Thënia e njerëzve “Inshallah më ka thirrë hazreti Ibrahimi..."

Mr. Orhan Bislimaj

 

Thënia e njerëzve “Inshallah më ka thirrë hazreti Ibrahimi..."

(Komentim akaidologjik i ajetit të Kur’anit)

 

Allahu i Madhëruar në Kur’an ka thënë:

وَأَذِّن فِي النَّاسِ بِالْحَجِّ يَأْتُوكَ رِجَالًا وَعَلَىٰ كُلِّ ضَامِرٍ يَأْتِينَ مِن كُلِّ فَجٍّ عَمِيقٍ

“Dhe thirri njerëzit për ta kryer haxhin, se të vijnë ty këmbësorë e edhe kalorës me deve të rraskapitura që vijnë prej rrugëve të largëta.” (Kur’ani, El-Haxh, 27).

 

1. Hyrje

 

Më ka rastisur të dëgjoj prej muslimanëve, të cilët tek sa bëjnë plane për të shkuar në vendet e shenjta për ta kryer ibadetin e haxhit, thonë: “inshallah më ka thirrur hazreti Ibrahimi a.s.”. Në kuptim të parë, kjo thënie na duket iracionale, sepse pejgamberi Ibrahim a.s. nuk është i gjallë në mesin tonë, e të na thërrasë për haxhillëk?! Mirëpo, në anën tjetër, kjo thënie e tyre është shumë me vend, shumë domethënëse dhe shumë simpatike.

 

2. Konteksti i ajetit

 

Ajeti kur’anor i lartëpërmendur (shih: El-Haxh, 27) ka të bëjë me obligimin e ibadetit të haxhit dhe urdhërin e Allahut ndaj njerëzve për ta kryer haxhillëkut. Siç dihet, haxhi ka qenë obligim edhe për ymetet e kaluara para ymmetit të fundit të Muhamedit a.s.. Në këtë kontekst, ulematë islamë kanë mendime të ndryshme, nëse  urdhëresa e Allahut në këtë ajet: “Dhe thirri njerëzit për ta kryer haxhin…”, i dedikohet Muhamedit a.s. apo Ibrahimit a.s., apo që të dyve. Pa dyshim, ky ajet, në parim ka të bëjë me urdhërin e Allahut ndaj Muhamedit a.s., në mënyrë që njerëzve t’ua bëjë me dije obligimin e haxhit.[1] Këtë, të gjithë e pranojnë, sepse, fundja, Kur’ani pjesë e të cilit është dhe ky ajet, i është zbritur Muhamedit a.s. dhe implikon një urdhër për një ibadet që është legjitim, i zbatueshëm dhe i obligueshëm në Islam.

Mirëpo, në anën tjetër, Imam Rraziu, Imam Kurtubiu, dhe pjesa dërrmuese e tefsirologëve, mendojnë se ky ajet në mënyrë më të veçantë ka të bëjë me hazreti Ibrahimin a.s. dhe thirrjen e tij ndër njerëz për ta kryer haxhin.[2]  Këtë, askush nuk e kundërshton, dhe ne, e konsiderojmë si të mirëqenë, edhe për faktin se në ajetin paraprak (shih: El-Haxh, 26) përmendet me emër Ibrahimi a.s. dhe disa udhëzime të Allahut ndaj tij përkitazi me Qabenë në Mekkë.

 

3. Ibrahimi a.s. dhe thirrja e tij për haxh

 

Ibrahimi a.s. është njëri prej pejgamberëve të mëdhenjë (ulu’l azmi mine’r-rrusul), të përmendur në Kur’an. Është babai dhe gjyshi i shumë pejgamberëve të tjerë që kanë ardhur pas tij. Nga loza e tij është gjeneza e pejgamberit të fundit, Muhamedit a.s. Mbi këtë bazë, mund të themi se Ibrahimi a.s., është ndër pejgamberët më emblematikë në Islam, edhe për faktin se ishte përballur me shumë sfida e sprova të jashtëzakonshme. Prej tyre, dy kanë qenë shumë të rënda: 1) Kur armiqtë e kanë hedhur në zjarr për ta dijegur, dhe 2) Sprova e Allahut për ta bërë kurban birin e tij, Ismailin a.s..

Në të dy rastet, Ibrahimi a.s. ka qenë stohikë dhe për asnjë moment nuk është luhatur në imanin e tij. Mirëpo, në të dy rastet ka qenë ndërhyrja e drejtpërdrejtë e Allahut, dhe Ibrahimi a.s. i ka tejkaluar pa asnjë dëmtim. Sa i përket djegies, Allahu e ka urdhëruar zjarrin:

قُلْنَا يَا نَارُ كُونِي بَرْدًا وَسَلَامًا عَلَىٰ إِبْرَاهِيمَ - Po Ne i thamë: “O zjarr, bëhu i ftohtë dhe shpëtim për Ibrahimin!” (En-Nisa, 69). Pas këtij urdhëri, zjarri ishte normal dhe Ibrahimi a.s. shpëtoi pa asnjë djegie të vogël. E, sa i përket rastit të dytë, përsëri Allahu ka ndërhyrë, duke ia dërguar një kafshë madhështore, që ta flijojë në vend të birit, Ismailit a.s.

Përveç kësaj, Ibrahimi a.s. mbetet simbol i njeriut, i cili arrinë të gjejë besimin e drejtë në Allahun, nëpërmjet forcës së arsyes. Që, në fëmijëri, pra në kohën kur akoma nuk ishte pejgamber, nuk u pajtua me babain e tij, që ishte mjeshtër i idhujve dhe adhurues i tyre. Ibrahimi a.s. e kundërshtoi babain dhe të gjithë idhujadhuruesit, me arsyen se idhujt nuk kanë të bëjnë asgjë me Krijuesin e vërtetë. Kur’ani e përmend këtë shqetësim të Ibrahimit a.s. për besimin e vërtetë, si dhe interesimin e tij. Në këtë gjendje, ai filloi të gjurmojë për Krijuesin absolut. Njëherë, mendoi se dielli mbase mund të ishte krijues, pasiqë e sillte dritën dhe ngrohjen, dy elemente qenësore për ekzistencën. Por, mbi bazën e arsyes, e sfidoi këtë bindje, dhe erdhi në përfundim se dielli nuk mund të jetë krijues. Kështu veproi me Hënën, dhe pas një analizimi të gjithësisë dhe fakteve kosmologjike, në fund konkludoi se Krijuesi i Vërtetë është vetëm Allahu, i cili është i pa nevojshëm për asgjë. Këtu qëndron arsyeja që Ebu Hanife ka thënë: “Njeriu nuk mund të justifikohet për mosnjohjen e ekzistencës së Krijuesit.”

E, sipër të gjithave, hazreti Ibrahimi a.s. ishte ai që e rindërtoi Qaben, mbi themelet që kishin qenë të vendosura edhe më herët. Në këtë punë, i ka ndihmuar edhe djali i tij Ismaili a.s.. Këtë e përmend Kur’ani, ku Allahu thotë: “Edhe kur Ibrahimi dhe Ismaili, duke i ngritur themelet e shtëpisë (Qabes luteshin): “Zoti ynë, pranoje prej nesh, se me të vërtetë Ti je që dëgjon dhe di!” (El-Bekare, 127).

 

4. Thirrjen e Ibrahimit a.s. e dëgjuan të gjithë njerëzit

 

Kur Ibrahimi a.s. e përfundoi rindërtimin e Qabesë mbi themelet që kishin ekzistuar më përpara, atëherë ishte e rrugës që njerëzit ta bëjnë vizitë atë në emër të ibadetit të haxhillëkut. Me këtë rast, Allahu i Lartësuar e obligoi duke i thënë:

وَأَذِّن فِي النَّاسِ بِالْحَجِّ

“Dhe thirri njerëzit për ta kryer haxhin…” (El-Haxhxh, 27).

Ky urdhër i Allahut ishte obligim për Ibrahimin a.s. Tani, Ibrahimi a.s. nuk kishte zgjedhje tjetër, veçse t’i thërrasë njerëzit për haxh, e ta çojë në fund emanetin e Allahut. Porse, dilema kryesore e Ibrahimit a.s. ishte mënyra e thirrjes. Allahu po e urdhëron Ibrahimin a.s. që të bërtiste prej një vendi të caktuar sa do të kishte mundësi. Mirëpo, Ibrahimi a.s. duke ditur se zëri i tij është i vogël, po i thotë Allahut:

لما فرغ إبراهيم عليه السلام من بناء البيت، وقيل له: أذّن في الناس بالحج، قال: يا رب وما يبلغ صوتي؟ قال: أذّن وعليّ الإبلاغ؛ فصعِد إبراهيم خليل الله جبل أبي قُبيس وصاح: يا أيها الناس! إن الله قد أمركم بحج هذا البيت ليثِيبكم به الجنة ويجيركم من عذاب النار، فحُجّوا؛ فأجابه من كان في أصلاب الرجال وأرحام النساء: لَبَّيْكَ اللَّهُمّ لَبَّيْك! فمن أجاب يومئذٍ حج على قدر الإجابة، إن أجاب مرّةً فمرّة، وإن أجاب مرتين فمرّتين

“Ja Rabb, po sa mund të dëgjohet zëri im? Allahu I Lartësuar po thotë: Ti, thirri njerëzit e dërgimi i thirrjes sate te njerëzit është punë e Imja. Ibrahimi a.s., apo siç njihet me emërtimin Halilullahi (miku i Allahut) hipi në kodrën “Ebi Kubejs” dhe bërtiti: O ju njerëz! Me të vërtetë Allahu ju ka urdhëruar për ta bërë haxhin te kjo shtëpi (Qabeja), në mënyrë që t’ju shpërblejë me xhennet dhe t’ju mbrojë nga zjarri i xhehennemit, andaj kryjeni haxhin! Këtë thirrje të hazreti Ibrahimit a.s. e dëgjuan të gjithë, ata që ishin fetus në mitër, dhe ata që ishin akoma pa u nisur për të ardhur në jetë, duke e thënë “telbijjen”: Lebbejke Allahumme Lebbejk – të përgjgjemi Ty, O Zoti im, të përgjigjemi Ty. Andaj, kush iu përgjigj kësaj thirrjeje, ai veçse do ta bëjë haxhin sipas asaj sa herë është përgjigjur, nëse është përgjigjur njëherë, atëherë një herë, e nëse është përgjigjur dy herë, atëherë do ta bëjë haxhin dy herë.”[3]

Transmeton Ebi Tufejl, se Ibën Abbasi r.a. ka thënë:

لما أمِر إبراهيم عليه السلام أن يؤذّن في الناس بالحج خفضت الجبال رؤوسها ورُفعت له القرى؛ فنادى في الناس بالحج فأجابه كل شيء: لَبَّيْكَ اللَّهُمَّ لَبَّيْك

“Më ka thënë Ibni Abbasi r.a.: “A e di se cili është realiteti i telbijjes? Unë i thashë: jo, nuk e di. Ai më tha: kur Ibrahimi a.s. u urdhërua, që t’i thërrasë njerëzit për ta kryer haxhin, me atë rast bjeshkët i kanë ulur kokat, ndërsa luginat i kanë ngritur, e ai ka thirrur ndër njerëz për haxh, dhe thirrjes së tij iu përgjigj çdo gjë duke thënë: lebbejke Allahumme Lebbejk– të përgjgjemi Ty, O Zoti im, të përgjigjemi Ty.”[4]

 

5. Thirrja e Ibrahimit a.s. është thirrje e Allahut

 

Në të vërtetë, thirrja e hazreti Ibrahimit a.s., më shumë ishte një kumt ndër njerëz se sa një thirrje e thjeshtë. Në të vërtetë, ajo ishte thirrje e Allahut. Sepse, në radhë të parë, hazreti Ibrahimi a.s. e ka bërë thirrjen e tij në emër të Allahut dhe me urdhër të Tij, dhe së dyti, dërgimin e thirrjes deri tek njerëzit që kanë jetuar në atë kohë, dhe tek njerëzit e tjerë që nuk kanë qenë të lindur, e të cilët do të vijnë pas tij deri në ditën e Gjykimit, e ka bërë vetë Allahu I Lartësuar. Bile, Ibrahimi a.s. ka qenë i vetëdijshëm për mundësitë e tij fizike për ta realizuar thirrjen, kur tha: Ja rabb, po sa mund të dëgjohet zëri im?. Kjo jep me kuptuar se ai ishte vetëm mjet për ta lëshuar këtë kumt, ndërsa përçues i kësaj thirrjeje është vetë Allahu i Lartësuar, tek i Cili gravitojnë të gjitha shpirtërat e krijesave, sepse thirrja depërtoi edhe te shpirtërat e atyre që akoma nuk janë në botën fenomenale. Po, nëse pyesim se në çfarë mënyre depërtoi kjo thirrje tek njerëzit, atëherë themi se mënyra është veçanti e Madhështisë së Allahut dhe përfshinë aspektin hyjnor të komunikimit Krijues – krijesë.

Kjo vërtetohet me faktin se pikërisht atë vit, do të vijnë në Mekkë, njerëz për ta bërë ibadetin e haxhit!? Këta njerzë, që erdhën po atë vit, nuk kishin ardhë pse e kishin dëgjuar tingujt e thirrjes së Ibrahimit a.s., porse e kishin dëgjuar thirrjen e Allahut. Për më tepër, Allahu i kishte garantuar Ibrahimit a.s. duke i thënë: “Dhe thirri njerëzit për ta kryer haxhin, se të vijnë ty këmbësorë e edhe kalorës me deve të rraskapitura që vijnë prej rrugëve të largëta.” (Kur’ani, El-Haxhxh, 27).

Fjala e Allahut: “se të vijnë ty këmbësorë…” sipas dijetarëve islamë ishte premtim i Allahut, se në të njëjtin vit të thirrjes, gjithësesi do të vijnë njerëzit.[5] Ky është edhe një argument shtesë se thirrja e Ibrahimit a.s., në fakt ka qenë thirrje e Allahut.

Prandaj, kur njerëzit thonë: “inshallah më ka thirrë hazreti Ibrahimi” ata me këtë sikur thonë inshallah më ka thirrë Allahu e ma ka bërë kismet shkuarjen në vendet e shenjta. Prandaj, kjo thënie është e mirë dhe nuk duhet ta largojmë nga bisedat tona.



[1] Shih: El-Bejdavij, Envarut-tenzil ve esrarut-te’vil; Esh-Shevkani, Fet’hul Kadir, En-Nesefij, Tefsiru Mudarikit-tenzil ve hakaikit-te’vil,  komentimi i ajetit: El-Haxh, 27.

[2] Shih: Er-Rrazi, Tefsiru mefatihil gajb- et-tefsirul kebir; El-Kurtubij, Tefsirul xhamiil ahkam, Ibni Kethiri, Tefsirul Kur’anil Kerim, etj., komentimi i ajetit: El-Haxh, 27.

[3] El-Kurtubij, po aty, komentimi i ajetit El-Haxh, 27.

[4] El-Kurtubij, po aty.

[5]Shih: El-Kurtubij, po aty.

Kryesia e BIRK - ut

Lajme – Bashkësia Islame e Kosovës

Webfaqja zyrtare e Bashkësisë Islame
  • Zyrtarë komunal nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport,me 20 nentor kanë pritur në një takim përfaqësues nga Kryesia e Bashkësisë Islame e Kosovës, drejtorin e Kulturës, Ramadan ef. Shkodra dhe përgjegjësin për botime, Agim Gashi, me ç’rast ata kanë dhuruar mbi 100 tituj të librave në tre ekzemplarë, për bibliotekën e qytetit të Mitrovicës …

  • 19 nëntor 2019 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, gjatë ditës së sotme të qëndrimit në Rijad të Arabisë Saudite, vizitoi ambasadën e Kosovës në Rijad.Ai dhe delegacioni i BIK-ut u pritën nga ambasadori i Kosovës, z.Lulzim Mjeku, i cili i falënderoi për viziten në ambasadë si dhe konsideroi kontributin që …

KBI Prizren

Njoftime

Kur`an, Tefsir, Akaid, Fikh, Hadith, Histori Islame, Fetva të ndryshme, Video - Ligjërata ...

Në facebook

Tanzil.net

Mp3quran.net

Kopertina e librave

Sa janë online

We have 4 guests and no members online