Mr. Orhan Bislimaj

 

Muhamedi a.s. mësues i përgjithmonshëm

 

      Allahu i Madhëruar në Kur’an ka thënë: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të Dërguarin e Allahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh Allahun.” (El-Ahzab, 21). Ky ajet, vjen si një mësim prej Allahut të Madhëruar se pasimi i shembëlltyrës së Muhamedit a.s. është rruga më e mirë e secilit besimtar.

      Në të vërtetë, kjo fjalë e Allahut ka zbritur në kontekst të luftës së Hendekut, e cila konsiderohet si njëra prej luftërave që pati shkaktuar shumë ethe e më pak pasoja. Politesitët arabë, të bashkuar nga shumë fise: Kurejshitët, Gatafanët, etj. patën organizuar një ushtri prej më se dhjetë mijë forcave për ta sulmuar bashkësinë myslimane në Medinë, në krye me Pejgamberin a.s. Kur ata e rrethuan Medinën, atyre iu bashkuan edhe jehudijtë e Medinës, me të cilët Pejgamberi a.s. kishte lidhur marrëveshjen e paqës, e që gjendjen e bënte akoma më të rëndë, sepse Pejgamberi a.s. rrezikohej nga brenda dhe nga jashtë. Ishte moment shumë i vështirë për Pejgamberin a.s. dhe sprovim për besimtarët, sepse armiku ishte shumë i madh në numër, në njërën anë, ndërsa ushtria muslimane numronte më se tre mijë forca. Këtë, e përmend edhe Allahu: “Atje, në atë vend qenë sprovuar besimtarët, dhe qenë tronditur me nje dridhje të fortë.” (El-Ahzabë, 11). Pejgamberi a.s. shumë brengosej për ndonjë disfatë të mundshme në këtë betejë, për arsye se nuk mund ta paramendonte që edhe njëherë të bëjë hixhret, kësaj radhe prej Medinës. Jo se i druhej vështriësive të hixhretit, por dilemave se ku mund të shkonte, ngase nuk shihte ndonjë vend më të përshtatshëm pas Mekkës dhe Medinës. Në këtë gjendje të vështirë, Allahu i premtoi Pejgamberit a.s. se do ta ndihmojë dhe në këtë betejë. Këtë premtim Pejgamberi a.s. ia konfirmoi shokëve të tij. Por, ç’e do që besimtarët e luhatur nuk i besuan premtimit të Pejgamberit a.s.

    Këtu, fillon intenca e këtij ajeti, besimtarët e sinqertë i besuan premtimit të Pejgamberit a.s., por munafikët e humbën besimin në Pejgamberin a.s. dhe thonin: “Allahu dhe i Dërguari i Tij, nuk na premtuan tjetër, vetëm se mashtrim!” (El-Ahzabë, 12). Rrjedhimisht, ata, filluan formalisht të kërkonin leje nga Pejgamberi a.s. që t’i lironte nga lufta. Pejgamberi a.s. i liroi nga pjesëmarrja, sepse e dinte që u dha apo s’u dha leje, ata nuk do të luftonin. Në lidhje me çështjen e munafikëve, Allahu e informoi Pejgamberin a.s. se ata do të dëshironin që të ishin beduinë, e të jetonin nëpër shkretëtirat e ndryshme, dhe prej atje të pyesnin për çështjen e muslimanëve se sa që ishin në Medinën e begatshme.

     Por, ideja e munafikëve se Pejgamberi a.s. do të humbaste në këtë luftë nuk doli i saktë, sepse premtimi i Allahut ishte ndryshe. Me propozim të Selman Farisiut, dhe me ‘kader’ të Zotit, Pejgamberi a.s. urdhëroi hapjen e Hendekut rreth e përqark Medinës. Pala armike qëndroi për disa ditë për rreth Medinës, duke tentuar që të depërtonte në Medinë. Çdo tentim ishte i kotë, sepse premtimi i Allahut për ta ndihmuar Pejgamberin a.s. ishte i vërtetë. Allahu i ndihmoi edhe me një ushtri, që thuhet se ishin engjëjtë, të cilët i frikësuan ushtarët e armikut dhe ndihmuan ushtrinë muslimane. Kështu, që në një natë kur ishte errësirë e madhe, Allahu e lëshon një frymë të madhe, të stuhishme e të ftohtë, ua shuan zjarret, ua rrënon çadrat, ua shtie frikën në shpirtë, dhe idhujtarët e lëshojnë rrethimin e Medinës dhe ikin. Në anën tjetër, myslimanët shpëtojnë pas asnjë pasojë të theksuar.

Pejgamberi a.s. shembëlltyrë unikate

      Gjatë hapjes së hendekut, Pejgamberi a.s. ishte angazhuar maksimalisht, dhe punonte më shumë se të tjerët. Përveç kësaj, ai asnjëherë nuk u ligë kundrejt numrit të madhë të armikut. Paragjykimet e munafikëve kinse Pejgamberi a.s. i ka mashtruar kur u ka thënë se në këtë betejë do ta kenë ndihmën e Allahut, u shuan bashkë me përpjekjet e idhujtarëve mekkas për ta invaduar Medinën e ndritshme. Gjithçka doli në shesh. U vërtetua premtimi i Pejgamberit a.s. në njërën anë, po edhe u vërtetua munafikllëku I atyre që nuk donin të ishin trasues të rrugës së Resulullahit s.a.v.s. Dhe, Allahu po thotë: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të Dërguarin e Allahut,… (El-Ahzab, 21), duke ia bërë të qartë, sidomos munafikëve se Pejgamberi është ai që e ka mbajtur fjalën e dhënë për ndihmën e Allahut. Por, ky shembull, thotë Allahu i Madhëruar është për atë: “…që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh Allahun.” (El-Ahzab, 21). E, këta ishin sahabët r.a. besnikët e Resulull-llahit s.a.v.s., të cilët qenë në gjendje ta mbronin Medinën dhe rrugën e Islamit, pavarësisht çmimin që duhej paguar. Këta burra ishin nxënësit e vërtetë të mësimeve të Kur’anit – Fjalës së Allahut dhe udhëzimeve të Resulullahit s.a.v.s. Nuk u dobësuan për asnjë moment, dhe as nuk dyshuan në pejgamberinë e Muhamedit a.s.

     Prandaj, kushdo që nuk dyshon në pejgamberinë e Muhamedit a.s., e merr atë për mësues, ndërsa vetveten e tij e konsideron nxënës të përjetshëm të mësimeve të tij. Jo pse këtë dëshirojmë ta themi, porse ka dashur Allahu që personaliteti i Muhamedit a.s. të mbetet model i secilit që dëshiron ta shoh vetveten e vet të edukuar, arsimuar, punëtor, dhe mbi të gjithë një njeri me të cilin Allahu është i kënaqur. Sepse, formimi i personalitetit të Pejgamberit a.s. ka ndodhur nën përkujdesjen e drejtpërdrejtë të Allahut, dhe atë që nga periudha para se të lindej Muhamedi s.a.v.s. dhe deri në fund të jetës së tij.

     Nëse e vështrojmë jetën e Pejgamberit a.s. e shohim se ai ka kaluar po thuajse në të gjitha sfidat e jetës, me të cilat përballen shtresat e ndryshme të shoqërisë njerëzore. Së pari, ai mbeti jetimë që në fëmijërinë e herëshme të tij, dhe nga ky aspekt ai është model për të gjithë fëmijët jetimë. Pejgamberi a.s. ishte punëtor dhe ushtroi profesionin e tregtisë; ishte bashkëshort, prind, udhëheqës i shtetit, dhe në të gjitha aspektet mbetet mësues i përjetshëm i secilit që dëshiron të shkojë shtigjeve të tij. Personaliteti i tij karakterizohej me vyrtyet e moralit të përsosur. Zemërgjerësia, bujaria, sinqeriteti, besnikëria, burrëria, zgjuarësia, qëndrueshmëria, solidariteti, puna, trimëria, ndihma dhe çdo cilësi tjetër e mirë, ishin tipar i personalitetit të Muhamedit a.s. Këto tipare ia pranuan dhe ata që nuk e besuan pejgamberinë e tij. Në anën tjetër, cilësitë e këqija, siç janë koprracia, tradhtia, gënjeshtra, mashtrimi, etj, jo se nuk ishin pjesë e personalitetit shembullor të Pejgamberit a.s., por ai urdhëroi që besimtari të largohet prej tyre. Nuk mund të mos e përmendim devotshmërinë e tij, e cila nuk mund të përshkruhet. Edhe pse ishte i Dërguar i Allahut, dhe se Allahu i pati premtuar faljen e mëkateve të kaluara dhe të ardhshme, megjithatë, ibadeti i Pejgamberit a.s. ndaj Allahut ishte i jashtëzakonshëm.

     Përveç me shembulltyrën e tij praktike, Pejgamberi a.s. për çdo aspekt të jetës, ka këshilluar me udhëzime konkrete. Për shembull, ai na mëson se si ta adhurojmë Allahun, si ta duam Islamin, si ta duam Kur’anin, si ta duam Pejgamberin, si t’i nderojmë prindërit si të sillemi me vetveten tone. Ai na udhëzon që ta ruajmë jetën dhe shëndetin; të lexojmë dhe të mësojmë; të studiojmë dhe të punojmë. Ai i ka mësuar prindërit që të kujdesen për fëmijtë e tyre, t’i edukojnë ata me edukatë islame. E ka mësuar punëtorin që të punojë me nder dhe i sinqertë në punën e tij. E ka mësuar burrin si të sillet me bashkëshorten e tij dhe e ka mësuar bashkëshorten që ta ruajë nderin dhe dinjitetin e burrit. E ka mësuar njeriun që të jetë i sinqertë ndaj shokut; e ka mësuar tregtarin që të bëjë tregti të ndershme dhe të fitojë me hallall; e ka mësuar udhëheqësin e shtetit që të qeverisë me drejtësi dhe t’i frikësohet Allahut, etj. Ky është Pejgamberi a.s., për të cilin Allahu ka thënë: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të Dërguarin e Allahut…” (El-Ahzab, 21).

  Pejgamberi a.s. mësues i mësuesave

 

     Pa dyshim, muslimani i sinqertë është nxënës i përjetshëm i Resulullahit s.a.v.s. Në të vërtetë, besimtari që e pason Pejgamberin a.s., është bërë nxënës i mësimeve të Allahut. Sepse, Allahu e ka mësuar Pejgamberin a.s. nga aspekti i fjalëve, sjelljeve, veprave dhe pëlqimeve të tij, dhe nuk e ka lënë të gabojë.

     Pejgamberi a.s. është shembull unikat, sepse ka jetuar nën vëzhgimin e drejtpërdrejtë të Allahut. Ai është i pazëvendësueshëm dhe mësuesi i vërtetë e i përgjithmonshëm i muslimanëve të sinqertë. Sukseset e Pejgamberit a.s. në agjitimin e fesë islame, sukseset e tij në konsolidimin e bashkësisë së parë islame, transformimet pozitive shoqërore, formimi i shtetit islam, vendosja e rendit shoqëror, respektimi maksimal i të drejtave njerëzore etj., nuk kanë qenë një rastësi e thjeshtë. Jo, ato kanë ndodhur falë urtësisë dhe menqurisë së Pejgamberit a.s., si rezultat reflektiv i udhëzimit të Allahut. Këto arritje dhe shumë e shumë të tjera, që konsiderohen themeltare për arritjet e përgjithshme të njerëzimit në përgjithësi, kanë qenë frymëzimi kryesor, që Majkëll Hart (Michael H. Hart), shkenctar jomusliman, ta vendosë emrin e Pejgamberit a.s. të parin në librin e tij “njëqind personat më me ndikim në historinë e njerëzimit”. Renditjen e njëqind pëersonave nuk ka bërë sipas principit historik, por sipas ndikimit në shoqëri. Kështu pas Muhamedit a.s. pasojnë Isak Njutoni, Jezus Kristi (Isai a.s.), Buda, Konfuqio, dhe të tjerë me radhë.[1] Me këtë gjest, ky shkenctar, në mënyrë të siqertë dhe realiste ka pranuar se Muhamedi a.s. është mësuesi më i rëndësishëm i njerëzimit. Këtë e them, sepse Pejgamberi a.s. nuk është renditur i pari për shkak të një zbulimi të caktuar, siç kanë bërë shumë shkenctarë të tjerë të njohur, p.sh. Isak Njutoni, Albert Ajnshtani, Galile Galileu, etj. Këta shkencëtar dhe shumë e shumë të tjera kanë dhënë kontribut konkret, dhe kontributi i tyre është determinues për arritjet më të reja në shkencë. Kundrejt tyre, Pejgamberi a.s. nuk ka zbuluar asgjë, në mënyrë konkrete dhe të veçantë sa të themi se autor i kësaj apo asaj vepre është Muhamedi a.s. Atëherë, po çfarë ishte ajo që e zbuloi Muhamedi a.s., e që ishte motiv kryesor për këtë studiues që ta vendosë emrin e tij të parin nga njëqindë të tjerë, për kontribut të jashtëzakonshëm për shoqërinë njerëzore në përgjithësi?! Ajo që e zbuloi Muhamedi a.s. është “sistemi mbi edukimin e mirëfilltë të njeriut”, e që bazohet në doktrinën e besimit islam. As më pak, as më shumë. Mbi këtë bazë, Muhamedi a.s. bëri kthesë të jashtëzakonshme në transformimin e shoqërisë. Ai, shoqërisë nuk i ofroi ndonjë zbulim siç i ofruan shkencëtarët pas tij, por ofroi një sistem të jetës së individit dhe shoqërisë që bazohet në normat e moralit islam, e që nuk ka të ngjashëm sot e më ditë.

     Prandaj, muslimani i sinqertë është i bindur se modeli më i mirë i edukatës, është vetëm shembulltyra e Muhamedit a.s. Biografia e tij pejgamberike është një ‘institut’ i llojit të vet, që jep leksione, mësime dhe dituri, po edhe kritika dhe vërejtje, jo vetëm për një kategori të shoqërisë njerëzore, por për të gjithë pa dallim, për myslimanin dhe jomyslimanin, dhe për të gjitha kategoritë dhe shtresat e shoqërisë. Këtë, mund ta vërtetojë secili që dëshiron ta njohë jetëshkrimin e Pejgamberit a.s., ndërsa myslimanët e sinqertë që janë trasues të rrugës së tij, veçse e kanë shijuar bereqetin e udhëzimeve të tij. Sa e sa dijetarë të mëdhenjë islamë, janë nxënës të Resulullahit s.a.v.s., duke filluar që nga koha e sahabëve dhe gjerë më sot?! Në çdo dije të tyre, ata i referohen thënieve të Pejgamberit a.s. dhe muslimanët, falë kontributit shkencor të tyre, i pranojnë për dijetarë. Sahabët, shokët e Pejgamberit a.s., janë nxënësit e parë të Pejgamberit a.s.. Ata, i ka lavdëruar Allahu në Kur’an, dhe ka thënë se është i kënaqur me ta, dhe ata janë të kënaqur me Allahun. (shih: Et-Tevbe, 100). Nuk i ka lavdëruar për ndonjë gjë, që ne nuk e dimë. Jo, të gjithë e dimë, i ka lavdëruar sepse, kanë qenë nxënës të shkëlqyeshëm të Pejgamberit a.s. dhe praktikues të devotshëm të udhëzimeve të tij. Dhe, meqë ishin të këtillë, ata u bënë shembull në sjellje, dije, kulturë, punë, moral, etj. Sot, umeti islam i pason këtë burra dhe ndjek shembullin e tyre.

     Në këtë vijë të trasimit të rrugës së Resulullahit s.a.v.s., vijnë me radhë të gjithë dijetarë e mëdhenjë, brez pas brezi, Imam Ebu Hanife, Imam Maliku, Imam Shafiu, Imam Hanbeli, kënaqësia e Allahut qoftë mbi të gjithë ata. Po ashtu, pas tyre vijnë me radhë dijetarët e mëvonshëm. Sa e sa prej dijetarëve islamë kanë kryer fakultete dhe kanë arritur gradat më të larta të dijës dhe shkencës, magjistraturë e doktoraturë. Por, ata, kundrejt këtyre arritjeve akademike, e pranojnë se për nga aspekti i dijës kanë ngelur gjithmonë nxënës të Resulullahit s.a.v.s. Asnjëherë nuk kam dëgjuar dikend të thotë se është më i ditur se Pejgamberi a.s. Absolutisht. Këtë nuk do ta thotë askush asnjëherë. Nëse ata konsiderohen dijetarë të ymetit, dhe janë të këtillë, ky nder për ta është në emër të të qenurit të tyre nxënës të rrugës së Resulullahit s.a.v.s. Atëherë, a nuk është Pejgamberi a.s. mësues i mësuesave!? Gjithësesi.

 

Muslimani nxënës i Pejgamberit a.s. 

      Së këndejmi, besimtari i sinqertë, nëpërmjet shpjegimeve të dijetarëve të dëshmuar në dijën e tyre, i mëson dituritë fetare dhe i dëgjon këshillat e tyre. Ai, shndërrohet në nxënës të dijetarëve islamë, përsëri për një arsye të vetme sepse dijetarët në fjalë e kanë pikëreferim rrugën e Resulullahit s.a.v.s., për të cilët Pejgamberi a.s. ka thënë se: إِنَّ الْعُلَمَاءَ وَرَثَةُ الْأَنْبِيَاءِ إِنَّ الْأَنْبِيَاءَ لَمْ يُوَرِّثُوا دِينَارًا وَلَا دِرْهَمًا إِنَّمَا وَرَّثُوا الْعِلْمَ فَمَنْ أَخَذَ بِهِ أَخَذَ بِحَظٍّ وَافِرٍ -“Dijetarët janë trashigimtarë të pejgamberëve. Pejgamberët nuk kanë lënë trashigimi as dinarë e as dirhemë, por ata kanë lënë dijen, prandaj kush e merr atë, ka një fat të madh.” (Suneni i Termidhiut). E, sipas kësaj, edhe ky besimtar i sinqertë është nxënës i Resulullahit s.a.v.s.

      Sot, kur po i  shkruajmë këto rreshta, na gëzon fakti se nxënës të Resulullahit s.a.v.s. janë brezi i ri në nivel të botës islame. Ku do që shkojmë, në secilin institucion, po thuajse, është e pamundur pa hasur në dikend që respekton me përpikëri rrugën e Resullahit s.a.v.s. Në mënyrë të vaçant, islami, sot është imazh i studentëve në trojet tona shqiptare. Kjo është shpresëdhënëse dhe një lloj rilindje e re kombëtare. Jo, në kuptim të afirmimit të Islamit, sepse Islami është i afirmuar dhe ai nuk ka nevojë për këtë, posaçërisht kur e kemi parasysh hapërimin e tij enorm në nivel të botës. Por, në kuptim të afirmimit të vlerave të vërteta islame, për të cilat ka shumë nevojë kombi shqiptar, në këtë kohë, kur individi është në krizë të vlerave morale, ndërsa familja në krizë të zhbërjes përfundimtare të saj. Këta studentë, nxënës të udhëzimeve të Resulullahit s.a.v.s., në mos asgjë tjetër, me vetë shembulltyrën e tyre prej individësh të edukuar dhe familjarë, do të jenë inspirim për të gjithë. Dhe, me të vërtetë janë inspirim, këtë e shohim për çdo ditë.


[1] Michael Hart, The 100: A ranking of the most influential persons in history, sipas: http://www.dlmark.net/hundred.htm (data e citimit 27.02.2013)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *