Dr. Orhan Bislimaj

Muhamedi a.s. nuk mund të nënçmohet nga askush!

 1. Hyrje

Armiqtë e fesë islame, gjithmonë janë kundër të dashurit të Zotit, Muhamedit a.s. Për të gjallë të tij, e etiketuan me lloj-lloj ofendimesh, e sulmuan fizikisht dhe e përzunë nga vendlindja. E, pas vdekjes shpifën çkamos, krijuan karikatura, filma, drama e deri te përjekjet për vjedhjen e trupit të tij të bekuar në Medinë. Por, u dështuan planet, kurse emri i tij, veçse është lartësuar shumë e më shumë.

Prandaj, përmes këtij shkrimi do të rikonfirmojmë se Pejgamberi a.s. nuk mund të nënçmohet nga askush dhe asnjëherë![1]

 

2. Problematika e karikaturave dhe thelbi i tyre

 

Karikaturat apo imazhet fyese ndaj Pejgamberi a.s., që u publikuan në gazetat ‘Charlie Hebdo’  dhe ‘Le Figaro’ në Francë, gjatë muajit tetor 2020, e më parë edhe në gazetën ‘Jyllands Posten’, në vitin 2005 në Danimarkë, nuk janë të rastësishme e as pa qëllim. Përkundrazi, në thelb të tyre, qëndron mllefi dhe urrejtja konsistente kundër vlerave islame në përgjithësi. Për këtë më së miri tregon vetë përmbajtja e tyre irituese. Çdo herë, personalitetin e Pejgamberit a.s. e ndërlidhin me veset amorale, dhunën, terrorizmin, të keqën e të shëmtuarën. Dhe, sikundër kësaj, asnjëherë nuk kanë bërë diçka pozitive e realiste nga personaliteti i tij, siç ka qenë në të vërtetë, e që e di e gjithë bota, nga e kaluara dhe e tashmja.

Ky mllef, në trajta e lloje të ndryshme, ka një përfytyrim historik. Rrënjët e tij, duhet kërkuar në antagonizmin e pakompromis në mes dy koncepteve ontologjike:

a) Konceptit qiellor, që e përfaqëson Pejgamberi a.s. dhe që e kanë përfaqësuar pejgamberët e mëparshëm si vëllezër të tij, në njërën anë; dhe

b) Konceptit tokësor, që e përfaqësojnë ateistët, laikët e urrejtësit e Pejgamberit kushdo qofshin ata, në anën tjetër.

Por, ç’e do që, në këtë garë, triumfin e Pejgamberit a.s. dhe fesë Islame mbi të gjitha fetë e tjera e ka garantuar i Madhi Zot: “Ai (Allahu) është që e dërgoi të dërgarin e Tij me udhëzim të drejtë e fe të vërtetë, e për ta bërë që të dominojë mbi të gjitha fetë, edhe pse e urrejtën idhujtarët.” (shih: Et-Tevbe, 33). Sot, në mënyrë masovike, pjesëtarë të feve të tjera, kalojnë në Islam, e që nuk ndodh me asnjë fe tjetër. Të mbërthyer në panikë e frikë, islamofobët bëjnë intriga e thurin kurthe, në mënyrë që sa do pak të bllokojnë zgjerimin e kulturës islame në shoqëri. Edhe sulmet e fyerjet ndaj Pejgamberit a.s., kanë filluar pas fillimit të shpalljes, e jo para saj, pra atëherë kur koncepti qiellor po i rrëmbente zemrat e njerëzve me shpejtësi. Edhe sot e gjithmonë, fyerjet shpërfaqin të njëjtën piskamë. Përndryshe, askush nuk merret me diçka që është e parëndësishme.

 

3. Përpjekjet për diskreditimin e idealeve islame

 

Në parim, në këtë diskurs duhet parë të gjitha ofendimet a fyerjet. Më së paku janë kundër Pejgamberit a.s., si qenie, pasiqë nuk është në jetë sa t’i përjetojë. Ato, janë kundër tij si koncept ideor, pra si figurë që përfaqëson idealet dhe platformën islame, në kuptimin fetar dhe kulturor.

Nuk është tabu të themi se shumë rryma filozofike, ideologjike e politike, në nivel të Evropës e botës perëndimore, përfshirë edhe vetë sekularizmin, në thelb të tyre e kanë luftën kundër fesë e fetarisë. Ideja është ta mbajnë nën kontrollë të rreptë, çdo gjë fetare. Në pamundësi për ta kontrolluar shtrirjen enorme kulturore të Islamit, ta zëmë siç kanë bërë me fetë e tjera, ata me tërë potencialin e tyre janë fokusuar në diskreditimin e vlerave islame dhe abstrahimin e tyre në masë sa më të madhe. Prandaj, edhe dëgjojmë deklarata raciste, shoviniste e islamofobe, që e paraqesin kulturën islame si diçka primitive, të errët, të pavlerë, kundërnjerëzore, e çkamos tjetër.

Në kuadër të kësaj strategjie, armiqtë kanë ndërmarrë dhe vazhdojnë të ndërmarrin projekte konkrete (shih:Tevbe, 32-33). Kjo vërehet në fushën e politikës, artit, kulturës, arsimit, etj. Gjithmonë i sponzorizojnë ato projekte që dihet haptazi se kanë kontrast të thellë me idealet islame. Besojnë se kështu mund t’i arrijnë qëllimet, duke ua zëvendësuar qytetarëve vlerat islame me vese negative.

Apo, në politikë i japin pozita të larta atyre që deklarohen e identifikohen publikisht si antiislamist e ateistë. Në anën tjetër, e bllokojnë çdonjërin që identifikohet si teistë e me vlera islame, duke i pamundësuar pozita të larta. Gjithashtu, në kulturë e arsim, i poshtërojnë vlerat islame, i përgënjeshtrojnë ato, ndërsa i glorifikojnë kulturat e tjera, që njihen si kontraste të saj.

Kjo është e vërteta e kësaj zallamahie me dy fjalë. Do të ishte naivitet të besojmë se po  ndodhin aksidentalisht. Fundja, ky është misioni i tyre. Allahu ka lajmëruar se ata bëjnë kurthe, veçse edhe Allahu bën kurthe kundër tyre (shih: El-Enfal, 30). Prandaj, këto intriga nuk duhet marrë me pezm e zhgënjim. Përkundrazi, ato tregojnë për dëshpërimin e tyre. Pejgamberi a.s., suksesin më të madh e ka shënuar pikërishtin në kulmin e sulmeve më të ashpëra kundër tij. Këtë fushatë, myslimanët duhet ta përkthejnë në motiv, rizgjim, unitet, paqe e punë për të mirën e njerëzimit.

 

4. Historiku i fyerjeve ndaj Pejgamberit a.s.

 

Domethënë, fyerjet ndaj Pejgamberit a.s., nuk janë tjetër, përveç se tinguj të kësaj melodie të hidhur antiislame. Fundja, kjo nuk është befasi apo risi e këtij ymeti. Kështu kishte qenë edhe te ymetet e pejgamberët e mëparshëm. Allahu i ka treguar Muhamedit a.s., se fatin e ofendimeve, përqeshjeve, linçimeve e abuzimeve e ka pasur secili pejgamber:

وَلَقَدِ اسْتُهْزِئَ بِرُسُلٍ مِّن قَبْلِكَ فَحَاقَ بِالَّذِينَ سَخِرُوا مِنْهُم مَّا كَانُوا بِهِ يَسْتَهْزِئُونَ ﴿١٠

Edhe të dërguarit të tjerë para teje janë përqeshur, e ata që u tallën pësuan (dënim) për shkak se talleshin.” (El-En’am, 10).

 

4.1. Fyerjet dhe sulmet në të gjallë të tij

 

Fyerjet dhe sulmet më të rënda, Pejgamberi a.s. i ka përjetuar sa ishte i gjallë. Dijetarët islame i kategorizojnë në dy grupe:

a) Sulmet psiqike (الإيذاء المعنوي), ku bëjnë pjesë të gjitha fyerjet verbale ndaj tij, pra që nuk kanë karakter fizik. E etiketuan, si poet, i çmendur, rrenacak, i sëmurë psiqik, magjistar, e çkamos tjetër.

E quajtën ‘ebter’, që ishte prej ofendimeve më nënçmuese. Me këtë fjalë, arabët e quanin  dikë që nuk i rrojnë djemtë, në kuptimin se nuk i përtrihet emri dhe i fikët dera. Asokohe, Pejgamberit a.s. i pati vdekur Abdullahi, Kasimi dhe Ibrahimi. Por, Allahu emrin e tij e lartësoi dhe e përtriri pakrahasueshëm, duke e vendosur në ‘shehadet’ e ‘ezan’, ndërsa shtëpia e tij në Medinë, aty ku është varri i tij i bekuar, vizitohet ditën e natën, nga e gjithë bota.

Sakaq, Pejgamberit ia fyen edhe fenë dhe Kur’anin. Këto ofendime, Pejgamberit I shkaktuan mërzi. (shih:El-Hixhr, 97). Por, I Madhi Zot, i ofroi ngushëllim e përkrahje, duke i thënë: “S’ka dyshim se Ne të mjaftojmë ty kundër atyre që tallen.” (El-Hixhr, 95)

b) Sulmet fizike (الإيذاء الجسدي). Pejgamberi a.s. përjetoi edhe sulme fizike. Historiografët citojnë disa prej këtyre torturave, duke filluar prej atyre të gruasë së Ebu Lehebit, pastaj përbuzja e gjakosja në Taif, përndjkejet për mbytjen e tij gjatë shpërnguljes (hixhretit), e deri te lufta e hendekut në Medinë, si kulminacion i sulmeve. Ibn Amër bin As, tregon:

عُرْوَةُ بْنُ الزُّبَيْرِ ، قَالَ : سَأَلْتُ ابْنَ عَمْرِو بْنِ العَاصِ : أَخْبِرْنِي بِأَشَدِّ شَيْءٍ صَنَعَهُ المُشْرِكُونَ بِالنَّبِيِّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ ، قَالَ : بَيْنَا النَّبِيُّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ يُصَلِّي فِي حِجْرِ الكَعْبَةِ ، إِذْ أَقْبَلَ عُقْبَةُ بْنُ أَبِي مُعَيْطٍ ، فَوَضَعَ ثَوْبَهُ فِي عُنُقِهِ ، فَخَنَقَهُ خَنْقًا شَدِيدًا فَأَقْبَلَ أَبُو بَكْرٍ حَتَّى أَخَذَ بِمَنْكِبِهِ ، وَدَفَعَهُ عَنِ النَّبِيِّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ ، قَالَ :  أَتَقْتُلُونَ رَجُلًا أَنْ يَقُولَ رَبِّيَ اللَّهُ

“Pejgamberi a.s., gjersa ka qenë duke u falur në Qabe, erdhi Ukbete bin Ebi Muajt dhe ia çiti një lak në qafë, me të cilin e shtrëgoi jashtëzakonisht shumë sa gati e mbyti. Me atë rast ka ndërhyrë Ebu Bekri, i cili e kapi për krahu dhe e largoi nga Pejgamberi a.s.. Fjala e Ebu Bekrit ka ardhur në Kur’an: A po doni ta mbytni një njeri, veç pse thotë Zoti im është Allahu!?” (Gafir, 28).[2]

Për këtë rast, Allahu ka zbritur ajetet, El-Furkan, 27-29, që tegojnë se sulmuesi i Pejgamberit, do të përjetojë dënim të ashpër në ditën e Gjykimit. Sulme të ngjashme ka pasur shumë.

 

4.2. Përpjekja për vjedhjen e trupit të Pejgamberit a.s., në varr

 

Një armiqësi e pazakonshme ka qenë përpjekja për vjedhjen e trupit të Pejgamberit a.s., nga varri i tij në Medinën e ndritshme, gati gjashtë shekuj pas vdekjes. Siç dihet, trupi i Pejgamberit është i pa prishur në varr dhe kjo ka mbështetje në hadithin e vërtetë, ku ai thotë:

إِنَّ مِنْ أَفْضَلِ أَيَّامِكُمْ يَوْمَ الْجُمُعَةِ فِيهِ خُلِقَ آدَمُ وَفِيهِ قُبِضَ وَفِيهِ النَّفْخَةُ وَفِيهِ الصَّعْقَةُ فَأَكْثِرُوا عَلَيَّ مِنْ الصَّلَاةِ فِيهِ فَإِنَّ صَلَاتَكُمْ مَعْرُوضَةٌ عَلَيَّ قَالَ قَالُوا يَا رَسُولَ اللَّهِ وَكَيْفَ تُعْرَضُ صَلَاتُنَا عَلَيْكَ وَقَدْ أَرِمْتَ يَقُولُونَ بَلِيتَ فَقَالَ إِنَّ اللَّهَ عَزَّ وَجَلَّ حَرَّمَ عَلَى الْأَرْضِ أَجْسَادَ الْأَنْبِيَاءِ

Prej ditëve tuaja më të mira është dita e xhuma, sepse në këtë ditë është krijuar Ademi, në këtë ditë ai ka ndërruar jetë dhe në këtë ditë do t’i fryhet surit / borisë, për të ndodhur Kijameti e ringjallja. Andaj, në ditën e xhuma, dërgoni sa më shumë salavate për mua, sepse ato më shfaqen. Shokët e tij, thanë: O i Dërguari i Allahut, si do të shfaqen ty salavatet tona, gjersa ti do të jesh i vdekur e trupi yt do të bëhet pluhur!? Pejgamberi a.s. tha: Allahu i Madhëruar ia ka ndaluar tokës që t’i tretë trupat e pejgamberëve!”[3]

Armiqtë, duke e ditur këtë gjë, tentuan që ta vjedhin trupin e bekuar të Pejgamberit a.s. në varr. Kjo ka ndodhur në vitin 557 h., nga të krishterët e Evropës përmes dy personave marokienë që u kamufluan si muslimanë të devotshëm.

Por, ç’e do që Allahu e zbuloi skenarin e tyre, përmes ëndrrës që e pa mbreti Nurud-din Muhamed Zenki, në Egjipt, që njihej për drejtësinë e devotshmërinë e tij të madhe. Ai, falte shumë namaz nafile. Një natë, pasi fali namaz nate, e pa në ëndërr Pejgamberin a.s., që bënte me gisht në drejtim të dy personave të bardhë flokëverdhë (رجلين أشْقَرَيْن) dhe kërkoi ndihmë: ‘Më shpëto nga këta dy persona!’

Mbreti u ngrit i trishtuar, fali dy rekate namaz dhe ra në gjum. Përsëri e pa të njëjtën ëndërr. E, kur i ndodhi edhe për herën e tretë, atëherë u ngrit e tha nuk ka hapësirë për gjum. Menjëherë e informoi ministrin e tij, Xhemaludin El-Musili dhe bashkë me 20 shoqëruesë të tjerë, natën u nisën për Medine. Me vete morën shumë pasuri e dhurata, për t’ua shpërndarë medinasve si sadakë.

Në Medinë, mbreti kërkoi që të tubohen të gjithë në shesh, i madh e i vogël, për t’ua dhuruar nga një sadaka. Qëllimi i tij ishte t’i gjejë personat, që i dëftoi Pejgamberi a.s. në ëndërr. Pasiqë nuk i gjeti, mbreti, paksa i shqetësuar, i pyeti se a ka mbetur edhe dikush tjetër pa marrë dhurata? Ata thanë jo. Mbreti, përsër insistoi, shikoni mirë mos është edhe dikush. Atëherë, thanë se janë edhe dy marokienë, por ata janë shumë të pasur, nuk kanë nevojë për asgjë, janë burra të devotshëm, banojnë pranë xhamisë së Pejgamberit a.s. Kjo e gëzoi mbretin pa masë, me shpresë se këta dy persona duhet të jenë ata, për të cilët Pejgamberi a.s. i tha në ëndërr më shpëto prej tyre. Kur i takoi, u bind se i kanë karakteristikat e njëjta.

Mbreti, me vrapë shkoi te vendi ku banonin fare afër varrit të Pejgamberit a.s. dhe gjeti se ata kishin hapur një tunelë nën tokë, nga banesa e tyre dhe gati kishin mbërri te varri i Pejgamberit a.s. Dheun e gërmuar, për çdo ditë e hidhnin në varrezat ‘el-beki’, me kamuflimin se kinse po i bëjnë vizitë varrezave. Dy personat, e pranuan fajësinë për skenarin e vjedhjes dhe treguan se janë të krishterë. Për shkak të këtij krimi në tentativë, mbreti dha udhër për likudimin e tyre. Po ashtu, urdhëroi rrethimin e varrit të Pejgamberit me plumb, duke e siguruar nga çdo mundësi eventuale për vjedhjen apo dëmtimin e tij në të ardhmen. Këtë ngjarje e citojnë shumë historiografë të jetës së Pejgamberit a.s., përfshirë dy më të njohurit, Ibën Ethiri dhe Ibn Halikani.[4]

 

4.3. Fyerjet në kohën e Abdylhamidit

 

Përpjekje për fyerje pati gjithmonë. Në vitin 1890, Henri de Bornier, nga Franca, kishte filluar që ta shfaqë në skenë dramën me emrin “Muhammed”. Madje një aktor brenda saj, lunate rolin me emrin e Muhamedit a.s. dhe kishte si synim abuzimin me profetin. Sulltan Abdulhamidi kur mori vesh, u shqetësua shumë. Menjëherë I shkroi ambasadorit francez në Stamboll, z. Kont Montebella e përmes tij edhe presidentit të Francës, z. Sadi Carnot, që ta ndalojnë, në të kundërtën do të ndërpriste marrëdhëniet diplomatike osmane-franceze. Autoritetet franceze e ndaluan shfaqjen, jo vetëm në teatrin e njohur francez Comedie–Francaise, por në të gjithë Francën.[5]

Ndërkohë, i njëjti u përpoq që ta shfaq në Angli, në teatrin ‘Lyceum Kraliyet Theatree’, me idenë se atje nuk do të kishte mundësi për pengim. Por, Andulhamidi përmes ministrit të Jashtëm të Anglisë, Lord Salisbury, e ndaloi në të gjithë Anglinë. Bornier, pas tri vitesh bëri përpjekje nëpërmjet një teatri tjetër të Londrës, por përsëri dështoi. [6]

Po ashtu, Abdulhamiti, në vitin 1893, përmes ambasadorit Alexander W.Terrell dhe me ndërhyrjen e Presidentit të SHBA-së, z. Cleveland, kishte arritur ta anulojë shfaqjen komprimentuese, që ishte planifikuar të shfaqej në SHBA.[7]

 

4.4. Fyerjet në kohën e fundit

 

Fyerjet vazhduan edhe në ditët tona. Prej tyre që bën bujë më të madhe janë edhe këto:

1) ‘Miss world’. Në vitin 2002, organizatorët e ‘Miss world’, organizuan mbajtjen e garës së bukurisë, në Nigeri. Kundër këtij vendimi reaguan myslimanët nigerianë, me arsyen se bastardon moralin femëror. Për shkak të protestave, organizatorët e transferuan në Londër, në të njëjtën datë, pra më 07 dhjetor 2002. Mirëpo, gazetarja Isioma Daniel (lind 1981), nga Nigeria, e shtyrë nga pezmi, shkroi një artikull, ku besonte se edhe profeti do të ishte I pajtimit me ato femra dhe tha: “Myslimanët menduan se ishte e pamoralshme të sillnin 92 gra në Nigeri dhe t’u kërkonin atyre të kënaqeshin kot. Çfarë do të mendonte Muhamedi? Me gjithë sinqeritet, ai ndoshta do të kishte zgjedhur një grua nga njëra prej tyre.” Ky shkrim, që u botua në në gazetën ‘This Day’ më datë 16 nëntor 2002, provokoi gjendje dhe shkaktoi trazira të dhunshme fetare që filluan më 22 nëntor 2002 dhe lanë më shumë se 200 të vdekur, rreth 1000 të plagosur, si dhe rreth 11,000 njerëz u bënë të pastrehë. Protestuesit dogjën zyrën e gazetës në Kaduna. E një gjykatë islame në Zamfara, shtet në Nigerinë veriperëndimore, lëshoi fetva dhe e dënoi me vdekje gazetarën në fjalë, por kjo u refuzua nga Sekretariati i Përgjithshëm i Këshillit Suprem të Nigerisë për Çështjet Islame.[8]

2) ‘Jyllands Posten’. Në Danimarkë, në shtator të vitit 2005, gazeta ‘Jyllands Posten’ publikoi 12 karikatura që tallnin profetin Muhamed. Kjo shkaktoi trazira, që vazhduan për një kohë të gjatë në Danimarkë dhe në disa vende në botën islame. Në Maiduguri, Nigeri, më 18 shkurt 2006, nga trazirat mbetën të vdekur të paktën 15 njerëz dhe u shkatërruan disa kisha. E njëjta gazetë, i ka përsëritur edhe në vitin 2008, si dhe 16 gazeta të tjera, në vende të ndryshme të Evropës, në shenjë solidarizimi.[9]

3) ‘Charlie Hebdo’. Në ndërkohë, revista satirike franceze javore ‘Charlie Hebdo’, më 9 shkurt 2006, i publikoi në faqet e saj karikaturat e publikuara më parë nga ‘Jyllands Posten’, duke shtuar edhe disa të tjera. Njësoj veproi edhe në vitin 2011. Po ashtu, edhe në shtator të vitit 2012, botoi karikatura të turpshme për Profetin, e të cilat i ripublikoi në shtator të vitit 2020. Këto  trazuan emocionet e muslimanëve dhe shkaktuan trazira të ashpëra në Francë. Miliona njerzë protestuan në rrugë. Më 7 janar 2015, njerzë të mllefosur hynë në zyrta e gazetës dhe lanë të vrarë 12 persona.[10] Ndërsa, së fundmi, më 16 tetor 2020, para një shkolle të mesme të ulët, në një qytet afër Parisit, një nxënës e vrau me thikë mësuesin e historisë, pasiqë ky i fundit për të njëjtat qëllime i kishte trajtuar në orën mësimore, karikaturat e njëjta.

4) Azem Deliu dhe Qëndrim Gashi. Fatkeqësisht edhe në Kosovë, ka pasur provokime aty-këtu. Rasti i parë ka të bëjë me Azem Deliun nga Drenica e Kosovës, një poet i ri. Ai, në shkurt të vitit 2017, gaboi kur martesave të Pejgamberit a.s. me disa gra, sidomos martesën me Aishen, i dha karakter epshor e seksual. Kundër tij, pati reagime të ashpëra. Reagoi edhe imami nga drenica, Bedri Syla përmes një letre publike, të cilit iu përgjigj Azem Deliu. Deklarimet e poetit, u bën shkak për një sulm kundër tij, më datë 23.02.2017.[11] Ndërsa, rasti i dytë, ka të bëjë me Qëndrim R. Gashin, ambasador i Kosovës në Francë, i cili, më datë 19 tetor 2020, shpërndau në llogarinë e tij në ‘twitter’, një artikull të gazetës ‘Le Figaro’, me karikaturat irituese për profetin Muhamed a.s. Kjo ngjalli shumë reagime të shumta në Kosovë. Në të njëjtën ditë reagoi edhe Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës, e cila kërkoi nga institucionet e shtetit distancim nga qëndrimet e tij.[12] Përkundër reagimeve masive, institucionet e Kosovës nuk dhanë asnjë shpjegim apo sqarim.

 

5. Muhamedi a.s. nuk mund të nënçmohet nga askush!

 

Historia ka treguar se Pejgamberi a.s., përfundimisht nuk mund të nënçmohet nga askush. Nuk ka fuqi në këtë botë që mund ta mposhtë atë. Nuk do të ketë as në të ardhmen e asnjëherë tjetër. Përkundrazi, kushdo që ia mësynë atij, e poshtëron vetveten, e Pejgamberi a.s. veçse lartësohet. Kjo është një garanci prej Allahut të Plotëfuqishëm, I Cili i krijoi të gjitha rrethanat, duke filluar nga delegimi i tij, përgatitja e personalitetit të tij, lartësimi i famës e deri te realiteti i Islamit në shoqëri, si provë faktike deri në Kijamet.

 

5.1. Përfaqësues dhe i deleguar i Allahut në tokë

 

Arsyeja kryesore, përse Pejgamberi a.s. pati sukses në misionin e tij ose përse nuk mund të nënçmohet nga askush, buron nga vetë Krijuesi i gjithësisë. Bëhet fjalë për një autoritet që ishte përfaqësues dhe i deleguar i Allahut. Ai, nuk veproi kokë më vete, sepse pejgamberia nuk është diçka që arrihet si pretendim i njeriut, por këtë detyrë ia dha Krijuesi. Myslimanët e kanë të qartë, e për jo myslimanët argument kryesor është Kur’ani i Madhërishëm. Ata e dijnë fort mirë, se faktori njeri, nuk mund ta prodhojë një të tillë, madje as edhe një faqe të tij, e madje as një rresht.

E, Ai, pra Allahu, që e ngarkoi me këtë barrë të rëndë, që dihej se do të jetë shkak për sulme ndaj tij, i premtoi përkrahje të plotë dhe i garantoi mbrojtje direkte prej njerëzve:

“O ti i Dërguar! Komunikoje atë që t’u zbrit prej Zotit tënd, e nëse nuk bën (kumtimin në tërësi), atëherë nuk e ke kryer detyrën (revelatën-risalen). Allahu të garanton mbrojtjen prej njerëzve (prej armiqve). All-llahu nuk vë në rrugë të drejtë popullin që mohon.” (El-Maide, 67).

Pejgamberi a.s., tregon se para zbritjes së këtij ajeti, jam frikësuar shumë prej hebrenjëve, të krishterëve e kurejshitëve idhujtarë, por pas kësaj garancie prej Zotit, më është larguar frika në tërësi. Bile, tefsirologët sjellin edhe rastin konkret kur një idhujtar nuk ka mundur ta sulmojë me shpatën e tij, edhe pse e kishte një mundësi të tillë.[13]

Përveç atyre fizike, Allahu i ofroi mbështetje edhe kundër talljeve e nënçmimeve për të cilat dëshmoi se i shkaktonin shumë mërzi. Me ajetin në vijim, Krijuesi e qetësoi shpirtin e tij, kur i tha: “S’ka dyshim se Ne të mjaftojmë ty kundër atyre që tallen.” (Hixhr, 95)

Falë kësaj përkrahje e mbështetje, Pejgamberi a.s. triumfoi kundrejt armiqëve të fuqishëm, përndryshe ai nuk do të mund të bënte asgjë. Në fakt, triumfoi Allahu i Madhërishëm. Do të ishte absurd të mendohej ndryshe. Për shembull, Allahu tregon se si fitoi në luftën e Bedrit: “Ju nuk i mbytët (në të vërtetë) ata, por All-llahu (me ndihmën që ua dha) i mbyti ata, dhe ti nuk i gjuajte ata, por All-llahu (të ndihmoi) i gjuajti, e (bëri këtë) për t’i shpërblyer besimtarët me një dhunti të mirë nga ana e Tij. All-llahu gjithçka dëgjon dhe di.” (El-Enfal, 78).

Prandaj, kushdo që ka tentuar për të sfiduar, ai ka humbur. Sespe, në njëfarë aspekti ka hyrë në luftë me Allahun, e në këtë luftë dihet fituesi dhe humbësi. Njësoj ndodhë edhe në praktikën njerëzore. Për shembull, cenimi i jetës së ambasadorit, cilësohet si shpallje e luftës ndaj shtetit përkatës. E, Allahut i takon shembulli më i lartë dhe nuk mund të krahasohet me realitetin e brishtë njerëzor.

 

5.2. I përgatitur prej Allahut për pejgamber

 

Kjo pikë është shumë domethënëse. Muhamedi a.s., sikur të mos ishte adekuat për pejgamber, ai do ta komprimentohej vetë, në radhë të parë, e pastaj edhe misionin islam që e përfaqësonte. Por, pikërisht personaliteti i tij është dëshmi po aq madhore, që rikonfirmon se ai nuk mund të nënçmohet. Lindi e ndërroi jetë, pa asnjë njollë në personalitetin e tij. Ishte figurë e pastër, i menqur, i moralshëm, i sinqertë, i drejtë, besnikë, i butë, zemërmirë, i përgjegjshëm, këmbëngulës, i qëndrueshëm, i durueshëm, i njerëzishëm, i respektueshëm, i guximshëm, etj. Në anën tjetër, nuk e kishte asnjë ves të vetëm. Po ashtu, vinte prej një familje të mirë dhe autoritative, që kujdesej për Qabenë. Gëzonte besueshmëri absolute tek të gjithë njerëzit përreth. Kishte karakter të fuqishëm. Kurrë nuk adhuroi ndonjë idhull. Për këto karakteristika, edhe armiqtë më të mëdhenjë, ia kanë pasur lakmi.

Prandaj, kur Allahu tha në Kur’an, se Ai e di kujt t’ia dërgojë shpalljen (shih:El-En’am, 124), do të thotë se nuk ia dërgoi pejgamberinë Muhamedit a.s., rastësisht apo gabimisht. Përkundrazi, ia dërgoi, sepse e kishte përgatitur paraprakisht me të gjitha aftësitë e nevojshme: fizike, mendore e emocionale.

Do të ishte shumë anakronike sikur të mendohej ndryshe. Sot, një detyrë të thjeshtë kur ia ngarkojmë dikujt, ani ia kërkojmë disa parakushte, duke filluar prej aftësive fizike, përgatitjes intelektuale, pastërtisë së personalitetit e deri te gjeneza familjare. E, pejgamberia është e pakrahasueshme.

Sikur ta kishte vetëm një ligësi, armiqtë do të trillonin edhe njëqindë të tjera. Jo, i Dërguari i Allahut ishte shembull gjatë gjithë jetës së tij, me fjalët, sjelljet e veprat. Krijuesi i gjithësisë, u betua në jetën e Pejgamberit duke e vlerësuar lartë (shih: El-Hixher, 72). E, Allahu nuk betohet, veçse në diçka që është vlerë e pastër.

 

5.3. Emri i tij pranë emrit të Zotit

 

Krijuesi i gjithësisë, vetë e ka thënë në Kur’an se Ai dhe engjujt e Tij, e lartësojnë Pejgamberin a.s. Për më tepër, kjo ka ardhur në kohën e tashme të vazhdueshme. Domethënë, këtë lartësim e bëjnë në vazhdimësi dhe të njëjtën e ka kërkuar prej njerëzve besimtarë (shih: El-Ahazab, 56).

Kur Allahu e lartëson dikë, nuk ka kush që mund ta ultësojë apo nënçmojë. Dhe, ky lartësim ka përmbajtjen e tij unikate dhe ka ndodhur në dy mënyra:

1) Duke e mbëltuar dashurinë e sinqertë në zemrat e besimtarëve, sa që nuk mbahet mend ndonjë rast tjetër prej fillimit të shoqërisë njerëzore, që ka gëzuar dashuri më të madhe ndër njerzë. Përtej shkaqeve relative e të përkatësisë fetare, kjo dashuri është një mbjellje prej Krijuesit në zemrat e njerëzve. Sepse, edhe jobesimtarët, përfshirë priftërinjë e kardinalë, sapo e lexojnë biografinë e tij, përfundojnë në përqafim të tij. Bile, për ironi, një gjë e tillë ndodhë sa herë që fyhet Pejgamberi; dhe

2) Duke ngritur emrin e tij, pranë emrit të Allahut. I Madhi Zot, aq shumë e nderoi sa që emrin e tij e vendosi pranë emrit të Vet. Këtë më së miri e ka përmbledhur në poemën e tij, Hasan bin Thabit:

أَغَرُّ عليه للنبوّة خاتَمٌ    –    من الله مشهود يَلُوحُ ويُشْهَدُ

وضَمَّ الإلٰهُ اِسمَ النبيِّ إلى اِسمهِ     –     إذا قال في الخمس المؤذنُ أَشْهدُ

1) Absolutisht, ishte meritor për të qenë vulë e pejgamberisë;

2) Allahu e bëri atë të dëshmueshëm, ashtu siç ndodh vazhdimisht;

3) Emrin e Pejgamberit, Allahu e lartësoi pranë emrit të Vet;

4) Gjersa Muezini i xhamisë pesë herë në ditë thotë esh’hed.”[14]

 

5.4. I sublimuar në tokë përmes myslimanëve si faktor

 

Vetë ekzistimi i myslimanëve, gjithandej botës, përbën provën kryesore se ky Pejgamber nuk mund të nënçmohet. Fundja, kjo është instancë e Allahut në tokë. Kur, idhujtari As bin Vail, me përbuzje e quajti Muhamedin a.s. ‘ebter’ (farësosur), mbase mendoi se do t’i shuhet emri pas vdekjes. Por, Allahu i dha kundërpërgjigje në Kur’an (shih: El-Kevther), se emri i Muhamedit do të nderohet gjithmonë, edhe pas vdekjes dhe kështu ndodhi.

E, ata që e përmendin janë pikërisht myslimanët. Pa ekzistimin e tyre, nuk do të ndodhte ky lartësim i përjetshëm. Në këtë kontekst duhet kuptuar edhe ajetin, ku Allahu i tha Pejgamberit a.s.: “Dhe Ne, ta ngritëm lartë famën tënde?” (El-Inshirah, 4). Pra, ia ngriti famën, nëpërmjet myslimanëve, që e duan Pejgamberin më shumë se prindërit, fëmijët, vëllezërit, motrat, bashkëshortet apo bashkëshortët. Shembëlltyra e tij është në epiqendër të sjelljeve dhe botëkuptimeve të tyre.

Kjo e bën personalitetin e Pejgamberit a.s., të pavdekshëm ose më mirë të themi të gjallë e funksional në realitetin shoqëror. Çdo tendencë për ta fyer, praktikisht është utopike. Nuk ka një moment, e që nuk është duke u përmendur emri i tij, në një mënyrë apo tjetër. Përmendet në ezan, ikamet, namaz, në minber ditën e xhuma, në Fitër Bajram, Kurban Bajram, gjatë haxhit, gjatë kurorizimit. Emri i tij është ligjësuar edhe në deklaratën islame, gjersa pa e përmendur atë, nuk ka hyrje në islam.[15]

Sot, emri më i përhapur në botë është emri Muhamed në variantët e tij. Mbi 150 milionë njerzë e bartin këtë emër, e që është absolutisht i pakrahasueshëm me ndonjë tjetër gjatë historisë.[16] Në fakt, emri i tij është qëndisur në gjithësi, ashtu që melekët e lartësojnë në qiell kurse besimtarët në tokë.

Prandaj, nuk ka fuqi tokësore që mund ta nënçmojë atë. E kemi vërejtur të gjithë, sa herë, që abuzohet me emrin e tij, e gjitha bota reagon njëzëri, ndërsa njerzë pa fund janë në gjendje të flijojnë jetën për ta mbrojtur dinjitetin e tij. Ky është Muhamedi a.s.!

 

6. Përfundim

 

Në bazë të asaj që u tha më lartë, mund të përfundojmë si në vijim:

1) Armiqtë e fesë islame, për gjatë historisë kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për evitimin, bllokimin ose abstrahimin e saj në shoqëri. Antagonizmi në mes të konceptit qiellor dhe atij tokësor do të vazhdojë edhe në të ardhmen;

2) Fyerjet ndaj Pejgamberit a.s., nuk janë të rastësishme. Përveç mllefit, ato kanë për qëllim diskreditimin e kulturës islame dhe abuzmin e myslimanëve;

3) Allahu ka garantuar se Muhamedi a.s. nuk mund të nënçmohet nga askush. Kjo përfshinë periudhën para pejgamberisë, pas saj dhe pas vdekjes. Emri i tij është i lartësuar në qiell nga përmendja e melekëve dhe në tokë nga përmendja e besimtarëve;

4) Karikaturat apo çdo fyerje tjetër, duhet përkthyer në vetëdijësim dhe rizgjim. Duke i vendosur në një kornizë ndërveprimi, myslimanët nga mbarë bota islame, duhet ndërmarrë inciativa, ligjëratë, tribuna dhe aktivitete të tjera, që e lartësojnë figurën e Pejgamberit a.s.

5) Çdo subjekt që fyen Pejgamberin a.s., muslimanët duhet t’i kundërvihen fuqishëm njëzëri, në mënyrë të kulturuar, pa përdorim të dhunës. Po ashtu, duhet shfrytëzuar të gjitha format e lejuara për manifestimin e pakënaqësisë, duke filluar nga reagimet individuale, shoqërore, institucionale e deri te përndjekja nëpër gjykatat kompetente.

Allahum-me sal-li ala Muhamedin ve ala ali Muhamed!

(Punim i botuar në revistën ‘Edukata islame’, nr.123, fq.127-143)



[1] Mjerisht, gjatë muajit tetor 2020, këtyre përpjekjeve fatkeqe, iu bashkëngjit edhe Qëndrim Gashi, ambasador i Kosovës në Francë.

[2] Transmeton Buhariu.

[3] Transmeton Ahmedi, Ebu Davudi, Nesaiu dhe Ibni Maxheh, me transmetim nga Evs bin Evs. Hadithi është sahih (i saktë). Vërtetojnë Ibni Huzejme, Ibni Hibban, Hakimi, si dhe Albani.

[4] Shih: Islamweb, Fetva nr.51298, (verzioni elektronik), data e publikimit 20.07.2004, sipas: https://www.islamweb.net/ar/fatwa/51298/ 

[5] Shih: Mustafa Armağan, Qëndrimi i sulltan Abdylhamidit ndaj ofendimeve të Pejgamberit a.s., (verzioni elektronik), sipas: http://www.mustafaarmagan.com.tr/genel/qendrimi-sulltan-abdylhamidit-ndaj-ofendimeve-te-pejgamberit-a-s/, data e botimit, 26.09.2012.

[6] Shih: Mustafa Armağan, po aty.

[7] Shih: Mustafa Armağan, po aty.

[8] Shih: Enciklopedinë e lirë, sipas: https://en.wikipedia.org/wiki/Isioma_Daniel; Po ashtu, shih: https://en.wikipedia.org/wiki/Miss_World#

[9] Shih: https://en.wikipedia.org/wiki/Jyllands-Posten#Muhammad_cartoons

[10] Shih: https://en.wikipedia.org/wiki/Charlie_Hebdo#Muhammad_cartoons_and_aftermath

[11] Shih: https://www.drenicapress.info/kjo-ishte-keshilla-e-hoxhes-nga-skenderaj-per-azem-deliun-por-ja-si-ja-kthen-ai/; https://zeri.info/kronika/132305/rrihet-poeti-nga-drenica-pas-debatit-per-profetin-muhamed/, data e publikimit, 23.02.2017.

[12] Shih: https://www.zeriamerikes.com/a/kosovo-islamic-community/5627136.html

[13] Shih:Er-Rrazi, Mefatihu’l gajbi; El-Kurtubij, Xhamiu liahkamil Kur’an, (verzioni elektronik), komentimi i ajetit El-Maide, 67, sipas: www.altafsir.com, data e citimit:22.07.2020.

[14] El-Kurtubij Xhamiu liahkami’l Kur’an, (verzioni elektronik), komentimi i ajetit El-Bekare, 127 dhe Ali Imra, 96, sipas: www.altafsir.com, data e citimit:22.07.2020.

[15] El-Kurtubij, po aty, komentimi i ajetit El-Inshirah, 4.

[16] Shih: https://rtv21.tv/cili-eshte-emri-me-i-perhapur-ne-bote/, data e citimit: 12.07.2017.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *