“Muveh-hidúnët” dhe pozita e tyre në besimin islam

Mr. Orhan Bislimaj

“Muveh-hidúnët” dhe pozita e tyre në besimin islam

 

Hyrje

      Muslimani është i obliguar që t’i përmbahet në përpikëri të gjitha normave besimore dhe dispozitave sheriatike që burojnë nga besimi islam. Fatmirësisht një pjesë e konsiderueshme e botës islame, përfshirë edhe hapësirat tona mbarëkombëtare parimisht i përmbahen udhëzimeve të besimit islam në jetën e tyre. Por ç’e do që ka prej besimtarëve islamë, të cilët nuk i respektojnë në përpikëri urdhëresat dhe ndalesat dhe mjaftohen vetëm me deklarimin e Njëshmërisë së Krijuesit Fuqiplotë (muveh-hidun).

 

Domethënia e nocionit “muveh-hidún”

      Në kuptimin gjuhësor, nocioni muveh-hidún është participi aktiv dhe shumësi i “muveh-hid”, ndërsa infinitive i tij është “tevhid” dhe rrjedh nga llojit i II-të i foljeve të prejardhura (ألمزيدات ألثلاثي ألمزيد فيه), nga foljet e parregullta (ألأفعال المعتلة) të grupit të tyre ‘el-mithalu’l vavij’ në të cilat bashktingllorja e parë rrënjësore është ‘vav’, e cila konsiderohet  bashkëtingullore e dobët. Koha e shkuar bën ‘veh-hade’ (وحّد), koha e tashme ‘juveh-hidu’(يوحد), kurse infinitivi ‘tevhid’ (توحيد), që do të thotë: njohja e një gjëje për të vetme (جعله واحدا), e kur përmendet për Allahun xh.sh., nocioni tevhid, respektivisht muveh-hid konsiston atë person i cili deklaron me gjuhë dhe beson me zemër se Allahu është Një i Vetëm (أقر و أمن بأنه واحد).[1]

 

“Muveh-hidun” si term akaidi

      “Muveh-hidun” si term akaidi ka marrë identitet për ata besimtarë islamë, të cilët ndonëse besojnë me zemër në Allahun dhe këtë besim e deklarojnë me gjuhë dhe nuk e kundërshtojnë, në anën tjetër, në jetën praktike nuk tregojnë devotshmëri dhe as përpikëri në respektimin e urdhëresave dhe ndalesave të fesë Islame.[2] Kjo është një domethënie identifikuese e nocionit muveh-hidun, përndryshe ky nocion është përmbajtësor dhe përdoret me kuptim të plotë edhe për ata besimtarë të devotshëm që i përmbahen me përpikëri normave të besimit islam.

      Në momentin kur njeriu e shpreh besimin në Njëshmërinë e Allahut, ai natyrshën quhet muveh-hid, dhe në këtë moment ka bërë hapin parimor dhe fillestar, pas të cilit obligohet të vazhdojë drejt përvetësimit më të përgjithshëm të normave besimore dhe dispozitave sheriatike që burojnë nga besim islam. Deklarimi i këtij akti, kërkohet që në fillim të bisedës nëse një individ (jomusliman) interesohet për t’u bërë musliman. Sepse, nuk kërkohet prej dikujt që të falë një kohë të namazit akoma pa e pranuar Njëshmërinë e Allahut, pra akoma pa qenë muveh-hid. Së pari, kërkohet besimi e pastaj obligimet e tjera me radhë një nga një.

      Ky është një standard procedural i fesë Islame, dhe kështu na ka mësuar Pejgamberi a.s., kur e dërgoi Muadh bin Xhebelin misionar në Jemen, në vitin e 9 (nëntë) hixhrij, të cilit i pati thënë:

إنك تقدم على قوم من أهل الكتاب فليكن أول ما تدعوهم إلى أن يوحدوا الله تعالى

      “Ti do të shkosh te një popull i cili është ithtarë i librit (ehlul kitab - te hebrenjët dhe krishterët). Gjëja e parë në të cilën do t’i thërrasish ata është që ta shprehin (pranojnë) Njëshmërinë e Allahut xh.sh….”[3]. Në këtë hadith Pejgamberi a.s. e përmend fjalën “juveh-hidu”, që do të thotë: do t’i thërrasësh ata që të bëhen muveh-hidun të Allahut xh.sh.. E, në një hadith tjetër, Pejgamberi a.s. ka thënë:

أُمِرْتُ أَنْ أُقَاتِلَ النَّاسَ حَتَّي يَقُولُوا لَا إِلهَ إِلَّا اللهُ فَمَنْ قَالَ لَا إِلهَ إِلَّا اللهُ

 فَقَدْ عَصَمَ مِنِّي مَالَهُ وَ نَفْسَهُ إِلَّا بِحَقِّهِ وَ حِسَابُهُ عَلَي اللهِ

      “Jam urdhëruar të luftoj kundër njerëzve, derisa të thonë “la ilahe il-la’Llah” – nuk ka zot tjetër përpos Allahut. E kush thotë “la ilahe il-la’Llah” – nuk ka zot tjetër përpos Allahut, ai i ka të mbrojtura pasurinë e tij dhe jetën e tij prej meje, përveç detyrimeve (përgjegjësive) të tij juridike. Kurse llogaria e aspektit të brendshëm (për fjalën që e ka thënë) i përket Allahut...”[4]

      Tani, secili njeri që e ka pranuar besimin islam, është i obliguar që t’i përmbahet urdhëresave dhe ndalesave që dalin nga doktrina e besimit islam. Çështja varet nga interesimi i besimtarit nëse mjaftohet vetëm në deklarimin e besimit apo do të vazhdojë përbrendësimin e përgjithshëm të besimit islam dhe të fesë islame në përgjithësi, për të cilin ai është i obliguar nga Allahu. Nëse ai mjaftohet vetëm me deklarimin e besimit islam, dhe këtë nuk e kundërshton as me zemër, as me fjalë e as me vepër, ai ka ngelur në pozitën e të qenurit muveh-hid. Por, edhe nëse vazhdon me respektimin e urdhëresave dhe ndalesave, ai përsëri është muveh-hid, veçse tani ai e ka edhe një argument tjetër, atë të përmbushjes së obligimeve fetare, e të cilin e renditin në radhën e besimtarëve të mirëfilltë (mu’minun). Domethënë, sipas një përcaktimi të lirë, kuptohet pa i vënë pikën e fundit alternativave të tjera, sepse çështja kërkon studim më të gjithanshëm, nocioni muveh-hidun është emërtim praktik për muslimanët që ngelin fillestarë në Islam, ndërsa nocioni mu’minun është tipar për besimtarët islamë të mirëfilltë. Me këtë kuptim e hasim në literaturën burimore dhe në përdorimin e ulemave. Ndërsa, reflektimi i kësaj strukture (muveh-hidun/mu’minun) është prezent në botën islame dhe tek ne.

 

“Muveh-hidunët” janë besimtarë islamë nominalisht

      Është e vërtetë se në parim muveh-hidunët janë besimtarë islamë, sepse ata e kanë besuar Allahun dhe këtë nuk e kanë kundërshtuar. Po ashtu ata e kanë besuar pejgamberinë e Muhamedit a.s. dhe të gjithë atë që i është shpallur nga Allahu, dhe këtë nuk e kanë kundërshtuar, si dhe e kanë besuar Kur’anin dhe këtë nuk e kanë kundërshtuar, e kështu me radhë. Por, ç’e do që, kundrejt këtij besimi të deklaruar, ata nuk preukupohen në mënyrë të vetëdijshme për respektimin e urdhëresave dhe ndalesave të Allahut të Madhëruar. Problematika e çështjes është në këtë rrafsh.

      Në citatet kur’anore dhe në hadithe të Pejgamberit a.s. është vërtetuar se veprimi më i rëndësishëm për njeriun dhe jetën e tij është akti i të besuarit në Allahun e Madhëruar, atë akt, të cilin mendohet se e kanë muveh-hidunët. Ky akt, që në shikim të parë duket aq i thjeshtë, është veprimi më domethënës për jetën e njeriut dhe pozitën e tij në besimin islam. Sepse, në momentin kur njeriu nuk e pranon Allahun për Krijues, apo kur e beson Allahun gabimisht, siç veprojnë jomuslimanët, është ofendimi më i rëndë që i bëhet Krijuesit. Për këtë arsye themi se rëndësia e imanit është e pakrahasueshme me asnjë veprim tjetër, sa që të gjitha veprat e mira të njeriut nëse vendosën në njërën anë të peshores, dhe imani i vetëm në anën tjetër, ky i fundit do të peshojë më rëndë. Kjo tregon vlerën e jashtëzakonshme të tij. Dhe e kundërta, sado që njeriu mund të bëjë mirë dhe vepra të mira, nëse nuk e ka imanin, veprat e tij nuk do të mund ta shpëtojnë në Ditën e Gjykimit. Kjo është e vërtetë.

      Mbi këtë bazë, Pejgamberi a.s. shumë e kishte lutur xhaxhain e tij Ebu Talibin që ta thoshte një fjalë të vetme, e cila në Ditën e Gjykimit do të jetë shpëtimtare për të. Le ta sjellim hadithin në vazhdim. Transmeton Imam Muslimi me varg zinxhiror nga Se’id bin Musejjebi, ky nga babai i tij i cili ka thënë:

عَنْ ابْنِ شِهَابٍ قَالَ أَخْبَرَنِي سَعِيدُ بْنُ الْمُسَيَّبِ عَنْ أَبِيهِ قَالَ لَمَّا حَضَرَتْ أَبَا طَالِبٍ الْوَفَاةُ جَاءَهُ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ فَوَجَدَ عِنْدَهُ أَبَا جَهْلٍ وَعَبْدَ اللَّهِ بْنَ أَبِي أُمَيَّةَ بْنِ الْمُغِيرَةِ فَقَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ يَا عَمِّ قُلْ لَا إِلَهَ إِلَّا اللَّهُ كَلِمَةً أَشْهَدُ لَكَ بِهَا عِنْدَ اللَّهِ فَقَالَ أَبُو جَهْلٍ وَعَبْدُ اللَّهِ بْنُ أَبِي أُمَيَّةَ يَا أَبَا طَالِبٍ أَتَرْغَبُ عَنْ مِلَّةِ عَبْدِ الْمُطَّلِبِ فَلَمْ يَزَلْ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ يَعْرِضُهَا عَلَيْهِ وَيُعِيدُ لَهُ تِلْكَ الْمَقَالَةَ حَتَّى قَالَ أَبُو طَالِبٍ آخِرَ مَا كَلَّمَهُمْ هُوَ عَلَى مِلَّةِ عَبْدِ الْمُطَّلِبِ وَأَبَى أَنْ يَقُولَ لَا إِلَهَ إِلَّا اللَّهُ فَقَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ أَمَا وَاللَّهِ لَأَسْتَغْفِرَنَّ لَكَ مَا لَمْ أُنْهَ عَنْكَ فَأَنْزَلَ اللَّهُ عَزَّ وَجَلَّ

     “Kur Ebu Talibit iu afrua vdekja, atij i erdhi Resulull – Llahu s.a.v.s. e tek ai e gjeti Ebu Xhehlin dhe Abdullah bin Ebi Umejjete bin El-Mugirete dhe i tha atij (Ebu Talibit):“O xhaxhai im thuaj (dëshmo) ‘nuk ka zot tjetër pos Allahut’, fjalë kjo me të cilën do të dëshmoj për ty tek Allahu. Ebu Xhehli dhe Abdullah bin Ebi Umejjete thanë: O Ebu Talib a po largohesh nga feja e Abdul Muttalibit? Resulull-Lahi s.a.ë.s. vazhdoi t’ia paraqiste dhe përsëriste këtë thënie derisa Ebu Talibi fjalën e tij të fundit dhe definitive e tha se ai nuk largohet nga feja e Abdul Muttalibit dhe refuzoi që të thoshte: ‘nuk ka zot tjetër pos Allahut’. Atëherë Pejgamberi a .s . i tha atij: (dije se ) Pasha Zotin gjithësesi do të kërkoja falje për ty, po t’u mos u pengohesha për ta bërë një gjë të tillë.[5]

      E, pra, cila ishte ajo fjalë që Pejgamberi a.s. e luste xhaxhain e tij që ta thoshte me gojën e tij? Pa dyshim, ishte fjala “la ilahe il-lallah – Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut”. Ndonëse xhaxhai i tij, ndodhej në çastet e fundit të jetës së tij, edhe atëherë Pejgamberi a.s. po kërkonte që ai ta deklaronte këtë fjalë. Arsyeja ishte që Ebu Talibi të bëhej musliman dhe që Pejgamberi a.s të mund të bënte shefat (ndërmjetësim tek Allahu) në Ditën e Gjykimit për xhaxhain e tij, për hirë të asaj që ai ishte kujdesur për rritjen e tij, po edhe mbi të gjitha e kishte përkrahur dhe mbrojtur aq shumë, në kohën kur armiqtë e luftonin për shkak të besimit islam, të atij besimi e feje, që Ebu Talibi më në fund nuk e pati fatin ta përqafojë.

      Domethënë, maksima la ilahe ilall-llah, sa do që duket e thjeshtë në perceptim të parë, ka rëndësi të veçantë dhe jetike për jetën e njeriut, në këtë botë dhe në botën tjetër. Analoge me këtë është çështja e muveh-hidunëve, të cilët e kanë deklaruar fjalën la ilahe ilall-lah dhe nuk kanë shkuar më shumë nga aspekti i veprave. Të tillët, në parim janë muslimanë nominalisht, nëse këtë nuk e kundërshtojnë me fjalë e vepër, dhe e kanë arritur atë pragun e domosdoshëm, respektivisht të nevojshëm, që si akt fundamental kërkohet nga çdo njeri.

 

Dallimi në mes të “muveh-idunëve”

      Le të themi se muveh-hidunët nuk janë të gjithë të barabartë. Duke patur parasysh realitetin në terren, ekziston dallimi në mes të tyre. Nuk është fjala për dallim nga aspekti i (mos)bërjes së veprave, sepse në këtë drejtim relativisht të gjithë janë njësoj, por dallimi është për nga aspekti i mbajtjes dhe vërtetimit të përkatësisë së tyre fetare islame. Kështu që, ekzistojnë dy kategori të muveh-hidunëve:

      1) Muveh-hidunët, të cilët qëndrojnë të paluhatur në përkatësinë e tyre fetare islame. Ky lloj i muveh-hidunëve nuk e kundërshtojnë përcaktimin e tyre fetar, dhe janë të vetëdijshëm për gabimin e tyre, nga që nuk i respektojnë detyrimet fetare islame. Ne, kemi patur rastin të dëgjojmë prej muslimanëve nga shoqëria jonë kosovare gjersa krenohen me përkatësinë e tyre islame, po edhe njëkohësisht e fajësojnë veten përse nuk i përmbahen mësimeve të Kur’anit dhe traditës profetike të Pejgamberit a.s., të cilët sipas tyre janë udhëzime të pazëvendësueshme. Por, sikundër kësaj e metë e tyre e pajustifikueshme është mospërmbushja e detyrimeve fetare. Prej tyre kërkohet që menjëherë të fillojnë respektimin e urdhëresave dhe ndalesave të Allahut dhe këtë mos ta vonojnë as dhe një minut. Paralelisht, kësaj apo paraprakisht ata duhet të pendohen tek Allahu për të gjitha lëshimet që i kanë bërë. Mirëpo, për shkak të mospërmbushjes së urdhëresave dhe ndalesave të fesë Islame, të tillët gjenden fajtorë dhe konsiderohen mëkatarë të mëdhenjë, por jo edhe të dalur nga feja Islame (tekfir), siç kanë vepruar disa fraksione islame. E ardhmja e tyre në botën tjetër nuk është e mirë, nëse nuk pendohen tek Allahu dhe të përmirësohen drejt respektimit të detyrimeve fetare.

      Imam Ebu Hanife r.h. në lidhje me çështjen e muveh-hidunëve thotë: Për të tillët përmbahemi dhe nuk dëshmojmë se janë prej xhehennemlive apo xhennetlive, mirëpo shpresojmë (nerxhu) se Allahu do t’i falë, po edhe frikësohemi për të ardhmen e tyre në botën tjetër. Në lidhje me ta e themi atë që e ka thënë Allahu: “Ata përzien vepra të mira, e edhe të tjera të këqia. Atyre do t’u falë Allahu, se Ai i falë atij që pendohet…” (Et-Tevbe, 102). Po ashtu shpresojmë pë ata, ngase Allahu ka thënë:

إِنَّ اللّهَ لاَ يَغْفِرُ أَن يُشْرَكَ بِهِ وَيَغْفِرُ مَا دُونَ ذَلِكَ لِمَن يَشَاء

      “S’ka dyshim se Allahu nuk falë (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i falë kujt do…” (En-Nisa, 48), po edhe frikësohemi për mëkatet dhe të këqijat e tyre.”[6]

      Pra, ekziston shpresa se mëkatarët e mëdhenjë, për shkak të mirësisë së besimit islam, një ditë do të përfundojnë në xhennet, vetëm nëse jeta e tyre ka përfunduar me iman. Dijetari i ehlus-sunneti ve’l xhemaatit, imam Tahaviu r.h. thotë: Mëkatarët e mëdhenj nga ymeti i Muhammedit a.s. nuk do të jenë në xhehenem përgjithmonë, nëse ata kanë vdekur si besimtarë (muveh-hidun), edhe nëse nuk pendohen para vdekjes. Ata janë nën dëshirën dhe gjykimin e Allahut. Nëse don t’ua falë (mëkatet) ua falë me mirësinë e Tij, siç thotë Ai në Kur’an: “S’ka dyshim se Allahu nuk fal (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i fal kujt don.” (Kur’ani, En-Nisa, 48), e nëse dëshiron i dënon me xhehennem me drejtësinë e Tij, për të këqiat e tyre dhe aq sa janë meritorë për dënimin e Tij, dhe pastaj i nxjerr prej tij me mëshirën e Tij dhe me shefatin (ndërmjetësimin) e atyre që ndërmjetësojnë (te Zoti për faljen e tyre) prej njerëzve bamirës, e pastaj i dërgon në xhennetin e Tij, sepse Allahu i Madhëruar i afron (i ndihmon) ata të cilët e besojnë Atë, dhe nuk i barazon në këtë botë dhe në tjetrën me ata të cilët nuk e besojnë Atë, që u distancuan nga udhëzimi i Tij dhe nuk bënë asgjë për ta fituar ndihmën e Tij. O Allahu im ndihmues i Islamit dhe i muslimanëve na forco në Islam përgjithmonë derisa të takojmë Ty.”[7]

      Domethënë, përfundimi i muveh-hidunëve në xhennetin e Allahut do të ndodhë, ngase ata në çështjen kryesore të fesë, e që është besimi i palëkundur në Njëshmërinë e Allahut, dhe besimi në atë që i është shpallur Muhamedit a.s., nuk kanë dyshuar asnjëherë. Shpresojmë në mëshirën e Allahut për mëkatet e tyre, pasiqë, përveç ajetit që u përmend më lartë, edhe Pejgamberi a.s. ka thënë:

مَنْ ماَتَ وَ هُوَ يَعْلَمُ أنَّهُ لاَ إلَهَ إلاَّ الله دَخَلَ الْجَنَّةَ

     “Kush vdes duke e ditur (besuar) se nuk ka zot tjetër përveç Allahut, do të hyjë në xhennet.[8]

      Por, është shumë me rëndësi të saktësojmë. Ne, në këtë rast, po flasim për atë lloj të muveh-hidunëve, të cilët janë gjetur në këtë gjendje çfarë janë, dhe kjo gjendje e tyre nuk lidhet me asnjë paramendim të tyre për t’u gjetur kësisoji. Me këtë dua të them se ka prej tipave të këtillë, që duke e ditur se në Islam ekziston dera e pendimit, nuk brengosen për gjendjen e tyre momentale që nuk janë duke i përmbushur detyrimet fetare, madje mbi këtë bazë mund të bëjnë edhe vepra të këqia, me arsyen se kur t’i afrohen pleqërisë pendohen tek Allahu, dhe e kaluara e tyre falet, dhe me kaq mbaron puna. Është e vërtetë se dera e pendimi në Islam është e hapur, deri në momentet e fundit të jetës së njeriut, por ky veprim me paramendim është një veprim i gabuar dhe mashtrues, sepse me këtë rast muslimani që i ka këto mendime rrezikohet të bëhet objekt i akuzës për dalje nga Islami në kuadër të akuzës së “kufrit i’radij – kufrit për shkak të indiferencës”.[9] Njeriu mund ta mashtrojë veten e tij me të tilla paramendimesh, por jo Allahun, sepse Allahu e di çdo gjë në vetën tonë nga e kaluara, e tashmja dhe ardhmja. Prandaj, edhe çdo pendim i ardhshëm që shoqërohet me paramendime të tilla vlerësohet tek Allahu në proporcion me qëllimet e vetë besimtarit.

      2) Muveh-hidunët e luhatur në besimin islam. Ky lloj, ndonëse e pranojnë se i përkasin besimit islam, megjithatë nuk e konsiderojnë vetveten e tyre përgjegjës për mosrespektimin e urdhëresave dhe ndalesave të Allahut, por, përkundrazi flasin fjalë që vijnë në kundërshtim të qartë me doktrinën e besimit islam. Ne, kemi patur rastin të dëgjojmë prej muslimanëve të hapësirave tona, të cilët e sulmojnë Islamin dhe identitetin islam, ndërkohë që nuk heqin dorë nga përkatësia e tyre islame. Ata, janë të prirur ta nënvlerësojnë Islamin, madje, përveç që nuk i zbatojnë detyrimet fetare, ata këtë e konsiderojnë të panevojshme për njeriun. Nuk kanë njohuri për Islamin në përgjithësi, ndërsa doktrinën e besimit islamë e gjykojnë me diapazonin e arsyes së tyre. Atë që e vlerëson arsyeja e tyre e pranojnë e atë që nuk e vlerëson nuk e pranojnë. E lejojnë alkoolin, flasin fjalë injoruese për Pejgamberin a.s., për Kur’anin. Pastaj, nuk e prnojnë ringjalljen pas vdekjes, dhe pyetjen më të shpeshtë e bëjnë: “A është çu dikush prej varrit e me na kallxue se ka xhennet dhe xhehennem?”, etj, etj.

      Tipat e këtillë, për shkak të këtyre qëndrimeve, e tejkalojnë të qenurit e tyre mëkatarë të mëdhenjë, ngase fjalët e tyre që reflektojnë qëndrimet e tyre, janë aq kontradiktore sa e pamundësojnë të ekzistuarit e tyre në Islam. Si në rastin e parë edhe në këtë rast, kërkohet nga ata që menjëherë të heqin dorë nga bindjet kontradiktore me besimin islam, dhe të fillojnë me respektimin e urdhëresave dhe ndalesave të Allahut. Nëse ata nuk heqin dorë, atëherë sipas procedurave të sheriatit islam ata duhet të përballen me akuzën për dezertim nga Islami. Së pari, atyre u sillet argumenti islam për secilën bindjeje dhe u tërhiqet vërejtja se bindja në fjalë konsiderohet largim nga rruga e Islamit. Nëse nuk heqin dorë nga ato bindje kontradiktore me besimin islam, pason aktakuza për apostazi - dalje nga Feja Islame (مرتد). E, kjo domethënë se ai privohet nga të drejtat islame, pasi paraprakisht të plotësohen kushtet sheriatike të aktakuzës (tekfirit) dhe të evitohen pengesat e saj, sikurse është ofrimi i mundësisë që ai të kthehet sërish në fenë Islame (duke përfshirë procedurat adekuate për këtë), pastaj sqarimi i atyre çështjeve (bazore) me argumente në të cilat ka rënë në apostazi si shkak i qëndrimeve të deklaruara, etj. Nëse pendohet nga qëndrimet e tij, kthehet në shoqërinë islame me të gjitha të drejtat dhe detyrimet, në të kundërtën ekzekutohet.[10] E, nëse ekzekutimi nuk mund të realizohet (zakonisht në vende ku sheriati nuk ka aplikim), atëherë atij as nuk i jepet selam e as nuk i kthehet; nuk ka mbrojtje për jetën e tij dhe pasurinë e tij; nuk mund të martohet me grua muslimane; apo nëse është i martuar shkurorizohet; nëse vdes në këtë gjendje nuk i lahet xhenazja; nuk i falet namazi i xhenazës; nuk varroset në varrezat e muslimanëve; nuk zbatohen parimet e trashigimisë ndërmjet tij dhe të afërmeve dhe dispozita të tjera[11].


[1] Ibrahim Mustafa; Hamid Abdul Kadir; Ahmed Hasan Ez-Zijat; Muhamed Alij Nexhar, “El-Mu’xhemul vesit”- ½, boton Darud-da’veti, Stamboll, Turqi, 1989/1410, fq. 1016.

[2] Nocioni muveh-hidun, në këtë punim e përmban këtë domethënie.

[3] Transmeton Buhariu nga Ibni Abasi (Sahihu’l Buhari, Kitabut-Tevhid, hadithi nr.6937), sipas: http://ëëë.islamëeb.net – el-hadithu’sh-sherif.

[4] Sahihu’l Muslim bi’sherhi’n Nevevij”, botimi i parë, Kairo, 1347 h\1929 m, pjesa e parë dhe e dytë, 1/206.

[5] “Sahihu’l Muslim” , botimi i Kairos, 1/ 214-215. Me këtë rast Allahu e ka zbritur ajetin:

مَا كَانَ لِلنَّبِيِّ وَالَّذِينَ آمَنُواْ أَن يَسْتَغْفِرُواْ لِلْمُشْرِكِينَ وَلَوْ كَانُواْ أُوْلِي قُرْبَى مِن بَعْدِ مَا تَبَيَّنَ لَهُمْ أَنَّهُمْ أَصْحَابُ الْجَحِيمِ - “Nuk është e drejtë për Pejgamberin e as për besimtarët të kërkojnë falje për idhujtarët, edhe nëse janë të afërt të tyre, pasi që ta kenë të qartë se me të vërtetë ata (idhujtarët) janë banues të xhehennemit.” (Kur’ani, Et-Tevbeh, 113). Po ashtu, në lidhje me Ebu Talibin, zbriti ajeti:

إِنَّكَ لَا تَهْدِي مَنْ أَحْبَبْتَ وَلَكِنَّ اللَّهَ يَهْدِي مَن يَشَاء وَهُوَ أَعْلَمُ بِالْمُهْتَدِينَ - “Është e vërtetë si ti nuk mund ta udhëzosh atë që do ti, por Allahu udhëzon kë të dojë dhe Ai është që di më së miri për të udhëzuarit.” (Kur’ani, El-Kasas, 56).

[6] Ebu Hanifete, El-Alim ve’l muteal-lim, cituar sipas: Mustafa Öz, Imam-i A’zamın beş eseri, El Alim ve’l muteal-lim; El Fikhu’l Ebsat; El Fikhu’l Ekber; Risaletu Ebi Hanifete; El Vesijjeh, Stamboll, 1992, fq. 30-31.

[7] El-Al-lametu Abdul Ganij El-Gunejmij El-Mejdanij El-Hanefij, Sherhu’l-akideti’t-tahavijjeti, botimi i parë, darul bejrutij, pa vend të botimit, 2005, fq. 119-121; Ibnu Ebil Izz El-Hanefijj, “Sherhul akidetit-tahavije”, botimi i nëntë, El-mektebetu’l Islamijj, Bejrut, 1408h \ 1988m, fq. 369-370.

[8] “Sahihu’l Muslim”,  po aty, 1/218.

[9] Allahu i Madhëruar thotë: “Ne nuk i krijuam qiejt e tokën dhe atë që ekziston ndërmjet tyre, përpos me qëllim dhe për një afat të caktuar, kurse ata që nuk besuan nuk i vunë veshin asaj me çka u tërhiqet vërejtja.” (Kur’ani, El-Ahkaf, 3).

[10] Pejgamberi a.s. ka thënë: “مَنْ بَدَّلَ دِينَهُ فَاقْتُلُوهُ - Kush dezerton nga Feja Islame, mbyteni” (Ahmed bin Alij bin Haxher El-Askalanij,“Fet’hu’l bari sherhu Sahihi’l Buhari” botimi i parë, Mektebetu’d-dari’s-selam, Rijad, 1421 h / 2000 m, ‘Kitabu istitabetil murted-dine vel muanidine’, kapitulli 2, hadithi nr.6922).

[11] Alaud-din Ebi Bekr bin Mes’ud El-Kasanij El-Hanefij “Bedaiu’s-sanai’i”, botimi i parë, daru’l-fikri, Bejrut-Liban, 1996/1417, vëll. IV, fq. 198-206.

Kryesia e BIRK - ut

Lajme – Bashkësia Islame e Kosovës

Webfaqja zyrtare e Bashkësisë Islame
  • Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës në aksionin e ndërmarr me datë 29 nëntor 2019, për grumbullimin e mjeteve financiare për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri, ka njoftuar se janë mbledhur gjithsej 304,437,89 euro. Më poshtë mund ta gjeni listën e plotë të kontribuuesve: Nr.Këshillat e Bashkësisë Islame dhe individë të …

  • Abu Dhabi, 8 dhjetor Sot në Abu Dhabi, në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, filloi punimet Forumi i gjashte për Promovimin e Paqes në Shoqëri Myslimane. Forumi global i këtij viti po mbahet me titullin “Roli i feve në përforcimin e tolerancës, nga mundësia në imperativ (domosdoshmëri)”, i cili po organizohet nën patronimin e …

KBI Prizren

Njoftime

Kur`an, Tefsir, Akaid, Fikh, Hadith, Histori Islame, Fetva të ndryshme, Video - Ligjërata ...

Në facebook

Tanzil.net

Mp3quran.net

Kopertina e librave

Sa janë online

We have 3 guests and no members online