Sot, me datë 3 mars 2023, me nasib të Zotit e falëm xhumanë në fshatin Pouskë.
Zoti i Madhërishëm e ka sjellur në Kur’an amanetin e pejgamberëve që ua lanë fëmijëve të tyre, në çastet e fundit të jetës:
“E Ibrahimi i porositi bijtë e tij për fenë, e edhe Jakubi: “O bijtë e mi, Allahu ua zgjodhi fenë Islame juve, pra mos vdisni ndryshe, por vetëm duke qenë muslimanë!” (Kur’ani, 2/132)
(Njëherit ky ajet argumenton se Islami ishte fe e të gjithë pejgamberëve, prej hazreti Ademit te hazreti Ibrahimi, te hazreti Jakupi e deri te hazreti Isa e te Muhamedi, Zoti qoftë i kënaqur me të gjithë ata)
Populli jonë ‘amanet’ i thonë asaj porosisë së fundit, pra para vdekjes kur njeriu ia lë dikuj si gjënë më të rëndësishme. Në ato çaste njeriu mendon me shpirt, jashtë çdo interesi dhe lehtësisht i nxjerrë gjërat më me vlerë.
Ata që nuk kanë njohuri fetare, mund t’ua lënë amanet: ngone nënën, ose ngone babën, bëhuni të mirë, mësoni, etj.
E ata që e dinë çka është dunjaja e çka ahireti, ua thonë një fjalë ‘përmbanju fesë’, ashtu siç u thanë pejgamberët fëmijëve të tyre. Sepse, brenda kësaj porosie përmbahen të gjitha mirësitë që njeriu ia do evladit!
Por, po thuajse askush nuk u thotë ‘ngani pas dunjasë’.
Axha im thoshte ‘kjo dynja s’qenka kurrgjë’…!?
Në fakt, përmes këtij shembulli të pejgamberëve, Zoti po na thotë se gjëja më e rëndësishme për frymëzimin e fëmijëve është feja, e pastaj të gjitha të tjerat pas saj.
Tek feja, njeriu i gjen motivet e mirëfillta, për dijen, për punën, për bamirësinë, etj.
As arsimimi, as puna, e as asgjë tjetër nuk është para fesë, sepse feja për njeriun është si shërbeti pa të cilin bakllavaja nuk ka kuptim. Të gjitha të tjerat janë të rëndësishme, madje tepër të rëndësishme si ato dritaret që sjellin dritën, por feja është mu si dera e hyrjes që i jep kuptim shtëpisë.
Më pëlqeu një thënie e ideologut të shekullit XX, Erbakan hoxhës, Allahu e gradoftë në xhennet:
“Nëse fëmijëve tuaj nuk ua mësoni hallallin, haramin, dynjanë dhe ahiretin, shkolloni sa të doni, kurrë s’mund t’i bëni njerëz.”
Për këtë arsye, prindi që ka fëmijë të mirë kurrë nuk zhgënjehet në fund të jetës edhe nëse nuk ka pasuri gjithaq, por zhgënjehet nëse ka dështuar në ndërtimin e fëmijëve edhe nëse i ka milionat e botës.
Epilogu, dërgoni fëmijtë në mektebin e xhamisë…!