Prizreni unanimisht e kërkon rindërtimin e xhamisë në kalanë e Prizrenit

Shkruan: Dr. Orhan Bislimaj

PRIZRENI UNANIMISHT E KËRKON RINDËRTIMIN

E XHAMISË NË KALANË E PRIZRENIT*

 

1. Hyrje

 

Çështja e rindërtimit të xhamisë në Kalanë e Prizrenit, ka qenë një tematikë që ka përshkuar aktualitetin e Prizrenit, duke filluar nga muaji tetor 2016 e këndej. Ajo, vazhdon të jetë e këtillë dhe në muajt në vijim, e deri në rindërtimin e saj. Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit dhe shoqëria civile kanë ngritur zërin publikisht, duke kërkuar rindërtimin e xhamisë. Ata, janë zotuar se nuk do të heqin dorë nga kërkesa dhe se do t’i shfrytëzojnë të gjitha format deri në rindërtimin e saj.

 

2. Problematika e çështjes

 

 Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës - Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, që nga viti 2010 i drejtohet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe institucioneve relevante të Kosovës me kërkesën për rindërtimin e xhamisë në Kalanë e Prizrenit. Mirëpo, këto kërkesa të vazhdueshme, e që do t’i evidentojmë më poshtë, nuk janë trajtuar fare nga institucionet përkatëse, madje nuk është dhënë asnjë përgjigje. Kështu që, Minsitria për Kulturë Rini dhe Sport e Republikës së Kosovës, përgjegjëse për ruajtjen e trashëgimisë kulturo-historike të Kosovës, me rastin e restaurimit, konzervimit dhe rindërtimit të objekteve brenda hapësirës së Kalasë, nuk e ka paraparë fare rindërtimin e xhamisë, apo të themi më mirë e ka injoruar xhaminë, duke e dënuar që të mbetet gërmadhë përgjithmonë. Ky anashkalim i xhamisë dhe injorim i qëllimshëm i kërkesës ka ngjallur reagimin e Bashkësisë Islame, të imamëve dhe të qytetarëve të Prizrenit, të cilët janë ngritur në këmbë, dhe me ngulm kërkojnë ringritjen e xhamisë, në emër të ruajtjes së origjinalitetit historik të Kalasë, si një monument ekskluziv i trashëgimisë kulturo-historike e nacionale, në nivel të Prizrenit dhe Kosovës.

 Në vazhdim, para se të flasim për xhaminë e Kalasë dhe zhvillimet rreth kërkesës për rindërtimin e saj, e konsideroj të arsyeshme që të japim disa informacione për Kalanë e Prizrenit, sipas të dhënave historike, që dihet se janë autentike.

 

3. Kalaja e Prizrenit në kontekstin historik

 

Pa dyshim, kalaja e Prizrenit është një monument me vlera të veçanta i trashëgimisë kulturore-historike të Prizrenit. Ajo, konsiderohet simboli i qytetit dhe një element me rëndësi në identitetin kulturor të Kosovës. E ndërtuar në një kodër të lartë, në një ambient piktoresk dhe në një pozitë jashtëzakonisht strategjike, Kalaja ngrihet mbi qytet sikurse edhe mbi luginën e thellë të Lumëbardhit dhe rrafshin e Dukagjinit.[1]

Pozicioni i saj topografik, dominues mbi qytetin, peisazhi natyror mjaft tërheqës dhe konfigurimi arkitektonik i menduar mjaft mirë, e bëjnë këtë lokalitet me vlera të padiskutueshme ambientale, shkencore, historike dhe turistike.[2] Është e vendosur në pjesën lindore të qytetit mbi një kodër me formë konike, me lartësi 525 m. mbi nivelin e detit. Muret fortifikuese ndjekin izohipset e terrenit duke rrethuar një sipërfaqe rreth 1.5 ha në trajte përafërsisht vezake me zgjatje veri-jug.[3]

Burimet e shkruara flasin shumë pak për Kalanë e Prizrenit. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit – Databaza e Trashëgimisë Kulturore të Kosovës, Kalaja e Prizrenit i përket periudhës romake, shekulli i IV.[4] Shënimi më i vjetër që e përmend Kalanë e Prizrenit, ëshët ai i kronistit bizantin, Prokopi i Cezares nga (Palestina), i shek. VI-të,  bashkëkohanik i Justinianit (527-565). Me sa duket Prokopi me kërkesë të Justinianit, ndërmjet viteve 558-560 e shkroi veprën “De aedificiis” (Mbi ndërtimet). Nga vepra shihet se për tu mbrojtur nga sulmet e popujve barbar Justiniani ka urdhëruar ndërtimin e fortesave të reja dhe meremetimin e të vjetrave. Duke e çuar në vend urdhrin e perandorit në Dardani u ndërtuan tetë fortesa të reja dhe u meremetuan 61 të tjera. Në mesin e të meremetuarave për të parën herë na paraqitet emri i qytetit P e t r i z e n, që konsiston emrin e sotshëm të Prizrenit, si dhe e zëvendëson emrin e mëparshëm Theranda.[5]

Në këtë kuptim, Kalaja e Prizrenit, si një pikë strategjike, ka qenë vend që ka tërhequr interesimin e pushteteve për gjatë historisë. Me ardhjen e Perandorisë Osmane në shekullin e XV dhe deri në vitin 1912, Kalaja shfrytëzohet, përveç tjerash, edhe si fortifikatë ushtarake. Por, rolin si fortifikatë ekskluzive ushtarake Kalaja e humbi pasi që mutesarifi i Prizrenit, Mushir Vejsel Pasha, ndërtoi kazermat ushtarake në pjesën perëndimore të qytetit në vitin 1882-1883.[6]

Pas vitit 1912, me ardhjen e pushtetit agresor serbo-malazez, Kalaja i nështrohet shkatërrimit të përgjithshëm. Të gjitha objektet që kanë ekzistuar deri në atë kohë, rrënohen dhe Kalaja shndërrohet në gërmadhë, duke dalur jashtë funksionimit të saj dhe duke u lënë pas dore. Tek pas vitit 1965 fillon një interesim i pushtetit, “që kishte për qëllim valorizimin dhe prezentimin e Kalasë në suazat e zhvillimit të ekonomisë turistike të Prizrenit dhe Kosovës. Për këto qëllime u bë financimi nga mjetet e buxhetit të Kuvendit të KSAK për vitin 1969, ndërsa kërkimet arkeologjike iu besuan prof.dr.Jovan Kovaçeviq nga Universiteti i Beogradit. Këto u zhvilluan prej 03.07.1969 – 05.09.1969, me pjesëmarrjen e 7 ekspertëve dhe 7 studentëve të arkeologjisë, si dhe 10 ekspertëve të lëmenjëve të ndryshëm të entit.[7]

Me largimin e pushtetit serb nga Kosova, në vitin 1999, Republika e Kosovës ka filluar që të interesohet për fatin e Kalasë si një zonë arkeologjike, e cila përmban potencial të madh për zhvillimin e turizmit. Kështu, që nga vitit 2004, Ministria për Kulturë Rini dhe Sport, ka filluar projektet për revitalizimin e saj. Përveç hulumtimeve arkeologjike, aty janë rindërtuar disa objekte, ndërsa mbijetojat e disa objekteve të tjera të Kalasë, përfshirë muret rrethuese, i janë nënshtruar procesit të restaurimit dhe konzervimit. Punimet, edhe gjatë vitit 2017, janë duke vazhduar, ndërsa xhamia dhe hapësira përreth saj akoma nuk është trajtuar.

  

 4. Fazat e Kalasë dhe zgjerimi i saj ndër shekuj

 

Siç dihet, një studim voluminoz rreth Kalasë së Prizrenit është bërë në vitin 1969 me ç’rast krahas gërmimeve arkeologjike është bërë edhe incizimi arkitektonik i Kalasë. “Gërmimet arkeologjike të bëra më 1969 dhe 2004 rezultuan me zbulimin e infrastrukturës, e cila prezentohet me muret (bedenat) e përforcuara me kulla, kazamatet, labirintet, depotë si dhe një varg objektesh në brendinë e saj.[8] Vazhdimi i gërmimeve arkeologjike të bëra në vitet 2004 dhe 2009/2011 nxori në pah një vendbanim parahistorik nga epoka e bronzit dhe periudha e hershme e hekurit i cili ka shërbyer si bërthama e parë e jetës në këtë vend.”[9]

Natyrisht, Kalaja nuk e ka pasur këtë formë, që e ka sot. Ajo ka pësuar metamorfoza arkitektonike nëpër shekuj, varësisht prej periudhave historike. “Në aspektin ndërtimor ndahet në tri komplekse të veçanta të quajtura: Qyteti i Epërm, Qyteti i Poshtëm dhe Qyteti Jugor, ndërsa në aspektin e fortifikimit ndër shekuj, ajo i përket periudhave të ndryshme: Periudha antike, Periudha e sundimit Bizantin, Periudha e zotërimit Nemanjid dhe Periudha e sundimit të Perandorisë Osmane. Kalaja e Prizrenit është njëra ndër monumentet më kapitale të trashëgimisë kulturo historike të Kosovës dhe njihet si një muze i hapur.” [10]

Në një hart, që studiuesi i njohur nga Prizreni, z. Muhamed Shukriu e ka vendosë në librin e tij Prizreni i Lashtë, pasqyrohen fazat dhe periudhat e Kalasë, sipas rezultateve të kërkimeve arkeologjike të vitit 1969.[11]

Sipas kërkimeve shkencore arkeologjike, në Kala, mund të supozohen shtatë faza të ndërtimit:

 1) Faza I: shek. V-VI; 2) Faza II: shek. XI; 3) Faza III: shek. XII-XIII; 4) Faza IV: shek. XIV; 5) Faza V: shek. XVI; 6) Faza VI: shek. XVII; 7) Faza VII: shek. XVIII.[12]

 Natyrisht, në fazën e parë, Kalaja ka qenë një hapësirë relativisht e vogël. Nëpër periudha të ndryshme historike, ajo i është nënshtruar transformimeve të vazhdueshme, varësisht prej interesave të pushteteve. Që nga ndërtimi i saj, Kalaja e Prizrenit, zgjerimin më të madh hapësinor e përjeton gjatë kohës së Perandorisë Osmane. Aty, ndërtohet Xhamia dhe disa objekte të tjera për nevojat e banorëve të saj. Në ndërkohë, ndërtohet edhe Sahatkulla.

  

5. Statusi pronësoro - juridik i kalasë së Prizrenit

  

Parcella e Kalasë, për nga aspekti pronësoro-juridik, është e regjistruar në organet kadastrale të Prizrenit dhe Kosovës. Sipas çertifikatës mbi njësinë kadastrale, të lëshuar nga Republika e Kosovës, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Zyra Kadastrale Komunale në Prizren, datë 12.12.2016, Kalaja e Prizrenit evidentohet si në vijim: Zona Kadastrale: Prizren; Numri i njësisë kadastrale: P-71813068-07675-2; Lloji i njësisë: Parcelë; Lloji i pronës: Pronë shoqërore; Sipërfaqja: 15776 m2; Pronari: P.SH.KK PRIZREN.

 Sipas ligjit Nr. 04/L-066 Për Qendrën Historike të Prizrenit, neni (7), Kalaja e Prizrenit konsiderohet pjesë e Qendrës Historike të Prizrenit dhe mbrohet me të njëjtin ligj. Por, në anën tjetër, edhe pse Kalaja është e shpallur si zonë arkeologjike, megjithatë ajo nuk është zonë e veçantë e mbrojtur, siç janë disa zona të tjera në nivel të Kosovës, e sidomos zonat e kishave ortodokse.[13] Mendoj, se këtu është bërë një lëshim, duke patur parasysh vlerat që përmban Kalaja e Prizrenit, si një monument mjaft ekskluziv për trashëgiminë kulturo-historike të Prizrenit dhe Kosovës.

Po ashtu, Kalaja e Prizrenit deri në muajin tetor 2016 ka qenë e evidentuar në listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtjen e përkohshme, sipas vendimit nr. 116/15, dt.09.10.2015, i cili vlen për një vit, me mundësi të ripërtrirjes për çdo vit. Në këtë listë, Kalaja e Prizrenit, evidentohet si në vijim: Emërtimit: Kalaja e Prizrenit; Komuna: Prizren, Kategoria: Trashëgimi arkeologjike – Lokalitet arkeologjik / rezervat; Periudha: Parahistori / koha e re; Numri i vendimit: 1585/48; Numri unik në databazë:1967.[14] Ndërsa, më datë 07.10.2016, Këshilli i Kosovës për Trashëgiminë Kulturore (KKTK), sipas propozimit të Ministrisë së Kulturës, ka bërë shpalljen e 23 aseteve nën mbrojtjen e përhershme në nivel të Republikës së Kosovës. Në këtë fazë, fatmirësisht Kalaja e Prizrenit ka fituar statusin e monumentit nën mbrojtjen e përhershme. Të njëjtin status, nga Komuna e Prizrenit e kanë fituar edhe: Kalaja e Korishës, Xhamija e Sinan Pashës, Hamami i Gazi Mehmed Pashës, Kisha e Shën Premtës si dhe Hidroelektrana.[15]

 

6. Historiku i xhamisë së Kalasë

 

Siç dihet, xhamia e kalasë ka qenë ekzistente për shumë shekuj me radhë në Kalanë e Prizrenit. Për këtë ekzistojnë dëshmi dhe pamje historike autentike, gjersa nuk kontestohen nga askush. Sa i përket vitit të ndërtimit, nuk ka të dhëna të sakta, por historiku i saj ndërlidhet me vendosjen e Perandorisë Osmane në trevën e Prizrenit, pas triumfit kundër forcave të Car Llazarit, në Gazimestan, në vitin 1389, e njohur si lufta e Kosovës. Pas këtij viti, përpjekjet e Perandorisë Osmane kanë qenë serioze për çlirimin e territoreve shqiptare nga pushtimi i egër i okupatorëve sllavë. Historiani i njohur, Noel Malkomi përmend se më 1454 Mehmeti II pati dërguar forca të mëdha ushtarake kundër sllavëve pushtues të territoreve shqiptare, gjersa pjesa më e madhe e Serbisë jugore dhe asaj të Mesme ishte dominuar në këtë vit. Në vitin 1455 mbarë territori i Kosovës do të vendoset nën administrimin osman, dhe më 21 qershor 1455, Perandoria Osmane vendoset edhe në Prizren.[16] Që në atë kohë, në Prizren e ndërtoi xhaminë e parë, që njihet si “Namazxhahu”, për nevojat e kryerjes së riteve fetare për të gjithë të interesuarit. Ka të dhëna se kjo xhami është ndërtuar në vitin 1410, veçse në vitin 1455, kjo xhami dihet sigurisht se ka ekzistuar.[17]

Gjatë kësaj kohe, pra pas vitit 1455, forcat e Perandorisë, pasiqë vendosen në hapësirën e Kalasë së Prizrenit, e ndërtojnë edhe xhaminë, për nevojat e administratës, ushtrisë dhe qytetarëve të tjerë. Të këtij mendimi janë shumica e studiuesve, si dhe mbamendja kolektive historike e banorëve të Prizrenit, e transmetuar nga gjenerata në gjeneratë. Po ashtu, argument është edhe vetë diskursi ideologjik i Perandorisë Osmane. Do të ishte mjaft anakronike të besojmë se Perandoria Osmane e ka ndërtuar xhaminë disa shekuj pas akomodimit të saj në Prizren, dhe sidomos për dy arsye:

1) Në Kalanë e Prizrenit, është vendosur trupa e Perandorisë së asaj kohe, e dislokuar në trevën e Prizrenit (sektori politik dhe ushtarak) duke e parapëlqyer si një vend i sigurtë, për shkak të pozitës topografike të Kalasë, po edhe për shkak të pozitës gjeostrategjike të vetë Prizrenit. Jo rastësisht, Prizreni u bë pjesë e Provincës Osmane të Rumelisë dhe qyteti më i rëndësishëm dhe më i madh i administratës osmane në Kosovë. Shquhej për qytet tregtar me prosperitet, duke përfituar nga pozita gjeografike dhe rrugëve tregtare në veri-jug dhe lindje-perëndim që lidheshim mirë me gjithë perandorinë Osmane.[18] Do të ishte e pakuptimtë që brenda saj, të vonohej ndërtimi, gjersa dihet se ata i kanë kushtuar rëndësi përpikshmërisë në namaz si pjesë e pandashme e momenteve ditore. Në këtë kontekst shpjegohet edhe ndërtimi i Namazxhahit, menjëherë pas dislokimit në Prizren; dhe

2) Kalaja ka qenë larg Namazxhahit si xhami e parë në Prizren. Nuk mund të mendohet që banorët e Kalasë, të shkojnë për faljen e namazit, sidomos të xhumasë deri te faltorja e Namazxhahut!?

Edhe poeti i njohur, Nuriu, në mbishkrimin e xhamisë së Kalasë që e shkroi vetë, e thekson se xhamia e Kalasë është ndërtuar në kohën e çlirimit të Prizrenit: “Në kohën e çlirimit (të Prizrenit), në brendinë e Kalasë, është ndërtuar xhami dhe vendadhurim”  (Hîn-i fetihde Kal`a içinde inşa olunmış cami’ ve ma`bed).[19]

Për këto arsye dhe të tjera, konsiderojmë se xhamia e Kalasë i përket viteve ’60-ta të shekullit XV, pasiqë është iracionale të mendohet se banorët e kalasë kanë qëndruar aty për kohë të gjatë pa xhami.

 

7. Rrënimi i xhamisë herën e parë (1689)

 

Në anën tjetër, xhamia, edhe pse i ka shërbyer qëllimit të vet, megjithatë ajo është përballur me rënie dhe ngritje. Në fund të shekullit XVII, xhamia e Kalasë i nënshtrohet rrënimit të parë. Siç dihet, Prizreni, në vitin 1689 invadohet nga ushtria austriake me aleatët e saj nën komandën e gjeneralit me prejardhje italiane Eneo Pikëlomini. Më datë 6 nëntor 1689, Pikëlomini ka arritur në Prizren, i ndihmuar edhe nga peshkopi Pjetër Bogdani, i cili i qe bashkëngjitur në Shkup.”[20] E, bashkë me ata, kishin arritur edhe disa mijëra vullnetarë, shqiptarë të krishterë dhe serbë. Bile, të krishterët e armatosur, në rrethinën e Prizrenit dhe Shqipërinë e Epërme asokohe ishin futur nëpër vendbanimet myslimane dhe ua kishin plaçkitur pasurinë.”[21] Invadimi austriak, edhe pse mjaft jetëshkurtër, megjithatë, ka qenë fatal për trashëgiminë e përgjithshme islame në Prizren dhe rrethinë përfshirë edhe xhaminë e Kalasë. Tahir efendiu, i cili, në vitin 1874 ishte Myfti i Prizrenit dhe myderriz në Medresenë “Mehmed Pasha”, në kronikën e tij të njohur, thotë se pabesimtarët, duke aluduar në ushtrinë invaduese, gjatë asaj kohe vranë shumicën e banorëve të Prizrenit dhe rrënuan shumë xhami.[22] Por, ç’e do që Pikëlomini befas infektohet nga murtaja dhe vdes më datë 9 nëntor 1689. Bile, ka të dhëna se është varrosur në oborrin e kishës në Prizren, e njohur si kisha e “Shën Premtës”[23] Menjëherë pas tij, nga e njëjta sëmundje, vdes edhe Pjetër Bogdani, që ishte infektuar gjatë përgatitjes së ceremonisë mortore të Pikëlomonit.

Qytetarët e Prizrenit, nëpërmjet mbamendjes kolektive, akoma i transmetojnë krimet e austriakëve. Ndërsa, shkatërrimi i xhamive, si një synim, tregon qartë pretendimet e tyre fetare. Jo rastësisht ata u mirëpritën dhe u ndihmuan nga të krishterët në krye me Pjetër Bogdanin – peshkop i asaj kohe. Në këtë kontekst, Noel Malcom citon se xhaminë e madhe të Prishtinës (Fatih – xhami), austriakët e kishin shndërruar në një kishë dhe ia kishin kushtuar të shenjtit jezuit, Fransis Ksavierit.[24]

Prandaj, Hasan Kaleshi dhe Ismail Eren, në një punim në bashkautorësi, duke vërtetuar faktin se xhamia e Kalasë së Prizrenit është shkatërruar gjatë periudhës së austriakëve, e thonë edhe këtë: “Ajo xhami qe rrënuar deri në themel, me siguri gjatë kohës së invadimit austriak në Prizren, kur pësuan të gjitha objektet e kulturës islame. Këtë xhami të rrënuar, Mahmud Pasha e kishte ndërtuar nga themeli.”[25] Pas kësaj, nuk mbetet asnjë dilemë, se xhamia e Kalasë, herën e parë është shkatërruar nga austriakët, gjersa këtë fakt e përmendin edhe studiues të tjerë.[26]

 

8. Rindërtimi i xhamisë (1828)

 

Për një kohë të gjatë, më se 140 vite, xhamia e kalasë kishte qëndruar e rrënuar. Me ardhjen në pushtet të familjes “Rrotlla” nga Prizreni, që qeverisi me Sanxhakun e Prizrenit më se 100 vjet (1747-1843)[27], edhe fati i xhamisë do të ndryshojë për të mirë. Sipas dokumenteve historike, Mahmud Pashë Rrotlla, në kala mbi themelet e xhamisë së rrënuar, më 1828 (1244 sipas hixhrit) e ndërtoi xhaminë[28], sipas dimenzioneve të mëparshme.  

Ish-myftiu i Prizrenit, Mehmet Tahir efendiu (v.1883) në kronikën e tij të famshme “Menakib”, që besohet se e ka shkruar në vitet 60’ta të shekullit XIX-të, apo afër 30 vite pas rindërtimit të xhamisë, thotë: “Mahmud Pasha në shenjë butësie ka ndërtuar në Kala një faltore që zbukuron qytetin tonë”.[29] Bile, ky vit i rindërtimit, nga  disa studiues gabimisht është marrë si datë e ndërtimit të xhamisë. Në të vërtetë, xhamia në këtë vit, pra 1828 është RINDËRTUAR, dhe kjo vërtetohet në mbishkrimin e xhamisë së Kalasë, në fund të të cilit evidentohet viti hixhrij “1244”, e që fillon më 14.VII.1828, sipas kalendarit miladij.[30] Mbishkrimi, i cili aktualisht ruhet në muzeun arkeologjik të Prizrenit, është skalitur në një pllakë të mermertë, me dimensione 67.5 x 53.5 cm. Rreshtat janë të kornizuar, kurse shkrimi me të cilin mbishkrimi është shkruar është “thuluth”. Mbishkrimin e ka hartuar poeti, mësuesi dhe sekretari i Mahmud Pashës, Nuriu.[31]

Teksti i mbishkrimit të xhamisë është në gjuhën osmane, ndërsa transliterimi i tij në shkronjat latine bashkë me përkthimin në gjuhën shqipe, duket si në vijim:

 1) Hâlinde vüs`at olunca ey dil, hayrâtdan olma bir lahdhâ meb’ûd;

 1) O shpirt, gjersa e ki bukurinë dhe fuqinë, mos u largo nga bëmirësia për asnjë moment!;

 2) ‘Ukbâ`da sâhib-hayra verilir âlî merâtib, olmişçü mev`ûd;

 2) Në Ditën e Gjykimit bëmirësit i jepet pozitë e lartë, ashtu  siç është premtuar;

 3) Dünyâda dahi hayriyle idi medhkûr olûpdur hâlkın dilinde;

 3) Po ashtu, edhe në këtë botë, njerëzit ia përmendin emrin për të mirë;

 4) Hem câmi ibnâ eden kişiler hakkında müzhde ma`lûm ve meşhûd;

 4) E, për ata që ndërtojnë xhami shpërblimi (prej Allahut) është sihariq i ditur dhe i garantuar;

 5) Hîn-i fetihde Kal`a içinde inşa olunmış cami’ ve ma`bed;

 5) Në kohën e çlirimit (të Prizrenit), në brendinë e Kalasë, është ndërtuar xhami dhe vendadhurim;

 6) Çok vakt ve ezman geçmekle oldi hâk ile yeksân, virân ve nâbûd;

 6) Mirëpo, me kalimin e kohës, kjo xhami u rrënua rrafsh me tokë dhe mbeti në gjendje të mjerueshme;

 7) Pâşây-ı Mahmud, vâli-i vilâyet hayrata mâil, sâhib-diyânet;

 7) Valiu (i Prizrenit) Mahmud Pasha, një njeri shumë i devotshëm dhe i shquar për bamirësi;

 8) Bir târz-ı ra`nâ Kal`ada câmi eyeledi ibnâ ol dhât-ı mes`ûd;

 8) Allahu ia bëri nasib (mes’ud), që edhe njëherë ta ndërtojë xhaminë e Kalasë në një formë mahnitëse;

 9) Bir gelmek ile hoş tekmil olmış görünce Nûri söyledi târih;

 9) Nuriu kur e pa xhaminë për të parën herë, shumë u kënaq, dhe shkroi datën;

 10) Bu câmi`i dil-zib içine gir kıl, olsun namâzın makbûl-i ma`bûd. Sene 1244 Muharrem.

 10) Gjersa hyn në këtë xhami të stolisur dhe falish namaz, adhurimi yt pranohet tek Allahu! Në vitin 1244.[32]

  

9. Dimenzionet dhe konstruksioni arkitektonik i xhamisë

 

Konstruksioni i xhamisë ka qenë në konvergjencë të plotë me natyrën e kalasë dhe të ndërtimeve të asaj kohe. Sipas ekspertëve të fushave, arkitektura e xhamisë ka qenë tipike shqiptare dhe nuk ka implikuar ndonjë plan specifik aziatik. Kjo vërehet, sidomos te çatia me rrasa guri apo tjegulla dhe jo me kube të mbuluar me bakër. Kështu, duke përngjasuar me shtëpitë dhe kullat shqiptare të ndërtuara gjithandej nëpër trojet shqiptare. Konstruksioni, ka qenë kryesisht prej materialit nga guri.

Formati i xhamisë është i ngjashëm me atë të xhamisë “Mehmet Kukli beu”, që njihet si xhamia e Saraçëve, e cila gjendet në rrugën e “Saraçëve” në qendër të qytetit të Prizrenit. Sipas, projektit ideor, i cili mbështetet në të dhënat autentike historike dhe sipas gjendjes faktike, i punuar nga arkitekti i fushës përkatëse, xhamia i ka pasur këto dimenzione:[33]

1) Dimenzionet e jashtme të xhamisë janë 9.39 m gjerësi dhe 9.23 m  gjatësi. Të gjitha muret janë nga 1.10 m, me përjashtim të murit të mihrabit, që është 1.16 m. Lartësia e xhamisë, prej dyshemesë e deri në lartësi mbi kulm është 9.76m. Materiali i mureve është prej gurëve specialë, po edhe të ndryshëm, të lidhur me llaç gëlqeror;

2) Hajati i xhamisë, 3.91 x 9.12 m, me konstruksion prej drurit;

3) Xhamia ka pasur kubenë prej tullave të pjekura dhe llaçit gëlqeror, të mbuluar me rrasa guri dhe tjegulla;

4) Xhamia e ka pasur minarenë në lartësi prej 24.90 m, me një sheref (rrethore), me këto dimenzione: prej bazamentit (niveli i sipërfaqës së tokës) e deri te streha e kulmit është 8.14 m; prej bazamentit e deri në sipërfaqën e sipërme të sherefit është 17.70 m; dhe prej bazamentit deri në majën e piramidës është 24.90m. Minareja është prej gurëve poroz (sigë), të lidhura me llaç gëlqeror, ndërsa kulmi i saj (piramida) prej dërrasës e mbështjellur me alumin ose plumb.

 

10. Xhamia e Kalasë së Prizrenit ka qenë funksionale deri në vitin 1912

  

Xhamia e Kalasë, që nga ndërtimi i saj në shekullin e XV, dhe pas rindërtimit të saj në vitin 1828 dhe gjerë në vitin 1912 i ka shërbyer qëllimit për çfarë është ndërtuar. Aty janë falur vaktet e namazit dhe ka qenë në funksion të plotë sikurse xhamitë e tjera të qytetit të Prizrenit. Ajo ka qenë e hapur për faljen e namazit për çdo qytetar të interesuar dhe jo vetëm për banorët e Kalasë. Prejudikimet se xhamia ka qenë e dedikuar vetëm për ushtrinë, është tërësisht anakronik dhe i pa saktë. Në të vërtetë, ajo ka mundur ta ketë këtë rol vetëm në fazën fillestare të saj, shekulli XV-XVI, kur pranimi masovik i Islamit nga shqiptarët ka qenë në proces e sipër. Por, nuk mund të themi se xhamia ka qenë e tillë përgjithmonë, e sidomos pas shekullit XVI, kur feja Islame bëhet fakt përfundimtar në Prizren dhe më gjerë. Pra, ne po flasim për periudhën afatgjate të xhamisë, deri në vitin 1912. E vërteta është se xhamia, absolutisht, ka qenë e hapur prore për të gjithë besimtarët islamë, jo vetëm për ushtrinë dhe, vetë pozita e saj në mes të Kalasë dhe afër derës kryesore të saj, e dëshmon një gjë të tillë. Banorët e Prizrenit i transmetojnë fjalët e gjyshërve të tyre, që janë falur në xhaminë e Kalasë, sidomos ata që i kanë pasur pronat në pjesën mbi Kala.

 Përveç këtij fakti, në dokumentet historike autentike, gjejmë të dhëna se për funksionimin normal të xhamisë janë kujdesur disa punëtorë, dhe pagimi i tyre është bërë nga buxheti i Vakfit (Bashkësisë Islame), sikurse edhe për xhamitë e tjera të Prizrenit. Përveç imamit dhe muezinit, në xhami kanë qenë të angazhuar edhe dy punëtorë të tjerë: Shërbyesi dhe Mbikqyerësi i xhamisë (mutevelia).

Në vakëfnamenë e Mahmud Pashë Rrotllës, e cila ruhet në zyret e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizenit jepen shumë detaje rreth jetës fetare të asaj kohe si dhe mirëmbajtjes të shumë xhamive të Prizrenit përfshirë edhe xhaminë e Kalasë. Në këtë dokument, Mahmud Pasha, Allahu e mëshiroftë me xhenneti firdevs, vë kushte rreth ndarjes së mjeteve nga pasuria e lënë vakëf, dhe atë: “Myezinit të xhamisë në Kala 60 groshë, shërbyesit të xhamisë në Kala 40 groshë; orëtarit të orës së Kalasë, gjatë vitit 60 groshë...” Në të njëjtën vakufname, Mahmud Pasha, ndanë mjete nga pasuria e tij edhe për mutevelinë në mënyrë që: “në haremin e xhamisë së Kalasë, le t’i shtrijë shtrojat” si dhe “për ndriçimin e (...) xhamisë në Kala, le të vendosë gazin në kandila, e në dritare letër. Përveç kësaj, Mahmud Pasha e ka paraparë edhe zbukurimin e xhamisë së Kalasë me kandila ndriçues, gjatë netëve të Ramazanit, bajramave, mevludeve, Regaibeve dhe Beratit. Kështuqë, mutevelia e ka patur obligim që të vendosë “në haremin e xhamisë në kala shtatë kandila” si dhe kur “xhamia në kala ka nevojë për hasra, myteveliu le t’i ofrojë për shtruarje.” Po ashtu, Mahmud Pasha, e obligon muteveliun që “të kujdeset për meremetimin e xhamisë së Kalasë”, e nëse bëhet fjalë për ndonjë shumë të madhe, atëherë duhet të gjejë ndonjë formë tjetër për meremetim.[34]

 

11. Xhamia është menaxhuar nga Bashkësia Islame

  

Të dhënat e lartëcekura nga Vakufnameja e Mahmud Pashë Rotllës, mund të themi se kanë një rëndësi të veçantë, pasiqë përgjithësisht na ofrojnë një përfytyrim ekzakt rreth funksionimit të xhamisë asokohe, përfshirë edhe juridiksionin mbi menaxhimin e saj. Në këtë aspekt, nga ky dokument vakufnor, i lënë nga Mahmud Pasha, mund të nxjerrim disa përfundime:

 1) Emërtimi: Xhamia e Kalasë njihet si “xhamia në Kala”, e që dëshmon se në atë kohë nuk ka pasur ndonjë emërtim të veçantë;

 2) Pronësia: Xhamia ka qenë në pronësi dhe administrim të institucionit të Bashkësisë Islame. Kjo vërtetohet, sidomos nga dy arsye: E para, kur pushteti serb më 1912 kishte shkatërruar xhaminë e Kalasë, imam dhe hatib në ditën e xhumasë ishte ish-Myftiu i Prizrenit, haxhi Rrystem efendiu[35]; dhe e dyta: Me vetë faktin që Mahmud Pasha (Allahu ia faltë xhennetin) ka lënë pasurinë e tij vakuf – pronë e xhematit (bashkësisë myslimane), dhe ka vë kusht, duke kërkuar nga udhëheqësia fetare e asaj kohe, që të ardhurat nga kjo pasuri të dedikohen për punonjësit fetarë, në këtë rast edhe për punonjësit e Kalasë, jep të kuptojmë se xhamia ka funksionuar nën juridiksionin dhe strukturën e Bashkësisë Islame të Prizrenit. Në rastin e kundërt, Mahmud Pasha nuk do kishte nevojë që të lente pasurinë e tij “vakuf – hajrat” në Bashkësinë Islame, për një objekt që nuk e ka në pronësi apo menaxhim. Mbi këtë argument, Këshilli i Bashkësisë Islame – Prizren, detyrimisht shpallet trashëgimtar ligjor i xhamisë së Kalasë, sipas parimit të automatizmit, pavarësisht titullarin e pronësisë;

 3) Organizimi i brendshëm: Nga aspekti i brendshëm organizativ, xhamia ka funksionuar normalisht, sikurse që funksionojnë edhe sot xhamitë e qytetit të Prizrenit. Bile, në xhaminë e kalasë, përveç imamit, muezinit, mutevelisë, ka qenë i angazhuar edhe një punëtor tjetër i quajtur si “shërbyes”;

 4) Manifestimet fetare. Në xhami janë shënuar festat fetare dhe janë organizuar tubime fetare. Kujdesi i veçantë për ndezjen e kandilave ndriçues, gjatë netëve të Ramazanit, bajramave dhe netëve të mëdha, argumenton funksionimin normal të xhamisë, madje edhe si një xhami e privilegjuar.

 5) Shumësia e xhematit. Besohet se xhamia ka pasur shumë xhemat. Me vetë faktin që mutevelia është këshilluar për shtruarjen e hasrave, kjo do të thotë se xhamia ka pasur mjaft shumë xhemat, pra edhe jashtë xhamisë. Sepse, “hasrat” zakonisht shtrohen në oborrin e xhamisë, për t’u falur xhemati, në rastet kur nuk ka hapësirë të mjaftueshme brenda në xhami. Një gjë e tillë aplikohet edhe sot në xhamitë e Prizrenit.

 6) Meremetimi i xhamisë nga vakfi. Xhamia është mirëmbajtur teknikisht nga pasuria e lënë hajrat (vakfi), e sipas nevojës edhe nga donacionet e tjera, zakonisht që i dhurojnë besimtarët islamë, pra, jo nga buxheti i shtetit.

  

12. Rrënimi i xhamisë herën e fundit (1912)

 

 Xhamia e Kalasë ka qenë funksionale gjatë periudhës së Perandorisë Osmane, dhe ka vazhduar deri në largimin përfundimtar të saj nga Prizreni, në vitin 1912, kur nga Kalaja tërhiqet ushtari i fundit osman Jashar Hoda, të cilin prizrenasit e quanin Karajashari,[36] që do të thotë  Jashari i zi.[37]

 Sikurse dihet, më datë 21.10.1912, ushtria serbe e riokupoi  Prizrenin dhe bëri krime të pa para deri atëherë. Lazër Mjeda – arqipeshkvi katolik i Shkupit, në një raport dërguar Romës, më 24 janar 2013 shkruante se në Ferizaj kishin mbetur gjallë vetëm tre shqiptarë myslimanë të moshës 15 vjeçare, se popullata shqiptare e Gjilanit ishte masakruar, kurse Gjakova ishte shkretuar tërësisht. Ndërsa kur flet për Prizrenin, ai thotë: “Rasti më i tmerrshëm kishte ndodhur në Prizren, i cili si Gjilani ishte dorëzuar në mënyrë paqësore. Qyteti duket si një mbretëri e vdekjes. Ata trokasin në dyertë e shtëpive shqiptare, i marrin meshkujt dhe i pushkatojnë menjëherë. Para disa ditësh numri i të vrarëve arriti në 400. Sa u përket grabitjeve, plaçkitjeve dhe dhunimeve më mirë të mos përmenden, që atëherë urdhëri i ditës ishte: kundër shqiptarëve lejohet çdo gjë – jo vetëm që lejohet por edhe kërkohet dhe urdhërohet. Dhe, me gjithë këto tmerre të llahtarshme, komandanti ushtarak, Bozho Jankoviq, e detyroi parinë e qytetit, me revole në dorë, që t’i dërgonte mbretit Petër një telegram falënderimi.” Arqipeshkvi konstatoi se numri i përgjithshëm i shqiptarëve të vrarë deri në atë kohë ishte 25.000.[38] Përveç, këtyre tmerreve të llahtarshme kundër shqiptarëve, serbo-sllavët ushtruan edhe kulturocid kundër trashëgimisë kulturo-historike të shqiptarëve të Kosovës. Në shënjestër ka qenë, sidomos institucioni i Bashkësisë Islame – Myftinia e Prizrenit, përfshirë pronën dhe kulturën islame në përgjithësi, të cilin e konsideronte si burim shpirtëror për shqiptarët në frontin e rezistencës kundër serbëve. Një raport i hollësishëm i konsullit austriak në Prizren, i janarit të vitit 1914, bën një rezyme të kushteve në Kosovën e asaj kohe. Konsulli shkruante: “Nga të 32 xhamitë në Prizren, 30 sosh u shndërruan në baraka ushtarake, depo municioni dhe stalla...[39] “Vetëm nga Myftinia e Prizrenit u konfiskuan 60 hektarë tokë.”[40] Në shënjestër kanë qenë edhe paria fetare, hoxhallarët, të cilët janë përndjekur njësoj si xhamitë. Shkatërrimet kanë qenë të gjithanshme. Pronat u janë dhënë serbëve.

Në kuadër të shkatërrimeve të përgjithëshme, një kulturocid shfarosës e ka përjetuar edhe Kalaja e Prizrenit dhe xhamia. Disa studiues thonë se xhamia e kalasë është rrënuar në vitin 1913[41], porse një gjë është e sigurt, se ushtria okupatore serbe, menjëherë pas okupimit të Prizrenit, pra në vitin 1912, e shkatërroi xhaminë si dhe objektet e tjera në Kala. Nuk ka të dhëna se kush ishte imam i fundit në xhaminë e Kalasë për kohët e namazeve ditore, por ajo që dihet, natyrisht sipas mbamendjes kolektive, se në kohën e rrënimit të xhamisë, imam - hatib për namazin e xhumasë ka qenë haxhi Rrystem ef. Shporta. Po ashtu, dihet se më 1913, me urdhërin e gjeneralit Bozho Jankoviç, komandant i Armatës II serbe u hoq ora nga Sahat Kulla në Kala.[42]

Por, ç’e do që minareja e xhamisë, ka mbijetuar për disa vite pas rrënimit të objektit të xhamisë. Si dëshmi e kësaj është një foto e minaresë, e vitit 1917, në të cilën duken qartë rrënojat e objektit të xhamisë, gjersa minareja qëndron e padëmtuar, me përjashtim të kulmit të saj (piramidës), që është punim nga druri. [43]

Mendoj, se kanë qenë dy arsye për mbijetesën e saj edhe për disa vite më vonë.  E para është vetë kompleksiviteti për rrënimin e saj, pasiqë një gjë e tillë ka ndodhur, ta zëmë, edhe me minarenë e xhamisë “Arasta” në pjesën urbane të Prizrenit, gjersa, sot, fatmirësisht ekziston minareja. Dhe, e dyta, me rrënimin e objektit të xhamisë, në fakt ishte përmbushur aspirata kulturocide e pushtuesit, e çështja e minaresë, megjithatë ka mundur të mos jetë preokupim urgjent, për shkak të luftrave ballkanike, ku secili shtet ishte kapur për brengën e vet dhe kishte prioritete të tjera mbrojtëse. Ky konstatim, mund të jetë relevant, me vetë faktin që serbët, pas një kohe të shkurtër, pra më 26 nëntor 1915 u detyruan të largohen dhunshëm nga Prizreni, duke e lënë teritorin nën okupim të bullgarëve.

 

13. Rrënimi i minaresë në vitin 1917

 

Sakaq, fati i keq për minarenë e Kalasë, fillon pas vitit 1915, kur Prizreni bie nën okupimin e bullgarëve. Nismën shkatërrimtare të çdo gjëje shqiptare dhe islame, që e nisën serbët, në vitin 1912, e vazhduan bullgarët me intenzitet të njëjtë dhe më shumë. Periudha prej vitit 1912 deri në vitin 1918, kur është vendos “armëpushimi” rajonal, që i hapi rrugë mbajtjes së Konferencës së Paqës, në Versajë të Parisit, 8 qershor 1919, ka qenë periudha më e errët e historisë për shqiptarët e Kosovës. Gjatë kësaj kohe nuk është kursyer asgjë nga pushtuesit serbë dhe bullgarë. Përshkrimet e autorëve të huaj për gjenocidin dhe kulturocidin e ushtruar mbi popullin shqiptar janë marramendëse.

Qytetarët e vjetër të Prizrenit, transmetojnë informacionet e të parëve në lidhje me pushtimin e Prizrenit nga bullgarët, duke e përshkruar si një pushtet jashtëzakonisht barbar, ku njerëzit kanë vdekur nga uria dhe, në mungesë të ushqimit kanë hangër lëvozhgat e drunjëve. Sipas tyre, minarenë e xhamisë e kanë shkatërruar pikërisht bullgarët, në vitin 1917. Në të vërtetë, kjo vërtetohet edhe në bazë të një dokumenti arkivor, i cili nuk ka qenë i ditur deri vonë. Studiuesi Marenglen Verli, sjell raportin e majorit turk “ Subhi”, që mban titullin “Informacion për reprezaljet e ushtrisë bullgare ndaj popullsisë shqiptare në zonën e tyre të pushtimit, gjatë luftës së parë botërore”, e që flet drejtpërdrejt për rrënimin e minaresë. Në këtë raport sekret, datë 25 maj 1917, Majori jepte informacione të zgjeruara, e në mesin e të tjerave, ai e thotë edhe këtë: “Kur hynë në Prizren bullgarët thyen gati të gjitha dyqanet dhe i grabitën (...). Shembën në Prizren minarenë e xhamisë së Kalasë dhe bën grabitje. Komandanti i lajmëruar s’mori asnjë masë.”[44]

Që nga ajo kohë, pra nga viti 1912, përkatësisht 1917, xhamia dhe minareja e saj kanë vazhduar të qëndrojnë të rrënuara përtokë. Le ta themi edhe këtë se në ato vite të shkatërrimit, mbijetojat e mureve të xhamisë, megjithatë kanë qenë të larta. Mirëpo, si një hapësirë e pambrojtur, këto mure i nënshtrohen rrënimit të mëtutjeshëm përtokë.

Sipas transmetimeve të njerëzve të kohës, besohet se shkatërrimi rapid i xhamisë dhe Kalasë në përgjithësi bëhet sidomos gjatë viteve 1930-1933, kur gurët e gdhendur - çmueshëm merren dhe shfrytëzohen për ndërtimin e objektit të gjimnazit të Prizrenit, i cili që nga viti 1943, njihet si gjimnaz real “Gjon Buzuku”. Këtë fakt e përmend studiuesi nga Prizreni, Muhamed Shukriu, i cili edhe ka qenë në krye të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve në Prizren. Ai në librin e tij, Prizreni i Lashtë, sjellë dëshminë e mjeshtrit Shefik Palla, i cili thotë se gurët lëshoheshin nga muret fortifikuese të Kalasë te bregu i majtë i Lumbardhit të Prizrenit, e pastaj barteshin me qerre kuajsh në lokacionin në Terzimahallë, ku ndërtohej godina e Gjimnazit. Marrja e gurëve nxitoi shkatërrimin e Kalasë, andaj me rastin e kërkimeve arkelogjike më 1972, u gjetën fare pak materiale arkeologjike, të cilat sot gjenden në Muzeun Arkeologjik të regjionit të Prizrenit.[45] Pra, prej kësaj kohe,  niveli i mureve të xhamisë, gradualisht është ulur gjithnjë e më shumë. Sipas një fotografie të vitit 1969, mbijetojat e mureve kanë qenë më të larta se ç’janë aktualisht. Fatkeqësisht, ky degradim i xhamisë dhe kalasë ka vazhduar edhe pas hyrjes së Kalasë nën kujdesin shtetëror, në vitin 1948, për të vazhduar deri në vitin 2009, kur fillojnë punimet e restaurimit, të cilat janë duke vazhduar edhe gjatë vitit 2017.

  

14. Xhamia e Kalasë së Prizrenit dhe vendosmëria e Bashkësisë Islame

 

Për shkak të okupimit të gjatë serb mbi Kosovën, xhamia e Kalasë pati mbetur një vend i shkretë, përplotë me mbeturina. Natyrisht, kjo gjendje ishte irituese për të gjithë qytetarët, që e dinin se aty janë muret e xhamisë, sepse vendet e kultit, pavarësisht fenë, duhet respektuar dhe nderuar. Kështu që për ta evituar këtë gjendje nënçmuese ndaj objektit të xhamisë, ku muslimanët deri vonë kishin bërë sexhde për Krijuesin e Madhërishëm, Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, më datë 12.04.2009 (e diel) ndërmori iniciativën për kthimin e dinjitetit të xhamisë, së paku duke pastruar brendësinë dhe hapësirën përreth saj. Në këtë aksion, e të cilin e kam të freskët në kujtesën time, xhemati i Prizrenit, me vullnet të madh, larguan të gjitha gjësendet (mbeturinat, etj.), që e kishin mbuluar hapësirën e xhamisë. Morën pjesë disa imamë dhe shumë besimtarë të tjerë, madje edhe të moshuar, prej të cilëve disa këndonin “ilahi” e disa të tjerë sillnin ujë për aktivistët. Pas një pune konsistente, mbi tri orë, arritëm që t’i shpalosim mbijetojat e mureve që kishin ngelur, deri një (1) metër lartësi mbi tokë. Po ashtu, doli në sipërfaqe formati i xhamisë, përfshirë bazamentin e minaresë, mihrabin në mes të xhamisë, si dhe pragun e derës së hyrjes. Në këtë gjendje, xhamia është edhe sot kur po i shkruajmë këto rreshta.

Në të vërtetë, atë ditë, Bashkësia Islame dhe qytetarët e Prizrenit (xhemati), përveç që ia kthyen xhamisë dinjitetin e nëpërkëmbur, e cila deri në këtë kohë dukej një grumbull gurësh dhe shumë pak apo fare pak mund të dallohej, në anën tjetër, dhanë sinjalet e qarta se xhamia duhet t’i rikthehet Kalasë si një dëshirë qytetare. Pas përfundimit të aksionit, u bë thirrja e ezanit mbi themelet e minaresë dhe të gjithë të pranishmit e falën namazin e drekës me imam brenda xhamisë. Ky namaz, njëherit është i pari, që nga rrënimi i xhamisë në vitin 1912, sikurse që pastrimi i saj, është i pari i këtillë pas atyre gërmimeve arkeologjike të vitit 1969. Pas namazit të drekës, Këshilli i Bashkësisë Islame, u kujdes për aktivistët që të drekojnë së bashku, si vëllezër, me nga një shujtë mjaft modeste (topli) të Prizrenit, në ambientin piktoresk përreth xhamisë së Kalasë.

Por, ky organizim rreth xhamisë së Kalasë, nuk do të mbetet i vetëm, do të pasojnë edhe organizime të tjera. Kemi parasysh, ishte viti 2009, kjo kohë kur patën filluar punimet e revitalizimit të Kalasë si një pikë zhvillimore e turizmit, ndërsa Ministria e Kulturës, nuk e pati futur në kuadër të projektit edhe rindërtimin e xhamisë. Natyrisht, Bashkësia Islame, ishte në ngjarje për të gjitha zhvillimet që ndodhnin, sepse ishte në pyetje fati i xhamisë si objekt islam, e mbi të gjitha si një dëshirë e qytetarëve. Në fillim, menduam se rekonstruimi i xhamisë ka ngelur për fazën e ardhshme të punimeve, pasiqë punohej faza-faza, por kjo nuk ndodhi asnjëherë, e që vërtetoi se mospërfshirja e xhamisë, nuk ishte lëshim i rastësishëm.  

Pavarësisht anshkalimit të xhamisë nga Ministria e Kulturës, Bashkësia Islame do të tregojë interesimin e duhur për xhaminë, në mënyrë që ajo mos të lihet në harresë. Nisur nga kjo, tri vite më vonë, pra më datë 30 mars 2012, Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, organizoi faljen e namazit të xhumasë në xhaminë e Kalasë, ndërsa për imam e autorizoi imamin e xhamisë Emin Pasha, hfz. Daut ef. Lezi. Edhe pse moti ishte me shi, në këtë xhuma të veçantë dhe mjaft nostalgjike, pati shumë xhemat.

Këto dy aktivitete simbolike, në të vërtetë e përçonin vërejtjen e Bashkësisë Islame dhe të qytetarëve të Prizrenit në adresë të organeve të Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prizrenit, që xhaminë mos ta injorojnë, por t’ia japin vendin meritor në Kala, ashtu siç e ka pasur në origjinë.

 

15. Kërkesa e Bashkësisë Islame, 2010

 

Bashkësia Islame e Kosovës, pasi vërtetoi se xhamia e Kalasë nuk është përfshirë në kuadër të projektit për revitlizimin e Kalasë, e që kishte filluar në vitin 2009, menjëherë i drejtohet organeve kompetente për ta trajtuar xhaminë në mënyrë meritore. Në vitin 2010, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, nëpërmjet shkresës, nr.16/10, dt.15.02.2010, i drejtohet me shkresë Ministrisë për Kulturë Rini dhe Sport në Prishtinë, duke kërkuar direkt, që xhamia e Kalasë të rindërtohet dhe jo të konzervohet. Edhe pse kërkesa ishte bërë nga niveli qendror, pra nga Myftiu i Kosovës, megjithatë, Ministria e Kulturës, asnjëherë nuk e vlerësoi që të kthejë përgjigje.

Vetë heshtja dhe hezitimi për të kthyer përgjigje në kërkesën legjitime të Bashkësisë Islame, ishte sinjalizim i qartë, se ekzistojnë paragjykime serioze ndaj xhamisë. Natyrisht, përballë kësaj gjendje, për Ministrinë e Kulturës ishte shumë e vështirë që subjektivizmin e saj anormal ta shndërrojë në përgjigje me shkrim, pasiqë a priori do të biente në kundërshtim me argumentet historike autentike të xhamisë, prandaj zgjodhi heshtjen si një formë asnjënëse.

Absurdi bëhet akoma më i madh, kur e dijmë se kërkesa e Bashkësisë Islame ka qenë mjaft parimore dhe, pa asnjë tendencë apo motive të fetarësisë. Në fakt, kishte kërkuar që xhamia të barazohet me objektet e tjera që do të rikonstruoheshin, dhe atë si në vijim:

1) Xhamia, të rindërtohet në vendin ku ka qenë dhe sipas përmasave që i ka pasur;

2) Në mungesë të fondeve, Bashkësia Islamemerr për sipër sigurimin e të gjitha shpenzimeve të projektit dhe rekonstruimit / rindërtimit të xhamisë;

3) Rekonstruimi i xhamisë nuk ka pretendime fetare, duke saktësuar se xhamia, pas ringritjes do të shërbejë ekskluzivisht si monument kulturo-historik, ku mund të ekspozohen eksponate të ndryshme të traditës dhe aspekte të tjera;

Këto tri pika përmbajtësore, i kanë përshkuar të gjitha kërkesat, që i ka bërë Bashkësia Islame në adresë të Ministrisë së Kulturës apo institucioneve të tjera relevante.

 

16. Kërkesa e Bashkësisë Islame, 2014

  

Kaluan tri vite dhe, MKRS nuk ktheu asnjë përgjigje në kërkesën e Bashkësisë Islame, të vitit 2010. Ndërkohë, që idetë për rindërtimin e objekteve të tjera, përveç xhamisë, veçse po fillonin të aplikoheshin. Kjo, do të vendoset përfundimisht, me rastin e zyrtarizimit të momerandumit të bashkëpunimit për konservimin dhe restaurimin e Kalasë së Prizrenit, në mes të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ambasadës Amerikane në Prishtinë, Institutit Arkeologjik të Kosovës (IAK) dhe Organizatës Trashëgimia Kulturore Pa Kufij (CHËB). Ky momerandumi është nënshkruar në kalanë e Prizrenit, më datë 25.09.2014, nga:

 Memli Krasniqi – Ministër i MKRS-së;

 Jennifer Bachus – Zëvendës ambasadorja amerikane;

 Enver Rexha - Drejtori i IAK-së; dhe

 Sali Shoshi - Drejtor i CHWB-së.

 Fatkeqësisht, këto institucione më të larta kulturore të vendit nuk e kanë përfshirë në listën e restaurimit xhaminë e Kala, duke e privuar nga e drejta e saj për restaurim si të gjitha objektet e tjera.

 Për shkak të këtij injorimi evident, Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, në vitin 2014, nëpërmjet shkresës nr.951/14, dt.29.09.2014, vendosi t’i drejtohet Ministrisë për Kulturë Rini dhe Sport, me kërkesën e njëjtë: rikonstruimi i xhamisë. Kërkesa iu dërgua edhe dy faktorëve të tjerë relevant: Kuvendit Komunal të Prizrenit dhe Qendrës Rajonale për Trashëgiminë Kulturore – Prizren (QRTK), që kanë ingerenca ligjore mbi hapësirën e Kalasë.

Përsëri, asnjëri prej këtyre institucioneve nuk ktheu përgjigje. Veçse, pas kësaj kërkese, një delegacion i lartë në kuadër të Ministrisë së Kulturës (MKRS), më datë 09.10.2014 e pati vizituar Këshillin e Bashkësisë Islame të Prizrenit me qëllim të diskutimit të kërkesës së parashtruar. Delegecioni, kryesohej nga znj. Vjollca Aliu (Drejtoreshë, Departamenti i Trashëgimisë Kulturore të Kosovës), Enver Rexha (Drejtor, Instituti arkeologjik i Kosovës - IAK), Shafi Gashi (Mbikqyrës i punimeve në Kalanë e Prizrenit dhe anëtar i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore – KKTK), Osman Gojani (Drejtor i Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore – Gjakovë, QRTK), Agim Gërguri (nuk më kujtohet pozita e tij) dhe Samir Hoxha (drejtor i Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore – Prizren, QRTK). Ata u pritën nga Lutfi ef. Ballëk ish-kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, Mr. Orhan Bislimaj - Sekretar i Këshillit të BI-së Prizren dhe Mr. Faruk Ukallo – zyrtar për ekonomi dhe financa i Këshillit të BI-së Prizren.

 Zyrtarët e Ministrisë e njoftuan Këshillin e BI-së në Prizren, se e kanë pranuar kërkesën e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, duke thënë se të njëjtën do ta shqyrtojnë në mënyrë meritore në një të ardhme të afërt. Zonja Vjollca Aliu, në emër të delegacionit deklaroi se për momentin, punimet në Kala janë në fazën e hulumtimeve arkeologjike, e të cilat pritet të vazhdojnë edhe disa muaj, afërsisht deri kah pranvera e vitit 2015 dhe sapo të përfundojnë këto hulumtime brenda Kalasë, atëherë do të jepet përgjigje në kërkesën e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit.

Nga prespektiva e tanishme, vizita e tyre asokohe, më shumë ka qenë një hap për të neutralizuar iniciativat e mundshme për ndonjë protestë qytetare, e që do të shkaktonte mjaft telashe në lidhje me implementimin e projektit për restaurimin e kalasë, se sa një interesim i mirëfilltë për trajtimin e kërkesës së Këshillit të BI-së.

Në fakt, kjo vizitë pune, e demanton vetë znj. Vjollca Aliu, e cila më datë 14.12.2016, duke u përgjigjur para gazetarit të RTV-BESA, kishte deklaruar se “nuk ka pranuar ndonjë kërkesë të adresuar, ashtu siç e përcakton ligji për Qendrën Historike të Prizrenit...”, duke konstatuar se “kërkesa duhet t’i adresohet Komisionit për shqyrtimin dhe vlerësimin e projekteve të konservimit restaurimit...”[46]. Pa dyshim, kjo është lojë fjalësh dhe ikje nga përgjegjësia. Vetë znj. Vjollca Aliu është e bindur se kjo arsye fiktive nuk është satisfaksion për mosdhënien e përgjigjes në kërkesën e Bashkësisë Islame, sidomos për katër arsye:

1) Në vitin 2010, kur është parashtruar kërkesa e parë, përgjegjës për vlerësimin e kërkesave ka qenë pikërisht Departamenti i Trashëgimisë Kulturore, drejtoreshë e të cilit është zj.Vjollca Aliu;

 2) Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Kulturës, ky komision, për të cilin flet znj. Vjollca Aliu se është përgjegjës për shqyrtimin e kërkesave, ka marrë këtë detyrë me ardhjen Ministër i MKRS, z. Kujtim Shala, praktikisht prej vitit 2015;

 3) Nëse thuhet se Departamenti i Trashëgimisë Kulturore, nuk ishte përgjgjës për shqyrtimin e kërkesës, atëherë përse znj. Vjollca Aliu erdhi në Këshillin e Bashkësisë Islame të Prizrenit, më datë 09.10.2014, dhe temë diskutimi ishte pikërisht kërkesa e Bashkësisë Islame për rindërtimin e xhamisë!?;

4) Nëse kërkesa nuk ka qenë e adresuar si duhet, atëherë, Departamenti i Trashëgimisë Kulturore, mbi bazën e obligimit ligjor, do të duhej të kthente një përgjigje udhëzuese ndaj palës, në këtë rast Këshillit të Bashkësisë Islame, dhe atë jo më largë se brenda 15 ditësh nga dita e pranimit të kërkesës. Tek e fundit, e njëjta kërkesë i është drejtuar edhe Ministrisë së Kulturës, që është ombrellë e të gjitha departamenteve në kuadër të saj, përfshirë edhe Komisionet përkatëse. Kjo, bëhet akoma më e qartë, kur dihet se kërkesa i është dërguar edhe Qendrës Rajonale për Trashëgiminë Kulturore – Prizren (QRTK), e cila zyrtarisht e ka adresuar kërkesën në adresën e saktë në kuadër të Ministrisë (MKRS).

Tek e fundit, mjafton që Ministria ka pasur dijeni për ekzistimin e xhamisë, ajo ka mundur vetë ta inicojë rindërtimin e saj sikurse i ka inicuar edhe objektet e tjera që tashmë janë rindërtuar në Kala. E dihet se për ato objekte nuk ka pasur asnjë kërkesë prej qytetarëve.

Prandaj, problemi i mospërgjigjes është më i thellë dhe lë shumë për të thënë.

 

17. Kërkesa e Bashkësisë Islame, 2016

 

Tashmë kishin kaluar 5 vite dhe, Ministria e Kulturës nuk ktheu asnjë përgjigje në dy kërkesat e mëparshme të Bashkësisë Islame, 2010 dhe 2014. Injorimi i Ministrisë veçse po trashej. Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, përsëri detyrohet që të parashtrojë kërkesën e radhës, sipas shkresës, nr.311/16, 12.05.2016, e cila përmbante kërkesën e njëjtë: rekonstruimin / rindërtimin e xhamisë. Kësaj radhe, e njëta kërkesë, i dërgohet edhe institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës, si:

 - Kryeministrit të Republikës së Kosovës (z. Isa Mustafa);

 - Kryetarit të Parlamentit të Republikës së Kosovës (z. Kadri Veseli);

 - Drejtoreshës së Departamentit për Trashëgimi Kulturore (DTK) (znj. Vjollca Aliu);

 - Drejtorit të Institutit Arkeologjik të Kosovës (IAK), Prishtinë (z. Enver Rexha);

 - Drejtorit të Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore - Prizren (QRTK), (z.Samir Hoxha).

 Arsyeja e dërgimit të kërkesës në adresë të titullarëve të përmendur kishte karakter të njoftimit me përmbajtjen e kërkesës, po edhe të njoftimit për injorimin e vazhdueshëm ndaj kërkesave të Bashkësisë Islame. Edhe kësaj radhe, asnjë përgjigje nga asnjëri prej drejtuesve të institucioneve!?

  

18. Kërkesa e Bashkësisë Islame për takim me Ministrin e Kulturës

  

Duke pa këtë injorim, Këshilli i BI-së i Prizrenit i orienton përpjekjet për të realizuar një takim me Ministrin e Kulturës, apo me personin e autorizuar të tij, për të parë se çfarë është duke ndodhur me çështjen e xhamisë dhe me kërkesat e Bashkësisë Islame. Kështu që, sekretari i Këshillit të BI-së Prizren, më datë 11.05.2016 i drejtohet zyrtarisht Ministrisë së Kulturës në e-mailin zyrtar:This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it. për një takim të mundshëm, duke informuar paraprakisht se në takim do të marrë pjesë kryetari dhe zyrtarët e tjerë të Këshillit të Bashkësisë Islame BI-Prizren. Nuk ka përgjigje! KBI-Prizren, përsëri i drejtohet, më datë 02.11.2016, po edhe disa herë të tjera.

 Tek pas gjashtë muajsh, personi kompetent i MInistrisët, më datë 02.11.2016, ora 1:38 PD, e kthen një përgjigje të shkurtër nëpërmjet formës internetike “facebook”, në faqen personale të sekretarit të Këshillit të BI-së Prizren, Orhan Bislimaj, duke thënë se dikush nga Minsitria t’ju kontaktojë.

Mjerisht, edhe pas kësaj përgjigje, askush nga Ministria e Kulturës nuk ka gjetur kohë, që së paku njëherë, ta presë në takim delegacionin e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit. Me të vërtetë, kjo është pa përgjegjësi totale! Është për keqardhje në çfarë niveli ka degarduar llogaridhënia para qytetarëve. Ne, nuk e dijmë ku qëndron arsyeja e këtij injorimi, por, kjo, sigurisht tregon mosgatishmërinë e zyrtarëve të Ministrisë që xhaminë ta trajtojnë objektivisht në kuadër të revitalizimit të Kalasë. Paragjykimet e tyre, tashmë të vërtetuara kundër saj janë thellësisht naive. Tek e fundit, Minsitria e Kulturës, pra vetë Ministri si organ përgjegjës, sipas detyrës zyrtare do të duhej të interesohej për xhaminë, siç është interesuar, ta zëmë, për objektet e tjera në Kala. Të gjitha janë rindërtuar në bazë të vlerësimit të lirë të këtyre njerëzve të Ministrisë, pa pasur ndonjë kërkesë nga qytetarët. Ndërsa, kur është në pyetje xhamia, rregullat ndryshojnë dhe nuk veprohet me të njëjtin arshin. Fatkeqësisht!

 Ky qëndrim injorues i Ministrisë, kundrejt realitetit të xhamisë, ka prodhuar dy relacione:

1) Vendosmërinë e Bashkësisë Islame për ta mbrojtur të vërtetën e xhamisë dhe interesin e qytetarëve; si dhe 2) zhgënjimin e qytetarëve në drejtësinë e shtetit.

Si rezultat i kësaj gjendjeje, Bashkësia Islame dhe qytetarët e Prizrenit janë mobilizuar maksimalisht në përkrahje të xhamisë dhe kjo është vërtetuar edhe nëpërmjet peticionit voluminoz, e që do të flasim në vazhdimet e ardhshme.

 

19. Xhamia e Kalasë dhe Iniciativa Qytetare e Prizrenit (IQP)

  

Brenda gjashtë vitesh, pra 2010 - 2016, Bashkësia Islame e Kosovës tri herë pati bërë kërkesë me shkrim në Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport (MKRS) për rekonstruimin e xhamisë së Kalasë së Prizenit, por akoma nuk kishte marrë asnjë përgjigje. Me të vërtetë rrethanë e keqe dhe zhgënjyese! Hoxhallarët e Prizrenit, që ishin në dijeni për të gjitha zhvillimet, u revoltuan maksimalisht për këtë trajtim jo meritor. Tek e fundit, Bashkësia Islame e Kosovës tok me hoxhallarët, meritojnë më shumë konsideratë, jo vetëm për shkak të aspektit fetar, e që do të ishte shumë normale, por, për hirë të kontributit që kanë dhënë për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës. Rrallë kush do të besonte, se do të vijë një moment, kur luftëtarët e vendit të vet, siç janë hoxhallarët, nuk do t’i kenë dyertë e hapura në institucionet e shtetit, për të cilin bën aq shumë sakrificë.

Në anën tjetër, Ministria e Kulturës, duke injoruar kërkesën e Bashkësisë Islame, veçse po fitonte në kohë, pasiqë, projekti i nisur për restaurimin, rekonstruimin dhe konzervimin e objekteve në hapësirën e Kalasë, që sponzorizohet nga donacioni i Ambasadës Amerikane dhe Ministrisë së Kulturës, do të përfundonte gjatë vitit 2017. Gjendja, ndërlikohej çdo ditë e më shumë, sepse, pas përfundimit të këtyre punimeve, nisja e punimeve të tjera të mundshme, do të jetë më e vështirë, ngase vetë Kalaja është terren i papërshtatshëm.

Përballë kësaj situate faktike, shqetësimi për gjendjen e mjerë të xhamisë rritej dhe, detyrimisht kjo problematikë u bë pjesë e pandashme e momenteve ditore nëpër ambiente të ndryshme në Prizren dhe rrethinë. Personalisht, kam qenë mjaft i zëshëm në këtë drejtim. Njerëzit, që sa do pak ishin në ngjarje me zhvillimin e punimeve në Kala, vazhdimisht na pyesnin se çfarë është duke ndodhur me xhaminë e Kalasë!? Përse Bashkësia Islame nuk po shfrytëzon forma të tjera, deri në organizimin e protestave, gjersa MKRS nuk është duke kthyer përgjigje në kërkesat e shtruara. Këtij tensionimi në rritje i kontribuonte edhe vetë gjendja e mjerë e xhamisë, e cila, fare nuk u trajtua në kuadër të punimeve që zhvilloheshin në të gjitha anët e Kalasë. E, nervozizmin, do ta shtonte edhe më shumë përurimi i Kishës në Llapushnik të Drenicës, që ndodhi në tetor 2016, si një objekt me shumë dyshime dhe i vlerësuar si gjeopolitik. Pastaj, të gjitha skutat e kalasë, iu nënshtruan restaurimit, konzervimit apo rekonstruimit dhe se shumë objekte që kishin mbijetoja të vogla historike apo fare nuk kishin, u rindërtuan, gjersa edhe ahuret e kuajve! Fatkeqësisht, mbeti e shkretë vetëm xhamia dhe hapësira e ngushtë përreth saj. Kjo gjendje injoruese, dashje e pa dashje, i sprovoi ndjenjat e besimtarëve, e të cilët, në një farë aspekti ndijnin fajësi për mbetjen e xhamisë në këtë gjendje. Të gjitha rrugët çonin drejt një mobilizimi gjithëqytetar.

Në këtë kontekst, Ministria e Kulturës me qëndrimin e saj injorues ndaj xhamisë dhe kërkesave të Bashkësisë Islame, në fakt, ishte shndërruar në sponzor të një kryengritjeje qytetare dhe atë për disa arsye:

1) Injorimi i kërkesës së Bashkësisë Isame, lexohej si një nënçmim i dyfishtë: për Bashkësinë Islame si institucion kredibil i komunitetit, dhe për xhaminë si institucion emblematikë i fesë Islame;

2) Injorimi i xhamisë ishte krejtësisht politik dhe aspak ligjor, gjersa shumë objekte në kala, veçse u rekonstruktuan, dhe në fakt ishte thyer tabuja e paprekshmërisë në zonat arkeologjike, siç është Kalaja, e që shumë kundërshtar të xhamisë fshiheshin pas këtij principi;

3) Punimet e nisura në vitin 2009, respektivisht 2011, tashmë shkonin drejt përmbylljes dhe, xhamia rrezikohej të mbetej gërmadhë, përfundimisht.

Për shkak të këtyre arsyeve, niveli i durimit të Bashkësisë Islame dhe të qytetarëve kishte rënë në pikën zero.

 

20. Vendimi i imamëve të Prizrenit

 

Tani, kishte ardhë koha, që për fatin e xhamisë të interesohen atyre që u takon të interesohen, ashtu siç ka thënë i Madhi Allah në Kur’an: “Me të vërtetë, xhamitë e Allahut i mirëmbajnë vetëm ata të cilët besojnë All-llahun dhe botën tjetër, e që falin namazin, japin zeqatin dhe që nuk i frikohen askujt, përveç Allahut. Këta janë ata, që janë në rrugën e drejtë.” (Et-Tevbe, 18).

Natyrisht, Këshilli i BI-së Prizren, gjatë takimeve dhe mbledhjeve të rregullta, i kishte njoftuar imamët e Prizrenit për të gjitha detajet dhe kërkesat e Bashkësisë Islame, po edhe për mospërgjigjen e Ministrisë. Një diskutim tjetër i radhës, u mbajt me të gjithë imamët e Prizrenit, në mbledhjen e datës 05 maj 2016.

Pas një debati të gjatë, imamët morën vendim që t’i drejtohen Ministrisë me kërkesën e radhës, e nëse përsëri nuk përgjigjet, atëherë, si domosdoshmëri, duhet filluar, me format e tjera këmbëngulëse, duke shfrytëzuar edhe ndihmën e xhematit. Dhe, kështu ndodhi. Bashkësia Islame, pasiqë nuk mori përgjigje edhe në kërkesën e fundit, nr.311/16, 12.05.2016, çështjen e xhamisë së Kalasë, e ngriti si një shqetësim publik, në mënyrë që qytetarët ta marrin në dorë fatin e saj, ngase trashëgimia kulturore u takon atyre.

Senzibilizimi i opinionit filloi me elaborimin e çështjes së xhamisë, në emisionin e mëngjesit në TV-Prizren dhe të mbrëmjes në RTV-BESA,[47] më datë 21.10.2016, ku u dhanë të gjitha sqarimet në lidhje me kërkesën e Bashkësisë Islame, në njërën anë dhe injorimin e saj nga ana e Ministrisë së Kulturës, në anën tjetër. Pjesë e këtij injorimi ishte edhe Kuvendi Komunal i Prizrenit, i cili mban përgjegjësi juridike për pjesën e Kalasë, si territor në zonën e përgjegjësisë. Për më keq, Komuna asnjëherë nuk e kishte e thënë asnjë fjalë të vetme për këtë padrejtësi ndaj xhamisë, edhe pse ishte njoftuar me të gjitha kërkesat e Bashkësisë Islame.

Qytetarët e Prizrenit u zgjuan dhe me plotë gojën e duan xhaminë e Kalasë. Nëse deri më tani dikush kishte akuza në adresë të Bashkësisë Islame për neglizhencë, tashmë, të gjithë u njoftuan se fati i xhamisë është bllokuar nga Ministria e Kulturës dhe Komuna e Prizrenit. Mund të themi se çështja e xhamisë së Kalasë, ishte preukopim për të gjithë, në të gjitha nivelet, media, internet, ndeja, dhe ku mos tjetër. Besa, dikush që nuk kishte ditur asnjëherë për xhaminë, kësaj radhe pati rastin të njoftohet.

Sipas radhës, duke qenë të vetëdijshëm për peshën e çështjes, Këshilli i BI-ë, organizoi një mbledhje urgjente me të gjithë imamët e KBI-së, e cila u mbajt më datë 27.10.2016 (e enjte), në amfitetatrin e Institutit të Hifzit pranë xhamisë “Emin Pasha” në Prizren dhe, rendi i ditës ishte një pikë: “Çështja e rindërtimit të xhamisë së Kalasë”. Pas mbledhjes, e cila zgjati disa orë, Këshilli i Bashkësisë Islame lëshoi një komunikatë për publik, në të cilën, pos tjerash thuhej:

Të gjithë imamët, në mënyrë unanime deklaruan këmbëngulësinë për ringritjen e xhamisë së Kalasë, duke thënë se në këtë çështje nuk ka alternativë tjetër. Ata, u zotuan se kjo punë do të kryhet me izzën e Zotit, pasiqë xhamia ka qenë në Kala dhe është vullnet i xhematit të Prizrenit, të cilët 99% i përkasin besimit islam. Ata, e fajësuan Ministrinë e Kulturës dhe Kuvendin Komunal të Prizrenit, të cilët e kanë lënë objektin e xhamisë së Kalasë në gjendje të mjerueshme, dhe se me refuzimin e tyre po dëshirojnë që edhe më tutje ta lënë xhaminë gërmadhë e mbeturinave. Mirëpo, sipas tyre, kjo është e pa pranueshme, dhe xhemati i Prizrenit, nuk do të pranojnë me asnjë çmim, që xhamia të mbetet gërmadhë. Po ashtu, imamët thanë se, gjendje e mjerueshme e xhamisë ka ngritur debate të tensionuar në terren, si dhe ka shkaktuar një revoltim te besimtarët islamë.[48]

 

 21. Mbështetja e Myftiut të Kosovës

 

Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava dhe Kryesia e BIRK-ut, i kanë dhënë përkrahje interesimit të Këshillit të BI-së Prizren, për çështjen e xhamisë së Kalasë. Edhe pse kjo tematikë ishte biseduar në të kaluarën, megjithatë, në një takim me Myftiun dhe zyrtarët e lartë të BIRK-ut, i mbajtur më 21.10.2016, në selinë e Kryesisë së BIRK-ut në Prishtinë, patëm rastin që ta informojmë Myftiun, më në detaje me çështjen e xhamisë së Kalasë, që nga fillimi. E njoftuam, se janë rindërtuar shumë objekte në Kala dhe, po thuajse, ka mbetur vetëm xhamia. Po ashtu, e njoftuam për shqetësimin e besimtarëve islamë të Komunës së Prizrenit, etj. Myftiu, Naim ef. Tërnava dhe bashkëpunëtorët e tij, i dhanë mbështetje përpjekjeve publike të Këshillit të BI-së Prizren, në lidhje me rindërtimin e xhamisë, kështu, duke fajësuar për neglizhencë organet e Ministrisë së Kulturës, e cila, për më se 6 vite nuk po jepte përgjigje në tri kërkesat e Bashkësisë Islame.[49]

 

22. Iniciativa Qytetare e Prizrenit (IQP)

 

Krahas paraqitjes publike të Këshillit të Bashkësisë Islame, në zyret e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, filluan të vijnë shumë qytetarë, të cilët interesoheshin për fatin e xhamisë. Të revoltuar nga injorimi i Minsitrisë, ata ofronin ndihmë të parezervë, nga çdo aspekt. Bile, disa filluan të sjellin edhe të holla, duke menduar se sigurimi i mjeteve është vetë problemi. Kështu, në bazë të konsultimeve të gjera, u pa e arsyeshme që përpjekjet e qytetarëve të organizohen në një trup, i cili, do të jetë zë i qytetarëve, përkitazi me rindërtimin e xhamisë.

Dhe, në tubimin e mbajtur më datë 02.11.2016, në zyret e Këshillit të BI-së në Prizren, u themelua “Iniciativa Qytetare e Prizrenit”, bordi i së cilës përbëhej prej 15 anëtarëve, që vinin nga shtresat e ndryshme të shoqërisë: shoqëria civile, Bashkësia Islame, Parlamenti i Studentëve të Universitetit Publik të Prizrenit, media, OJQ-të, intelektualë, bota e biznesit, organizatat e dalura nga lufta e UÇK-së, etj. Të gjithë anëtarët, janë njerzë të sukseshshëm me kredenciale të larta qytetare, intelektuale, familjare, atdhetare dhe me profesione të ndryshme. Koordinator i bordit, u zgjodh, z. Ilir Gashi, aktivist i shquar nga shoqëria civile, ndërsa selia e Iniciativës, përkohësisht u vendos në një zyrë në objektin e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit.

Iniciativa Qytetare, menjëherë ka përgatitur strategjinë për senzibilizimin e opinionit në lidhje me rindërtimin e xhamisë së Kalasë, natyrisht, në konsultim të ngushtë edhe me Këshillin e BI-së Prizren. Bashkë me kërkesën për xhaminë, Iniciativa mori vendim që të inicojë edhe rindërtimin e Sahat Kullës, si një prej objekteve mjaft simbolike për Kalanë dhe Prizrenin.

Po ashtu, Iniciativa, në kuadër të diskutimit të gjerë, kishte shumë vërejtje për punët që janë duke u zhvilluar në hapësirën e Kalasë, nga Ministria e Kulturës. Për më keq, kjo Ministri, fare nuk e kishte konsultuar komunitetin prizrenas për punimet e zhvilluara, e që një gjë e tillë parashihet me konventat ndërkombëtare, sidomos me atë të FARO-së. Sepse, trashëgimia kulturore, pasqyron të kaluarën e komunitetit, dhe në këtë rast, qytetarët e komunës janë më meritorët për të vendosur rreth monumenteve të trashëgimisë. Ministria dhe organet kompetente, do të duhej që çdo projekt i propozuar, në formën përfundimtare t’i nështrohet diskutimit me publikun. Sepse, nëpërmjet sugjerimit dhe disktuimeve, mund të arrihet modeli më i mirë i mundshëm.

Mbyllja e projekteve për Kalanë, siç ka vepruar Ministria e Kulturës, ka ngritur shumë pikëpyetje dhe dyshime. Mbi të gjitha ka krijuar mosbesim te qytetarët. Ekspertët që e kanë punuar planin, pavarësisht kush janë dhe sa janë, nuk mund të bëjnë përzgjedhjen më të mirë për trashëgiminë kulturo-historike, sepse, siç thamë më lartë, ajo pasqyronë historinë origjinale të qytetarëve. Shtrohet pyetja, çka ndodh nëse ekspertët e planit kanë ngarkesa subjektive për ndonjë kulturë të caktuar, fetare apo etnike!? E që, besojmë se një gjë e tillë është duke ndodhur në raport me xhaminë. Nuk po respektohet fuqia e argumentit, por po respektohet apatia e njerëzve që vendosin për këto projekte të revitalizimit. Xhamia është viktimë e këtij diskursi fatkeq e destruktiv. Prandaj, qytetarëve duhet t’i jepet vendimmarja për objektet e tyre të trashëgimisë. Për shembull, të gjithë e dimë se ringritja e xhamisë së Kalasë do të jetë mjaft atraktive për vizitorët, e që është njëri prej synimeve të revitalizimit. Njësoj e dimë se edhe funksionalizimi i topi dhe Sahat Kulla e kanë këtë rol. Mirëpo, këto sygjerime të qytetarëve të Prizrenit, që tashmë janë bërë edhe publike, njerëzve të Ministrisë, u duket tërësisht anakronike, sepse janë të ngarkuar me mision për ta denigruar akëcilën kulturë. Në këtë nuk ka asnjë mëdyshje. Jo rastësisht, projekti i revitalizimit të Kalasë është mbajtur larg vendimmarrjes së qytetarëve!? Po, edhe jo rastësisht, qytetarët anembanë Prizrenit, po flasin se Prishtina e shkatërroi Kalanë, duke aluduar në organet kompetente të Ministrisë.

Kjo mënyrë e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore duhet të ndalohet, sepse ka pasoja afatgjate dhe të pariparueshme për komunitetitn. Për shembull, shtrohet pyetja, kush i dha të drejtë Ministrisë së Kulturës që një pjesë të konsiderueshme të hapësirës së Kalasë ta shndërrojë në amfiteatër të hapur, duke vendosur materiale të vrazhda, që nuk konvergjojnë aspak me infrastrukturën dhe konstruksionin e kalasë!? Për kënd po bëhet!? Nëse është për qytetarët, atëherë ata duhet të vendosin! Tek e fundit, edhe kjo le të bëhej, por pasi të vendosin qytetarët nëpërmjet diskutimit publik, sepse sigurisht do të jepnin edhe alternativa të tjera, mjaft interesante. E njëjta gjë duhet të veprohet me teleferikun, që është menduar si projekt. Prizreni ka njerzë të përgatitur që kanë shije dhe vizion për të bukurën dhe më të bukurën. Në këtë drejtim, kemi shumë për të thënë...!

Prandaj, përjashtimi i qytetarëve nga vendimmarrja për vlerat e tyre të trashëgimisë kulturore, ishte edhe një arsye më shumë, që Iniciativa Qytetare e Prizrenit, të ndërmarrë fushatën për vetëdijësimin e qytetarëve për pasojat e shkatërrimit të trashëgimisë kulturo-historike në hapësirën e Kalasë. Por, jo vetëm kaq, ajo, do të jetë një zë mjaft i dobishëm edhe për adresimin e shumë problemeve të tjera në nivel të Komunës së Prizrenit. Sot e më ditë, qytetarët e Prizrenit i vajtojnë kubzat e gurit, të cilat, qeveria komunale, para disa vitesh i kishte hequr për gjatë rrugës kryesore “Adem Jashari” në Prizren dhe, në vend të tyre kishte shtruar asfalt. Me këtë shkatërrim, Prizreni e humbi historinë dhe e reduktoi qendrën e vet. Nëse, ky veprim ka qenë i mirë, atëherë, përse kubëzat e njëjta nuk po i heqim edhe nga shadërvani i Prizrenit, dhe ta shtrojmë asfalt!? Prizreni është simpatik me monumentet e tij kulturore dhe jo me ato moderne. Më vjen keq, që askush nuk ka dhënë përgjegjësi për këtë largim të kubëzave emblematike dhe shkatërrim të qendrës historike të Prizrenit. Përfundimisht, qytetarët e Prizrenit, njëherë e përgjithmonë duhet ta ruajnë kulturën e tyre, nga ata që kanë marrë “mision” për ta tjetërsuar atë.

 

23. Konsenzuesi ndërkomunal për xhaminë e Kalasë së Prizrenit

 

Iniciativa Qytetare e Prizrenit (IQP), që u themelua si pasojë e pakënaqësisë ndaj trajtimit të trashëgimisë kulturo-historike të Prizrenit, e veçanërisht xhamisë së Kalasë si çështje aktuale, arriti të bëhet zëri i vërtetë i qytetarëve të Prizrenit. Duke i shërbyer qëllimit themeltar, Iniciativa u fokusua në të drejtën e qytetarit, për ta bërë palë në procedurën e trajtimit të trashëgimisë, e që iu privua nga fillimi. Ideja është që shoqëria jonë, njëherë e përgjithmonë ta kuptojë se, trashëgimia kulturo-historike është e qytetarëve dhe atyre duhet t’u dorëzohet vlerësimi i vendimmarrjes. Më së paku, i takon pushtetit që të vendos monopol në këtë fushë. Qasja e deritanishme e pushtetit, i përngjason praktikës klandestine, që mercenarët i zbatojnë politikat fatkeqe në vendet vendet e nënshtruara. Asgjë më shumë, organet kompetente, duhet të bëjnë inicimin, organizimin dhe monitorimin, me rastin e revitalizimit të aseteve të trashëgimisë kulturore dhe funksionalizimin e tyre, por vendimi përfundimtar u takon qytetarëve. Fundja, ky është diskursi i mirëfilltë i qasjes ndërkombëtare mbi trashëgiminë kulturo-historike.

Të gjetur përballë këtij revanshimi të pamëshirshëm, Iniciativa Qytetare e përpiloi planin e veprimit, për involvimin e të gjitha kategorive të shoqërisë prizrenase në proces të vendimmarjes. Kështu që, filloi me informimin e publikut, për të vazhduar me peticionin i qytetarëve për rindërtimin e xhamisë. Pastaj, diskutoi me shoqatat dhe subjektet e ndryshme, përfshirë edhe partitë politike. Dhe, krejt në fund, i bëri vizitë Kryetarit të Komunës së Prizrenit si dhe kërkesë me shkrim Asamblesë së Prizrenit, për të përkrahur rindërtimin e xhamisë nëpërmjet votimit.

 

24. Informimi i publikut dhe argumentimi i çështjes

 

Pas emisioneve të para televizive, të mbajtura më datë 21.10.2016, në TV Prizren dhe TV-BESA, nëpërmjet të cilave ngritëm shqetësimin për padrejtësinë ndaj xhamisë, veçse u ringjallën debatet nëpër ambiente të ndryshme. Kishte të atillë, që nuk kishin dëgjuar fare për xhaminë e Kalasë. Iniciativa, nëpërmjet të disa emisioneve të ardhshme, në nivelin lokal dhe qëndror, pastaj edhe nëpërmjet faqes së hapur në facebook[50], arriti të informojë publikun për anashkalimin e qëllimshëm të xhamisë. Një senzibilizim mjaft gjithëpërfshirës, e realizuan imamët e KBI-së, në ligjëratat e ditës së xhuma, disa javë radhazi. Tani, çdo kush dinte për xhaminë e mohur padrejtësisht.

Gjatë këtij turri informues, Iniciativa Qytetare e Prizrenit, ofroi argumentet për ngritjen e xhamisë dhe sahat kullës në Kalanë e Prizrenit, dhe atë si në vijim:

1) Argumenti i qenësisë (ontologjik). Të gjithë e dinë se xhamia dhe sahat kulla kanë ekzistuar në hapësirën e Kalasë dhe këtë nuk e konteston askush. Ky është argument mbi argumentet, pasiqë për këtë ekzistojnë shumë dokumente dhe fotografi e qarta;

2) Precedenti i rindërtimit në zonën arkeologjike. Disa e kanë kundërshtuar xhaminë, me arsyen se Kalaja është zonë arkeologjike dhe nuk lejohet rindërtimi. Mirëpo, ky pretendim ka rënë poshtë, së paku për hapësirën e Kalasë, pasiqë aty, tashmë janë rindërtuar shumë objekte, që kanë pasur shumë pak gjurmë, dhe ky parim duhet të vlejë edhe për xhaminë, e cila ka gjurmë kategorike;

3) Epërsia kulturo-historike e monumentit. Xhamia dhe sahat kulla janë dy monumente me epërsi emblematike dhe rëndësi të padiskutueshme. Prandaj, është e pa kaputueshme që ato të mos rindërtohet, përderisa në kala janë rindërtuar edhe ahuret e kuajve!?

4) Objektiviteti dhe drejtësia. Anashkalimi i qëllimshëm i xhamisë, konsiston subjektivizmin e pa justifikueshëm ndaj saj, mbi bazën e steriotipeve dhe paragjykimeve fiktive. Organet e Ministrisë duhet vepruar pa anime dhe me drejtësi ndaj të gjitha objekteve, pavarësisht natyrën e tyre dhe, jo sipas ngarkesave subjektive. Për këtë arsye, më lartë kam thënë se për trashëgiminë kulturo-historike duhet të vendosin qytetarët dhe jo ekspertët e as ministria, për t’i ikur subjektivizmit, i cili edhe e shkatërron edhe e tjetërson kulturën, siç po veprohet në raport me xhaminë.

5) Rrënimi nga pushtuesi. Xhamia dhe sahat kulla janë rrënuar nga pushtuesi, dhe jo nga dhëmbi i kohës apo se i kemi zbuluar rastësisht si mbijetoja nën tokë. Nëse, Institucionet e Kosovës i kanë rindërtuar objektet e ndryshme që janë rrënuar gjatë luftës së fundit në vitin 1999, apo se i kanë rindërtuar kishat ortodokse serbe të rrënuara gjatë protestave të 17-18 marsit 2004, atëherë, i njëjti parim, madje a priori duhet të vlejë edhe për këto dy objekte veçse akoma më të rëndësishme. Xhamia, sikurse edhe vetë Kalaja, ka përjetuar dhunën shkatërrimtare nga okupatori serb, prandaj këtë kulturocidi duhet shndërruar në drejtësi.

6) Zhvillimi i turizmit. Kalaja, i posedon të gjitha predispozitat për të qenë një vend turistik unikat. Bile, plani i restaurimit të Kalasë e ka për synim edhe vetë zhvllimin e turizmit. Bazuar dhe në opinionin e qytetarëve, jemi të bindur se revitalizimi i xhamisë dhe sahat kullës, do t’ia shtojnë në mënyrë të padiskutueshme atraksionin Kalasë. Tek e fundit, Kalaja pa xhaminë brenda dhe sahat kullën është gjysmake dhe e deformuar. Pastaj, Prizreni, konsiderohet vend simpatik, pikërisht duke u mbështetur në objektet fetare të trashgimisë kulturo-historike, që i përkasin të njëjtës periudhë kohore dhe, pjesa dërrmuese e tyre janë islame. Në rrethana hipotetike, një Prizren pa këto objekte, do të ishte i pa vlerë.

7) Dëshira e qytetarëve për rindërtimin e xhamisë. Mbi të gjitha, ringritja e xhamisë është dëshirë e qytetarëve. Qytetarët e Prizrenit, që i përkasin besimit islam, në masën dërrmuese, gati 99 %, e duan xhaminë, pasiqë ka qenë aty dhe është pjesë e pandashme e identitetit të tyre. Kjo është vërtetuar me përkrahjen e vazhdueshme, e që më vonë u legjitimua nëpërmjet nënshkrimit të peticionit;

8)Rekonstruimi i xhamisë nuk ka pretendime fetare. Bashkësia Islame, në çdo kërkesë të saj, e ka bërë të qartë, se rindërtimi i xhamisë ka për qëllim kthimin e saj si aset kulturo-historik dhe pjesë përbërëse e mozaikut origjinal të kalasë dhe jo për qëllime fetare, siç po paragjykohet.

9) Dhe, argumente të tjera.

 

25. Përkrahja e qytetarëve nëpërmjet peticionit

 

Me moton sfiduese “Kalaja është e jona” si një denoncim i injorimit të Ministrisë së Kulturës ndaj qytetarëve, Iniciativa Qytetare e Prizrenit dhe Këshilli i BI-së Prizren, e shpallën të hapur nënshkrimin e peticionit, për të marrë konfirmimin e qytetarëve për rindërtimin e xhamisë dhe sahat kullës. Përkundër motit të ftohtë e me shi dhe ditës së shkurtër, pra, ishte muaji nëntor 2016, peticioni shkoi shumë mirë. Ai ishte i limituar vetëm për qytetarët e Prizrenit dhe mbi moshën tetëmbëdhjetë vjeç.

Duhet theksuar se organizimin e peticionit në terren, e realizuan imamët me ligjëratat e tyre mobilizuese gjatë ditës së xhuma, si dhe muezinët që qëndruan nëpër pikat më të frekuentuara të qytetit. Por, peticionin e kanë ndihmuar edhe shumë qytetarë dhe aktivistë të tjerë. Brenda tri javësh, peticioni arrit deri në 31 mijë nënshkrime, e që nuk mbahet në mend, për kaq shumë nënshkrime brenda një komune për një çështje. Gjithësesi, numri i nënshkrimeve do të shkonte edhe në disa dhjetëra mijëra të tjerë, sikur mos ta ndërprenim për shkak të motit të ftohtë dhe të reshurave atmosferike.

Përgjithësisht, peticioni krijoi një atmosferë gëzimi dhe emocion festiv për xhaminë. Në takimet e rastit, qytetarët, duke u ndjerë të lumtur tregonin se e kanë nëshkruar peticionin. Të gjithë, pa dallim agjitonin dhe e pyetnin njëri – tjetrin: “a e nënshkrove peticionin!?” Pastaj, besimtarët vinin në zyret e KBI – Prizren dhe ofronin ndihmën e parezervë për çfarëdo angazhimi që kishte nevojë. E, dikush u kujdes që ta përkrahë iniciativën edhe nëpërmjet poezisë. Këtë e bëri, poeti nga Prizreni, z. Tyran Spahiu, me poezinë: “Sot, Kalaja klith...!”, prej të cilës po i shkëputim këto vargje, si në vijim:

 I.

 Vend një i zbrazët ende qëndron,

 hutuar është, lodhur nga anashkalimet,

gurëzit janë që shplojnë historinë,

 ishte një faltore aty, thojnë atëbotë!

 II.

 Ngritur janë burrat, heshtjen kërkojnë,

 qetësinë e dikurshëm, të shekullit pesëmdhjetë,

 ndërtuar ishte xhamia në kala- kështjellën,

 atëbotë rrënuar nga ardhacakët e shumtë.

                                          (Tyran Spahiu, Prizren)

 E, përtej të gjithave, peticionin e kanë nënshkruar edhe shumë qytetarë të besimit katolik nga Komuna e Prizrenit. Mbase, kjo ka qenë ëmbëlsira e krejt kësaj çështjeje. Kam qenë, i emocionuar, kur një besimtar katolik më erdhi në zyre, në Këshillin e Bashkësisë Islame të Prizrenit dhe më deklaroi se bashkë me disa miqë të tij, e kishte nënshkruar peticioni. Përveç kësaj, ai, më tha se, nëse është e nevojshme ndihma e katolikëve për xhaminë, atëherë na tregoni se jemi në gjendje që mbështetjen t’ua japim edhe publikisht, në të gjithë televizionet e Kosovës. Me kënaqësi kam mbajtur shënim zyrtar për këtë altruizëm si dhe kemi bërë fotografi të përbashkët miqësore. Shumë faleminderit këtyre burrave. Ua kthefshim për të mirë!

   

26. Përkrahja e subjekteve të ndryshme të Prizrenit

  

Në këtë fazë, ishte e rëndësishme që të njihet nga afër opinioni i subjekteve të ndryshme të Prizrenit. Brenda një kohe optimale, Iniciativa Qytetare e Prizrenit dhe Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, qoftë bashkërisht apo në formacione të ndara, vizituan, po thuajse të gjitha subjektet e shoqërisë prizrenase, duke kërkuar prej tyre përkrahjen e kërkesës për rindërtimin e xhamisë dhe sahat kullës në Kalanë e Prizrenit. Disa prej tyre, nga dëshira e madhe, kanë ardhur direkt në Këshillin e Bashkësisë Islame të Prizrenit, për të dhënë përkrahjen, siç ka qenë Parlamenti studentor dhe disa shoqata kulturore e artisktike, etj. Kështu që, përgjithësisht përkrahje kemi marrë nga: 1) Të gjitha subjeket politike në Prizren; 2) Parlamenti i studentëve të Universitetit Publik të Prizrenit “Ukshin Hoti”; 3) Organizata e Veteranëve të luftës së UÇK-së, Prizren; 4) Organizata e familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Prizren; 5) Organizata e Invalidëve të luftës së UÇK-së, Prizren; 6) Shoqëria Civile dhe OJQ-të e ndryshme; 7) Shoqatat e ndryshme kulturore, artistike, afariste, arsimore; 8) Intelektualët e ndryshëm, etj.

Në të gjitha takimet e zhvilluara, subjektet e lartëcekura i kanë dhënë MBËSHTETJE, disa edhe përkrahje shumë të fuqishme rindërtimit të xhamisë dhe Sahat Kullës. E rëndëishme është se askush nuk ka qenë kundër!

 

27. Përkrahja e Kryetarit të Komunës së Prizrenit

 

Pas përkrahjes nga qytetarët dhe subjektet e Prizrenit, tani, radhën e kishte kryetari i Komunës së Prizrenit, i cili akoma nuk ishte prononcuar për xhaminë. Takimi u zhvillua në selinë e Komunës së Prizenit, më datë 05.12.2016, dhe ishte shumë konstruktiv. Pas takimit, Kryetari i Komunës, në prononcimin para mediave, i dha mbështetje të drejtëpërdrejtë rindërtimit të xhamisë, duke thënë se xhamia ka qenë aty dhe duhet t’i kthehet Kalasë. Mund të themi se ishte një përkrahje mjaft e fuqishme dhe cilësore.

 

28. Përkrahja unanime e Asamblesë së Prizrenit

 

Edhe Asambleja e Prizrenit i dha mbështetje unanime kërkesës për rindërtimin e xhamisë dhe sahat kullës. Nëpërmjet votimit, Asambleja e Prizrenit, në mbledhjen e mbajtur në Prizren, më datë 15.12.2016, mori vendim që të nxjerrë një deklaratë, me të cilën e përkrahë publikisht rindërtimin e xhamisë dhe sahat kullës.[51]

Përkrahja nga Komuna e Prizrenit, përfshirë Kryetarin dhe Asamblenë, si niveli më i lartë i organeve komunale, kishte shumë rëndësi, sidomos për dy arsye:

a) Kryetari dhe asambleistët janë përfaqësues legjitim të popullit, pasiqë janë zgjedhur me votën e lirë, nëpërmjet procesit zgjedhor legal. Për më shumë, të gjithë asamblesitët prezentë, nga të gjitha partitë, i dhanë mbështetje unanime, pa asnjë votë kundër apo abstenim. I lexuar në gjuhën e përfaqësimit, vendimi unanim i Asamblesë, në fakt është vendim i qytetarëve; dhe

b) Kalaja është në zonën e përgjegjësisë së Komunës së Prizrenit. Mbi këtë parim, ky vendim i Legjislativit dhe Ekzekutivit të Prizrenit, praktikisht është determinues ndaj organeve përkatëse të Ministrisë së Kulturës për të lejuar xhaminë, natyrisht pasiqë të plotësohen kushtet dhe të evitohen pengesat.

 

29. Përkrahja nga Këshilli për Trashëgiminë Kulturore të Prizrenit (KTK)

 

Një përkrahje tjetër, gjithashtu shumë cilësore, ka ardhur nga Këshilli për Trashëgiminë Kulturore për Qendrën Historike të Prizrenit. Sipas, ligjit nr. 04/l-066 për Qendrën Historike të Prizrenit, ky Këshill është trup këshilldhënëse, përfshirë edhe zonën e Kalasë. Rikonstruimi i xhamisë ka mbështetje ligjore, pasiqë, në nenin 7 të ligjit të përmendur, parashihet mundësia e rindërtimit / rekonstruimit në Zonën e Kalasë.[52] Kështu që, në pajtim me ligjin dhe kompetencat, Këshilli për Trashëgiminë Kulturore për Qendrën Historike të Prizrenit, në mbledhjen e datës 16.01.2017, i dha përkrahje unanime kërkesës së Bashkësisë Islame për rindërtimin e xhamisë në Kalanë e Prizrenit.[53] Dhe, ky vendim i këtij Këshilli, është vula përfundimtare e organeve komunale, për sa i përket përkrahjes për xhaminë. Pas kësaj, organet e Ministrisë së Kulturës, nuk do të duhej të gjenin asnjë arsye për refuzimin e kërkesës.

 

30. Intrigat islamofobe kundër xhamisë së Kalasë

 

Problematika e xhamisë në kalanë e Prizrenit, sapo doli si çështje në opinionin e gjerë publik, islamofobët u ngritën kundër, si gjithmonë. Personalisht, jam i zotuar që ta respektoj pluralizmin dhe diversitetin e mendimeve, gjersa janë objektive dhe të arsyeshme. Kështu në mëson kultura shkencore. Por, te ithtarët e islamofobisë, nuk kam mundur të gjej aspak qasje objektive në raport me kulturën islame. Ata, sikur janë mallkuar për të qenë kundër çdo gjëje islame. Fatmirësisht, që janë numër shumë i vogël, madje i papërfillshëm. Më vjen keq prej vetvetes, që duhet të merremi me këtë kategori amorfe, me këta njerzë të ligjë, labilë e të frustruar përfundimisht. Megjithatë, nëpërmjet këtij shkrimi, dua t’i flasë të gjithë atyre, që mund të ngelin të papërgatitur përballë intrigave të tyre antiislame.

Një gjë duhet thënë, xhamia e Kalasë së Prizrenit është injoruar në planin e restaurimit me paramendim dhe mbi paragjykimet islamofobe, antiislame e krishterimocentriste. Për fatin e keq, në krye të Ministrisë së Kulturës, nuk pati një burr, që do ta thotë të vërtetën pa belbëzime e pa devijime. Përkundrazi, në kry të saj pati ministra “burreca”, labilë, të padrejtë e të pandërgjegjshëm. Të keqën e filloi ish-ministri nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, z. Memli Krasniqi që nuk e trajtoi xhaminë në kuadër të planit. Edhe më keq vazhdoi ministri i fundit, z. Kujtim Shala, që asnjnëherë nuk e trajtoi kërkesën e qytetarëve dhe peticionin e tyre. Që të gjithë, një pas një, i dhanë lak xhamisë, qoftë për hesape personale apo për llogari të shefave të tyre. Xhamia nuk kërkon lëmoshë prej askujt, ajo kërkon vetëm drejtësinë e vonuar, pikë.

Në këtë melodi të hidhur kundër xhamisë së Kalasë, islamofobët i shfrytëzuan disa argumente fiktive, për ta fuqizuar djallëzinë e tyre kundër rindërtimit të xhamisë. Zëri i tyre ka qenë shumë i zbehtë, madje i pahetueshëm. Me gjithë mllefin e madh, kurrë nuk arriti t’i bëhet rivalitet zërit të fuqishëm të qytetarëve. Sa herë që i kam lexuar apo dëgjuar truket e tyre, aty-këtu, se me të vërtetë kanë qenë vetëm disa persona, duket sheshazi se nuk kanë asnjë argument kredibil, përveç urrejtjes patologjke e të pashpjegueshme. Madje, ata vetë nuk i besojnë fjalëve të tyre. Në vazhdim, do të denoncojmë disa prej intrigave të tyre kryesore.

 

30.1. Intriga e parë: “Kalaja është më e vjetër se xhamia...!?”

  

Islamofobët, vazhdojnë ta kundërshtojnë xhaminë me pretendimin se kalaja është më e vjetër se xhamia!? Është e vërtetë se Kalaja është me e vjetër se xhamia, por, po ashtu është e vërtetë se kalaja ka ecur nëpër shumë faza të historisë dhe ajo është zgjeruar për disa herë më shumë. Xhamia është pjesë e kësaj historie dhe është e rëndësishme sa edhe vetë kalaja. Për shembull, në periudhën romake, kalaja ka qenë fare e ngushtë. Bile, kjo sipërfaqe paraosmane, për kohën e tanishme, nuk përbën ndonjë atraksion të veçantë për turizmin, sepse mungojnë ato pak asete, që kanë qenë atëbotë dhe se nuk mund të rindërtohen, për shkak të mungesës së pamjes së tyre dhe fakteve. Por, kalaja mbetet interesante, pikërisht në saje të zgjerimit që e ka përjetuar në kohën osmane.

 Për më se pesë shekujsh, kalaja është plotësuar me objekte të ndryshme, përfshirë dhe xhaminë në mes të saj. Sot, ato asete i kemi rindërtuar, në emër të rëndësisë dhe atraksionit për zhvillimin e turizmit, ndërsa kur është fjala për xhaminë, që i përket të njëjtës periudhë, nuk veprojmë njësojë!? Kjo dëshmon se nuk bëhet fjalë për qëndrim parimor, por për ngarkesë të islamofobisë patetike. Tek e fundit, për rëndësinë e rekonstruimit të xhamisë janë deklaruar qytetarët nëpërmjet peticionit, ndërsa rindërtimi i aseteve të tjera, ka ndodhur në bazë të dëshirës së një personi, qoftë ministër, kryeminsitër apo dikush tjetër. Demokracia nënkupton sundimin e popullit, ndërsa monizmi është e kundërta e saj. Prandaj, qytetarët kanë të drejtë gjithmonë.

 

30.2. Intriga e dytë: “Kinse, ka pas edhe kishë në kala...!?”

 

Përkrahësit e krishterimocentrizmit në Kosovë, ortodoksët dhe katolikët, prej kohësh kanë propaganduar për një kishë imagjinare në kalanë e Prizrenit. Si ide, ka lindur nga dëshirat e sëmura për t’i bërë rivalitet xhamisë dhe asnjëherë mbi ndonjë fakt, qoftë edhe të vetëm. Kjo, më së miri duket në mllefin e islamofobëve, të cilët e shfrytëzuan idenë e kishës fiktive, me qëllim që ta relativizojnë në sytë e publikut kërkesën për rindërtimin e xhamisë apo që ta bëjnë sa më delikate dhe problematike rindërtimin e saj. Bile, islamofobët pushtetar, këtë propagandë të nisur nga serbët se aty kinse ka ekzistuar një kishë, e kanë menduar si argumentin kryesor kundër xhamisë. Ish-ministri i Kulturës, Kujtim Shala, në mbledhjen e rregullt të Kuvendit të Republikës së Kosovës, datë 19.01.2017, duke u përgjigjur në pyetjen e deputetit z. Fikrim Damka në lidhje me kërkesën e qytetarëve për xhaminë e kalasë, pati thënë: “ka evidencë edhe për një kishë!?”[54] Ky ministër e di shumë mirë se nuk ka pasur kishë në Kala, por nëpërmjet kishës fiktive ortodokse serbe, kishte për qëllim të kapet për klishetë dhe stereotipet e shabllanit: “as xhami e as kishë”.

Më vjen keq për këta shqiptarë, që për ta çuar deri në fund urrejtjen kundër xhamisë së kalasë, kapen po qoftë edhe për mitet serbe. Vetëm disa nacionalistë serbë kanë pretenduar se kinse ka qenë një kishë në Kalanë e Prizrenit apo se xhamia kinse është ndërtuar mbi themelet e saj!? Këto thashe-theme, që disa shqiptarë të ligë po i stërmadhojnë, pa qenë të vetëdijshëm për dëmin nacional, gjenezën e kanë në spekulimet e Petar Kostiqit, një serb që shërbeu si arsimtar dhe drejtor i “Bogosllovisë” – shkollë e mesme fetare ortodokse serbe në Prizren dhe, kishte influencë te serbët e Prizrenit, prej vitit 1873 gjer në vitin 1912. Kostiqi, duke iu referuar edhe konsullit rus Ivan Jastrebov, citon se në Kala ka ekzistuar kisha e “Shën Anastasit”, mbi të cilën, Emin Pasha e ka (ri)ndërtuar xhaminë, në vitin hixhri 1226, gregorian 1805.[55]

Duhet thënë se deklarimet e Ivan Jastrebov dhe Petar Kostiqit, nuk kanë aspak peshë shkencore dhe janë në frymën e aspiratave sllavo-serbe mbi territoret shqiptare, sipas parimit aty ku është një kishë, ajo është tokë serbe!? Kjo vërehet akoma më shumë te Petar Kostiqi, i cili, kur shkruan për jetën kishtare të serbëve ortodoks të Prizrenit dhe rrethinës gjatë shek. XIX, aq shumë e stërmadhon numrin e kishave ortodokse serbe në Prizren, sa që e bën përrallë këtë punë. Sipas tij, “Në Prizren ka pas kisha aq sa ka pas ditë viti”, ndërsa për fshatrat e Prizrenit thotë se: “nuk ka pas fshat në Prizren që nuk ka pas një kishë, bile në disa fshatra ka pas edhe prej 3-10 kisha”[56] Në fakt, si njëri edhe tjetri, kanë mungesë të njohurive elementare për xhaminë, sepse xhamia nuk është rindërtuar nga Emin Pasha, siç pohojnë ata, por nga Mahmud Pashë Rrotulla, në vitin 1828 dhe jo në vitin 1805. Kjo vërtetohet në mbishkrimin e xhamisë në origjinal, që aktualisht ruhet në muzeun arkeologjik të Prizrenit.

Fatmirësisht, të gjitha këto trillime dhe intriga, janë hedhur poshtë si të pabaza, nga vetë arkeologët serbë. Enti për MPK-Prizren, në vitin 1969, prej datës 03.07.1969 – 05.09.1969, zyrtarisht ka zhvilluar hulumtimet arkeologjike në Kalanë e Prizrenit, përfshirë dhe xhaminë. Kërkimet shkencore, u financuan nga mjetet e buxhetit të Kuvendit të KSAK dhe iu besuan prof. dr. Jovan Kovaçeviq nga Universiteti i Beogradit, me pjesëmarrjen e 7 ekspertëve dhe 7 studentëve të arkeologjisë, si dhe 10 ekspertëve të lëmenjëve të ndryshëm të Entit.[57] Gjatë kërkimeve arkeologjike, studiuesit kanë vërtetuar se xhamia në Kala është ndërtuar direkt mbi shkëmbin natyror dhe nuk është e ndërtuar mbi themelet e kishës ortodokse të “Shën Anastasit” siç supozohej më parë.[58]

Prandaj, këto klishe për kishë në Kala janë abusrditet dhe pjellë e shovinizmit serb. Shqiptarët, duhet t’i harrojnë nga fjalori i tyre. Sepse, tek e fundit, vetë studiuesit objektivë serbë, nuk i kanë këto pikëpamje. Për shembull, për dallim nga Ivan Jastrebovi e Petar Kostiqi, studiuesja serbe Dr. Tatjan Katiqi nga Insitituti i historisë në Beograd, në punimin e saj shkencor “Osmanizimi i qytetit mesjetar serb të Prizrenit, gjatë shek. XV dhe XVI-të”, kur flet për kishat ortodokse serbe në Prizren, ato që janë ekzistuese apo të rrënuara në të kaluarën, askund nuk e përmend kishën e “Shën Anastasit”, si një objekt që ndonjëherë ka ekzistuar.[59]

 

30.3. Intriga e tretë: “Kinse, xhamia është e pushtuesit...!?”

 

Kemi dëgjuar prej islamofobëve, aty-këtu, se xhamia e kalasë kinse “është e pushtuesit – Perandorisë Osmane, e nuk është e shqiptarëve” Kjo, intrigë, më shumë se çdo gjë tjetër, implikon racizëm dhe shovinizëm, dhe atë për tri arsye:

1) Monumentet kulturo-historike, janë vlera tipike, pavarësisht se prej kujt ndërtohen. Për fatin e mirë, apo të themi për fatin e keq të islamofobëve, xhamia e kalasë për herën e fundit është rindërtuar nga shqiptarët. Në vitin 1689, xhamia ishte rrënuar nga austriakët nën komandën e gjeneralit me prejardhje italiane, Eneo Pikëlominit. Mirëpo, Mahmud Pashë Rrotlla, në vitin 1828 (1244 sipas hixhrit)[60], e rindërtoi xhaminë e kalasë, sipas dimenzioneve të mëparshme. Sa për informacion, familja prizrenase e rrotllajve, ka qenë një familje autoktone shqiptare, që ka qeverisur me Sanxhakun e Prizrenit më se një shekull (1747-1843)[61], e që është edhe një dëshmi se shqiptarët kanë vetëqeverisur me vendin, gjatë kohës së Perandorisë Osmane.

2) Nëse e ndjekim logjikën raciste e shoviniste kundër çdo gjëje që është “e huaj”, atëherë ne duhet të rrënojmë dhe shkatërrojmë në Kala çdo gjë që gjejmë prej mbetjeve romake, ngase edhe pushtetet e tjera, para perandorisë osmane, kanë qenë të huaj e agresore e assesi shqiptare. Bile, të gjithë e dijmë se Perandoria Osmane ka qenë shpëtimtare e shqiptarëve dhe as që mund të krahasohet me pushtetet e tjera okupatore. Pastaj, nëse aq shumë e urrejmë “të huajën”, atëherë duhet të fillojmë spastrimin prej identitetit nacional, kulturës, traditave, etj, e të shohim se ku po na shpijë kjo rrugë!? Por, islamofobëve nuk u pengojnë të tjerat, madje as pushteti i Car Llazarit, por u pengon Perandoria Osmane, e arsyeja dihet, për shkak të urrejtjes ndaj islamit!?

3) Në të vërtetë, cilësimi i xhamisë se është e “pushtuesit”- Perandorisë Osmane, është një farsë kundër vetë xhamisë si institucion. Sepse, sot, mjafton të shkosh në Kala dhe do t’i shohish objektet e rindërtuara, e që i përkasin periudhës osmane. Pra, bëhet fjalë për urrejt ndaj xhamisë, si objekt, e kjo bëhet akoma më e qartë, kur dihet se kërkesa ka të bëjë për ringritjen e saj si objekt kulturor, e jo për aktivitete fetare.

 

30.4. Intriga e katërt: “Prizreni ka mjaft xhami...!?”

 

Një prej intrigave, është edhe kjo se “Prizreni ka mjaft xhami”. Është e vërtetë se Prizreni ka më shumë xhami se qytetet e tjera të Kosovës dhe është më i veçantë në Ballkan. Por, gjithashtu është e vërtetë se Prizreni nuk ka xhami të mjaftueshme në krahasim me proporcionin e popullatës. Për shembull, Prizreni, në vitin 1910, sipas regjistrimit turk, i kishte 30.285 banorë, prej tyre 23.800 muslimanë[62], ndërsa nga raporti i hollësishëm i konsullit austriak në Prizren, i vitit 1914, Prizreni i kishte 32 xhami.[63] Ndërsa sot, sipas regjistrimit të vitit 2011, i ka 178 mijë, dhe i ka 35 xhami. Domethënë është dallim shumë i madh. Akoma ka nevojë edhe për shumë xhami të tjera.

Mirëpo, në rastin tonë, ky argument se Prizeni ka mjaft xhami, nuk vlen fare, sepse askush nuk po kërkon që xhamia e kalasë të rindërtohet për aktivitete fetare, por si aset kulturo-historik dhe pjesë përbërëse e origjinalitetit të kalasë. Qytetarët e duan kalanë origjinale, jo të fallsifikuar e as të tjetërsuar.

 

30.5. Intriga e pestë: “Nëpër kala, s’ka faltore...!?”

 

Të gjithë e dinë se nëpër kala, gjithandej nëpër botë, ka edhe objekte fetare. Zonat arkeologjike, nuk pasqyrojnë të tashmen, ato janë produkt i civilizimeve të kaluara. Nëse në një kala nuk ka pasur faltore asnjëherë, atëherë nuk do të ketë, pasiqë këtyre zonave nuk u shtohen objekte të paqena, për hirë të origjinalitetit. Por, nëse ka pasur faltore në një kala, ku do qoftë ajo, atëherë duhet të ekzistojë ajo, pavarësisht a është xhami apo ndonjë objekt tjetër i bashkësive të tjera fetare. Në të kundërtën, nuk jemi duke bërë ruajtje të trashëgimisë kulturo-historike, por tjetërsim të saj dhe nuk ka punë më të keqe. Për shembull, në Kalanë e Beratit, Shqipëri, ekzistojnë dy xhami, po ashtu aty është edhe kisha. Pastaj, objektet fetare gjinden edhe në kalanë e Shkodrës, etj. Sipas islamofobëve e antitesitëve, këto objekte duhet të “mineratën” dhe të hidhen në ajër, sepse ata nuk i duan!? Me të vërtetë, niveli i këtyre është për keqardhje. Përkundrazi, këto objekte duhet të trajtohen njësoj sikurse të gjitha objektet e tjera në atë hapësirë. Aseti i trashëgimisë kulturore, është vlerë për faktin e vetëm se është trashëgimi kulturore, që pasqyron të kaluarën e popullit e pastaj mund të vijnë në shprehje aspektet e tjera të atij aseti. Në këtë rast, objektet fetare, duhet trajtuar me prioritet, pasiqë janë objekte të rëndësisë së veçantë, për shkak të rolit të tyre fetar, kulturor dhe edukativ. Kështu kanë qenë gjithmonë edhe sot janë të tilla. Por, në anën tjetër, nëse nuk ka ndodhur trajtimi arkeologjik (restaurim, konzervim apo rekonstruim), ndaj asnjërit objekt, atëherë, edhe për objektet fetare, më së paku, duhet ta pranojmë fatin e njejtë.

Por, çfarë ka ndodhur në Kalanë e Prizrenit. Ministria e Kulturës dhe pushteti i kohës, e kanë dënuar xhaminë për të mbetur gërmadhë, ndërsa i kanë favorizuar të gjitha objektet e tjera përreth saj, do të thoja të parëndësishme, për të mos thënë “të pa vlerë”, përfshirë edhe ahuret e kuajve!? Çfarë paradoksi? Të gjithë e dinë, se xhamia është një “hënë pesëmbëdhjetëshe” dhe bukuri e vendit, ndërsa, del një “pushtetar tekanjoz” antiislamist e antiteist dhe fatin e kulturës dhe të kalasë ia përshtat shijës së vet!? Nëse injorimi i qëllimshëm i xhamisë, nuk është islamofobi apo mercenarizëm antiislam, e që unë besoj se është i tillë, atëherë është agresion i çmendur kundër historisë dhe të kaluarës së popullit. Kjo do të jetë e papranuar për qytetarët e Prizrenit, të cilët kanë dëshmuar me vepër se e duan xhaminë e Kalasë, as më pak e as më shumë, si një objekt i barabartë në mesin e objekteve të tjera që janë ngritur aty.

Prandaj, intriga djallëzore se “nëpër kala s’ka faltore”, bëhet akoma më absurde, gjersa Bashkësia Islame, deklarativisht e ka thënë se objektin e xhamisë e duan si një aset kulturore, pa pretendime për objekt fetar.

 

 

 



* Ky punim është botuar në revistën shkencore “Dituria Islame”, në shtatë vazhdime. (Shih: “Dituria Islame” – revistë mujore, fetare, kulturore e shkencore, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, Prishtinë, prej numrit: 317/2017 deri te numri 327/2018).

[1] Shih: Wikipedia – Enciklopedia e lirë, (verzioni elektronik), https://sq.wikipedia.org/wiki/Kalaja_e_Prizrenit, pa datë të publikimit, data e citimit: 25.12.2016

[2] Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit – Databaza e Trashëgimisë kulturore të Kosovës, sipas faqës zyrtare në internet: http://dtk.rks-gov.net/tkk_objekti.aspx?id=6229, pa datë të publikimit, data e citimit 24.12.2016.

[3] Shih: Wikipedia – Enciklopedia e lirë, (verzioni elektronik).

[4] Shih: Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit – Databaza e Trashëgimisë kulturore të Kosovës, po aty.

[5] Shih: Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit – Databaza e Trashëgimisë kulturore të Kosovës, po aty; Po ashtu, shih: Ilirët dhe iliria I,II, Prishtinë, 1978, fq.441, sipas: Salajdin Krasniqi, Prizreni – udhëtim nëpër kohë, Prizren, 2002, fq.17.

[6] Muhamed Shukriu, Prizreni i lashtë, Prizren, 2001, fq. 270.

[7] Muhamed Shukriu, Prizreni i lashtë, po aty, fq.278.

[8] Milot Berisha, Guidë arkeologjike e Kosovës, Ministria për Kulturë Rini dhe Sport, Prishtinë, 2012, fq. 94-95, sipas: http://www.mkrs-ks.org/repository/docs/shqip_final.pdf, data e citimit:10.02.2017.

[9] Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit – Databaza e Trashëgimisë kulturore të Kosovës, po aty.

[10] Milot Berisha, Guidë arkeologjike e Kosovës, po aty, fq. 94-95.

[11] Muhamed Shukriu, Prizreni i lashtë, po aty, fq.277.

[12] Muhamed Shukriu, Prizreni i lashtë, po aty, fq.285.

[13] Shih: Kuvendi i Republikës së Kosovës, Ligji Nr. 03/L-039, Për Zonat E Veçanta Tё Mbrojtura, sipas: http://www.kuvendikosoves.org/common/docs/ligjet/2008_03-L039_al.pdf, data e citimit 22.01.2017.

[14] Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit e Kosovës, Departamenti i Trashëgimisë Kulturore, sipas:

http://www.mkrs- ks.org/repository/docs/LISTA_E_TRASHEGIMISE_KULTURORE_NEN_MBROJTJE_TE_PERKOSHME_2015.pdf, publikuar më datë 09.10.2016, data e citimit:22.01.2017.

[15] Shih: “Gjashtë (6) Monumentet në mbrojtje të përhershme janë nga Prizreni”, sipas: https://www.gazetaere.com/6-monumentit-ne-mbrojtje-te-perhershme-jane-nga-prizreni/, data e publikimit 09.10.2016, data e citimit: 22.01.2017.

[16] Shih: Noel Malcom, Kosova një histori e shkurtër, Koha, Prishtinë, 2001, fq.95

[17] Fatkeqësisht, pas vitit 1912, pushteti serb e rrënoi xhaminë e Namazxhahit, kurse pas luftës në Kosovë, me iniciativën e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, realizohet rindërtimin i saj, sipas kushteve të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve Historike në Prizren. Projektin e financoi Republika e Turqisë. Nën organizim të Bashkësisë Islame, namazxhahi hapet solemnisht, në prill të vitit 2002, ndërsa më datë 25.06.2002 falet xhumaja e parë dhe me këtë i rikthehet qëllimit burimor. Vlen të përmendet se gjatë vitit 2016, janë falur teravitë si dhe namazi i dy bajramave.

[18] Shih: Jahja Drançolli, “Përshkrim i shkurtër i Prizrenit”, punim i botuar në librin: Plani i konservimit dhe zhvillimit për zonën historike të Prizrenit, përgatitur nga CHWB zyra në Kosovë, pa vend të botimit, 2011, fq.18.

[19] Shih: Mbishkrimi i xhamisë së Kalasë, i cili ruhet në arkivin e Prizrenit.

[20] Shih:J. Radonic, Rimska kurija i juznoslovenske zemlje, Beograd, 1950, fq.402, cituar në punimin e Hasan Kaleshit dhe Ismail Eren, Mahmud Pashë Rrotlla nga Prizreni-përshpirtënimet dhe vakëfnameja e tij, përgatiti Ismail Rexhepi & Sadik Mehmeti, botuar në revistën  “Edukata Islame” – revistë shkencore, kulturore islame tremujore, Prishtinë, nr.81/2006, fq.151.

[21] Shih: J. Tomic, Deset godina iz istorije serpskog naroda I cerkve nad Turcima (1683-1693), Beograd, 1902, fq.44, cituar në punimin: Hasan Kaleshi dhe Ismail Eren, Mahmud Pashë Rrotlla..., po aty, fq.151.

[22] Shih: Hasan Kaleshi dhe Ismail Eren, Mahmud Pashë Rrotlla..., po aty, fq.152.

[23] Muhamed Shukriu, Prizreni i lashtë, Prizren, 2001, fq.353; Abib Ahmedi, Theranda – Prizreni ndër shekuj, Prizren, 1996, fq.114.

[24] Shih: Noel Malcom, Kosova…, po aty, fq.157

[25] Hasan Kaleshi dhe Ismail Eren, Mahmud Pashë Rrotlla..., po aty, fq.174.

[26] Shih: Faik Miftari, “Pse duhet të rindërtohet xhamia në Kala të Prizrenit?”, sipas: http://www.gazetaimpakt.com/lajm/14966/pse-duhet-te-rindertohet-xhamia-ne-kala-te-prizrenit/, data e publikimit: 08.11.2016, data e citimit:15.12.2016.

[27] Shih: Abib Ahmedi, Theranda…, po aty, fq.119.

[28] Abib Ahmedi, Theranda…, po aty, fq.127; Raif Vırmiça, Camileri Kenti Prizren, pa vend dhe vit të botimit, fq.432.

[29] Nehat Krasniqi, Kronika (Menakib) e Tahir efendiut, burim i rëndësishëm për historinë e kulturës në Prizren gjatë periudhës turko-osmane, “Edukata Islame” – revistë shkencore, kulturore islame tremujore, Prishtinë, nr.57/1995, fq.106.

[30] Shih: Hasan Kaleshi dhe Ismail Eren, Mahmud Pashë Rrotlla..., po aty, fq.175.

[31] Hasan Kaleshi - Ismail Eren, Mahmud Pashë Rrotlla..., po aty,  fq.174-175.

[32] Transliterimi i tekstit si dhe përkthimi i tij është bërë nga origjinali, në konsultim edhe me Mr.Muhamed Ahmetaj. Po ashtu, shih: Raif Vırmiça, Camileri…, po aty, fq.433.

[33] Shih: Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, Dosja e xhamisë së Kalasë, projekti ideor për rindërtimin e xhamisë.

[34] Shih: Hasan Kaleshit dhe Ismail Eren,  Mahmud Pashë Rrotlla..., po aty, nr.81/2006, fq.183-186.

[35] Resul Rexhepi - Sadik Mehmeti, H. Rrystem ef. Shporta, jeta dhe vepra (1864-1937), monografi, Prishtinë, 2010, fq.38.

[36] Muhamed Shukriu, Prizreni i lashtë, Prizren, 2001, fq. 270.

[37] Faik Miftari, Pse duhet të rindërtohet xhamia në Kala të Prizrenit?, sipas: http://www.gazetaimpakt.com/lajm/14966/pse-duhet-te-rindertohet-xhamia-ne-kala-te-prizrenit/, publikuar më datë:08.11.2016, data e citimit:10.11.2016.

[38] Noel Malcom, Kosova një histori e shkurtër, Koha, Prishtinë, 2001, fq. 265.

[39] Noel Malcom, Kosova…, po aty, fq. 269.

[40] Marenglen Verli, Orientimi i reformës agrare kolonizuese të mbretërisë jogusllave mbi fshatarësinë shqiptare myslimane dhe pasojat e saj, kumtesë e botuar në: “Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët” - simpozium ndërkombëtar i mbajtur në Prishtinë më 15, 16, 17 tetor 1992, Kryesia e Bashkësisë Islame e Kosovës, Prishtinë, 1995, fq.467.

[41] Abib Ahmedi, Theranda – Prizreni ndër shekuj, Prizren, 1996, fq.127.

[42] Shih: Resul Rexhepi - Sadik Mehmeti, H. Rrystem ef. Shporta, jeta dhe vepra (1864-1937), monografi, po aty, fq.38.

[43] Historiani nga Prizreni, prof. Afrim Topqideri, thotë se kjo foto i përket vitit 1917 dhe është zbuluar në arkivin e Shkodrës. Shënim nga biseda me Afrim Topqideri, datë 19.10.2016.

[44] Arkivi Qendror i Shqipërisë, Fondi i Komitetit të Kosovës, viti 1917, dos.25, dok.50744, cituar sipas: Marenglen Verli, Shqipëria dhe Kosova – historia e një aspirate, Tiranë, 2007, vëll.I, fq.189.

[45] Shih:Muhamed Shukriu, Prizreni i lashtë, po aty, fq.270.

[46] Shih: Deklarata e Vjollca Aliut, datë 14.12.2016, sipas: https://www.facebook.com/pg/TVBESA/videos/?ref=page_internal, publikuar:14.12.2016, cituar:25.02.2017.

[47] Në emisionin “Aktualitet” në RTV BESA, të drejtuar nga Burim Shpejti, kanë qenë të ftuar Vjollca Aliu -drejtoreshë e Departamentit të Kulturës në MKRS dhe Shafi Gashi mbikqyrës i punimeve në kala, por asnjëri prej tyre nuk ka pranuar të marrë pjesë në emision. Emisioni është zhvilluar me mysafirët: Orhan Bislimaj (KBI-Prizren) dhe Faik Miftari – jurist dhe publicist.

[48] Njoftimi i KBI-Prizren, në faqen zyrtare në facebook, datë 27.10.2016.

[49] Pas një kohe, Myftiu Naim ef. Tërnava, e vizitoi Këshillin e Bashkësisë Islame të Prizrenit.  Në prononcimin e tij para mediumeve publike, pikërisht nga Prizreni, i ka dhënë mbështetje rindërtimit të xhamisë së Kalasë.

 [50] Shih: Iniciativa qytetare për rindërtimin e Xhamisë në Kalanë e Prizrenit, në www.facebook.com.

[51]Shih: Deklarata e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, datë 15 dhjetor 2016, dosja e xhamisë së Kalasë, KBI-Prizren.

[52] Shih: Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit, nr. 04/l-066, neni 7, sipas: http://www.kuvendikosoves.org.

[53] Shih: Mendimi i Këshillit për Trashëgiminë Kulturore të Prizrenit për Qendrën Historike (KTK), datë 16 janar 2017, dosja e xhamisë së Kalasë, KBI-Prizren.

[55] Shih: Petar Kostiq, Crkveni život pravoslavnih srba u Prizrenu,…u XIX veku, Beograd, 1928, str.I, ribotim 1998, fq. 93, sipas: Faik Miftari http://www.radiokosovaelire.com/faik-miftari-pse-duhet-te-rindertohet-xhamia-ne-kala-te-prizrenit/, data e publikimit dhe citimit:08.11.2016.

[56] Shih: Petar Kostiq, po aty, fq.71, sipas: Faik Miftari, po aty.

 [57] Shih: Muhamed Shukriu, Prizreni i lashtë, 2001, fq.278.

[58] Shih: Muhamed Shukriu, po aty, fq.286.

[59] Shih: Катић, Татјана. “Oсманизовање српског средњовековног града: Призрен у XV и XVI веку“. Београд,  Историјски институт, (у штампи), sipas: Faik Miftari, po aty.

[60] Abib Ahmedi, Theranda – Prizreni ndër shekuj, Prizren, 1996, fq.127; Raif Vırmiça, Camileri Kenti Prizren, pa vend dhe vit të botimit, fq.432.

[61] Shih: Abib Ahmedi, Theranda…, po aty, fq.119.

[62] Shih: Abib Ahmeti, Theranda..., po aty, fq.109.

[63] Shih: Noel Malcolm, Kosova një histori e shkurtër, Koha, Prishitnë, 2001, fq.269.

 

Kryesia e BIRK - ut

Lajme – Bashkësia Islame e Kosovës

Webfaqja zyrtare e Bashkësisë Islame
  • Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës në aksionin e ndërmarr me datë 29 nëntor 2019, për grumbullimin e mjeteve financiare për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri, ka njoftuar se janë mbledhur gjithsej 304,437,89 euro. Më poshtë mund ta gjeni listën e plotë të kontribuuesve: Nr.Këshillat e Bashkësisë Islame dhe individë të …

  • Abu Dhabi, 8 dhjetor Sot në Abu Dhabi, në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, filloi punimet Forumi i gjashte për Promovimin e Paqes në Shoqëri Myslimane. Forumi global i këtij viti po mbahet me titullin “Roli i feve në përforcimin e tolerancës, nga mundësia në imperativ (domosdoshmëri)”, i cili po organizohet nën patronimin e …

KBI Prizren

Njoftime

Kur`an, Tefsir, Akaid, Fikh, Hadith, Histori Islame, Fetva të ndryshme, Video - Ligjërata ...

Në facebook

Tanzil.net

Mp3quran.net

Kopertina e librave

Sa janë online

We have 5 guests and no members online