Me nasib t’Zotit, sot më datë 14 prill 2023 e falëm xhumanë në Korishë. I trajtuam dy çështje:
1) Nata e Madhe e Kadrit. Kjo natë është në dhjetë ditëshin e fundit, përkatësisht më 17 prill dhe në të filloi hajri për njerëzinë, zbritja e Kur’anit.
Fjala ‘kadr’, ka disa kuptime, e një prej tyre është ‘ngushtim’ (et-tadjik), sepse në këtë natë ngushtohet toka e qielli nga ardhja e melekëve.
Allahu thotë se në këtë natë, me lejën e Tij, zbret meleku i shpalljeve Xhibrili (a.s.) dhe shumë e shumë melekë, për të lejuar realizimin e asaj që do të ndodhë brenda një viti.
Për vlerën e kësaj nate, Allahu e zbriti një kaptinë në Kur’an, El-Kadr.
2) Zekati dhe Sadaktul Fitri. Në Kohën e Pejgamberit a.s. këto fonde janë deponuar në një vend që quhet ‘Bejtul Mal’- arka shtetërore, e pastaj prej aty janë shpërndarë në popull.
Pas rënies së shtetit islam (hilafetit), institucioni i ‘Bejtul Malit’ ka kaluar në kuadër të Bashkësive Islame të vendit përkatës, te ne është Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës.
Ta zëmë, unë po i jap një fukarasë, ti po i jep të njëjtit, edhe ai tjetri po i jep të njëjtit dhe kështu një personit po i jepen shumë, ndërkohë që shumë fukara të tjerë po anashkalohen, vetëm për shkak të modestisë në lypje!?
Pastaj, shpeshherë po i jepen dikujt që nuk e meriton zekatin apo sadaktul fitrin dhe mos e bën Zot këtu mbase humbet edhe sevapi.
Për t’i ikur këtyre anarkive, myslimanët duhet të tregohen shoqëri e organizuar. Bashkësia Islame është ajo që përmes imamëve i identifikon rastet, qoftë në fshat, lagje dhe u ndihmon jo vetëm një muaj, por gjatë gjithë vitit, falë bamirësëve, siç e ka bërë gjithmonë dhe siç po e bën tani.
Prandaj, vendi i Zekatit dhe Sadaktul fitrit është institucional, pra Bashkësia Islame apo ‘Bejtul Mali’ dhe nuk është opsion i lirë.
Ajo, i rregullon prioritetet dhe e bën shpërndarjen në fondet që janë përmendur në Kur’an, për fukara, për studentë, për institucione fetare arsimore, etj.
Dërgimi i këtyre mjeteve nëpër shoqata, është veprim tepër i gabuar. Fundja, është e pandershme, përse duhet ta tejkaloni imamin e të shkoni te akëcila shoqatë kushdo qoftë ajo, që sot është e nesër nuk është!? Përse t’i besohet atyre, që nuk kanë as xhami, as medrese, as institute, as mektebe, etj., e nuk i besohet imamit apo Bashkësisë Islame, që ka xhami, medrese, mektebe, imamë, ezan, dhe që e ka ruajtur e po e ruan këtë islam në këto troje. Përse?
E kam thënë qysh moti, të gjitha shoqatat një ditë kanë për ta mbaruar veprimtarinë e tyre, kurse asetet e tyre do të përfundojnë ose si pasuri shtetërore, ose si pasuri familjare, opsion tjetër nuk ka, ndërkohë që i gjithë kapitali i tyre është prej parave vakëf.
Kjo ka ndodhur dhe ne jemi dëshmitarë.
Prandaj, myslimanë bëhuni syçelë, Bashkësia Islame është ai Direku, është e juaja dhe ka qenë e tillë gjithmonë.
Shoqatat, me gjithë respektin, janë si bryma…!