Xhamia e Kalasë së Prizrenit ka qenë funksionale deri në vitin 1912

 

Mr. Orhan Bislimaj

 

Xhamia e Kalasë së Prizrenit ka qenë funksionale deri në vitin 1912

 

Xhamia e Kalasë[1] që nga ndërtimi i saj në shekullin e XV, dhe pas rindërtimit të saj në vitin 1828 dhe gjerë në vitin 1912 i ka shërbyer qëllimit për çfarë është ndërtuar. Aty janë falur vaktet e namazit dhe ka qenë në funksion të plotë sikurse xhamitë e tjera të qytetit të Prizrenit. Ajo ka qenë e hapur për faljen e namazit për çdo qytetar të interesuar dhe jo vetëm për banorët e Kalasë. Prejudikimet se xhamia ka qenë e dedikuar vetëm për ushtrinë, është tërësisht anakronik dhe i pa saktë. Në të vërtetë, ajo ka mundur ta ketë këtë rol vetëm në fazën fillestare të saj, shekulli XV-XVI, kur pranimi masovik i Islamit nga shqiptarët ka qenë në proces e sipër. Por, nuk mund të themi se xhamia ka qenë e tillë përgjithmonë, e sidomos pas shekullit XVI, kur feja Islame bëhet fakt përfundimtar në Prizren dhe më gjerë. Pra, ne po flasim për periudhën afatgjate të xhamisë, deri në vitin 1912. E vërteta është se xhamia, absolutisht, ka qenë e hapur prore për të gjithë besimtarët islamë, jo vetëm për ushtrinë dhe, vetë pozita e saj në mes të Kalasë dhe afër derës kryesore të saj, e dëshmon një gjë të tillë. Banorët e Prizrenit i transmetojnë fjalët e gjyshërve të tyre, që janë falur në xhaminë e Kalasë, sidomos ata që i kanë pasur pronat në pjesën mbi Kala.

Përveç këtij fakti, në dokumentet historike autentike, gjejmë të dhëna se për funksionimin normal të xhamisë janë kujdesur disa punëtorë, dhe pagimi i tyre është bërë nga buxheti i Vakfit (Bashkësisë Islame), sikurse edhe për xhamitë e tjera të Prizrenit. Përveç imamit dhe muezinit, në xhami kanë qenë të angazhuar edhe dy punëtorë të tjerë: Shërbyesi dhe Mbikqyerësi i xhamisë (mutevelia).

Në vakëfnamenë e Mahmud Pashë Rrotllës, e cila ruhet në zyret e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizenit jepen shumë detaje rreth jetës fetare të asaj kohe si dhe mirëmbajtjes të shumë xhamive të Prizrenit përfshirë edhe xhaminë e Kalasë. Në këtë dokument, Mahmud Pasha, Allahu e mëshiroftë me xhenneti firdevs, vë kushte rreth ndarjes së mjeteve nga pasuria e lënë vakëf, dhe atë: “Myezinit të xhamisë në Kala 60 groshë, shërbyesit të xhamisë në Kala 40 groshë; orëtarit të orës së Kalasë, gjatë vitit 60 groshë...” Në të njëjtën vakufname, Mahmud Pasha, ndanë mjete nga pasuria e tij edhe për mutevelinë në mënyrë që: “në haremin e xhamisë së Kalasë, le t’i shtrijë shtrojat” si dhe “për ndriçimin e (...) xhamisë në Kala, le të vendosë gazin në kandila, e në dritare letër. Përveç kësaj, Mahmud Pasha e ka paraparë edhe zbukurimin e xhamisë së Kalasë me kandila ndriçues, gjatë netëve të Ramazanit, bajramave, mevludeve, Regaibeve dhe Beratit. Kështuqë, mutevelia e ka patur obligim që të vendosë “në haremin e xhamisë në kala shtatë kandila” si dhe kur “xhamia në kala ka nevojë për hasra, myteveliu le t’i ofrojë për shtruarje.” Po ashtu, Mahmud Pasha, e obligon muteveliun që “të kujdeset për meremetimin e xhamisë së Kalasë”, e nëse bëhet fjalë për ndonjë shumë të madhe, atëherë duhet të gjejë ndonjë formë tjetër për meremetim.[2]

 

Xhamia është menaxhuar nga Bashkësia Islame

 

Të dhënat e lartëcekura nga Vakufnameja e Mahmud Pashë Rotllës, mund të themi se kanë një rëndësi të veçantë, pasiqë përgjithësisht na ofrojnë një përfytyrim ekzakt rreth funksionimit të xhamisë asokohe, përfshirë edhe juridiksionin mbi menaxhimin e saj. Në këtë aspekt, nga ky dokument vakufnor, i lënë nga Mahmud Pasha, mund të nxjerrim disa përfundime:

1) Emërtimi: Xhamia e Kalasë njihet si “xhamia në Kala”, e që dëshmon se në atë kohë nuk ka pasur ndonjë emërtim të veçantë;

2) Pronësia: Xhamia ka qenë në pronësi dhe administrim të institucionit të Bashkësisë Islame. Kjo vërtetohet, sidomos nga dy arsye: E para, kur pushteti serb më 1912 kishte shkatërruar xhaminë e Kalasë, imam dhe hatib në ditën e xhumasë ishte ish-Myftiu i Prizrenit, haxhi Rrystem efendiu[3]; dhe e dyta: Me vetë faktin që Mahmud Pasha (Allahu ia faltë xhennetin) ka lënë pasurinë e tij vakuf – pronë e xhematit (bashkësisë myslimane), dhe ka vë kusht, duke kërkuar nga udhëheqësia fetare e asaj kohe, që të ardhurat nga kjo pasuri të dedikohen për punonjësit fetarë, në këtë rast edhe për punonjësit e Kalasë, jep të kuptojmë se xhamia ka funksionuar nën juridiksionin dhe strukturën e Bashkësisë Islame të Prizrenit. Në rastin e kundërt, Mahmud Pasha nuk do kishte nevojë që të lente pasurinë e tij “vakuf – hajrat” në Bashkësinë Islame, për një objekt që nuk e ka në pronësi apo menaxhim. Mbi këtë argument, Këshilli i Bashkësisë Islame – Prizren, detyrimisht shpallet trashëgimtar ligjor i xhamisë së Kalasë, sipas parimit të automatizmit, pavarësisht titullarin e pronësisë;

3) Organizimi i brendshëm: Nga aspekti i brendshëm organizativ, xhamia ka funksionuar normalisht, sikurse që funksionojnë edhe sot xhamitë e qytetit të Prizrenit. Bile, në xhaminë e kalasë, përveç imamit, muezinit, mutevelisë, ka qenë i angazhuar edhe një punëtor tjetër i quajtur si “shërbyes”;

4) Manifestimet fetare. Në xhami janë shënuar festat fetare dhe janë organizuar tubime fetare. Kujdesi i veçantë për ndezjen e kandilave ndriçues, gjatë netëve të Ramazanit, bajramave dhe netëve të mëdha, argumenton funksionimin normal të xhamisë, madje edhe si një xhami e privilegjuar.

5) Shumësia e xhematit. Besohet se xhamia ka pasur shumë xhemat. Me vetë faktin që mutevelia është këshilluar për shtruarjen e hasrave, kjo do të thotë se xhamia ka pasur mjaft shumë xhemat, pra edhe jashtë xhamisë. Sepse, “hasrat” zakonisht shtrohen në oborrin e xhamisë, për t’u falur xhemati, në rastet kur nuk ka hapësirë të mjaftueshme brenda në xhami. Një gjë e tillë aplikohet edhe sot në xhamitë e Prizrenit.

6) Meremetimi i xhamisë nga vakfi. Xhamia është mirëmbajtur teknikisht nga pasuria e lënë hajrat (vakfi), e sipas nevojës edhe nga donacionet e tjera, zakonisht që i dhurojnë besimtarët islamë, pra, jo nga buxheti i shtetit.

 

Rrënimi i xhamisë herën e fundit (1912)

 

Xhamia e Kalasë ka qenë funksionale gjatë periudhës së Perandorisë Osmane, dhe ka vazhduar deri në largimin përfundimtar të saj nga Prizreni, në vitin 1912, kur nga Kalaja tërhiqet ushtari i fundit osman Jashar Hoda, të cilin prizrenasit e quanin Karajashari,[4] që do të thotë  Jashari i zi.[5]

Sikurse dihet, më datë 21.10.1912, ushtria serbe e riokupoi  Prizrenin dhe bëri krime të pa para deri atëherë. Lazër Mjeda – arqipeshkvi katolik i Shkupit, në një raport dërguar Romës, më 24 janar 2013 shkruante se në Ferizaj kishin mbetur gjallë vetëm tre shqiptarë myslimanë të moshës 15 vjeçare, se popullata shqiptare e Gjilanit ishte masakruar, kurse Gjakova ishte shkretuar tërësisht. Ndërsa kur flet për Prizrenin, ai thotë: “Rasti më i tmerrshëm kishte ndodhur në Prizren, i cili si Gjilani ishte dorëzuar në mënyrë paqësore. Qyteti duket si një mbretëri e vdekjes. Ata trokasin në dyertë e shtëpive shqiptare, i marrin meshkujt dhe i pushkatojnë menjëherë. Para disa ditësh numri i të vrarëve arriti në 400. Sa u përket grabitjeve, plaçkitjeve dhe dhunimeve më mirë të mos përmenden, që atëherë urdhëri i ditës ishte: kundër shqiptarëve lejohet çdo gjë – jo vetëm që lejohet por edhe kërkohet dhe urdhërohet. Dhe, me gjithë këto tmerre të llahtarshme, komandanti ushtarak, Bozho Jankoviq, e detyroi parinë e qytetit, me revole në dorë, që t’i dërgonte mbretit Petër një telegram falënderimi.” Arqipeshkvi konstatoi se numri i përgjithshëm i shqiptarëve të vrarë deri në atë kohë ishte 25.000.[6] Përveç, këtyre tmerreve të llahtarshme kundër shqiptarëve, serbo-sllavët ushtruan edhe kulturocid kundër trashëgimisë kulturo-historike të shqiptarëve të Kosovës. Në shënjestër ka qenë, sidomos institucioni i Bashkësisë Islame – Myftinia e Prizrenit, përfshirë pronën dhe kulturën islame në përgjithësi, të cilin e konsideronte si burim shpirtëror për shqiptarët në frontin e rezistencës kundër serbëve. Një raport i hollësishëm i konsullit austriak në Prizren, i janarit të vitit 1914, bën një rezyme të kushteve në Kosovën e asaj kohe. Konsulli shkruante: “Nga të 32 xhamitë në Prizren, 30 sosh u shndërruan në baraka ushtarake, depo municioni dhe stalla...[7] “Vetëm nga Myftinia e Prizrenit u konfiskuan 60 hektarë tokë.”[8] Në shënjestër kanë qenë edhe paria fetare, hoxhallarët, të cilët janë përndjekur njësoj si xhamitë. Shkatërrimet kanë qenë të gjithanshme. Pronat u janë dhënë serbëve.

Në kuadër të shkatërrimeve të përgjithëshme, një kulturocid shfarosës e ka përjetuar edhe Kalaja e Prizrenit dhe xhamia. Disa studiues thonë se xhamia e kalasë është rrënuar në vitin 1913[9], porse një gjë është e sigurt, se ushtria okupatore serbe, menjëherë pas okupimit të Prizrenit, pra në vitin 1912, e shkatërroi xhaminë si dhe objektet e tjera në Kala. Nuk ka të dhëna se kush ishte imam i fundit në xhaminë e Kalasë për kohët e namazeve ditore, por ajo që dihet, natyrisht sipas mbamendjes kolektive, se në kohën e rrënimit të xhamisë, imam - hatib për namazin e xhumasë ka qenë haxhi Rrystem ef. Shporta. Po ashtu, dihet se më 1913, me urdhërin e gjeneralit Bozho Jankoviç, komandant i Armatës II serbe u hoq ora nga Sahat Kulla në Kala.[10]

Por, ç’e do që minareja e xhamisë, ka mbijetuar për disa vite pas rrënimit të objektit të xhamisë. Si dëshmi e kësaj është një foto e minaresë, e vitit 1917[11], në të cilën duken qartë rrënojat e objektit të xhamisë, gjersa minareja qëndron e padëmtuar, me përjashtim të kulmit të saj (piramidës), që është punim nga druri.

Mendoj, se kanë qenë dy arsye për mbijetesën e saj edhe për disa vite më vonë.  E para është vetë kompleksiviteti për rrënimin e saj, pasiqë një gjë e tillë ka ndodhur, ta zëmë, edhe me minarenë e xhamisë “Arasta” në pjesën urbane të Prizrenit, gjersa, sot, fatmirësisht ekziston minareja. Dhe, e dyta, me rrënimin e objektit të xhamisë, në fakt ishte përmbushur aspirata kulturocide e pushtuesit, e çështja e minaresë, megjithatë ka mundur të mos jetë preokupim urgjent, për shkak të luftrave ballkanike, ku secili shtet ishte kapur për brengën e vet dhe kishte prioritete të tjera mbrojtëse. Ky konstatim, mund të jetë relevant, me vetë faktin që serbët, pas një kohe të shkurtër, pra më 26 nëntor 1915 u detyruan të largohen dhunshëm nga Prizreni, duke e lënë teritorin nën okupim të bullgarëve.

 

Rrënimi i minaresë në vitin 1917

 

Sakaq, fati i keq për minarenë e Kalasë, fillon pas vitit 1915, kur Prizreni bie nën okupimin e bullgarëve. Nismën shkatërrimtare të çdo gjëje shqiptare dhe islame, që e nisën serbët, në vitin 1912, e vazhduan bullgarët me intenzitet të njëjtë dhe më shumë. Periudha prej vitit 1912 deri në vitin 1918, kur është vendos “armëpushimi” rajonal, që i hapi rrugë mbajtjes së Konferencës së Paqës, në Versajë të Parisit, 8 qershor 1919, ka qenë periudha më e errët e historisë për shqiptarët e Kosovës. Gjatë kësaj kohe nuk është kursyer asgjë nga pushtuesit serbë dhe bullgarë. Përshkrimet e autorëve të huaj për gjenocidin dhe kulturocidin e ushtruar mbi popullin shqiptar janë marramendëse.

Qytetarët e vjetër të Prizrenit, transmetojnë informacionet e të parëve në lidhje me pushtimin e Prizrenit nga bullgarët, duke e përshkruar si një pushtet jashtëzakonisht barbar, ku njerëzit kanë vdekur nga uria dhe, në mungesë të ushqimit kanë hangër lëvozhgat e drunjëve. Sipas tyre, minarenë e xhamisë e kanë shkatërruar pikërisht bullgarët, në vitin 1917. Në të vërtetë, kjo vërtetohet edhe në bazë të një dokumenti arkivor, i cili nuk ka qenë i ditur deri vonë. Studiuesi Marenglen Verli, sjell raportin e majorit turk “ Subhi”, që mban titullin “Informacion për reprezaljet e ushtrisë bullgare ndaj popullsisë shqiptare në zonën e tyre të pushtimit, gjatë luftës së parë botërore”, e që flet drejtpërdrejt për rrënimin e minaresë. Në këtë raport sekret, datë 25 maj 1917, Majori jepte informacione të zgjeruara, e në mesin e të tjerave, ai e thotë edhe këtë: “Kur hynë në Prizren bullgarët thyen gati të gjitha dyqanet dhe i grabitën (...). Shembën në Prizren minarenë e xhamisë së Kalasë dhe bën grabitje. Komandanti i lajmëruar s’mori asnjë masë.”[12]

Që nga ajo kohë, pra nga viti 1912, përkatësisht 1917, xhamia dhe minareja e saj kanë vazhduar të qëndrojnë të rrënuara përtokë. Le ta themi edhe këtë se në ato vite të shkatërrimit, mbijetojat e mureve të xhamisë, megjithatë kanë qenë të larta. Mirëpo, si një hapësirë e pambrojtur, këto mure i nënshtrohen rrënimit të mëtutjeshëm përtokë. Sipas transmetimeve të njerëzve të kohës, besohet se shkatërrimi rapid i xhamisë dhe Kalasë në përgjithësi bëhet sidomos gjatë viteve ’30-ta të shekullit XX, kur gurët e çmueshëm të xhamisë, merren dhe shfrytëzohen për ndërtimin e objektit të gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren, dhe objektit ndihmës pranë tij. Për më keq, kjo bëhet shkak që edhe qytetarët e tjerë të marrin gurë për nevojat e tyre private. Dhe, gradualisht, niveli i mureve është ulur gjithnjë e më shumë. Sipas një fotografie të vitit 1969, mbijetojat e mureve kanë qenë më të larta se ç’janë aktualisht. Fatkeqësisht, ky degradim i xhamisë dhe kalasë ka vazhduar edhe pas hyrjes së Kalasë nën kujdesin shtetëror, në vitin 1948, për të vazhduar deri në vitin 2009, kur fillojnë punimet e restaurimit, të cilat janë duke vazhduar edhe gjatë vitit 2017.



[1] Ky punim është vazhdimi i tretë i punimit: “Prizreni, unanimisht e do rindërtimin e xhamisë në Kala”, i botuar në revistën “Dituria Islame”

[2] Shih: Hasan Kaleshit dhe Ismail Eren “Mahmud Pashë Rrotlla nga Prizreni-përshpirtënimet dhe vakëfnameja e tij”, përgatiti Ismail Rexhepi & Sadik Mehmeti, botuar në revistën  Edukata Islame – revistë shkencore, kulturore islame tremujore, Prishtinë, nr.81/2006, fq.183-186.

[3] Resul Rexhepi - Sadik Mehmeti, H. Rrystem ef. Shporta, jeta dhe vepra (1864-1937), monografi, Prishtinë, 2010, fq.38.

[4] Muhamed Shukriu, Prizreni i lashtë, Prizren, 2001, fq. 270.

[5] Faik Miftari, Pse duhet të rindërtohet xhamia në Kala të Prizrenit?, sipas: http://www.gazetaimpakt.com/lajm/14966/pse-duhet-te-rindertohet-xhamia-ne-kala-te-prizrenit/, publikuar më datë:08.11.2016, data e citimit:10.11.2016.

[6] Noel Malcom, Kosova një histori e shkurtër, Koha, Prishtinë, 2001, fq. 265.

[7] Noel Malcom, Kosova…, po aty, fq. 269.

[8] Marenglen Verli, “Orientimi i reformës agrare kolonizuese të mbretërisë jogusllave mbi fshatarësinë shqiptare myslimane dhe pasojat e saj”, kumtesë e botuar në: Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët (simpozium ndërkombëtar i mbajtur në Prishtinë më 15, 16, 17 tetor 1992), Kryesia e Bashkësisë Islame e Kosovës, Prishtinë, 1995, fq.467.

[9] Abib Ahmedi, Theranda – Prizreni ndër shekuj, Prizren, 1996, fq.127.

[10] Shih: Resul Rexhepi - Sadik Mehmeti, H. Rrystem ef. Shporta, jeta dhe vepra (1864-1937), monografi, po aty, fq.38.

[11] Historiani nga Prizreni, prof. Afrim Topqideri, thotë se kjo foto i përket vitit 1917 dhe është zbuluar në arkivin e Shkodrës. Shënim nga biseda me Afrim Topqideri, datë 19.10.2016.

[12] Arkivi Qendror i Shqipërisë, Fondi i Komitetit të Kosovës, viti 1917, dos.25, dok.50744, cituar sipas: Marenglen Verli, Shqipëria dhe Kosova – historia e një aspirate, Tiranë, 2007, vëll.I, fq.189.

Kryesia e BIRK - ut

Lajme – Bashkësia Islame e Kosovës

Webfaqja zyrtare e Bashkësisë Islame
  • Zyrtarë komunal nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport,me 20 nentor kanë pritur në një takim përfaqësues nga Kryesia e Bashkësisë Islame e Kosovës, drejtorin e Kulturës, Ramadan ef. Shkodra dhe përgjegjësin për botime, Agim Gashi, me ç’rast ata kanë dhuruar mbi 100 tituj të librave në tre ekzemplarë, për bibliotekën e qytetit të Mitrovicës …

  • 19 nëntor 2019 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, gjatë ditës së sotme të qëndrimit në Rijad të Arabisë Saudite, vizitoi ambasadën e Kosovës në Rijad.Ai dhe delegacioni i BIK-ut u pritën nga ambasadori i Kosovës, z.Lulzim Mjeku, i cili i falënderoi për viziten në ambasadë si dhe konsideroi kontributin që …

KBI Prizren

Njoftime

Kur`an, Tefsir, Akaid, Fikh, Hadith, Histori Islame, Fetva të ndryshme, Video - Ligjërata ...

Në facebook

Tanzil.net

Mp3quran.net

Kopertina e librave

Sa janë online

We have 9 guests and no members online