Pas 25 vitesh, ky brezi i tanishëm mbase edhe nuk mund ta përjetojë se çka është 5 – 7 marsi i viti 1998.
Por, për ne që e jetuam atë kohë përjetimi është i paharrueshëm, për të mos thënë traumë.
Rënien e Jasharajve nuk duhet kuptuar si një heroizëm aksidental e as si qëllim në vetvete, në kuptimin se nuk iu dorëzuan një okupatori të egër dhe mbaroi çështja.
Jo, ekziston një fije e hollë që e qartëson lavdinë e tyre dhe idenë metaforike për ndezjen e flakadanëve që po mbahet me 7 mars.
Asokohe, Jasharajt kanë qenë kalaja më e fortë në sytë e serbëve.
Serbët e kishin të qartë se Kosova po vlonte nga brenda dhe po pritej dita-ditës shpërthimi i një vullkani të madh. Gjersa protestat studentore më 1 tetor 1997, e dhanë shkëndijën e parë, në anën tjetër dalja publike e UÇK-së në varrimin e mësuesit Halit Geci më 28 nëntor 1997, pra pas dy muajve, ishte lava e vullkanit.
Tani, serbët u mobilizuan për gjunjëzimin e shqiptarëve me çdo kusht dhe mbizotërimin e kryengritjes që gjëmonte nga viti 1989. Këtë e filluan me serinë e re të frikësimit përmes torturave çnjerëzore, dënimeve të rënda policore e deri te masakrat, siç i bënë më datë 28 shkurt 1998 në Qirez e Likoshan ku mbetën të masakruar më se 24 civilë.
(Bashkë me Kujtim Bislimaj dhe shokë të tjerë si student që ishim në Prishtinë, shkuam në varrimin e Qirezit e Likoshanit në këmbë nga Vushtrria. Në kthim kemi bujtur në Vushtrri (po e falënderoj Hamit Ismailin që na gjeti konak), meqë depërtimi në Prishtinë ishte i pamundur, gjendje e jashtëzakonshme dhe njësite speciale me armë të gjata në çdo qoshe.)
Këtu përthyhen shtizat në mes shqiptarëve dhe serbëve dhe këtu fillon lavdia e rënies së familjes Jashari.
Sepse, serbët sikur u bindën se përmes masakrës së Qirezit e Likoshanit (që megjithatë futi një tmerr real në popullatë), e mbaruan gjunjëzimin e shqiptarëve dhe se do ta kenë fare kollaj në gjunjëzimin edhe të Adem Jasharit, që ishte shndërruar në ikonë të rezistencës, por atyre u ndodhi e kundërta.
Për tri ditë rresht (5-7 mars) aq sa luftoi familja Jashari në krye me Adem Jasharin, e rikuptimësoi heroizmin shqiptar për çlirimin e Kosovës, kundër çdo gjunjëzimi a nënshtrimi dhe kjo është gjëja më e rëndësishme.
Ky ishte ai kumti i madh që asokohe e pushtoi çdo zemër shqiptari, e pushtoi botën, ashtu që rënia e tyre në mënyrë legjendare, u shndërrua në flakadan lirie.
Por, mos të harrojmë se pikërisht këtu ngjizet po ashtu edhe pesha e jashtëzakonshme e bashkëluftëtarëve të Adem Jasharit (krerëve të UÇK-së) që e vazhduan këtë heroizëm me të njëjtën përmasë dhe nuk lanë hapësirë disfatizmi…
E mbaj mend atë kohë, ishim në Prishtinë dhe shkonim te pronari i banesës për t’i parë lajmet e edicionit 19:30, që RTK i transmetonte përmes satelitit.
Kur u dha lajmi se është vrarë Adem Jashari, na kaploi një mërzi e madhe, që veç Zoti i Madh e di. Ishte situatë e rëndë, kur dolëm jashtë helikopterët serbë kumbonin mbi hapësirën e Prishtinës dhe menduam se mos ndoshta lufta jonë e UÇK-së po dështon!?
Por ç’e do, në këtë mërzi të madhe, pas disa dite UÇK doli me një foto (me maska) dhe ishte mesazhi më shpresëdhënës në atë kohë për shqiptarët, se fryma e Adem Jasharit është gjallë dhe e pamposhtur.
Prandaj, me të drejtë 5-7 marsi quhet Epopeja e UÇK-së!
Zot, faljau xhennetin Firdews…!