Dr. Orhan Bislimaj
A është Covid-19 një ndëshkim prej Zotit?
1. Hyrje
Kur’ani i Madhërishëm, në pjesën dërrmuese të tij flet për çështjet e rëndësishme, me të cilat preokupohet mendja njerëzore. Nëpërmjet udhëzimeve të tij, njeriu sendërton koncepte të drejta për Krijuesin, për dynjanë dhe Ahiretin. Kur’ani, flet apo sjell shembuj edhe për përkrahjen që Allahu ua ka dhënë njerëzve të sinqertë. Por, në anën tjetër, sado si përjashtim, Kur’ani sjell informacione edhe për ndëshkimet e Zotit që u ka dërguar popujve, për shkak të bëmave të tyre.
2. Ligjshmëria e ndëshkimit në këtë botë
Ndëshkimi i Allahut, por edhe shpërblimi i Tij, nuk kufizohet vetëm në botën tjetër, pra me Xhennetin dhe Xhehennemin, siç mund të presupozojnë shumë njerzë. Përkundrazi, ai ndodh edhe në këtë botë, në mënyrë të vazhdueshme, njësoj sikurse edhe shpërblimi i Tij.
Në Kur’an dhe në hadithe, gjejmë argumente të qarta që vërtetojnë se Allahu i ka ndëshkuar popujt e kaluar (para Muhamedit a.s.), në këtë botë, me lloj-lloj ndëshkime, për shkak të arrogancës e përgënjeshtrimit të shpalljes (shih: El-A’raf, 3-4; El-Ankebut, 40). Prej atyre ndëshkimeve që përmenden janë edhe këto: përmbyetjet (el-garku); erë e fuqishme (er-rrihu); krismë e fuqishme prej qiellit (es-sajhatu); furtunë me guralecë (hasiben); fundosje në tokë (el-hasf); ndërrim i pamjes (el-mes’h); uri e skamje e madhe; shpeshtim i vrasjeve e luftërave; sëmundjet, sprovat, epidemitë, etj.[1]
Përveç ndëshkimeve në të kaluarën, Allahu i Lartësuar konfirmon dhe precizon se ndëshkimi ka për të ndodhur edhe në të ardhmen, në mënyrë të vazhdueshme deri në ditën e kijametit:
وَإِنْ مِنْ قَرْيَةٍ إِلَّا نَحْنُ مُهْلِكُوهَا قَبْلَ يَوْمِ الْقِيَامَةِ أَوْ مُعَذِّبُوهَا عَذَابًا شَدِيدًا كَانَ ذَلِكَ فِي الْكِتَابِ مَسْطُورًا
“Nuk ka asnjë nga fshatrat (nga vendbanimet e kundërshtarëve) e që Ne nuk do ta shkatërrojmë ose ndëshkojmë atë me një dënim të ashpër para ditës së Kijametit. Kjo është e theksuar në Libër (Levhi Mahfudh).” (El-Isra, 58).
Bile, këtë gjë i Lartësuari e ka cilësuar si diçka kategorike e të padiskutueshme, me vetë faktin që ka thënë: “…Kjo është e theksuar në Libër (Levhi Mahfudh)”. Bëhet fjalë për librin e Allahut, në të cilin është evidentuar çdo gjë që ndodhë në gjithësi. Imam Rraziu thotë se ky është vendim i prerë i Allahut ( أن هذا الحكم حكم مجزوم به واقع). [2]
3. Aspektet e ndëshkimit
Zoti i Madh, në ajetin që e cituam më lartë (shih:El-Isra, 58), ndëshkimin në kët botë e ka kategorizuar në dy aspekte:
a) Ndëshkimi me zhdukje të tërësishme (الإهلاك), siç ka ndodhur me popullin e Nuhit a.s., pastaj popullin Ad, Themud, etj; dhe
b) Ndëshkimi me dënim të ashpër (العذاب الشديد), i cili i goditë shoqëritë e popujt, duke i tronditur rëndë, siç janë sëmundje epidemike vdekjeprurëse, murtajat, përmbytjet, katastrofat me fundosje në tokë, ndërrimi i pamjes (mes’h), porse ky lloj i ndëshkimit nuk çon në zhdukjen e tërësishme të një populli.[3] Në kuadër të këtij ndëshkimi sistemohen edhe të gjitha ndëshkimet e tjera, çfarëdo qofshin ato, shpirtërore apo fizike, individuale a kolektive. Një lloj tjetër i ndëshkimit që e përmend Kur’ani, pra paksa më specifik është edhe i ashtuquajturi ‘el-istidraxh’ – ndëshkim përmes mirësive fatkeqe të dynjasë.[4]
Por ç’e do që, sipas dijetarëve islamë, Allahu e ka pezulluar ndëshkimin me zhdukje të tërësishme të një populli, ndërsa e ka lënë në fuqi vetëm të dytin, ‘dënimin e ashpër’. Kjo është mëshirë e Allahut, për hirë të pejgamberisë së Muhamedit a.s. Për shembull, te popujt e mëparshëm, Allahu i ka ndëshkuar përgënjeshtruesit, menjëherë, pra duke qenë i gjallë pejgamberi i tyre, ndërsa tek ymeti i fundit i Muhamedit a.s., Allahu e ka shtyrë ndëshkimin ndaj përgënjeshtruesve deri pas vdekjes së Muhamedit a.s. ose deri në kijamet.[5] Prandaj, edhe nuk ka ndodhur zhdukje e tërësishme e ndonjë populli gjatë kohës së Pejgamberit a.s., e as pas vdekjes së tij.
Këtë e konfirmon edhe Ibën Abbasi, r.a., teksa e komenton ajetin: “E Ne të dërguam ty (Muhamed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat.” (El-Enbija, 107): “Muhamedi a.s. është mëshirë për të gjithë njerëzit, kush i besoi atij, ai është udhëzuar, e kush nuk i besoi, mbase është kursyer (për hirë të pejgamberisë së tij) prej dënimit me zhdukje të tërësishme të një populli, nëpërmjet fundosjes në tokë dhe përmbytjeve, sikurse janë goditur ymetet e kaluara”( كان محمد صلى الله عليه وسلم رحمة لجميع الناس فمن آمن به وصدّق به سعد، ومن لم يؤمن به سلِم مما لحق الأمم من الخسف والغرق).[6]
Në fakt, kursimi nga zhdukja e tërësishme, ka qenë dëshirë e Pejgamberit a.s., apo më mirë të themi logjikë e pejgamberisë së tij. Ai, vetë tha se është dërguar mëshirë e jo mallkues. Po ashtu, kur Allahu ia dha mundësinë nëpërmjet melekut për ta shkatërruar popullin arrogantë të Taifit (vend në afërsi të Mekkës), Pejgamberi a.s. nuk e pranoi, gjithnjë me bindjen se do të dalin njerzë të mirë e besimtarë prej atij vendi dhe kështu ka ndodhur.
Në këtë kuptim, ekzistojnë disa hadithe, ku Pejgamberi a.s. ka kërkuar prej Allahut, që mos t’ia ndëshkojë ymmetin e tij në tërësi:
فَقَالَ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ سَأَلْتُ رَبِّي ثَلَاثًا فَأَعْطَانِي ثِنْتَيْنِ وَمَنَعَنِي وَاحِدَةً سَأَلْتُ رَبِّي أَنْ لَا يُهْلِكَ أُمَّتِي بِالسَّنَةِ فَأَعْطَانِيهَا وَسَأَلْتُهُ أَنْ لَا يُهْلِكَ أُمَّتِي بِالْغَرَقِ فَأَعْطَانِيهَا وَسَأَلْتُهُ أَنْ لَا يَجْعَلَ بَأْسَهُمْ بَيْنَهُمْ فَمَنَعَنِيهَا
“I kërkova Zotit tim tri gjëra, dy m’i plotësoi, kurse një ma ndaloi. I kërkova që mos ta shkatërrojë ymetin tim në tërësi përmes skamjes ekstreme (thatësisë[7]), e Ai ma pranoi. I kërkova që mos ta shkatërrojë ymetin tim në tërësi me përmbytje, edhe këtë ma pranoi. I kërkova Zotit që ta kursejë ymetin tim prej të këqiave të njëri-tjetrit, e këtë ma ndaloi.” (Transmeton Muslimi)
Kështu që, nuk përjashtohet kriza e bereqetit apo përmbytjeve në ndonjë vend prej vendeve islame, por jo në gjithë botën islame. Dijetarët thonë se këto janë prej mrekullive që i janë dhënë Muhamedit a.s.[8]
4. Sëmundjet dhe epidemitë si mjet ndëshkimor
Pasi e kuptuam se ndëshkimi i Allahut ndaj njerëzve e shoqërive është legjitim në këtë botë, në vazhdim le të shohim ndëshkimin nëpërmjet sëmundjes si mjet. Natyrisht, që në fillim duhet ta themi me zë të lartë se çdo sëmundje nuk duhet ta trajtojmë si ndëshkim. Përkundrazi, Pejgamberi a.s. kur ka vizituar të sëmurit ka lënë të kuptohet se ajo mund të jetë pastrim tek Allahu, prej mëkateve të vogla.
Një sëmundje e njëjtë, potencialisht mund të jetë për dikë sprovë e për dikë mund të jetë ndëshkim. Këtë e di vetëm Allahu. Edhe në praktikën njerëzore një akt i njëjtë mund të ketë synime të ndryshme. Për shembull, nëse dikush i bie shuplakë jetimit me qëllim të edukimit ka shpërblim tek Allahu, e nëse i bie me qëllim të nënçmimit ka ndëshkim, ndërkohë që bëhet fjalë për të njëjtën shuplakë.
Porse, është e rëndësishme ta theksojmë faktin se Allahu e ka përdorur sëmundjen si mjet ndëshkimor për popujt e mëhershmë, njësoj siç i ka përdorur llojet e tjera të ndëshkimeve që i përmendëm më lartë. Kjo, ka ndodhur ndaj individëve, po dhe ndaj shoqërive. Për më shumë, Pejgamberi a.s., në hadithin e saktë të mëposhtëm, ka thënë se do të shfaqen epidemi në të ardhmen, si pasojë e të këqijave të tyre.
لم تظهَرِ الفاحشةُ في قومٍ قطُّ حتَّى يُعْلِنوا بها، إلَّا فشا فيهم الطَّاعونُ والأوجاعُ الَّتي لم تكُنْ مضَتْ في أسلافِهم الَّذين مَضَوا قبلَهم
“Nëse në një popull shpërfaqet imoraliteti (në variantët e tij) publikisht, atëherë në mesin e tyre do të përhapet murtaja dhe sëmundjet që nuk kanë qenë te popujt para tyre.”[9]
5. Ndëshkimi nëpërmjet sëmundjeve trupore
Në Kur’an dhe hadith gjejmë se Allahu e ka përdorur sëmundjen trupore për ndëshkim kolektiv. Kjo ka ndodhur, pikërisht me epideminë e murtajës që e pati përfshirë Faraonin dhe popullin e tij Beni Israilë. Ngjarjen e përmend Kur’ani në suren El-A’raf, 134.
Sipas komentatorëve të Kur’anit, Beni Israilët u goditën shumë rëndë, sa që nuk mund t’i varrosnin të vdekurit për shkak të numrit të madh. Numri i vdekjeve shkonte prej 20 mijë deri në 70 mijë njerëz brenda ditës.[10] I gjetur përballë kësaj katastrofe njerëzore, Faraoni u detyrua t’i kërkojë ndihmë armikut të vet, Musait a.s., në mënyrë që ky i fundit ta lutë Zotin për largimin e këtij ndëshkimi. Allahu ia hoqi këtë dënim, por u hakmorr ndaj tyre, duke i fundosur në det, sepse nuk e mbajtën fjalën për besim, pas largimit të dënimit.[11]
Me një rast, Pejgamberi a.s. kur u pyet për murtajën, tha:
عَنْ عَامِرِ بْنِ سَعْدِ بْنِ أَبِي وَقَّاصٍ ، عَنْ أَبِيهِ ، أَنَّهُ سَمِعَهُ يَسْأَلُ أُسَامَةَ بْنَ زَيْدٍ : مَاذَا سَمِعْتَ مِنْ رَسُولِ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ فِي الطَّاعُونِ ؟ فَقَالَ أُسَامَةُ : قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ : الطَّاعُونُ رِجْزٌ أَوْ عَذَابٌ أُرْسِلَ عَلَى بَنِي إِسْرَائِيلَ أَوْ عَلَى مَنْ كَانَ قَبْلَكُمْ ، فَإِذَا سَمِعْتُمْ بِهِ بِأَرْضٍ ، فَلَا تَقْدَمُوا عَلَيْهِ ، وَإِذَا وَقَعَ بِأَرْضٍ وَأَنْتُمْ بِهَا ، فَلَا تَخْرُجُوا فِرَارًا مِنْهُ
“Murtaja është një ndëshkim apo dënim që i është dërguar Beni Israilëve ose popujve të tjerë para tyre. Nëse dëgjoni se në një vend ka rënë murtaja, mos hyni aty, e nëse ka ra aty ku jeni, atëherë mos ikni prej aty.”[12]
6. Ndëshkimi nëpërmjet problemeve psiqike
Krijuesi i gjithësisë i ka ndëshkuar njerëzit edhe nëpërmjet çrregullimeve psiqike, siç pati ndodhur me personin e quajtur Samirij. Gjatë kohës sa Musai a.s. ishte në kodrën Turi Sina, duke e pranuar shpalljen prej Allahut, personi në fjalë e kishte ndërtuar një idhull në formë viçi me trup që pëlliste. Kur u kthye Musai a.s. dhe e gjeti popullin që i bënin adhurim viçit, e jo Zotit, u revoltua jashtëzakonisht shumë. Menjëherë e thirri vëllaun e tij, Harunin a.s. dhe e çortoi ashpër se përse nuk e kishte penguar këtë gjendje.
Pastaj e thirri edhe Samirijun, të cilin e urdhëroi që ta lëshojë vendin menjëherë, duke e sinjalizuar për ndëshkimin që e pret:
قَالَ فَاذْهَبْ فَإِنَّ لَكَ فِي الْحَيَاةِ أَن تَقُولَ لَا مِسَاسَ ۖ وَإِنَّ لَكَ مَوْعِدًا لَّن تُخْلَفَهُ
“Ai (Musai) tha: Prandaj, largohu sepse sa të jeshë gjallë ke për të thënë: (këdo që e sheh) “Mos m’u afro! E ty të pret edhe një moment (dënim) i pathyeshëm.” (Taha, 97).
Pas kësaj, Allahu e ndëshkoi Samiriun dhe ata që ishin me të, ashtu që nuk pranonte ta prekte dikë apo ta prekte dikush. U bë njeri vesves, këdo që e shihte i thoshte ‘mos m’u afro’. Bile thuhet se ‘vesvesja’ si problem psiqik, ka filluar prej tij dhe ka vazhduar deri sot. Populli Beni Israilë e bojkotuan, askush nuk i fliste, nuk përziheshin me të, nuk e afronin, andaj Samiriu pjesën e mbetur të jetës e kaloi në ambient të hapur bashkë me kafshët e egra.[13]
7. A është Covid-19 një ndëshkim prej Zotit?
Në rrafshin profesional, askush nga ne nuk ka të drejtë që të deklarojë me zotim, se një sëmundje konkrete, në këtë rast qoftë pandemia Covid-19 apo ndonjë tjetër, është saktësisht ndëshkim prej Zotit. Po ashtu, nuk kemi të drejtë edhe të themi se nuk është ndëshkim prej Zotit. Ne nuk e dijmë çfarë urtësie hyjnore fshihet pas këtyre fenomeneve që herë pas here trondisin botën. Të vërtetën e tyre e di vetëm Allahu fuqiplotë që i dërgon.
Një gjë të tillë, kanë mundur ta deklarojnë vetëm pejgamberët dhe atë me lajm prej Krijuesit, pra jo prej vetes së tyre. Në rastin e kundërt, çdo zotim i yni, nuk do të ishte tjetër, veçse paragjykim e spekulim në emër të Zotit, e Allahu na ka ndaluar një gjë të tillë. (shih:Kur’ani, El-Araf, 33, En-Nahl, 116).
Këtë praktikë e kanë ndjekur dijetarët islamë. Për shembull, për sëmundjen e murtajës që pati goditur Beni Israilët, e për të cilën ka dëshmuar Allahu në Kur’an dhe Pejgamberi a.s. në hadith se ka qenë ndëshkim prej Allahut, megjithatë sipas ylemave ky cilësim ka qenë specifikë vetëm për atë murtajë dhe popullin Beni Israilë, para Muhamedit a.s.[14] Pra, nuk mund ta përgjithësojmë për të gjitha sëmundjet, epidemitë apo murtajat si dhe për të gjithë popujt.
Ky parim vlen edhe për format e tjera të ndëshkimeve hyjnore, që janë përmendur në Kur’an, siç janë përmbytjet, tërmetet, furtunat e fuqishme, etj. Nëse e ndjekim logjikën e përgjithësimeve, atëherë çdo tërmet, përmbytje apo furtunë do ta cilësonim ndëshkim, e ky është absurd.
Natyrisht, ne mund të diskutojmë e të debatojmë për anët pozitive e negative të sëmundjeve, kjo përveçse është e lejuar është edhe e kërkuar. Po ashtu, nuk prish punë edhe nëse na shkon mendja se mos ndoshta është ndëshkim prej Zotit. Pra, çdo analizë e kësaj natyre është shumë normale, porse gabimi qëndron kur ato i ndërlidhim me zotim. Sepse, njeriut mund t’i duket e keqe diçka, por të jetë e mirë dhe e kundërta (El-Bekare, 216). Pejgamberi a.s. kur e ka vizituar të sëmurin ka thënë: “Inshallah është pastrim prej Zotit, nga mëkatet”, pra ka lënë të kuptohet se bartë dhe mirësi. Po ashtu, ka thënë se vdekja nga murtaja është shehidllëk për muslimanin, përsëri bëhet fjalë për gradë të lartë mirësie.
E vetmja gjë që mund ta themi saktësisht është se elementi i sëmundjes është përdorur si mjet ndëshkimor prej Allahut kundër zullumqarëve e kundërshtarëve të Tij. Ky është pragu besimor në këtë çështje. Ndërsa, në rastin konkret, Covid-19 a është apo nuk është ndëshkim, nuk është në kompetencën tonë për ta vendosur pikën e fundit.[15]
Fundja, njësoj si ne, edhe popujt e kaluar kanë pasur dilemat në kohën e tyre rreth një fatkeqësie natyrore apo tjetër, por kur erdhi Kur’ani e vërtetoi se çfarë qëllimi kanë pasur ato. E, meqë nuk do të ketë Kur’an tjetër, e as pejgamber tjetër, atëherë të vërtetën për epidemitë e fatkeqësitë natyrore, do ta mësojmë në Ditën e Kijametit.
Prandaj, sa herë që ndodhë ndonjë tronditje e rëndë gjithëpërfshirëse, siç është pandemia Covid-19, duhet të përmbahemi nga spekulimet e paragjykimet në raport me Zotin. Përtej të gjithave, duhet lexuar mbase si një ‘vërejtje’ prej Krijuesit për mbarë njerëzimin, për t’u përmirësuar drejt idealeve të qiellit. Ky ka qenë edhe mesazhi i përbashkët i dijetarëve islamë në simpoziumin fetaro-shkencor, të mbajtur në nëntor të vitit 1985, në Kairo.[16]
(Punim i botuar në Dituria Islame, nr.362, fq.20-23)
[1] Shih: El-A’raf, 136; El-Ankebut, 14; El-Hakkatu, 6; Fussilet, 16; Hud, 67; El-Ankebut, 40; El-Kasas, 81; En-Nahl, 112; El-A’raf, 112, 167; El-Bekaretu, 65; El-Maide, 60.
[2] Er-Rrazi, Mefatihu’l gajbi, et-tefsirul kebir, komentimi i ajetit El-Isra, 58.
[3] Shih dhe krahaso: Dr. Munkidh bin Mahmud Es-Sekkar, El-I’tibaru bi’l-mesari’il-umem, sipas: http://www.saaid.net/Doat/mongiz/10.htm, (data e citimit: 06.10.2014).
[4] Më gjerësisht për ‘istidraxhin’, shih: Orhan Bislimaj, Istidraxhi – mirësitë fatkeqe, punim i botuar në Takvim-2018, boton Bashkësia Islame e Kosovës, Prishtinë.
[5] Err-Rrazi (v. 606 h), Mefatihu’l gajbi – et-tefsiru’l kebir, komenti i ajetit El-Enbija, 107.
[6] Shih: Imam Taberiu (v.310 h), Xhamiul bejan fi tefsiri’l Kur’an; Imam Kurtubiu, El-Xhamiu Li ahkami’l Kur’an, komentimi i ajetit El-Enbija, 107. Po ashtu, shih: Dr. Munkidh bin Mahmud Es-Sekkar, El-I’tibaru bi’l-mesari’il-umem, po aty.
[7] Në hadith përmendet ‘bis-seneti’, që tekstualisht do të thotë ‘vit’. Por, për qëllim është vit i thatësisë, urisë e skamjes, siç ka ardhur edhe në Kur’an, El-A’raf, 130.
[8] Shih: Neveviu, Sherhu Sahihi’l-Muslim, Kitabul Fiten ve eshratus-saati, Daru’l-Marifeti, pa vit të botimit, Bejrut – Liban, vëll.18/223.
[9] Transmeton Ibën Maxhe, Bezzari, Bejhekiu dhe Hakimi nga Ibën Omeri r.a.
[10] Shih: El-Askalanij, Fet’hu’l-Bari Sherhu Sahihi’l-Buhari, botimi i parë, daru’s-selam, Rijad, 2000, vëll.10/225.
[11] Et-Taberij, Xhamiul bejan fi tefsiri’l kur’an, (verzioni elektronik), komentimi i ajetit: El-A’raf, 133-134.
[12] Neveviu, Sherhu Sahihi’l-Muslim, po aty, hadithi nr.5733.
[13] Shih: El-Kurtubij, El-Xhamiu liahkami’l kuran, komentimi i ajetit: Taha, 95-97. Krahaso: Dr. Munkidh bin Mahmud Es-Sekkar, po aty.
[14] Shih: Neveviu, Sherhu Sahihi’l-Muslim, po aty, Vëll.14/425; El-Askalanij, Fet’hu’l-Bari Sherhu Sahihi’l-Buhari, po aty, vëll.10, fq.237.
[15] Pandemia Covid-19 vazhdon të mbetet preokupim botëror edhe pse tashmë shkencëtarët kanë zbuluar disa vaksina për shërimin e parandalimin e infeksionit. Tani, më 27.01.2021, kur po e shkruajmë këtë punim, numri total i rasteve pozitive në Kosovë është 58.988 dhe 1.479 raste të vdekjes. Ndërsa, në nivel të botës janë 101.447.732 raste pozitive dhe 2.184.436 raste të vdekjes. Shih: Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), publikimi i të dhënave për datën 25.11.2020. Po ashtu, shih: https://www.trt.net.tr/shqip/covid19.
[16] Shih: “Livaul Islam” – Kajro (revistë fetare javore), nr – 200 – viti 1985, cituar nga: Sabri Bajgora, Kur’ani dhe Gjithësia, sipas: http://www.bajgora.com/kurani/gjithesia.html.