Mr. Orhan Bislimaj

Roli i “imanit” te nxënësit dhe studentët

Shpjegim akaidologjik i fjalës së Allahut

 

“Lexo, me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë)!” (Kur’ani, El-Alak, 1)

Hyrje

 

    Ajeti në fjalë, është ajeti i parë që i ka zbritur Muhamedit a.s., gjersa ai ishte i vetmuar në shpellën Hira në Mekën e ndershme. Meleku Xhibril a.s. ia komunikoi këtë ajet dhe katër ajete të tjera të kaptinës El-Alak, dhe me këtë rast i tha Muhamedit a.s. se “In-neke nebij-jull-Llah – ti je i Dërguar i Allahut. Në të vërtetë, ky ajet shënon fillimin e shpalljes së Kur’anit famëlartë dhe fillimin e pejgamberisë së Muhamedit a.s.

 

Konteksti i ajetit

    Fjala e parë, me të cilën Allahu i Madhëruar iu drejtua Muhamedit a.s., ishte “lexo!”. Nuk iu drejtua me ndonjë fjalë tjetër, për shembull ‘fale namazin’, por me fjalën ‘lexo!’, e për më shumë këtë ia komunikoi në mënyrën urdhërore! Ngase, ky ajet, pra fjala “lexo” është fjala e parë zbritur Muhamedit a.s., dhe ka ardhur në mënyrë urdhërore, a priori determinon rëndësinë e jashtëzakonshme të leximit, dijës dhe shkencës në islam dhe tek Allahu i Madhëruar. Përveç kësaj, Allahu e urdhëroi të Dërguarin e Tij që të lexojë në emër të Allahut, i Cili krijon në vazhdimësi: “Lexo, me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë)!” (Kur’ani, El-Alak, 1). Kjo porosi e Allahut që “leximin” ta fillojë me emër të Allahut, përveç që ka të bëjë me leximin e Kur’anit, i cili duhet filluar me emër të Allahut, njëkohësisht kumton se Allahu është pronar i çdo gjëje, se Atij duhet drejtuar për çdo nevojë, se një punë duhet të fillohet me emër të Tij, se suksesi i një pune varet drejtpërdrejt prej Tij, se një punë duhet të bëhet për Madhërinë e Allahut dhe jo për hatrin e krijesës, pastaj se ajo punë e ligjshme që niset me emrin e Allahut Krijues është e ndihmuar prej Tij dhe e mbrojtur nga ndikimi i shejtanit, etj, etj.[1]

 

Fokusimi i çështjes

    Ajeti në fjalë, përmbanë një domethënie të gjerë dhe të rëndësishme. Ai reflekton urtësi në çdo kohë dhe në çdo vend. Drejtpërdrejt, është një mësim për të gjithë muslimanët, por sidomos për nxënësit dhe studentët, të cilët janë të përkushtuar për leximin, dijën dhe shkencën, që emrin e Allahut ta kenë pikëreferim të leximit dhe mësimit. Para çdo vështirësije në të mësuar apo para çdo dekurajimi, të kërkojnë tek Allahu vullnetin për mësim, dhe se emri i Allahut do të jetë, si gjithmonë, burim i vullnetit dhe energjisë konstruktive. Sepse, ajo që më së shumti kanë nevojë nxënësit dhe studentët gjatë procesit mësimor është motivi për mësim. Secili nxënës, duke medituar thellë në intencën e këtij ajeti, i cili para së gjithash obligon ndjenjën e imanit në Allahun e Madhëruar, do të ndjejë një motiv të veçantë, motiv ky që depërton thellë në qenien dhe personalitetin e tij. E, nëse një student e ka motivin për studim, ai, pavarësisht kapacitetit të intelegjencës së natyrshme, është i prirur që të mësojë, apo të bëjë orvatje për mësim. Arsimtarët dhe profesorët përdorin metoda të ndryshme që nxënësve të tyre t’u japin vullnet për mësim, dhe kjo bën pjesë në tërësinë e rregullave edukativo-arsimore. Por, rrallë herë, u shkon mendja që ta shfrytëzojnë rolin e fetarësisë në motivimin e nxënësve. Bile, ideja që ‘mësim-besimi’ të futej në sistemin arsimor, siç këtë e kanë bërë shumë shtete të botës, përveç tjerash, e ka dhe këtë qëllim, porse në këtë aspekt ekziston dallim i madh se për cilin mësim-besim fetar bëhet fjalë, kur dihet se ekzistojnë shumë fe dhe secila prej tyre dallon në kredon e besimit dhe në tërësinë e rregullave edukativo arsimore. Në këtë rast, duke folur për fetarësinë islame, respektivisht për imanin si identitet i besimit të drejtë në Allahun, themi me plotë kuptimin e fjalës se ai është një ‘vitaminë’ e natyrshme, i cili reflekton te nxënësi dhe studenti efektin e vet edukativ, stimulativ, motivues dhe gjenerues.

 

Kulti i të mësuarit dhe imani si motiv

    Roli i imanit nuk kufizohet vetëm në jetën private të muslimanit, siç do të mendonin disa vetje, që dëshirojnë t’i ngatërrojnë gjërat. Jo, ai është i pandashëm për individin, kudo që ai është, në shtëpi, qytet, shëtitje, në gjumë, në punë, etj. Imani është me individin edhe kur ai është në Shkollë, Universitet, Institut, po edhe kur ai është duke lexuar dhe mësuar. Në të gjitha rastet imani në Allahun, si një tipar i fetarësisë islame të individit e jep ndikimin e vet edukativ. Ajeti në fjalë, që jemi duke e shpjeguar i ka dhënë një rëndësi leximit, domethënë arsimimit. Meleku Xhibril a.s., iu drejtua Pejgamberit: ikre-lexo, Pejgamberi a.s. tha se nuk ishte që lexonte (ما أنا بقارئ). Meleku nuk hoqi dorë nga leximi, dhe përsëri i tha: Lexo, duke treguar një këmbëngulësi të theksuar. Pejgamberi a.s. përsëri i tha se nuk ishte që lexonte: në herën e tretë, Meleku Xhibril a.s. I tha: ikre bismi rabikel-ledhi halak – dhe Pejgamberi a.s. e tejkaloi vështirësinë e leximit. Këmbëngulësia e Xhibrilit a.s. që Pejgamberi a.s. të lexojë, ndërsa tregon se leximi është diçka i rëndësishëm, në të njëjtën kohë konsiston se gjatë procesit mësimor nxënësi mund të ketë vështirësi dhe mundime. Por, në asnjë rast ai nuk duhet të dorëzohet.

Na ka rastisur të dëgjojmë prej arsimtarëve e profesorëve, se suksesi i mirëfilltë i studentit bazohet në angazhim mësimor – punë, dhe pastaj vjen në sipërfaqe intelegjenca e tij. Kjo është më se e vërtetë. Studenti, sa do që është i aftë në kuptim të intelegjencës, nëse ai nuk është punëtor në të mësuar nuk do të tregojë suksesin e pritur. Por, në anën tjetër, nëse studenti është punëtor, edhe nëse nuk është shumë intelegjent, nuk do të mungojë suksesi dhe rezultati. E nëse bashkëdyzohet intelegjenca e lartë me angazhimin e mirëfilltë të nxënësit apo studentit, atëherë mund të bëjmë fjalë për një cilësi të vërtetë të të mësuarit, me të cilën zakonisht krenohet arsimtari, shkolla dhe shoqëria në përgjithësi.

    Me këtë dëshiroj të them se e rëndësishme tek nxënësit dhe studentët është të mësuarit – puna studimore. Mirëpo, për ta kalitur këtë ndjenjë të punës tek nxënësit dhe studentët nevojitet motivi apo thënë më ndryshe vullneti për punë. Kjo është jetike për nxënësin dhe studentin, dhe në këtë pikë shumë sisteme arsimore kanë dështuar. Pikërisht në këtë pikë mendohet se imani dhe fetarësia islame në përgjithësi ka një ndikim të jashtëzakonshëm, sepse ndikimi i tij nuk ndërlidhet vetëm me aspiratat relative, që mund të jenë pretendim i natyrshëm jetësor i secilit nxënës – student, por ato ndërlidhen me diçka më sublime, më madhështore. Cila është ajo formë që e motivon nxënësin për të mësuar? Ekzistojnë forma të ndryshme për ta motivuar nxënësin, varësisht prej sentimentit të tij. Por, pa dyshim forma më e mirë dhe ideale, dhe që I bie për shtati të gjitha karaktereve të nxënësve-studentëve është pastrimi i zemrës së nxënësit nga të gjitha mendimet dhe idetë ç’orientuese, të cilat nuk e lënë të qetë dhe e motivojnë për rrugë të këqia. Pejgamberi a.s., suksesin dhe dështimin e njeriut, e ka ndërlidhur me zemrën:

أَلَا وَإِنَّ فِي الْجَسَدِ مُضْغَةً إِذَا صَلَحَتْ صَلَحَ الْجَسَدُ كُلُّهُ وَإِذَا فَسَدَتْ فَسَدَ الْجَسَدُ كُلُّهُ أَلَا وَهِيَ الْقَلْبُ

   “… Në trupin e njeriut është një copë mishi, kur ajo përmirësohet, përmirësohet i tërë trupi, e kur ajo prishet, prishet i tërë trupi, ajo është zemra.”[2] Në këtë aspekt, diskursi parimor i besimit islam është përmirësimi i zemrës së individit, dhe lidhja e saj me besueshmëri të sinqertë ndaj Krijuesit. Kur njeriu e arrinë këtë, ai e ka fituar çelësin, që çon drejt një individi të edukuar, respektivisht të një nxënësi – studenti të suksesshën. Zatën, imani në kuptimin gjuhësor është “akdun’ – lidhje. Kjo lidhje, që në kuptimin imanor implikon dashurinë e pastër ndaj Allahut në radhë të parë, dhe dashurinë ndaj Pejgamberit a.s., është motivi më i mirë për ta çmuar atë që e ka çmuar Allahu dhe i Dërguari i Tij, dhe për ta respektuar atë që e ka urdhëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij.  Allahu e ka çmuar jashtëzakonisht lartë të lexuarit, siç shihet në ajetin në fjalë, ngase konsiderohet rruga e vetme e dijës së mirëfilltë.

    Më lartë thamë se fjala e parë e Allahut drejtuar Pejgamberit a.s., nuk ishte ndonjë fjalë tjetër, por: “Lexo, me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë).” (El-Alak, 1). Me të vërtetë, një sublimim i veçantë për leximin dhe dijën. Në të vërtetë, ky është vetëm një ajet i shkurtër, por që flet mjaft shumë. Vetë Allahu e ka ndërlidhur të lexuarit me imanin, sepse: “lexo me emrin e Zotit tënd”, do të thotë lexo, duke kërkuar ndihmën e Allahut të Madhëruar. Imam Rraziu thotë se kur meleku Xhibril i tha Muhamedit a.s. “Lexo!”, ndërsa Pejgamberi a.s. iu përgjigj se nuk ishte që merrej me lexim, ai (Xhibrili a.s.) i tha përsëri  “Lexo me emrin e Zotit tënd…” duke ia bërë të ditur që të kërkojë mbrojtje me emrin e Zotit, dhe ta marrë atë si mjet për arritjen e mundësisë së leximit, që për atë konsiderohej diç e vështirë.[3] Prandaj, jo rastësisht, ne, kur dëshirojmë të fillojmë ndonjë punë, jemi të urdhëruar që atë ta paraprijmë me leximin e prerogativit kur’anor: “Bismilahi’r-Rrahmani’r-Rrahim” – Me emrin e Allahut Bëmirësit të Përgjithshmë Mëshiruesit të Posaçëm. Me leximin e “Bismilahit…”, ne, në fakt, këtë punë e kemi nisur në emër të Allahut dhe tek Ai e kërkojmë ndihmën për këtë punë dhe mirësitë e kësaj pune.

    Por, nuk është vetëm ky ajet që flet për të lexuarit, dijën dhe dijetarët. Janë me dhjetëra ajete në Kur’anin Famëlartë dhe po aq hadithe të Pejgamberit a.s., që flasin për të mësuarit, si një vlerë e veçantë, qëllim imanor dhe dëshirë e Allahut dhe e të Dërguarit të Tij, s.av.s. Në ajetin në vijim, Allahu thotë: “Allahu, lartëson ata që besuan prej jush, i lartëson në shkallë të lartë ata të cilëve u është dhënë dituri…” (El-Muxhadele, 11). E, në një tjetër, shikojeni çfarë thotë Allahu: “Nun, betohem në pendën dhe në atë çka shkruajnë!” (El-Kalem, 1). Në këtë ajet, Madhëria e Allahut po betohet në lapsin dhe në rreshtat që shkruhen me të. Ne, e dimë që Allahu nuk betohet në gjithçka, e kur Allahu betohet në diçka, ai betim jep mesazh të veçantë, dhe e bën të veçantë atë në të cilin betohet, në këtë rast lapsin dhe rreshtat që shkruhen me të. Pa dyshim, kushdo që e kupton drejt këtë betim të Allahut, ai e kupton se përkushtimi për dijën është një punë e madhe. Lapsi dhe rreshtat e shkruara, e të cilat simbolizojnë dijën dhe shkencën, janë të dashura për Allahun, ai që ndjek këtë rrugë, ai është në rrugën e Allahut. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Kush niset për në rrugë duke kërkuar dije, Allahu do t’ia lehtësojë rrugën për në xhennet. Vërtet edhe melekët ndërpresin fluturimin e tyre (në shenjë respekti) për kërkuesin e dijes nga kënaqësia me veprën e tij. Për dijetarin falje kërkon çdo gjë në qiej dhe në tokë, e madje edhe peshqit në ujë. Vlera e dijetarit ndaj robit të devotshëm është sikur që është vlera e hënës ndaj planeteve të tjera. Vërtet, dijetarët janë trashëgimtarë të pejgamberëve; pejgamberët nuk kanë lënë trashigimi dinarë as dirhemë, ata vërtet kanë lënë për trashigimi dijen, prandaj kush e merr, le ta marrë në përmasën më të madhe.” (Ebu Davudi dhe Tirmidhiu).

    Studenti, që i ka parasysh këto leksione kur’anore dhe të haditheve të Pejgamberit a.s., çështjen e të mësuarit e konsideron pjesë të pandashme të fesë së tij. Apo, thënë më ndryshe, dijën dhe të mësuarit e shndërron në një institucion të kultit, të cilën e përjeton emocionalisht. Kështu, të lexuarit nuk do ta konsiderojë diçka të padëshirueshëm, por një gjë të dashur dhe tërheqës. Për shembull, besimtari e fal namazin, jo se i ka rënë malli të lodhet apo ta prishë gjumin në mëngjesin e hershëm pse dëshiron ta bëjë këtë pa ndonjë qëllim, apo të falet atëherë kur të gjithë janë duke fjetur, apo në mes të ditës ta lë punën dhe të shkojë për ta falur namazin e drekës, xhumasë, e kështu me radhë. Nuk i bën këto as për ndonjë lloj gjimnastike siç do të thoshin ata që nuk e dinë se çka është imani dhe Islami!? Po ashtu, as nuk shkon në haxh, për të bërë një vizitë të thjeshtë turistike, siç mund të ngatërrohet nga dikush. Të gjitha këto, dhe shumë e shumë të tjera i bën pa asnjë përtesë, por, përkundrazi me një emocion të veçantë, ngase ka një motiv të jashtëzakonshëm, që i jep vullnet, energji, kreacion, impuls, etj.. Ai motiv, pikërisht është imani, i cili kur vendoset në mënyrë të mirëfilltë në zemrën e besimtarit, i mundëson individit kënaqësi për çdo punë që është Allahu i kënaqur dhe i Dërguari i Tij. Në këtë rast i mundëson kënqësi për të mësuarit dhe dijën si një vlerë, që qëndron e brumosur thellë në doktrinën e fesë Islame. Studenti i këtillë, është i koncentruar në mënyrën më të lartë, dhe aftësia e tij e natyrshme është e prirur për të dhënë maksimumin e vet. Ai, nuk mëson për të arritur ndonjë privilegjë, siç këtë mund ta bëjnë studentët jofetarë, apo për të arritur ndonjë përfitim material, cilësi këto, që në semantikën e vlerës së vërtetë, konsiderohen diç shumë relative. Jo, ai mëson, sepse të mësuarit e konsideron si një vlerë sublime, si një tipar imanor.

 

Devotshmëria dhe të mësuarit

    Nxënësi apo studenti, i cili është besimtar i sinqertë, është edhe i devotshëm në respektimin e urdhëresave dhe ndalesave të Allahut të Madhëruar. Devotshmëria, si një tipar i besimtarëve të vërtetë i mundëson individit që të pajiset me cilësitë që i do Allahu dhe i Dërguari i Tij, dhe njëkohësisht i mundëson që të largohet nga të gjitha rrugët e këqia. Një pjesë e konsiderueshme e nxënësve dhe studentëve nuk kanë kulturë të mësimit, për arsye se janë të dhënë pas pasioneve të këqija. Kemi të bëjmë me një lidhje kauzale shkak-pasojë. Nëse nuk ka tipare të mira, do të priret pas veprimeve të këqija, sepse përgatija e personalitetit është kësisoji, dhe e kundërta. Studenti, i cili shkon nëpër diskoteka të natës e të ditës, që konsumon pije alkoolike, që ndjek epshet e veta, që konsumon drogë, që rren, që mashtron, që vjedh, etj., reflekton tipare devijante, të cilat e sulmojnë intencën e tij për përgatitje edukativo-mësimore. Ato, ndikojnë negativisht në koncentrimin e studentit, sepse e ngulfatin dëshirën e tij për të mësuar, dhe në vend se të mësuarit si obligim parësor i studentit të jetë në epiqendër të angazhimit dhe vetëdijës së tij, përkundrazi ai renditet në fare plan të dytë. Kjo është shumë me rëndësi, kur dihet se të mësuarit kërkon përqëndrim maksimal dhe distancim nga të gjitha pasionet negative që mund të reflektojnë në imagjinatën e individit gjatë të mësuarit. Gjersa, studenti i përbrendëson vetitë e liga dhe rrugët e këqia, ai në asnjë mënyrë nuk mund ta realizojë suksesshën procesin e të mësuarit, sepse janë dy veprimtari që i kundërvihen njëra tjetrës.

    Sikundër kësaj, devotshmëria është një pritë në personalitetin e njeriut që ia mbyll derën të gjitha vetive të liga, ndërsa i orienton energjitë psiko-intelektuale drejt prirjeve të mira, të ndershme dhe fisnike. Këto prirje, ndikojnë që ai të largohet nga rrugët e liga dhe njëkohësisht me vetëbesim të plotë të jepet pas atyre të mirave. Në këto rrethana, vetëdija e nxënësit a studentit është e koncentruar për të mësuar, dhe e dëlirë nga të gjitha intrigat e pasioneve që mund t’i kundërvihen punës mësimore. Intelekti i tij është i aftë të absorbojë maksimalisht, edhe duke marrë parasysh se studenti i këtillë i ka kthyer vetes së tij një natyrë të natyrshme, të cilën e do Allahu i Lartësuar. Kemi shumë argumente nga Kur’ani famëlartë se ata besimtarë të sinqertë, të cilët nga frikërespekti për Allahun tregojnë devotshmëri të vërtetë ndaj Tij, Allahu atyre u dhuron urtësi dhe dije të jashtëzakonshme. Allahu i Lartësuar thotë:

وَاتَّقُوا اللَّـهَ ۖ وَيُعَلِّمُكُمُ اللَّـهُ ۗ وَاللَّـهُ بِكُلِّ شَيْءٍ عَلِيمٌ

    “Keni frikë Allahun, se Allahu ju dhuron dituri (të jashtëzakonshme), Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo send.” (El-Bekare, 282). Imam Kurtubiu r.h. duke e shpjeguar këtë ajet thotë: Allahu ka premtuar, se ai i cili i frikësohet Allahut, Allahu atë e mëson, domethënë, në zemrën e tij e vendosë një dritë (nur), nëpërmjet së cilës ai i kupton gjërat dhe e dallon të vërtetën nga e pavërteta, dhe në këtë aspekt është fjala e Allahut[4]:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِن تَتَّقُوا اللَّـهَ يَجْعَل لَّكُمْ فُرْقَانًا وَيُكَفِّرْ عَنكُمْ سَيِّئَاتِكُمْ وَيَغْفِرْ لَكُمْ ۗ وَاللَّـهُ ذُو الْفَضْلِ الْعَظِيمِ

    “O ju që besuat, nëse keni frikë Allahun, Ai do të vërë udhëzim (në zemrat tuaja) për ju, do t’ua mbulojë të këqijat, do t’ua falë mëkatet. Allahu është dhurues i madh.” (Enfal 29).

    Sikundër kësaj, Allahu në Kur’an i ka cilësuar kafirët se nuk e shohin të vërtetën, për shkak se shpirtërat dhe zemrat e tyre janë të ngurta nga hijëzimi i mosbesimit (kufrit). Allahu thotë:

وَجَعَلْنَا عَلَىٰ قُلُوبِهِمْ أَكِنَّةً

Ndërkaq në zemrat e tyre vëmë një mbulesë…” (El-Isra, 46);

أُولَـٰئِكَ ٱلَّذِينَ طَبَعَ ٱللَّهُ عَلَىٰ قُلُوبِهِمْ وَسَمْعِهِمْ وَأَبْصَارِهِمْ وَأُولَـٰئِكَ هُمُ ٱلْغَافِلُونَ

Të tillët janë ata që Allahu ua mbylli zemrat, dëgjimin dhe pamjen e tyre dhe të tillët janë ata naivët.” (En-Nahl, 108).

 

Falënderimi ndaj Allahut

    Studenti, që ka iman dhe devotshmëri është falënderues ndaj Allahut për dhuntinë e shëndetit, mendjes, arsyes, intelegjencës, mundësive materiale, etj. Beson se Allahu është Krijues dhe pronar i vërtetë i çdo gjëje. Po ashtu beson se falënderimi ndaj Allahut për dhuntitë e ndryshme, siç janë mendja, dija, etj., është shkak për shtimin e tyre[5] dhe assesi për paksimin e tyre, sipas Fjalës së Allahut: “Nëse falënderoni, do t’ua shtoj të mirat, e nëse përbuzni, s’ka dyshim, dënimi Im është i vështirë.” (Ibrahim, 7). Ndërsa, Pejgamberi a.s. ka thënë: “Çdo punë me vetëdije, të cilës nuk i paraprinë falënderimi ndaj Allahut, është e pavlefshme.” (Transmeton Ebu Davudi dhe të tjerë). Besimtari që e falënderon Allahun, njëkohësisht e përforcon vendosmërinë e tij për lexim. Pejgamberi a.s. krahas falënderimit të Allahut për dhuntitë e tij, ka kërkuar edhe përforcim dhe vendosmëri në punë.Transmeton Shed-dad bin Evs, se Pejgamberi a.s. thoshte:

اللَّهُمَّ إِنِّي أَسْأَلُكَ الثَّبَاتَ فِي الْأَمْرِ وَالْعَزِيمَةَ عَلَى الرُّشْدِ وَأَسْأَلُكَ شُكْرَ نِعْمَتِكَ وَأَسْأَلُكَ حُسْنَ عِبَادَتِكَ وَأَسْأَلُكَ قَلْبًا سَلِيمًا وَأَسْأَلُكَ لِسَانًا صَادِقًا وَأَسْأَلُكَ مِنْ خَيْرِ مَا تَعْلَمُ وَأَعُوذُ بِكَ مِنْ شَرِّ مَا تَعْلَمُ وَأَسْتَغْفِرُكَ لِمَا تَعْلَمُ إِنَّكَ أَنْتَ عَلَّامُ الْغُيُوبِ

    “O Allahu im, kërkoj nga Ti përforcim në punë, dhe vendosmëri në të vërtetën. Kërkoj nga Ti falënderimin për dhuntitë e dhuruara. Kërkoj nga Ti bukurinë e adhurimit ndaj Teje. Kërkoj nga Ti që t’më dhurosh zemër të shëndoshë dhe gjuhë të drejtë. Kërkoj nga Ti dhurimin e të mirës që Ti e di, dhe kërkoj mbrojtje në Ty për të keqën që Ti e di. Kërkoj falje për ato që Ti i di, me të vërtetë ti je njohës i të fshehtave.”[6]

   Historia islame përmend se dijetarët më të mëdhenjë, duke filluar nga sahabët e Pejgamberit a.s., dhe brez pas brezi deri në këtë kohë, falënderimin ndaj e Allahut e kanë patur pjesë të leximit dhe studimit. Kështu kanë vepruar katër imamët e medh’hebeve, të cilët, zakonisht, para se të fillonin leximin, kanë marrë abdest, sepse leximin dhe mësimin e kanë cilësuar plotësisht si ibadet ndaj Allahut. Nga biografia e Ebu Hanifesë r.h. mësohet se ai shpeshherë e ka falur namazin e sabahit me të njëjtin abdest të namazit të jacisë të ditës së kaluar. Domethënë, natën në tërësi e ka kaluar në lexim dhe studim, Me një rast, imam Ebu Hanife r.h. pati thënë: “Dijën e kam arritur duke e falënderuar Allahun. Sa herë që e kam kuptuar një çështje prej dijës dhe urtësisë, dhe për këtë kam qenë i lehtësuar (prej Allahut), kam thënë: El-hamdulilahi teala – Falënderimi i takon Allahut të Madhërishëm, dhe Ai ma ka shtuar dijën.”[7] Prandaj, me punë dhe falënderim ndaj Allahut, ai dhe shumë të tjerë si vëllezër të tij kanë arritur në majët e larta të dijës dhe shkencës.

 

Duaja tek Allahu për udhëzim

    Nxënësi dhe studenti, krahas imanit, devotshmërisë dhe falënderimit ndaj Allahut, gjatë leximit duhet të bëjnë dua tek Allahu për udhëzim shtim të diturisë. Pejgamberi a.s., vazhdimisht ka bërë dua tek Allahu për shtimin e diturisë, bile Allahu e mëson Pejgamberin a.s., që të lutet:  “… Dhe thuaj: O Zoti im, shtoma diturinë!” (Ta ha, 114). Transmeton Seid bin El-Musej-jib nga Aisheja r.a. se i Dërguari i Allahut, kur zgjohej nga gjumi e bënte këtë dua:

عَنْ سَعِيدِ بْنِ الْمُسَيِّبِ عَنْ عَائِشَةَ رَضِيَ اللَّهُ عَنْهَا أَنَّ رَسُولَ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ كَانَ إِذَا اسْتَيْقَظَ مِنْ اللَّيْلِ قَالَ لَا إِلَهَ إِلَّا أَنْتَ سُبْحَانَكَ اللَّهُمَّ أَسْتَغْفِرُكَ لِذَنْبِي وَأَسْأَلُكَ رَحْمَتَكَ اللَّهُمَّ زِدْنِي عِلْمًا وَلَا تُزِغْ قَلْبِي بَعْدَ إِذْ هَدَيْتَنِي وَهَبْ لِي مِنْ لَدُنْكَ رَحْمَةً إِنَّكَ أَنْتَ الْوَهَّابُ

    “Nuk ka zot tjetër përveç Teje, Madhëria të takon vetëm Ty. O Allahu im kërkoj falje tek Ti për mëkatet e mia. E kërkoj mëshirën Tënde. O Zot, ma shto diturinë, dhe mos ma devijo zemrën time pasi ma udhëzove atë në rrugën e drejtë. Më dhuro mua mëshirë, me të vërtetë Ti je dhurues i Madh.[8]

    Pejgamberi a.s. lutej për dije të dobishme dhe mbrojtje nga dija e padobishme. Transmeton Ebi Hurejrete r.a. se Pejgamberi a.s. thoshte:

عَنْ أَبِي هُرَيْرَةَ قَالَ كَانَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ يَقُولُ اللَّهُمَّ انْفَعْنِي بِمَا عَلَّمْتَنِي وَعَلِّمْنِي مَا يَنْفَعُنِي وَزِدْنِي عِلْمًا وَالْحَمْدُ لِلَّهِ عَلَى كُلِّ حَالٍ وَأَعُوذُ بِاللَّهِ مِنْ عَذَابِ النَّارِ

    “O Allahu im, më bën dobi me atë që më ke mësuar, dhe më mundëso që ta dij atë që është e dobishme për mua, dhe ma shto diturinë. Falënderimi i takon Allahut për çdo gjë, dhe kërkoj mbrojtje tek Allahu nga zjarri i xhehennemit.”[9]

    Porse, duaja ndaj Allahut duhet të bëhet në mënyrë të sinqertë, me zemër të vendosur, dhe me bindjen e plotë se Allahu do t’i përgjigjet asaj, sepse Pejgamberi a.s. ka thënë:

ادْعُوا اللَّهَ وَأَنْتُمْ مُوقِنُونَ بِالْإِجَابَةِ وَاعْلَمُوا أَنَّ اللَّهَ لَا يَسْتَجِيبُ دُعَاءً مِنْ قَلْبٍ غَافِلٍ لَاهٍ

    “Lutnie Allahun duke qenë plotësisht të bindur se do të merrni përgjigje. Dijeni se Allahu nuk i përgjigjet duasë që del nga një zemër e luhatshme dhe e pavëmendshme.” (Transmeton Termidhiu).

 

Përfundim

    Nga sa u tha më lartë, mund të konstatojmë si në vijim:

    1. Imani, duke qenë një motiv i natyrshëm, në personalitetin e individit reflekton një vullnet të jashtëzakonshëm psiko-fizik. Ky vullnet imanor, impresionon hapjen e aftësisë absorbuese të nxënësit dhe studentit për të dhënë maksimumin e mundshëm dhe i motivon maksimalisht ndjenjat e tyre në kuptim të angazhimit dhe përpjekjeve konsistente në të mësuar, sepse çështjen e mësimit nuk e ndërlidhin për motive relative, por për aspiratat sublime fetare.

    2. Nëpërmjet devotshmërisë, falënderimit dhe duasë ndaj Allahut, nxënësit dhe studentët janë të lehtësuar në rrugën e tyre arsimore, dhe të ndihmuar nga Allahu në lexim, mësim dhe të kuptuar.


[1] Shih: Er-Rrazi, Mefatihu’l-gajbi, et-tefsiru’l-kebir; El-Kurtubij, El-xhamiu li ahkamil Kur’ani, komentimi i kaptines El-Alek, ajetet 1-5.

[2] “Sahihu’l-Buhari”, Kitabu’l-imani, babu: Fadlu men istebree lidinihi, nr. 50.

[3] Er-Rrazi, Mefatihu’l-gajbi, et-tefsiru’l-kebir, komentimi i kaptines El-Alek, ajeti 1-5.

[4] El-Kurtubij “El-Xhamiu li ahkami’l-Kur’an”, komentimi i ajetit El-Bekare, 282.

[5] Abdu’l Xhelil El-Ata, Sherhu ta’limi’l-muteal-lim, vasij-jetu’l-imami’l-a’dham Ebi Hanifete, botimi i parë, pa vend të botimit, 2009, fq. 141.

[6] Suneni i Ahmedit, Kitabu: musnedush-shamijjin, Babu: Hadithi i Shed-dad bin Evs, nr. 16491

[7] Abdu’l Xhelil El-Ata, po aty, fq. 142.

[8] Suneni i Ebu Davudit, Kitabu: El-Edeb, babu:ma jekulur-rrexhul idha tearu minel-lejli, nr. 4402.

[9] Suneni i Ibni Maxhes, Kitabu: Ed-dua, babu: duau Resulil-lahi, nr. 3823.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *