Ramazani - muaj i gëzimit

Mr. Orhan ef. Bislimaj

 

Ramazani - muaj i gëzimit

(Shpjegim akaidologjik i fjalës së Allahut xh.sh.)

 

Allahu i Lartësuar në Kur’anin Famëlartë ka thënë:

وَأَنَّهُ هُوَ أَضْحَكَ وَأَبْكَىٰ

“Dhe se Ai (Allahu) bën për të qeshë dhe bën për të qarë” (Kur’ani, En-Nexhm, 43)

 

1. Hyrje

 

Agjërimi i muajit të Ramazanit, si një prej ibadeteve bazike në fenë Islame nuk harron të vijë për çdo vit. Ai nuk vjen shumë herë brenda vitit, veçse njëherë. Kjo e bën agjërimin mjaft atraktiv, të pritshëm dhe të mirëseardhur. Edhe në këtë vit, sikurse edhe viteve të tjera, atmosfera e gëzimit të agjërimit ka filluar t’i pushtojë zemrat e besimtarëve islamë, dhe atë nga vetë ardhja e muajit Rexhep, në të cilin shënohet dita, që fikson ndarjen e ashtuquajtur “tre muajt e Ramaznit”.

 

2. “Të qeshurit” dhe “të qarit” një mrekulli hyjnore

 

Në ajetin e sipërcituar, Allahu i Lartësuar në Kur’anin e Madhërishëm ka vërtetuar se të qeshurit dhe të qarit e vërtetë, vijnë prej Allahut. Kuptohet, këtu nuk bëhet fjalë për një gjendje artificiale, që zakonisht artistët dhe aktorët e shprehin nëpër shfaqjet e tyre teatrale. Jo, në ajetin e sipërthënë bëhet fjalë për një gjendje natyrale e origjinale nga Allahu, respektivisht për atë të qeshurit e vërtetë, që edhe po deshe ta ndalësh, nuk mund ta ndalësh, dhe për atë të qarit e vërtetë, që shfaqet në lotë të zjarrtë, që burojnë nga thellësia e zemrës dhe e shpirtit.

Në realitet, ajeti flet për një mrekulli hyjnore që ekziston në vetë individin, e të cilën thuajse njeriu nuk e heton. Mendimtari i madh islam, Muhamed Mutevel-li Sha’ravi, duke shpjeguar këtë ajet thotë: “Shumëkush e lexon këtë ajet fisnik pa u thelluar fort në të, mirëpo duhet ditur se ky ajet kur’anor përmban në vete një mrekulli të madhe hyjnore.”[1]

Le të parashtrojmë pyetjen, ku qëndron fshehtësia e kësaj mrekullie hyjnore? Pa dyshim mrekullia hyjnore që shfaqet në këtë ajet, përmbahet në faktin se gjendjen e të qeshurit dhe të qarit e natyrshëm e krijon vetëm Allahu dhe jo njeriu. Mrekulli e vërtetë, apo jo!? Nëse e analizojmë pak më thellë këtë realitet, e vërtetojmë apriori këtë mrekulli hyjnore, sipas së cilës njeriu sfidohet edhe nga vetvetja e vet, gjersa nuk mund të qeshë natyrshëm kur të dojë apo të qajë kur të dojë. Në thelb të kësaj filozofie kur’anore qëndron intenca, që njeriut t’i bëhet e qartë se Krijuesi i gjithësisë dhe i njeriut është Allahu, dhe se në vullnetin e Tij është çdo gjë. Domethënë se në vullnetin e Allahut është gjithçka, madje edhe emocionet e njeriut, për të cilat, krekosja njerëzore mendon se i ka në dorën e vet. Edhe më tej, ajeti sikur i drejtohet mentalitetit njerëzor, se kthimi drejt Allahut, drejt udhëzimit të Tij, respektivisht drejt rrugës së drejtë është në themelin e natyrshëm të natyrës njerëzore. Këtë kthim e kërkon urtësia e tij dhe vetë emocionet që nuk mund të pavarësohen nga vullneti i Allahut.

Pas leximit të këtij ajeti, askujt nuk i mbetet ta thotë të kundërtën. Ajeti e sfidon njeriun në esencë, duke i ofruar argumente kategorike që e përballin atë me vetveten e vet. Ideja është e thjeshtë, nëse ai nuk e ka në dorë ndjenën për të qeshë apo për të qarë, kjo do të thotë se ai është i pafuqishëm për shumë aspekte në vetveten.

Sikundër kësaj, ka edhe të atillë që të qeshurit dhe të qarit artificial i përziejnë me ndjenjën e natyrshme. Njeriu mund të aktrojë gjendje, por me lehtësi vërehet se ajo gjendje nuk reflekton emocion natyral, për të cilin flet ajeti. Bile, këtë të vërtetë secili individ e di për vetveten. Kjo do të thotë se “askush prej nesh nuk ka forcë e as mundësi që të qeshë me qeshje natyrale sipas vullnetit të tij, përpos nëse këtë e bën në mënyrë artificiale, duke u shtirur se po qeshë apo po qanë. Prandaj, të qeshurit dhe të qarit natyral vjen vetëm nga Allahu xh.sh. për të gjithë njerëzit njësoj. Nuk ka buzëqeshje angleze, buzëqeshje amerikane apo buzëqeshje afrikane, por ekziston vetëm një buzëqeshje e përbashkët për të gjithë. As nuk ka qarje aziatike apo qarje australiane, por ekziston vetëm një qarje e përbashkët. Nëse ato artificializohen, do të ndryshojnë, e nëse janë natyrale, do të jenë të njëjta.”[2]

Së këndejmi, duke e kuptuar diskursin e domethënies së ajetit sipas kuptimit afirmativ të temës së shtruar për diskutim, themi se të qeshurit në kontekstin njerëzor manifeston gëzimin e njeriut, pra lumturinë e tij shpirtërore, ndërsa të qarit manifeston jo gëzimin, respektivisht dëshpërimin e njeriut. Mbase, në këto karakterizime, mund të ketë edhe interferime të tjera kuptimore anësore, p.sh. njeriu mund të qajë edhe prej gëzimit të madh, apo të qeshë edhe prej zorit, por në parim kuptimi i përgjithshëm i të qeshurit dhe të qarit ndërlidhet me gëzimin dhe dëshpërimin.

 

3. Ardhja e Ramazanit motiv për gëzim të vërtetë

 

Ajo që u tha më sipër, është vetëm një uvertyrë për atë që synojmë ta themi në vijim. Gjersa, gjendja e të qeshurit natyral, apo e të qarit natyral është e përbashkët për të gjithë njerëzit dhe është e njëjtë, ngaqë vjen prej Allahut, në anën tjetër shkaqet që i motivojnë ato ndryshojnë nga njëri rast në tjetrin. Pikërisht këto shkaqe, që në thjesht përdorim i quajmë “sebepe”, janë strumbulluar i frymës së këtij ajeti në raport me agjërimin apo për ndonjë çështje tjetër në përgjithësi.

Le t’i kthehemi çështjes! Allahu në ajetin në fjalë po thotë: Innehu ad’hake ve ebka - “Dhe se Ai (Allahu) bën për të qeshë dhe bën për të qarë.” (Kur’ani, En-Nexhm, 43). Secili njeri, sapo ta lexojë këtë ajet, arrinë ta kuptojë se Allahu nuk e realizon të qeshurit dhe të qarit te njeriu, nëpërmjet ndonjë mënyre që nuk përmban motive. Thjesht, njeriu nuk mund të qeshë apo të qajë në mënyrë natyrale pa patur ndonjë motiv, pa marrë parasysh atë. Mirëpo, njeriu qeshë dhe qanë për shkak të motiveve, të cilat mund të jenë të dukshme dhe të padukshme, emanente dhe abstrakte. P.sh., njeriu kur shikon ndonjë rast emocional, mund të motivohet për të qeshë apo për të qarë, varësisht prej ngjyrës së motivit, por edhe të njëjtën mund ta bëjë vetëm kur e mendon ndonjë rast të tillë në vetëdijën e vet. Në lidhje me këtë, transmeton imam Kurtubiu në Tefsirin e tij hadithin e Pejgamberit a.s. nga hazreti Aisheja r.a. e cila ka thënë:

" مَرَّ النبيُّ صلى الله عليه وسلم على قوم من أصحابه وهم يضحكون، فقال: «لو تعلمون ما أعلم لضحكتم قليلاً ولبكيتم كثيراً» فنزل عليه جبريل فقال: يا محمد! إن الله يقول لك: { وَأَنَّهُ هُوَ أَضْحَكَ وَأَبْكَىٰ }. فرجع إليهم فقال: «ما خطوت أربعين خطوة حتى أتاني جبريل فقال ٱيِت هؤلاء فقل لهم إن الله تعالى يقول: { هُوَ أَضْحَكَ وَأَبْكَىٰ } "

 

Ka kaluar Pejgamberi s.av.s. pranë një populli prej shokëve të tij, të cilët ishin duke qeshur. Ai tha: sikur ta dinit atë që e di unë, me siguri se pak do të qeshnit dhe shumë do të qanit!” Menjëherë pas kësaj, Pejgamberit a.s. i zbriti Xhibrili a.s. dhe i tha: O Muhamed! Allahu po të thotë: “Dhe se Ai (Allahu) bën për të qeshë dhe bën për të qarë.” Pejgamberi a.s. u kthye tek ata, dhe tha: nuk i kam kaluar katërdhjetë hapa prej sa u largova nga ju, kur më erdhi Xhibrili dhe më tha: shko tek ata dhe thuaj atyre: Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe se Ai (Allahu) bën për të qeshë dhe bën për të qarë.”[3] Imam Kurtubiu thotë se kjo domethënë “i ka krijuar shkaqet e qeshjes dhe të qarjes” (أي قضى أسباب الضحك والبكاء).

Nga ky aspekt, një rëndësi të jashtëzakonshme, duket ta ketë natyra e motivit, që në një farë mënyre tregon formimin shpirtëror të individit. Për shembull, te fëmijët motivi që i shtyn ata për të qeshë ka të bëjë me gjërat që i përkasin kategorisë së tyre, sikurse janë lojrat e ndryshme fëmijërore, lodrat, etj., kurse motivi që i bën për të qarë përsëri ka të bëjë me nivelin e mentalitetit të tyre. Tek individi që nuk ka shquarje fetare, motivet e gëzimit mund të jenë të natyrës së përditshmërisë, p.sh. gëzohet kur e mendon se pas një muaji do të martohet, apo do të punësohet, apo se do t’i lind fëmijë, etj.., po kështu ai kaplohet nga hidhërimi kur e mendon se pas një muaji do të largohet nga puna, etj.. Domethënë, këto motive janë në epiqendër të emocioneve të tij, gjersa të njëjtit nuk i bëjnë fare përshtypje motivet fetare. Sikundër kësaj, tek individi që ka shquarje fetare, që në zemrën e tij ushqen dashuri të sinqertë për Allahun dhe të Dërguarin e Tij, përveç ndikimit të motiveve të natyrës së përditshmërisë njerëzore siç u cekën më lartë, mbi të gjitha, tek ai, motivi i gëzimit është zbatimi i ibadeteve ndaj Allahut, ndërsa motivi i hidhërimit janë veprat e këqija dhe mëkatet.

Tani, kur jemi në vigjilje të muajit të shenjtë të Ramazanit, ardhja e tij për dikë është motiv për të qeshë, pra për t’u gëzuar dhe për dikë motiv për të qarë, pra për t’u dëshpëruar. Kjo pasqyron tërësisht gjendjen natyrale të vetë besimtarit dhe qëndron në themelin e formimit të natyrshëm të individit. Apo, që të themi më drejtë, varet nga niveli i fortësisë së imanit të besimtarit, sepse prirja për të agjëruar bazohet në impresionimin e ndjenjës imanore – besimore. Pritja e agjërimit me buzëqeshje apo me hidhërim, përvijohet nga vetë imani. Në këtë rast imani i sinqertë në Allahun, është ai që të bën të lumtur për ardhjen e agjërimit, dhe po ‘imani’ është ai që dhuron dëshpërim për ardhjen e tij. Veçse, në rastin e parë kemi të bëjmë me imanin e vërtetë, imanin e fortë që asnjëherë nuk luhatet përballë urdhërave të Allahut, ndërsa në rastin e dytë kemi të bëjmë me imanin formal, me imanin e dobët.

Në këtë aspekt, besimtari nuk mund të shtiret i lumtur për ardhjen e Ramazanit, nëse ai vuan nga niveli i dobët i imanit në zemrën e tij. Besimtari i tillë, mund të paraqitet para njerëzve, kinse po i gëzohet ardhjes së Ramazanit, por në zemrën e tij qëndron e kundërta, e ai është i vetëdijshëm për këtë. Në këtë diskurs, agjërimi shndërrohet në një matës që mat nivelin e fortësisë së imanit dhe intenzitetin e dashurisë ndaj Allahut. Secili besimtar, në dialog me vetveten, mund t’i bëjë llogari vetvetes. Nëse gjendja e tij shpirtërore (flasim për gjendjen e natyrshme, të cilën e di secili njeri për vetveten), i gëzohet ardhjes së Ramazanit, atëherë mund të themi se i ka punët mirë me imanin e vet, e nëse nuk i gëzohet ardhjes së Ramazanit, i njëjti çalon nga imani i dobët, pavarësisht se shtiret para njerëzve kinse po i gëzohet ardhjes së Ramazanit.

 

Vështirësitë e agjërimit kënaqësi për besimtarin

 

Me të vërtetë, agjërimi është një gëzim për besimtarët, ndërsa muaji i Ramazanit një festë madhështore. Pejgamberi a.s. dhe shokët e tij sahabët (kënaqësia e Allahut qoftë mbi të gjithë ata) ardhjen e Ramazanit e prisnin me mallëngjim dhe gëzim të madh. Kur afrohej fillimi i Ramazanit, i dashuri i Allahut i drejtohej ymetit të vet me këto fjalë:

“O ju njerëz, ju erdhi juve një muaj i madhërishëm përplotë me begati, në të cilin një natë ka vlerat e një mijë muajve të tjerë. Allahu xh.sh. e ka bërë obligim agjërimin e tij…”

Fjalët e Pejgamberit a.s. “një muaj i madhërishëm përplotë me begati”, ishin sihariq për besimtarët, se ky muaj fund e krye përmban mirësi të mëdha. Kështu sihariqoi i Dërguari i Allahut, kështu e kuptuan dhe e përjetuan shokët e tij të ndershëm, e po kështu duhet ta perceptojë dhe ta kuptojë i gjithë ymeti i Muhamedit a.s.. Një gjë duhet ta kuptojmë, këto mirësi, të cilat vijnë me ibadetin e agjërimit dhe me vetë Muajin e Ramazanit, nuk ndërlidhen me Pejgamberin a.s. si krijesë, por, drejtpërdrejt mbështetën në Allahun e Gjithëfuqishëm, për të Cilin bëhet agjërimi. Ai është i Gjithëpasuri, dhe robin e Vet të sinqert e shpërblen me begati e mirësi prej nga njeriu nuk i mendon.

 Për këtë arsye, besimtari që është i sinqert në imanin e vet nuk luhatet në  përmbushjen e këtij ibadeti. Fundja, jo vetëm për hirë të mirësive që Allahu i ka premtuar për agjëruesit, por edhe për hirë të asaj që Fjala e Allahut nuk mund të mospërfillet nga akëcili besimtar. Cili besimtar, flasim për atë që e quan veten besimtar i vërtetë, e ka guximin që urdhërin e Allahut për agjërim ta nënqmojë duke mosagjëruar!? Sinqerisht, mosagjërimin pa ndonjë arsye të justifikueshme nuk mund ta pranojmë si një realitet për besimtarin. Nëse njeriu që i thotë vetvetes musliman, e përfillë fjalën e njerëzve të rëndomtë, si është e mundur që ai këtë mos ta bëjë edhe me fjalën e Allahut!?

Prandaj, besimtari i vërtetë i përgjigjet thirrjes së Allahut dhe të Dërguarit të Tij për agjërim. Në këtë rrugë është i vendosur dhe asgjë nuk mund ta ndalojë. Është për të ardhur keq, teksa dëgjojmë fjalët e disa besimtarëve, të cilët ardhjen e agjërimit e presin me dëshpërim dhe luhatje. Subhanallah – i Lartëmadhëruar është Allahu. Nuk ngurrojnë ta shpalosin publikisht ngushtësinë e shpirtit të tyre. Me fjalë nga më të ndryshmet tregojnë se agjërimi për ta është një barrë e rëndë. Dhe atë, jo për shkak të shëndetit të ligë, e as për shkak të ndonjë pune të rëndë që nuk pret në kohë, madje as për shkak të mungesës së lirisë, por për shkak të motit të nxehtë. Le ta pranojmë se moti i nxehtë e vështirëson agjërimin, por gjithashtu është e vërtetë se vullneti i madh që përshkohet me imanin e sinqertë e bën të lehtë agjërimin. Kupola e imanit të vërtetë, që ka lëshuar rreze ndriçimi në çdo qelizë të trupit të njeriut, e ka kapacitetin që çdo vështirësi të agjërimit, pa marrë parasysh nivelin e tyre, t’i fermentojë në lumturi të vërtetë.

Prandaj, nuk është për t’u habitur se si muslimani ndihet i lumtur për ardhjen e Muajit të shenjtë të agjërimit, dhe me asnjë çmim nuk do ta lëshonte rastin për të agjëruar. A thua vallë ai nuk ndien vështirësi në këtë kohë të stinës së verës kur nxehtësia përcëlon, apo mos ai ka përbërje tjetër të qenies së tij!?. Jo, është e vërtetë se ai ndien vështirësi gjatë agjërimit, dhe se është i ngjashëm sikurse edhe njerëzit e tjerë, ngase përbëhet prej trupit dhe shpirtit, por ai e posedon imanin e sinqertë që i tejkalon dobësitë njerëzore dhe vështirësitë fizike. E posedon një dritë në brendinë e tij, të cilën e çmon sikurse jetën e tij dhe nuk mund ta mendojë veten pa ekzistimin e saj. Duke u bazuar në këtë princip, besimtarin e sinqertë, nuk mund ta devijojë nga dashuria e Allahut asnjë vështirësi e asnjë kënaqësi. As nxehtësia e verës e as puna; as pagjumësia e as ashpërsia e etjes dhe urisë. Për këtë arsye, gjatë agjërimit, ai nuk dëshpërohet, as nuk qanë për ardhjen e tij, përkundrazi ngazëllohet dhe qeshë. Lumturinë e agjërimit nuk mund ta zëvendësojë me asnjë lumturi tjetër. Dhe e tëra kjo, qëndron në themelet e imanit të fuqishëm. Me një rast është pyetur hazreti Omeri r.a. se a kanë qeshur shokët e Resulullahi s.a.v.s.? Ai është përgjigjur:

قال: نعم! والإيمان والله أثبت في قلوبهم من الجبال الرواسي

Po, kanë qeshur, por betohem në Allahun se imani në zemrat e tyre ka qenë më i përforcuar se sa kodrat e patundura.”[4]

 

Atmosfera e Ramazanit – gëzim në dy botërat

 

Besimtari i vërtetë është i brumosur me lumturinë e ibadeteve. Secilin ibadet ndaj Allahut, e pret me gëzim të madh, e realizon me përkushtim të thellë, ndërsa e përcjellë me lotë të devotshmërisë. Asnjëherë nuk brengoset për ardhjen e tyre. Përkundrazi, ibadetin ndaj Allahut e shikon si një privilegjë për vetë njeriun, i cili e pati nderin, që nëpërmjet tyre t’i bëjë përkushtim dhe respektim Madhërisë së Allahut. Që nëpërmjet adhurimit të dëshmojë modestinë e vogëlsisë së vet, dhe njëkohësisht të konfirmojë se çdo ibadet ndaj Allahut, në të vërtetë transformohet në dobi për vetë njeriun. Allahu është i Gjithëpasuri, ndërsa ne kemi nevojë për të. Ai është i Madhëruar edhe atëherë kur njerëzit nuk e madhërojnë.

Këtë të vërtetë e di secili njeri, por atë e përjetojnë vetëm besimtarët e vërtetë. Ata që vetveten e tyre e kanë lidhur për dashuri ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Aty ku është kënaqësia e Allahut, aty është përkushtimi i tyre. Aty ku nuk është kënaqësia e Allahut, aty është hidhërimi i tyre. Nuk ka pengesë dhe as pengues që mund t’i ndalojë nga kjo dashuri. Besatimi për dashuri ndaj Allahut, e ngadhënjen besimtarin kundrejt dëshirave të pavlerë që vijnë nga prirjet biologjike të tij.

Me këtë ashk të dashurisë, besimtari e tejkalon vetveten. Muaji i Ramazanit dhe ibadeti i agjërimit, nuk vijnë tek ai me tutelën e rëndimit dhe vështirësive. Ata, vijnë me ngazëllimin e vërtetë. Me ndjenjën e gëzimit, që lë gjurmë të pashlyera në kujtesën e besimtarit.  

Besimtari me padurim e pret Ramazanin, sepse e do ibadetin e agjërimit, ndërsa e do agjërimin sepse e do Allahun. Për gjatë një muaj, aq sa zgjatë agjërimi i Muajit të Ramazanit, besimtari feston mëngjes dhe mbrëmje, në syfyr dhe iftar. Vizitat e ndërsjella, shkuarje-ardhjet në iftare të përbashkëta, veçse e bëjnë të pashlyer në kujtesën e besimtarit atmosferën festive të Ramazanit. Falja e namazit të teravisë në xhami bashkërisht me xhematin, muajin e Ramazanit e shndërrojnë në një mini kongres të përditshëm për besimtarët. Por jo vetëm kaq, për atmosferën e Ramazanit mbetet shumë për t’u thënë. Nuk mund t’i harrojmë tekbiret e përbashkëta për madhërimin Allahut dhe salavatet për Pejgamberin a.s.. Këto i japin muajit të Ramazanit një imazh të veçantë. Ushqimet e llojllojshme në tryezën e syfyrit dhe të iftarit, janë për çdo lakmi. Në krye të ushqimeve të mira qëndron e ashtuquajtura “pitajka e Ramazanit”, që me mjaft mbresa na kujton kënaqësitë e këtij Muaji të madhërishëm.

Prandaj, agjërimi nuk mund të sjellë ndonjë gjë tjetër, veçse lumturi që mbahet në mend përgjithmonë, që fillon në këtë botë dhe përfundon pafundësisht në botën tjetër. Pejgamberi a.s. ka thënë:

“Agjëruesi i ka dy gëzime që e gëzojnë: një gëzim kur bën iftar dhe gëzimi tjetër kur e takon Allahun (Ditën e Kijametit) gëzohet për agjërimin  e tij.[5] Nëse e analizojmë këtë hadith të Pejgamberit a.s., me lehtësi do të vërtetojmë se që të dy gëzimet e sihariquara janë tejet përmbajtësore, dhe atë si për trupin e njeriut si për shpirtin e tij.

Trupi me rastin e agjërimit i përjeton tri gëzime:

a) Në iftar, kur ha dhe pi përjeton gëzim të madh, sepse gjatë agjërimit ai është ndjerë i rrezikuar në vetë ekzistencën e vet dhe kjo është nga natyra e trupit, pasiqë burim tjetër të ekzistencës ai nuk ka;

b) Ndihet i lumtur, ngase është duke respektuar kërkesën e eprorit të vet – shpirtit; dhe

c) Nëpërmjet agjërimit, trupi ndihet më lehtë dhë më i shëndoshë nga shumë bakterie që do të mund të shëndërroheshin në sëmundje të vërteta.

Ngjashmërisht me këtë, edhe shpirti i përjeton tri gëzime të mëdha:

a) Në iftar shpirti gëzohet për qëndrimin e tij dinjitoz dhe me anë të këtij gëzimi ai e feston fitoren ndaj pasioneve dhe kënaqësive biologjike të trupit, me të cilat është në luftë të vazhdueshme dhe permanente;

b) Me anë të agjërimit shpirti gëzohet se është duke e kryer një obligim dhe ibadet ndaj Allahut – Krijuesit të Gjithësisë; dhe

c) Shpirti, gëzohet atëherë kur do të dalë para Madhërisë së Allahut xh.sh.. Ky gëzim është më madhështori prej të gjithëve.

Pikërisht, gëzimi në botën tjetër, veçse do të vërtetojë gëzimin e besimtarit me rastin e agjërimit dhe të ardhjes së muajit të shenjtë të Ramazanit. Zatën ajeti i Kur’anit: “Dhe se Ai (Allahu) bën për të qeshë dhe bën për të qarë”, nuk ndalet vetëm në këtë botë, por edhe në botën tjetër. Gëzimi dhe hidhërimi i besimtarit në botën tjetër, do të varet nga gëzimi dhe hidhërimi i tij në këtë botë për akëcilin obligim. Madje, Imam Rraziu, duke e komentuar ajetin në fjalë, çështjen e të qeshurit dhe të qarit e ndërlidhë me një realitet që do të ndodhë në botën tjetër. Këtë e vërteton me ajetin paraprak në kaptinën e njëjtë “En-Nexhm” ku Allahu thotë:

وَأَنَّ إِلَىٰ رَبّكَ ٱلْمُنتَهَىٰ 

Dhe se kthimi i fundit do të jetë te Zoti yt.” (En-Nexhm,42).

Sipas Rraziut këto dy ajete e sqarojnë gjendjen e njerëzve në botën tjetër. Ashtu sikurse urdhëresat dhe ndalesat e Allahut, disa i presin me qeshje dhe gëzim (ضاحكاً فرحاً), e disa të tjerë prej njerëzve i presin me qarje dhe pikëllim (باكياً محزوناً), po këtë gjendje Allahu do t’ua japë atyre në ahiret.[6] Në këtë kontekst, e duke u bazuar në atë që u tha më lartë, përfundimisht konstatojmë se ai që i gëzohet ibadeteve të Allahut, në këtë rast agjërimit, ai me këtë gëzim do të ringjallet në ditën e Kijametit, e ai i cili pikëllohet për ardhjen e tij, me këtë pikëllim do të ringjallet në ahiret. Allahu udhëzon në rrugën e drejtë!



[1] Muhamed Mutevel-li Sha’ravi “Argumentet lëndore mbi ekzistimin e Zotit”, përkth. Sabri Bajgora, boton: Këshilli i Bashkësisë Islame – Prishtinë, Prishtinë, 1997, fq. 57.

[2]Po aty, fq. 58-60.

[3] El-Kurtubij “El-Xhamiu liahkami’l-Kur’ani”, komentimi i ajetit En-Nexhm, 43.

[4] El-Kurtubij, po aty.

[5] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[6] Er-Rrazi, “Mefatihu’l-gajbi – et-tefsiru’l-kebir”, komentimi i ajetit En-Nexhm, 42

Kryesia e BIRK - ut

Lajme – Bashkësia Islame e Kosovës

Webfaqja zyrtare e Bashkësisë Islame
  • Zyrtarë komunal nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport,me 20 nentor kanë pritur në një takim përfaqësues nga Kryesia e Bashkësisë Islame e Kosovës, drejtorin e Kulturës, Ramadan ef. Shkodra dhe përgjegjësin për botime, Agim Gashi, me ç’rast ata kanë dhuruar mbi 100 tituj të librave në tre ekzemplarë, për bibliotekën e qytetit të Mitrovicës …

  • 19 nëntor 2019 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, gjatë ditës së sotme të qëndrimit në Rijad të Arabisë Saudite, vizitoi ambasadën e Kosovës në Rijad.Ai dhe delegacioni i BIK-ut u pritën nga ambasadori i Kosovës, z.Lulzim Mjeku, i cili i falënderoi për viziten në ambasadë si dhe konsideroi kontributin që …

KBI Prizren

Njoftime

Kur`an, Tefsir, Akaid, Fikh, Hadith, Histori Islame, Fetva të ndryshme, Video - Ligjërata ...

Në facebook

Tanzil.net

Mp3quran.net

Kopertina e librave

Sa janë online

We have 11 guests and no members online