parë, ndërsa prepsektiva e “benamazëve” është në disavantazh dhe drejt vetëvarrosjes. Nëse, para viteve ’90-ta, njerëzit që kanë falur namaz, e që kanë shkuar në xhami, apo që kanë agjëruar Ramazan, janë përqeshë e nënçmuar, tash është e kundërta. Njerëzit që shkojnë në xhami, që falin namaz për Allahun, janë profil i njerëzve me vlerë, që shoqëria i admiron. Ndërsa, njerëzit që nuk shkojnë në xhami, në këtë rast nga soji i “benamazëve”, shoqëria nuk i simpatizon, përkundrazi, i konsideron si njerëz me ndërgjegje të ngurtë, demodë, të egjër, teknikë, komunistë, etj. Në këtë kontekst, kohëve të fundit edhe në fjalorin politik të njerëzve publikë, vërejmë një interferim fetar. Më herët, ka qenë absurditet, që të dëgjosh fjalën “Zot” nëpër fjalimet publike. Por, në vitet e fundit, përmendja e fjalës Zot, është bërë modë. Çdo i dyti politikan, artist, apo studiues përmend fjalë fetare islame në bisedat e tij.

      Kjo, dëshmon më së miri, se fetarësia islame tashmë është krenaria e shoqërisë shqiptare. Për shembull, në Kosovë, në secilin institucion shtetëror apo privat, në shkollë, fakultet, ambulantë, spital, ushtri, komunë, ministri, qeveri, presidencë, etj. shohim njerzë që falin namaz, që kanë karakter fetar islam dhe që e adhurojnë Allahun e Madhërishëm. Fytyra e tyre është nur (dritë), dhe njihen si njerzë të përgjegjshëm, të devotshëm, besnikë, të moralshëm, familjarë, punëtorë të sinqertë, kolegë të mirë, etj. Dinjiteti i tyre është I pakrahasueshëm me dinjitetin e “benamazëve”. Përderisa, njerëzit fetarë janë ikonë e këtyre tiparëve më të mira të mundshme, në anën tjetër, ‘benamazët’ janë potencialisht ikonë e tiparëve të këqia, sepse, në të shumtën e rasteve karakterizohen si të pa sinqertë, të pa moralshëm, alkoolistë, gënjeshtarë, ngatrrestarë, frikacakë, hipokritë, profiterë, avanturierë, etj. Shtrohet pyetja, përse janë të këtillë?! Përgjigjja është e thjeshtë, këta janë të lidhur ngushtë me intersin material. Shpirti i tyre është i materializuar. Asgjë nuk bëjnë, nëse nuk shohin ndonjë interes të momentit apo afatgjatë, çfarëdo qoftë ai interes, material apo moral. Për të arritur te interesi personal, nuk zgjedhin rrugë e as metodë. Për dallim nga namaztarët, të cilët, çdo gjë që bëjnë, e bëjnë për hirë të Allahut, dhe çdo gjë që nuk e bëjnë nga të këqiat dhe të shëmtuarat, përsëri nuk e bëjnë për hirë të Allahut. Të tjerëve ua dojnë të mirën dhe nuk i dëmtojnë. Për secilën punë, besojnë se Allahu i Madhërishëm i sheh, dhe Ai i vlerëson, si dhe Ai i shpërblen. Ky është vetëm një dallim i thjesht nga shumë sosh, që njerëzit fetarë i kategorizon si vlerë e vërtetë shoqërore, ndërsa “benamazët” si element destruktivë në shoqëri.

 

Distancimi i “benamazëve”

      Pa dyshim, tendencat e “benamazëve” për ta dëmtuar Islamin dhe muslimanët janë të dështuara. Sa e sa njerzë gjatë historisë, duke filluar nga koha e Pejgamberit a.s. e deri më sot, kanë bërë përpjekje për ta njollosur Islamin e për ta shkatërruar atë. Por, kjo ka qenë e pamundshme. Bile, në ajetin në vijim, Allahu pasi përmend se ky soj i njerëzve dëshiron që me gojën e tyre ta shuajnë dritën e Allahut, në vazhdim I Lartëmadhërishmi e thotë edhe këtë: “Po All-llahu e plotëson (e përhap) dritën e vet, edhe pse e urrejnë jobesimtarët.” (Kur’ani, Es-Saff, 8). Kjo është e vërtetë. Në anën tjetër, emri i tyre në histori është shënuar me shkronjat e turpit. Sepse, i kanë shpallur “luftë” Allahut dhe të Dërguarit të Tij. E, në këtë “luftë” Allahu fiton, dhe s’ndodhë ndryshe. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar, të gjithë kundërshtarët e Islamit i ka turpëruar, qoftë gjatë jetës, apo pas vdekjes. Pjesë e këtij nënçmimi të Allahut ndaj ‘benamazëve” është edhe uniteti i muslimanëve për mospërkrahjen e tyre. Allahu I ka vlerësuar lartë ata muslimanë, të cilët nuk e dojnë një njeri që e kundërshton Allahun dhe Pejgamberin po qoftë ai edhe i afërmi i gjakut: “Nuk gjen popull që e beson All-llahun dhe ditën e gjykimit, e ta dojë atë që e kundërshton All-llahun dhe të Dërguarin e Tij, edhe sikur të jenë ata (kundërshtarët) prindërit e tyre, ose fëmijët e tyre, ose vëllezërit e tyre, ose farefisi i tyre. Ata janë që në zemrat e tyre (Ai) ka skalitur besimin dhe ka forcuar me shpirt nga ana e Tij dhe ata do t’i shpjerë në Xhennete, nëpër të cilin rrjedhin lumenj. Aty janë përgjithmonë. All-llahu ua ka pëlqyer punën e tyre dhe ata janë të kënaqur me shpërblimin e Tij. Të tillët janë palë (grup, parti) e All-llahut ta dini pra, se ithtarët e All-llahut janë ata të shpëtuarit.” (Kur’ani, El-Muxhadele, 2).

      Prandaj, muslimanët, që janë shumicë në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri, në asnjë formë nuk duhet t’i përkrahin “benamazët”. Atyre, duhet t’u bëhet thirrje që të bëjnë pendesë dhe të bëhen robër të sinqertë të Allahut. Përndryshe, distancimi ndaj tyre është një lloj prevntivë, që të mos shtohen. Fundja ky është edhe obligim besimor, por edhe për arsyen se ata janë “zullumqarë”. E, zullumi duhet të kundërshtohet, sepse për shkak të zullumit të tyre, dhe rritjes eventuale në numër, mund të pësojnë edhe muslimanët e sinqertë, pasiqë Allahu I Lartësuar në ajetin e përmendur, që në fillim ka thënë: “E Perëndia nuk e shpie në rrugë të drejtë popullin zullumqarë (që bën padrejtësi).” (Kur’ani, Es-Saff, 7).


[1] Nocioni “benamazët”, në këtë punim e ka këtë domethënie.

[2] Shih: El-Bejdavij, Tefsiru envarit-tenzil ve esrarit-te’vil, komentimi I ajetit Es-Saff, 7.

Mr. Orhan ef. Bislimaj

Kryesia e BIRK - ut

Lajme – Bashkësia Islame e Kosovës

Webfaqja zyrtare e Bashkësisë Islame
  • Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës në aksionin e ndërmarr me datë 29 nëntor 2019, për grumbullimin e mjeteve financiare për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri, ka njoftuar se janë mbledhur gjithsej 304,437,89 euro. Më poshtë mund ta gjeni listën e plotë të kontribuuesve: Nr.Këshillat e Bashkësisë Islame dhe individë të …

  • Abu Dhabi, 8 dhjetor Sot në Abu Dhabi, në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, filloi punimet Forumi i gjashte për Promovimin e Paqes në Shoqëri Myslimane. Forumi global i këtij viti po mbahet me titullin “Roli i feve në përforcimin e tolerancës, nga mundësia në imperativ (domosdoshmëri)”, i cili po organizohet nën patronimin e …

KBI Prizren

Njoftime

Kur`an, Tefsir, Akaid, Fikh, Hadith, Histori Islame, Fetva të ndryshme, Video - Ligjërata ...

Në facebook

Tanzil.net

Mp3quran.net

Kopertina e librave

Sa janë online

We have 2 guests and no members online