‘Hixhreti’ simbol i lartësimit të fjalës së Allahut xh.sh.

Mr. Orhan Bislimaj

 

‘Hixhreti’ simbol i lartësimit të fjalës së Allahut xh.sh.

 

    Hyrje

 

  Jeta e Pejgamberit a.s. është e mbushur me ngjarje dhe ndodhi nga më të ndryshmet. Disa prej tyre, përpos vështirësive ekstreme, karakterizohen me sfida dhe rreziqe të mëdha, gjithmonë në përpjekje për ta lartësuar fjalën e Allahut xh.sh. E, disa të tjera, përpos vështirësive, cilësohen me krenari dhe fitore. Pa dyshim, prej atyre ngjarjeve, që ka implikuar vështirësi të pallogaritshme, sfida dhe rreziqe të mëdha, njëkohësisht edhe fitore të vërtetë, është hixhreti i Pejgamberit a.s. prej Mekkës së ndershme në Medinën e ndershme, në vitin 622 të erës sonë.

 

    Rëndësia e përkujtimit të ‘hixhretit’

 

    Hixhreti, si një ngjarje me rëndësi të veçantë në jetën e Pejgamberit a.s. dhe misionit të tij, mbetet i pashlyer në kujtesën e besimtarit. Ai, në kohën kur ndodhi, pati një reflektim të jashtëzakonshëm në rrjedhat e kohës, në raport me zhvillimin dhe përhapjen e fesë Islame. Hixhreti, i cili ndodhi pasi u mbyllën të gjitha rrugët për vazhdim të mëtutjeshëm në Mekkë, hapi një shpresë të re për muslimanët dhe akomodimin e tyre në fenë islame. Kjo shpresë, njëkohësisht çelikosi rrugën e sigurtë të ecurisë së Islamit dhe zhvillimin e tij me pa kthim mbrapa.

   Me këtë, nuk dëshirojmë të themi se hixhreti ishte një veprim i dëshiruar për Pejgamberin a.s. dhe muslimanët. Përkundrazi, ai shënon ngjarjen më të rëndë dhe më pikëlluese për të gjithë ata. Sepse, pas mbi pesëdhjetë e tri vjetë jetë në Mekkë, Pejgamberi a.s., po detyrohej që ta braktiste vendlindjen e tij të dashur, Mekkën. Vendlindjen e prindërve dhe gjyshërve të tij, në të cilën u lind, u rrit dhe e kaloi rininë e tij – pjesën më vitale të jetës. U detyrua, t’i harrojë të gjitha kujtimet, dhe lojrat e fëmijërisë, që i kishte kaluar në Mekkë. U detyrua ta braktisë vendin, në të cilin për herë të parë i erdhi misioni i tij pejgamberik – shpallja nga Allahu i Lartësuar, mision ky, që ishte bërë vetë jeta e tij. U detyrua ta lë shtëpinë dhe pasurinë, familjen dhe të afërmit, dhe të niset pa asgjë me vete, në një rrugëtim, ku nuk mund ta dinte se ku do ta zë mbrëmja e ku do ta ngdhijë mëngjesi.

    Mirëpo, kundrejt këtyre, hixhreti vulosi njëherë e përgjithmonë fitorën e Islamin dhe perspektivën e tij. Pejgamberi a.s. shkoi në Medinë, ku gjeti njerëz që prisnin me padurim ardhjen e tij. Ata, të gjithë, i madh e i vogël, burra e gra, kishin dalë rrugëve të Medinës dhe këndonin fjalë miradije për shkëlqësinë e tij, të Dërguarin e Allahut, Muhamedin a.s.. Me këta njerëz të devotshëm, dhe me ata që bënë hixhret nga Mekka, Pejgamberi a.s. do të formojë shtetin islam, kështu duke përpiluar kushtetutën me bazë kur’anore, që konsiderohet kushtetuta e parë e nxjerrur ndonjëherë në historinë e njerëzimit.

    Prandaj, marrë parasysh këto, kujtimi i hixhretit ka një urtësi të madhe, sepse ai në tërësinë e tij, fillim e mbarim, mbetet një institucion që këshillon gjithmonë dhe që nuk plaket asnjëherë. Kur analizojmë fazat e tij, shkaqet, përmbajtjen dhe përfundimin në Medinë, rezulton se ai është një leksikon i vërtetë, që reflekton mesazh të qartë për shumë aspekte të jetës së muslimanëve. I tillë do të mbetet deri në ditën e Kijametit, sepse, biografia e Muhamedit a.s. është udhërrëfim i përgjithmonshëm. Ai është shembulli më i mirë. Çdo lëvizje e tij, në këtë rast edhe gjatë hixhretit, ka një urtësi në vete dhe vlerë të vaçant.

    Është e vërtetë, se hixhreti ka mbaruar me çlirimin e Mekkës, në vitin e 8 të hixhretit, por simbolika e hixhretit, bashkë me veprimet e personazheve të tij, gjen shprehje dhe përdorim të pandërprerë edhe sot dhe gjithmonë. Ai është i gjallë dhe flet. Nevojitet vetëm ta kuptojmë gjuhën dhe domethënien e tij, në raport me vendin dhe zhvillimin e kohës.

 

    ‘Hixhreti’ simbol i vendosmërisë në besim

 

     Hixhreti, kundruar nën thjerrzën e porosive të tij, mbi të gjitha reflekton vendosmërinë e vërtetë në iman – besim. Sikurse dihet, ndodhia e hixhretit themelohet në mospjatueshmërinë e Muhamedit a.s. dhe muslimanëve kundrejt idhujtarisë dhe politeizmit të mekkasve. Qëndrimi i Pejgamberit a.s. në rrugën e Islamit, nuk u lëkund asnjëherë. Ai vazhdoi të agjitojë, pa u ndalur kurrë, për kundër pengesave, presioneve, vuajtjeve dhe mundimeve që ia shkaktonin mekkasit politeistë. Ata përdorën të gjitha format për ta devijuar Pejgamberin a.s. dhe muslimanët nga rruga e Islamit, të cilën e trasonin. I afruan, pasuri, autoritet, vajzë të bukur, dhe çka mos tjetër, por çdo përpjekje paqësore u tregua e pasuksesshme. Kur i shterrën përpjekjet paqësore, ata ndërruan kursin e veprimit dhe filluan ta përdorin formën e dhunës dhe mundimit ndaj Pejgamberit a.s. si përpjekje për ta zbrapsur atë dhe muslimanët nga besimi islam. Këto presione të llojllojshme fizike e psiqike, kanë ardhur në shumë vende në Kur’an dhe Sunnet.

    Është i njohur rasti i Ukbe bin Ebi Muajtit, i cili i kishte hudhur mbeturinat e kafshëve të ngordhura mbi Pejgamberin a.s., gjersa ky qëndronte në sexhde duke falur namaz në Qabe. Për më tepër, i kishte hudhur një lak në qafë Pejgamberit a.s. dhe gati sa nuk e kishte ngulfatur. Por, me këtë rast kishte ndërhyrë me forcë Ebu Bekri r.a., i cili duke penguar veprimin e tyre, u kishte thënë:

 أَتَقْتُلُونَ رَجُلًا أَنْ يَقُولَ رَبِّيَ اللَّهُ وَقَدْ جَاءَكُمْ بِالْبَيِّنَاتِ مِنْ رَبِّكُمْ

    “…A doni ta mbytni një njeri vetëm pse thotë Zoti im është Allahu, derisa prej Zotit tuaj u ka sjellur argumente?...” (Gafir, 28).[1]

    Po ashtu janë të njohura mundimet e Ebu Lehebit dhe bashkëshortës së tij ndaj Pejgamberit a.s., e për të cilët ka zbritur kaptina El-Mesed.       Aspak më i lehtë nuk është rasti i Taifit, dhe shumë e shumë raste të tjera.

    Më në fund, për ta izoluar Muhamedin a.s., ata provuan edhe nëpërmjet xhaxhait të tij, Ebu Talibit, që ky i fundit të ndikojë te Muhamedi a.s., ose të distancohet nga mbrojtja e tij. Këtë presion të politeistëve, Ebu Talibi menjëherë ia përmendi Muhamedit a.s., dhe i tha se duhej të hiqte dorë nga misioni profetik, në të kundërtën do të rrezikohej seriozisht. Pejgamberi a.s. kur i dëgjoi këto fjalë, mendoi se xhaxhai i tij ka hequr dorë nga ai, u nis në drejtim të kundërt, dhe me sy të përlotur e vendosmëri të jashtëzakonshme besimore, i tha:

يَا عَمِّ، لَوْ وَضَعُوا الشَمْسَ فِي يَمِينِي وَ الْقَمَرَ فِي يَسَارِي عَلَي أَنْ أتْرُكَ هَذَا الْأَمْرَ مَا فَعَلْتُهُ حَتَّي يُظْهِرَهُ اللهُ أو أُهْلِكَ دُونَهُ

    “O xhaxhai im, sikur të ma vini Diellin në të djathtë dhe Hënën në të majtë për ta lënë këtë punë, nuk do ta bëja këtë përderisa të mos e shfaqë këtë Zoti ose unë të vdes.”[2]

    Kur, mospajtueshmëria ekstreme ndërmjet qëndrimit të Pejgamberit a.s., në njërën anë dhe të politeistëve mekkas në anën tjetër, arriti kulmin e konfrontimit, ndodhi hixhreti si zgjidhja e vetme për t’i shpëtuar kurtheve të pabesimtarëve, e për të vazhduar me misionin e agjitimit për Islamin.

    Ky vendim i Pejgamberit a.s. dhe i muslimanëve për të bërë hixhret, paraqet vendosmërinë e jashtëzakonshme besimore të tyre, që me asnjë çmim, qoftë edhe duke dhënë jetën, të mos e lëshojnë rrugën e Allahut të Lartësuar. Nga ky aspekt, hixhreti, edhe sot edhe gjithmonë transmeton simbolikën e vendosmërisë në iman, në kuptimin se trasimi i rrugës së Islamit dhe vendosmëria e paluhatur në të, nuk këmbehet me asgjë, as me pasuri, as me autoritet, as me pozitë e as me çmimin e jetës.

 

    ‘Hixhreti’ simbol i dashurisë ndaj Pejgamberit a.s.

 

    Hixhreti përshkohet edhe me besnikëri të muslimanëve të parë ndaj Muhamedit a.s. dhe misionit të tij pejgamberik. Përkundër torturave të egra që ata përjetonin nga politesitët mekkas, asnjëherë nuk e kontestuan të vërtetën e Pejgamberit a.s.. Përkundrazi, ata edhe më shumë shtonin dashurinë për atë. Këtë dashuri e manifestuan, sidomos me rastin e hixhretit. Nëse e vështrojmë me kujdes përgatitjen e Pejgamberit a.s. për hixhret, vërtetohet se një rol shumë të rëndësishëm e kanë patur edhe shokët e tij, sahabët, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata. Sahabët, përfshirë ata që e shoqëruan prej Mekkës (muhaxhirët) për në Medinë, dhe ata që e pritën në Medinë (ensarët) ishin njerëzit më të besuar të Pejgamberit a.s., që e ndihmuan në çdo aspekt, e nuk e tradhtuan asnjëherë. Pa ndihmën e tyre, Pejgamberi a.s. do ta kishte shumë vështirë realizimin e planeve të tij. Ata, e rrezikuan jetën dhe nuk e braktisën për asnjë moment Pejgamberin a.s.. Për të vërtetën e tyre, Allahu i Lartësuar ka përmendur kënaqësinë e Tij ndaj tyre dhe kënaqësinë e tyre ndaj Tij:

وَالسَّابِقُونَ الْأَوَّلُونَ مِنَ الْمُهَاجِرِينَ وَالْأَنْصَارِ وَالَّذِينَ اتَّبَعُوهُمْ بِإِحْسَانٍ رَضِيَ اللَّهُ عَنْهُمْ وَرَضُوا عَنْهُ وَأَعَدَّ لَهُمْ جَنَّاتٍ تَجْرِي تَحْتَهَا الْأَنْهَارُ خَالِدِينَ فِيهَا أَبَدًا ذَلِكَ الْفَوْزُ الْعَظِيمُ

    “Allahu është i kënaqur me të hershmit e parë prej muhaxhirëve (migruesve) dhe prej ensarëve (vendasve ndihmëtarë në Medinë) dhe prej atyre që i pasuan ata me punë të mira, e edhe ata janë të kënaqur ndaj Tij. Atyre u ka përgatitur xhennete, në të cilët rrjedhin lumenj, ku do të jenë përjetë të pasosur. E ky është fitim i madh.” (Et-Tevbe, 100).

    Është i njohur rasti i Aliut r.a., pikërisht me rastin e hixhretit, i cili u vendos në shtratin e Pejgamberit a.s. dhe veshi pelerinën e tij, për t’i hutuar politeistët mekkas, se gjoja Pejgamberi a.s. është ende në shtëpi dhe se akoma nuk ka ikur nga shtëpia. Ai, e dinte fare mirë se me këtë qëndrim në shtratin e Pejgamberit a.s., po i ekspozohej rrezikut të mbytjes nga politeistët, të cilët, një natë përpara, në kuvendin e tyre fisnor, patën vendosur për mbytjen e Pejgamberit a.s..

    Po ashtu është i njohur, rasti i Ebu Bekrit r.a. shokut të pandashëm të Pejgamberit a.s.. Kur Pejgamberi a.s. bashkë me Ebu Bekrin r.a. morën rrugën e hixhretit, për t’ia humbur gjurmën pabesimtarëve, u fshehen në shpellën Thevr ku qëndruan tri netë. Gjatë qëndrimit në shpellë, Ebu Bekri e mbante para vetit kokën e Pejgamberit a.s., i cili flente. Në atë rast e theri akrepi në këmbë, por nuk lëvizi nga frika se do ta zgjonte Resulullahin s.a.v.s.. Nga dhembja i rrodhën lotët dhe i ranë Resulullahit a.s. në fytyrë. Ky u zgjua dhe e pyeti: ç’ke, o Ebu Bekër?       Më theri akrepi. Resulullahi a.s. ia fërkoi plagën e dhembja i pushoi.[3]

    Pastaj, sakrifica e djalit të Ebu Bekrit, Abdullahut, i cili i përgjonte fjalët e politeistëve dhe në mbrëmje ia transmetonte ato Pejgamberit a.s. në shpellën Thevr. Pa harruar kontributin e Amir bin Fuhejre, që me paramendim i kulloste delet afër shpellës, në mënyrë që t’i frunizone me qumshtë ata dy, dhe shembuj të tjerë.

   Domethënë, ata treguan një dashuri ideale ndaj Pejgamberit a.s. dhe misionit të tij, duke mos dyshuar në atë për asnjë moment, përkundër presioneve, torturave dhe rreziqeve. Si rezultat i kësaj dashurie, e për hirë të Islamit, shumë prej sahabëve bënë hixhret - shpërngulje nga vendlindja e tyre për në Medinë, duke ndjekur të Dërguarin e tyre, Muhamedin a.s..

    Në këtë kontekst, nuk mund të mos e përmendim pritjen e medinasve, që ia bën Pejgamberit a.s.. Dashuria e tyre për Pejgamberin a.s. ishte e jashtëzakonshme.

    Nga ky aspekt, hixhreti, edhe sot edhe gjithmonë transmeton simbolikën e dashurisë ndaj Pejgamberit a.s., në kuptimin e trasimit të rrugës së tij dhe zbatimin e porosive të tij në tërësi.

 

    ‘Hixhreti’ simbol i vëllazërimit fetar

 

    Është interesante, se misioni i Pejgamberit a.s., ka sfiduar mentalitetin e politesitëve mekkas edhe me konceptin e vëllazërimit fetar islam. Shoqëria politesite mekkase, sikurse edhe shoqëritë tjera të asaj kohe, shquheshin për fanatizëm familjar dhe fisnor. Sipas tyre, vëlla i vërtetë konsiderohej ai që është nga gjaku dhe jo nga ndonjë lozë tjetër. Por, ç’e do që Islami, e sfidoi këtë koncept dhe proklamoi vëllazërimin e vërtetë mbi bazën e imanit.

    Si rezultat i kësaj, të gjithë musliman u bënë bashkë si anëtar të një familjeje. Mekkasit dhe të tjerë që e kishin përqafuar Islamin, silleshin si vëllezër të vërtetë ndërmjet vete, pa marrë parasysh se gravitonin nga familje dhe fise të ndryshme. Ata, ndiheshin si një trup i vetën dhe si një familje e vetme. Kjo u vërtetua edhe me rastin e hixhretit kur shumë individë, braktisën familjet e tyre në Mekkë dhe mësynë Medinën duke iu bashkangjitur vëllezërve të tyre në besim. Po ashtu, Pejgamberi a.s. e bëri vëllazërimin në Medinë ndërmjet muhaxhirve (atyre që u shpërngulën nga Mekka) dhe ensarve (atyre që e pritën Pejgamberin a.s. në Medinë). Ky vëllazërim lëshoi rrënjë të thella dhe të forta. Në saje të këtij vëllazërimi, Pejgamberi a.s. do të formojë shtetin islam si njëri prej shteteve më të fuqishme të asaj kohe. Për më tepër, promovimi i vëllazërisë së vërtetë islame, akoma më shumë do të vërtetohej më vonë me rastin e zhvillimit të luftërave, ku vëllezërit nga gjaku kanë luftuar ndërmjete vete, njëri nga taborri i muslimanëve e tjetri nga pala e politesitëve.

    Prandaj, nga ky aspekt, hixhreti, sot edhe gjithmonë transmeton simbolikën e vëllazërimit të vërtetë islam, në atë formë siç u bashkuan muslimanët e parë, me qëllimin e vetëm për ta ndihmuar Pejgamberin a.s., misionin e tij, ummetin islam, ndërsa për të mposhtur pabesimin, politeizmin dhe të pavërtetën. Ky mesazh, më shumë se kurdoherë tjetër, i nevojitet të gjithë muslimanëve. Vëllazërimi në besim, i tejkalon përmasat e kufijve. Ai është gjithëpërfshirës. Ashtu siç është imani pikëbashkim i vëllazërimit të muslimanëve, po kështu duhet të jetë prokupimi i tyre për lartësimin e imanit dhe fjalës së Allahut mbi sipërfaqen e tokës. Çdo përbuzje e tyre, mbi baza fetare, është nënçmim për të gjithë. Çdo sukses i Islamit, është sukses i të gjithëve, dhe e kundërta.

 

    ‘Hixhreti’ simbol i lartësimit të fjalës së Allahut

 

    Pa dyshim, hixhreti simbolizon lartësimin e fjalës së Allahut në gjithësi, mbi çdo fjalë tjetër. Sepse, i tërë epilogu i hixhretit, sillej rreth predikimit të fjalës së Allahut Fuqiplotë. Është e ditur se Pejgamberi a.s. nuk kishte ndonjë armiqësi me politeistët, për shkak të interesave të ngushta personale. Përkundrazi, poenta e armiqësimit ishte për shkak të Lartësimit të fjalës së Allahut, nga e cila Pejgamberi a.s. nuk hiqte dorë për asnjë çmim, po qoftë edhe nëse do t’ia vinin si dënim diellin në krahun e djathtë, e hënën në krahun e majtë.

     Në momentin që vendosi të bëjë hixhret, e bëri këtë për t’i shërbyer lartësimit të fjalës së Allahut xh.sh., e assesi për ta braktisur atë apo për ta dëmtuar misonin hyjnor. Hixhreti, qe bërë i domosdoshëm për Pejgamberin a.s., pasiqë mundësitë për agjitim për besimin islam, qenë bërë të pamundshme në Mekkë. Kalimi në Medinë, i afroi një mundësi reale për të çuar më tutje përhapjen e fesë Islame. Dhe kështu ndodhi.

    Në këtë aspekt, hixhreti, edhe sot edhe gjithmonë transmeton simbolikën e përpjekjeve të jashtëzakonshme për lartësimin e Fjalës së Allahut të Lartësuar. Në kohën tonë, kur Islami është bërë halë në sy të botës, dhe armiqtë e tij mundohen që me çdo kusht ta shkatërrojnë atë, mesazhi i hixhretit na vije si një shkëndijë prej nuri, që freskon zemrat dhe mendjet tona për vendosmëri të prerë në lartësimin e Fjalës së Allahut xh.sh.. Për këtë duhet të kontribuojë secili musliman. Të fillojë prej vetvetes, familjes, duke vazhduar me rrethin, dhe kështu me radhë në mbarë shoqërinë.

    Rrugën e Islamit askush nuk mund ta ndalë e as ta pengojë. Gjatë tërë historisë, duke filluar prej kohës së Pejgamberit a.s., e gjerë në kohën tonë, armiqtë kanë luftuar për ta fundosur anijen e besimit islam. Ne, vetë jemi dëshmitar se si Islami luftohet me armë, dhe paraqitet para opinionit si një ‘gogol’ për njerëzimin dhe vlerat e tij. Shtrohet pyetja: kush duhet t’i dalë në ndihmë Islamit!? Sigurisht se një gjë e tillë nuk pritet nga ata që e luftojnë me mish e shpirt këtë fe. Kjo pritet nga vetë muslimanët, të cilët misionin e Pejgamberit a.s., duhet ta çojnë në vend, duke kryer obligimin moral, qytetar, imanor dhe fetar.

    Çdo pengesë, që mund të dalë përpara në këtë mision, do ta ketë fatin e pengesave dhe kurthave të dështuara të pabesimtarëve, që ia bënin Pejgamberit a.s. pikërisht një natë para se ai të bënte hixhret:

وَإِذْ يَمْكُرُ بِكَ الَّذِينَ كَفَرُوا لِيُثْبِتُوكَ أَوْ يَقْتُلُوكَ أَوْ يُخْرِجُوكَ وَيَمْكُرُونَ وَيَمْكُرُ اللَّهُ وَاللَّهُ خَيْرُ الْمَاكِرِينَ

    “Përkujto (o i Dërguar) kur ata që nuk besuan thurnin kundër teje: të ngujojnë, të mbysin, ose të dëbojnë. Ata bënin plane, e Allahu i asgjësonte, se Allahu është më i mirë që asgjëson (dredhitë).” (El-Enfalë, 30).

    Allahu i Lartësuar udhëzon në rrugën e drejtë.

 

(Punimi është botuar në revistën e BIK-ut “Dituria Islame” nr. 232/2009, fq. 5-7)

 


[1] Ibni Kethiri “Tefsiru’l-Kur’ani’l-adhim” – komenti i ajetit në fjalë.

[2] Shakir El-Bedrij “Edh-Dhikra el-halidetu lin-nebij-ji’l-halid”, Bagdad, 1388/1968, fq. 420, sipas: Dr. Qazim Qazimi “Njohuri mbi Kur’anin”, Prishtinë, 2006, fq. 63.

[3] Sefijurrahman El-Mubarekfuri “Nektari i vulosur i xhennetit”, boton Urtësia, Shkup, 1997, fq. 172. Transmetohet nga Omer bin El-Hattab r.a. se Ebu Bekrit iu është kthyer helmi para vdekjes dhe ka vdekur prej tij.

Kryesia e BIRK - ut

Lajme – Bashkësia Islame e Kosovës

Webfaqja zyrtare e Bashkësisë Islame
  • Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës në aksionin e ndërmarr me datë 29 nëntor 2019, për grumbullimin e mjeteve financiare për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri, ka njoftuar se janë mbledhur gjithsej 304,437,89 euro. Më poshtë mund ta gjeni listën e plotë të kontribuuesve: Nr.Këshillat e Bashkësisë Islame dhe individë të …

  • Abu Dhabi, 8 dhjetor Sot në Abu Dhabi, në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, filloi punimet Forumi i gjashte për Promovimin e Paqes në Shoqëri Myslimane. Forumi global i këtij viti po mbahet me titullin “Roli i feve në përforcimin e tolerancës, nga mundësia në imperativ (domosdoshmëri)”, i cili po organizohet nën patronimin e …

KBI Prizren

Njoftime

Kur`an, Tefsir, Akaid, Fikh, Hadith, Histori Islame, Fetva të ndryshme, Video - Ligjërata ...

Në facebook

Tanzil.net

Mp3quran.net

Kopertina e librave

Sa janë online

We have 8 guests and no members online