Besimi islam dhe personat me nevoja të veçanta

 

Besimi islam dhe personat me nevoja të veçanta

   Më datë 21 mars është dita e personave të prekur me sindromin DOWN, ndërsa më datë 3 dhjetor, është dita ndërkombëtare e njerëzve me nevoja të veçanta. Këto ditë i shënojnë me aktivitete vetëdijësuese dhe shqiptarët, duke treguar se institucionet e shteteve shqiptare, Kosovë e Shqipëri, e promovojnë altruizmin dhe barazinë në mesin e njerëzve. Për këto tema, si gjithmonë flasin edhe imamët nëpër xhamitë e tyre. Këta, bëjnë mirë që ligjërojnë dhe janë më meritorët. Sepse, në kohën kur para 15 shekujsh, Islami i pati trajtuar këto kategori si pjesë e barabartë e shoqërisë, popujt e tjerë i mbytnin, për shkak të arsyeve banale.

 

Personat me nevoja të veçanta

      Në secilën shoqëri ekzistojnë persona me aftësi të kufizuara. Ndoshta, më e udhës është t’i quajmë njerëz me nevoja të veçanta, sepse ne, të gjithë jemi njerëz me nevoja të ndryshme, veçse këta dallojnë. Njëherit, kjo është më afër barazisë shoqërore. Sipas statistikave, bëhet e ditur se 3-5 % e shoqërisë apo edhe më shumë i përkasin kësaj kategorie, varësisht prej shteteve. Është e kuptueshme se gjendja e të gjithë personave me nevoja të veçanta nuk është njësoj. Rastet dallojnë, varësisht prej natyrës së hendikepit. Disa prej tyre kanë probleme psiqike, e që përbëjnë rastin më të rëndë, e disa të tjerë, që mendohet se është numri më i madh, kanë hendikepe të natyrës fizike.

      Ne, nuk do të diskutojmë për nivelin e aftësisë së kufizuar të këtyre personave dhe dallimet në mes tyre, sepse kjo është e parëndësishme. Por, ne do të flasim për atë që është më se e sigurtë se këta persona kanë nevojë për ndihmën e shoqërisë dhe ata duhet trajtuar si anëtarë të barbartë të shoqërisë, me të drejta dhe detyrime. Ekzistencën e kësaj kategorie të njerëzve, shoqëria duhet ta pranojë si një fakt përfundimtar, nga i cili nuk mund të iket. Fundja, secila shoqëri dhe institucionet e vendit e kanë për obligim të interesohen për mirëqenien e të gjithë anëtarëve të shoqërisë, pa dallim, jo vetëm të hendikepuarit. Edhe ai që është i vërfër, që nuk mund të sigurojë kafshatën e bukës, në fakt e ka një hendikep, kuptohet në formë tjetër. Apo, njerëzit që kanë rënë në stres dhe traumë, në një farë forme janë njerëz me hendikepe. Të gjithë këta, duhet të jenë preukopim i shoqërisë dhe se trajtimi dinjitoz i tyre është obligim fetar dhe qytetar.

 

Akti i imanit dhe barazia e njerëzve

      Feja Islame, personat me nevoja të veçanta i trajton si krijesa fisnike të Allahut, sikurse të gjithë njerëzit e tjerë. Hendikepet e ndryshme që ata i kanë, nuk janë tjetër veçse një sprovim nga Allahu. Muslimanit nuk i lejohet që t’i hidhërohet Allahut për sprovat që i kanë ndodhur, e as t’i gjykojë ato, ngase ato janë prej “kaderit” të Tij. Ne, duhet të pajtohemi dhe ta pranojmë atë që Allahu e ka vepruar, pavarësisht nëse na pëlqen apo jo. Është e qartë, e keqja dhe e mira jetojnë bashkërisht me njeriun. Në të vërtetë, ky është ngushëllimi i vërtetë i yni. Njeriut, mbase nuk i pëlqen dhe vdekja e një anëtari të familjes, apo edhe shumë fatkeqësi të tjera në jetën e përditshme, por Allahu e ka punën e vet, dhe nuk pyetet e as nuk mund të merret në përgjegjësi për atë që e vepron.

      Kundrejt kësaj, dinjiteti i njerëzve tek Allahut nuk bazohet në hendikepe, por në çiltërsinë e zemrës dhe shpirtit. Vetë akti i tevhidit - të besuarit në Allahun se është Një i Vetëm, është i tillë që i barazon të gjithë njerëzit para Allahut. Sikur “ihrami” (veshja e bardhë në dy pjesë me rastin e kryerjes së haxhit) që i barazon të gjithë haxhinjtë para Allahut, ashtu edhe akti i besimit në Allahun, në parim i bën të barabartë të gjithë njerëzit (besimtarët). Mbi të gjitha, akti I besimit (imanit), është bazament për vlerësimin e njerëzve. Allahu nuk I vlerëson njerëzit në bazë të fizionomisë, nëse është i verbër, sakat, apo i shëndoshë. As në bazë të kilogramëve, se cili është më i madh dhe më i rëndë. Këtë eka vërtetuar Pejgamberi a.s. kur ka thënë: “… Allahu nuk e vlerëson trupi tuaj dhe as fizionominë tuaj, por e vlerëson atë qe e keni në zemrat e juaja..”, dhe në vazhdim, Pejgamberi a.s. ka thënë: “devotshmëria është këtu (tri herë e ka përsëritur), dhe bëri shenjë tek zemra në gjoksin e tij”. Por, Allahu i vlerëson njerëzit në bazë të vlerave të vërteta të tyre që burojnë nga devotshmëria si akt i çiltërsisë, dhe që bëhen për hirë të Allahut dhe jo të dikujt tjetër. Ky është parimi i fesë Islame dhe garanton barazinë në mesin e njerëzve. Këtë e ka vërtetuar Allahu, pikërisht në një ajet, në të cilin flet për prezencën e dallimeve në mesin e njerëzve, dhe në fund të tij, i Lartësuari thotë: “… E s’ka dyshim se tek Allahu më i ndershmi ndër ju  është ai që më tepër është ruajtur (nga të këqijat), e Allahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.” (El-Huxhurat, 13). Dijetarët islamë, këtë ajet e konsiderojnë si argument të drejtpërdrejtë, ku Allahu vendos kriterin e vlerësimit të individit. Ne, mund të mendojmë se tek Allahu më i mirë është ai që është më i bukur në pamje, apo i pasuri. Jo, Allahu ka thënë ndryshe, më i devotshmi dhe pikë. Në mënyrë të prerë, as në këtë ajet dhe në asnjë vend tjetër në Kur’an, Allahu nuk ka thënë se i verbëri është në një gradë më të ultë se ai që sheh, apo se sakati është në një gradë më të ultë se ai që lëvizë, e kështu me radhë. Po ashtu, Allahu nuk ka thënë se ai që është normal, që i ka në funksion të gjitha cilësitë ka epërsi ndaj tjetrit. Absolutisht, të gjithë janë të barabartë, dhe faktikisht është një ngushëllim ideal për këtë kategori të njerëzve që mos të ndihen inferiorë ndaj të tjerëve, kur dihet se krenaria e tyre mund të jetë evidente para Allahut.

      Përveç kësaj, Allahu nuk e ka obliguar njeriun përtej mundësive (shih: El-Bekare, 286). Për shembull, të sëmurit i lejohet të falet i ulur apo edhe i shtrirë, por jo edhe të shëndoshit që ka mundësi ta bëjë namazin në këmbë. Prandaj, i shëndoshi nuk obligohet më shumë se sa ka mundësi, sikurse që i verbëri nuk ngarkohet për atë që nuk mundet me pa, sepse është i verbër. Me një rast, në kohën e Pejgamberit a.s., disa persona me nevoja të veçanta patën kërkuar që të shkojnë në luftë, duke u brengosur se mos ndoshta po bëjnë ndonjë mëkat që nuk po shkojnë. Pastaj, ata dëshironin ta arrinin gradën e lartë të atyre luftëtarëve, të cilët luftuan me jetën dhe pasurinë e tyre, e për të cilët Allahu tha se kanë vlerë shumë të madhe. (shih: En-Nisa, 95). Por, ç’e do që Allahu i shfajësoi nga përgjegjësia e mospjesëmarrjes në luftë, ngase “…ishin të penguar pa vullnetin e tyre.” (shih: En-Nisa, 95). Dhe, si shkak i shqetësimit të personave me aftësi të kufizuara, Allahu e zbriti ajetin e Kur’anit, ku i thotë Pejgamberit a.s.:  “Nuk është mëkat (të ngelë pa dalë) për të verbërin, për të çalin, e as për të sëmurin. E kush respekton All-llahun dhe të dërguarin e Tij, Ai atë e shtie në xhennete ku rrjedhin lumenj, e kush mbetet prapa, Ai atë e ndëshkon me një dënim të dhëmbshëm”. (El-Fet’h, 17).

      Vlerën e këtyre personave me aftësi të kufizuara, që e donin pjesëmarrjen në xhihad – luftën e shenjtë fetare, e ka vërtetuar edhe Pejgamberi a.s. në shumë hadithe të tij. Transmeton Xhabiri, i cili thotë: Kemi qenë me Pejgamberin a.s. në një betejë, e ka thënë:

عَنْ جَابِرٍ قَالَ كُنَّا مَعَ النَّبِيِّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ فِي غَزَاةٍ فَقَالَ إِنَّ بِالْمَدِينَةِ لَرِجَالًا مَا سِرْتُمْ مَسِيرًا وَلَا قَطَعْتُمْ وَادِيًا إِلَّا كَانُوا مَعَكُمْ حَبَسَهُمْ الْمَرَضُ  (...) أَنَّ فِي حَدِيثِ وَكِيعٍ إِلَّا شَرِكُوكُمْ فِي الْأَجْرِ

      “Me të vërtetë në Medinë i kemi lënë disa burra, por çdo hap që ju e keni bërë dhe çdo luginë që e keni kaluar ata kanë qenë me ju (sipas transmetimit të Vekiit: “ata ju kanë shoqëruar juve në shpërblim”), por i ka penguar sëmundja për të ardhur me ju.” (Transmeton Imam Muslimi). Kjo do të thotë se ata, pavarësisht se nuk kanë marrë pjesë fizikisht në luftë, kanë qenë me zemër dhe shpirt për luftën, prandaj, edhe ky sinqeritet i tyre, që buron nga sinqeriteti i imanit, pa dyshim do të jetë i vlerësuar tek Allahu, në proporcion me mundësitë e tyre ekzistuese.

 

Respektimi i kësaj kategorie shoqërore

      Duke u bazuar në parimin e barazisë besimore, Islami udhëzon për nderimin dhe respektimin e personave me nevoja të veçanta, pa asnjë paragjykim, ndërsa e ndalon përbuzjen, talljen dhe braktisjen e tyre. Në Evropën e hershme ka qenë një bindje e gabuar, sipas të cilës, te këta njerëz kanë depërtuar djajtë dhe forcat e liga, dhe për këtë arsye ata janë në këtë gjendje. Si pasojë e këtyre bindjeve, shoqëria i ka mbytur këta persona ose i ka braktisur totalisht. Kjo ka qenë një prej gabimeve që njeriu i ka bërë në historinë e vet. Por, ç’e do që feja Islame ka bërë kthesën e madhe për dinjitetin e njerëzimit në përgjithësi.

      Muslimani, duhet të solidarizohet me vështirësitë e një personi me nevoja të veçanta, dhe e ka të ndaluar që t’i gëzohet gjendjes së rëndë të tij. Pejgamberi a.s. në një rast, ka thënë:

قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ لَا تُظْهِرْ الشَّمَاتَةَ لِأَخِيكَ فَيَرْحَمَهُ اللَّهُ وَيَبْتَلِيكَ قَالَ هَذَا حَدِيثٌ حَسَنٌ غَرِيبٌ

      “Mos iu gëzo fatkeqësisë së vëllait tënd, sepse Allahu mund ta mëshirojë atë, kurse fatkeqësinë e tij të ta caktojë ty.” (Transmeton Imam Termidhiu ). Askush nuk ka bërë kontratë me Allahun, e të sigurohet se nuk do t’i ndodhë ndonjë sprovë prej Allahut. Ne, jemi njerëz dhe veprojmë brenda vullnetit dhe dëshirës së Allahut. Për çdo ditë, dëgjojmë se filani a fisteku ka mbetur sakat (është këputur në kurriz), tjetri e ka humbur njërin sy, tjetri i ka humbur të dy sytë, tjetri krahun e tjetri këmbën, e kështu me radhë. Pastaj, dikush sprovohet në fëmijë, apo në nipa. Secili, duhet të prekë në zemrën e vet, se si do të ndihej, nëse do të ishte në gjendjen e atij që ka nevojë për nderimin dhe ndihmën e shoqërisë!?. Sigurisht se nuk do të ndihej mirë. Për këtë arsye, muslimani duhet të tregojë dhembshuri dhe mëshirë ndaj vëllaut të tij me nevoja të veçanta. Edhe ai është njeri më dëshira sikurse të gjithë të tjerët. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Nuk ka besuar (plotësisht) asnjëri nga ju derisa të dojë për vëllaun e vet atë që e do për veten e tij.” (transmeton Buhariu dhe Muslimi). Raportet e vëllaut ndaj vëllaut dihet se si duhet të jenë. Ndihma në mes tyre nuk është vetëm dëshirë, por edhe obligim. T’i gëzohesh vëllaut për të mirat e tij, dhe të brengosesh për sprovat që i kanë ndodhur, është prej Islamit.

      Pejgamberi a.s. i ka bërë respekt të veçantë Abdullah ibn Ummu Mektumit, i cili Ishte i verbër në të dy sytë. Me një rast, Ibn Ummu Mektumi pati ardh te Pejgamberi a.s., dhe iu drejtua Pejgamberit  a.s. duke i thënë: “O i Dërguari i Allahut më mëso mua atë që ta ka mësuar Allahu!”. Mirëpo, Pejgamberi a.s. në ato momente ishte i nxënë në një takim serioz me parinë e Kurejshëve, të cilët i ftonte në Islam dhe kalimi i mundshëm i tyre në Islam ishte shumë domethënës. Në anën tjetër, Ibn Ummu Mektumi, ngase ishte i verbër, nuk e dinte se Pejgamberi a.s. është i nxënë me dikë tjetër, dhe nuk ndalej duke e përsëritur thirrjen e tij ndaj Pejgamberit a.s. Kjo, bëri që në fytyrën e të Dërguarit të Allahut, të shfaqet pakënaqësia dhe me atë rast, e vrenjti fytyrën dhe e ktheu kokën në shenjë shqetësimi për ndërhyrjen e tij. E, për shkak të kësaj, Allahu i zbriti dhjetë ajetet e para të kaptinës El-Abese: “Ai vrenjti (fytyrën) dhe u kthye. Ngase atij i erdhi i verbëri. E ku mund ta dish ti, ndoshta ai do të pastrohet. Apo do të këshillohet dhe këshilla do t’i bëjë dobi!...” (El-Abese, 1-4). Pas kësaj, ta quajmë vërejtje të Allahut, Pejgamberi a.s. sa herë që e ka pa Ibn Ummu Mektumin, ka qeshur dhe i ka thënë: Mirë se erdhe, o ti që për ty më ka këshilluar Allahu, a ke ndonjë nevojë!

      Ky rast, tregon qartë se sa është i rëndësishëm respektimi i të hendikepuarit. Ani, Pejgamberi a.s., vrenjten e fytyrës, nuk e ka bërë nga nënçmimi, sepse Ibn Ummu Mektumin dy herë e ka lënën zëvendës të tij në Medinë. Por, për shkak të ndërprerjes së takimit, dhe që mos të thonë paria e Kurejshëve se këtë po e pasuakan vetëm të verbërit, të ultët dhe robërit.[1]

      Në anën  tjetër, është fare e qartë, se Ibn Ummu Mektumi nuk kishte të drejtë të ndërhynte në atë mënyrë, sepse biseda ka rregullat e veta. Atëherë, shtrojmë pyetjen, ku qëndron arsyeja që Allahu e këshilloi Pejgamberin a.s.! Pa dyshim, kjo këshill] e Allahut, dëshmon drejtpërdrejt, se personat me nevoja të veçanta kanë të drejtë edhe atëherë kur nuk kanë të drejtë. Këtë duhet ta mbajmë në mend shumë mirë. Përse? Sepse, personat e hendikepuar, në radhë të parë mund të mos jenë në ngjarje për shumë gjëra, së dyti ata nuk mund të shkojnë dhe vijnë kur të dojnë, së treti indiferenca ndaj tyre reflekton shumë rëndë, ngase ata edhe ashtu janë të rënduar, e çdo nënçmim u shkakton dhimbje mbi dhimbjen, etj.

 

Ndalohet tallja me këtë kategori

      Personat me nevoja të veçanta janë sprovuar nga Allahu, dhe Allahu ka vepruar çka ka dashtë, as më shumë e as më pak. Bile, Pejgamberi a.s. sprovimin e tyre e ka konsideruar si diçka, që do t’u bëjë dobi:

عجبا لأمر المؤمن إن أمره كله له خير، إن أصابته سراء شكر فكان خيرا له، وإن أصابته ضراء صبر فكان خيرا له

      “Është për t’u çuditur (për të mirë) me çështjen e besimtarit, çdo gjë për të është e dobishme: nëse e godet ndonjë e mirë, ai e falënderon Allahun, dhe kjo a priori është mirësi për të, por nëse e godet ndonjë e keqe, ai duron në këtë, dhe kjo përsëri është mirësi për të.” (Hadithi është i vërtetë).

      Ndonëse, Allahu i ka sprovuar, në hadithet në vijim, vërtetohet se kush bën durim në sprova, dhe e falënderon Allahu, I Lartëmadhërishmi do ta shpërblejë me xhennetin e Tij. Transmeton Irbad b. Sarije, se Pejgamberi a.s., në atë që e ka transmetuar prej Allahut të Madhëruar ka thënë:

عن النبي صلى الله عليه وسلم، عن رب العزة - قال: "إذا سلبت من عبدي كريمتيه وهو بهما ضنين، لم أرضَ له ثوابًا دون الجنة، إذا حمدني عليهما

      “Nëse robit Tim ia marr dy fisniket e tij (dy sytë) ndërsa ai i lakmon ata, Unë nuk pranoj t’i jap shpërblim tjetër përveç Xhennetit, nëse më falënderon për këtë sprovë”.[2]

      Prandaj, rreptësisht ndalohet tallja me këta persona. Çdo nënçmim ndaj personave me nevoja të veçanta është përbuzje e “kaderit” të Allahut, dhe është mëkat. Historia islame evidenton njerëz të mëdhenjë që kanë dhënë kontribut të madhë në shkencat islame, por që kanë qenë me nevoja të veçanta. P.sh. Muhamed bin Isa Et-Termidhij, autori i “Sunenit”, dhe njëri prej dijetarëve më të njohur të hadithit, ka qenë i verbër; Ata bin Ebi Rebaha, fekih i njohur, ishte i paralizuar dhe i çalë; Ibn Ethiri, kishte një sëmundje të pashërueshme në këmbët e tij, dhe nuk mund të ngritej, etj.[3] Prandaj, Allahu ka thënë: “O ju që besuat, nuk bën të tallet një popull me një popull tjetër, meqë të përqeshurit mund të jenë më të mirë nga ata të cilët përqeshin dikë tjetër…” (El Huxhurat, 11). Transmetohet se kur I janë zbuluar këmbët Ibn Mes’udit, njerëzit që kanë qenë afër tij i kanë parë se janë të holla e të dobëta dhe kështu kanë filluar të qeshen. Me atë rast Pejgamberi a.s. u ka thënë: “A qeshni për këmbët e tij të holla! Betohem në Atë që e ka shpirtin tim në dorën e Tij, këmbët e tij peshojnë më shumë se kodra e Uhudit.” (Transmeton Imam Ahmedi). Në të vërtetë, përqeshja me ta, është përqeshje me Allahun dhe është nënçmim ndaj tyre.  E, Pejgamberi a.s. ka thënë:

بِحَسْبِ امْرِئٍ مِنْ الشَّرِّ أَنْ يَحْقِرَ أَخَاهُ الْمُسْلِمَ

      “…Njeriut i mjafton nga e keqja, që ta nënçmojë vëllanë e tij musliman…”

 

Ndihma e kësaj kategorie

      Muslimani e ka për obligim që sipas mundësisë ta ndihmojë atë që është i nevojshëm. Personat me nevoja të veçanta e presin ndihmën tone dhe respektin tonë. Ne, duhet t’i ndihmojmë ata, nëpërmjet asaj që Allahu na ka ndihmuar. Bota është ‘zinxhir’, Allahu na ndihmon neve, e ne u japim ndihmë të tjerëve. Përsëri e tërë çështja është në dorën e Allahut, dhe mbi këtë bazë falënderimi i takon vetëm Atij dhe askujt tjetër. Ai që e bën këtë, e ka çuar në vend një dëshirë të Allahut dhe e ka ndihmuar vetveten. Pejgamberi a.s. ka thënë:

المسلم أخو المسلم ، لا يظلمه ولا يسلمه ، ومن كان في حاجة أخيه كان الله في حاجته ، ومن فرج عن مسلم كربة فرج الله عنه كربة من كربات يوم القيامة ، " رواه البخار

      “Muslimani është vëlla I muslimanit, nuk I bën padrejtësi e as nuk e dorëzon. Kush e ndihmon vëllanë e tij, Allahu do ta ndihmojë atë, kush ia largon një vështirësi muslimanit, Allahu do t’ia largojë një vshtirësi prej vështirësive të ahiretit.”

      Kjo është rruga e Islamit. Shoqëria islame dhe shtetit islam, jo vetëm nga fundi i shekullit XX, por gjatë gjithë historisë i ka trajtuar dinjitetshëm këta persona. Bazat e para i ka vendosur Pejgamberi a.s., që në fillim të shekullit të VII, ndërsa pas vdekjes së tij, këtë rrugë e kanë vazhduar halifët. Përkujdesja e shtetit islam ka qenë si në vijim: a) Trajtimi mjekësor i tyre; b) Arsimimi i tyre sipas kapacitetit të tyre; dhe c) punësimi i personave të posaçëm që kujdesen për ta.[4] Këtë program të Pejgamberit a.s., Omer b. Abdu’l Aziz  - njëri prej halifëve të njohur, e kishte zbatuar në praktikë dhe përveç të tjerash kishte urdhëruar që çdo i verbër ta kishte një mbikëqyrës që kujdeset për të, ndërsa për çdo dy të sëmurë kronikë, caktoi një shërbëtor që u shërben dhe kujdeset për ta. Ndërsa, halifi emevit el-Velid b. Abdu’l Melik, është ideatori i parë, i cili që në vitin 707 m (88 h.) e themeloi një shoqatë speciale për përkujdesjen e këtyre personave, ku punësoi mjekë dhe shërbëtorë me paga mujore, që të përkujdesen ndaj kësaj kategorie të shoqërisë. Personave me nevoja të veçanta u kishte thënë: “Mos kërkoni nga njerëzit (lëmoshë)!”, dhe kështu i pavarësoi nga të kërkuarit lëmoshë ndaj njerëzve. Ai, punësoi kujdestar për çdo sakat, të paralizuar dhe të verbër.[5] Ky është Islami, që ia ka sjellë krenarinë njerëzimit, para 15 shekujsh, atëherë, kur popujt e tjerë nuk e kanë ditë se çka është humanizmi dhe dinjiteti.


[1] Imam Kurtubiu, Tefsiru ajati’l ahkam, komentimi i kaptinës: El-Abese, 1-10, sipas: www.altafsir.com.

[2] Sipas: Muhamed Mus’ad Jakut, Rahmetun-nebij s.a.v.s. bidhevi’l ihtijaxhati’l hassah, sipas: http://www.saaid.net/mohamed/231.htm, (05.12.2013).

[3] Jusuf  Xhuma Abdul Hadi Selame, Anajetu’l Islam bidhevi’l ihtijaxhati’l hassah, sipas  http://www.yousefsalama.com/neës.php?maa=View&id=808, (cituar më: dt.11.12.2013).

[4] Shih: Muhamed Mus’ad Jakut, po aty.

[5] Ibn Kethiri, El-Bidajetu ven-Nihajetu, 9/186, sipas: Muhamed Mus’ad Jakut, po aty.

 Mr. Orhan ef. Bislimaj

Kryesia e BIRK - ut

Lajme – Bashkësia Islame e Kosovës

Webfaqja zyrtare e Bashkësisë Islame
  • Zyrtarë komunal nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport,me 20 nentor kanë pritur në një takim përfaqësues nga Kryesia e Bashkësisë Islame e Kosovës, drejtorin e Kulturës, Ramadan ef. Shkodra dhe përgjegjësin për botime, Agim Gashi, me ç’rast ata kanë dhuruar mbi 100 tituj të librave në tre ekzemplarë, për bibliotekën e qytetit të Mitrovicës …

  • 19 nëntor 2019 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, gjatë ditës së sotme të qëndrimit në Rijad të Arabisë Saudite, vizitoi ambasadën e Kosovës në Rijad.Ai dhe delegacioni i BIK-ut u pritën nga ambasadori i Kosovës, z.Lulzim Mjeku, i cili i falënderoi për viziten në ambasadë si dhe konsideroi kontributin që …

KBI Prizren

Njoftime

Kur`an, Tefsir, Akaid, Fikh, Hadith, Histori Islame, Fetva të ndryshme, Video - Ligjërata ...

Në facebook

Tanzil.net

Mp3quran.net

Kopertina e librave

Sa janë online

We have 9 guests and no members online