Mr. Orhan Bislimaj

Impulsi i imanit dhe kritika ndaj vetvetes

(shembulli i sahabiut Ebu Lubabe r.a.)

 

Hyrje

     Imani, kur akomodohet plotësisht në zemrën e njeriut reflekton entuziazëm konstruktiv. Ai, njeriun e udhëzon veçse për të mirë dhe e ndalon nga çdo gjë që është e keqe për veten e tij, për fenë e tij, për atdheun, për kombin, për ymmetin Muhamed dhe për mbarë shoqërinë në përgjithësi.

 

Sahabiu Ebu Lubabe (r.a.) dhe kritika ndaj vetvetes

     Secili musliman, që ka një vetëdije normale për përkatësinë e tij fetare islame, e ka një shoqërues të pandashëm të vetes së tij, dhe atë gjatë gjithë jetës, i cili e përgëzon kur bën mirë dhe e qorton kur bën keq. E motivon për adhurimin e Allahut dhe respektin ndaj prindërve, ndërsa e ndalon nga adhurimi i idhujve dhe besëtytnitë e kota. E stimulon për dashuri ndaj Allahut dhe dashuri ndaj Resulullahit s.a.v.s. E përgëzon kur e kryen namazin, kur agjëron Ramazanin, kur e kryen haxhin, kur i ndihmon vëllaut të vet, ndërsa e çorton kur e përbuzë jetimin të varfërin dhe kur mbahet mendjemadh. E këshillon për mirësi ndaj bashkëshortes dhe përgjegjësi në edukimin e fëmijëve. E obligon për përgjegjësi në kryerjen e punës dhe ruajtjen e mallit të pronarit ku punon. E urdhëron që të fitojë dhe të ushqehet me hallall dhe e ndalon nga harami dhe ushqimi me haram. E inkurajon që ta ruajë shëndetin e vet dhe të kujdeset për qetësinë e fqinjit të vet. E urdhëron për dashuri ndaj atdheut dhe besnikëri ndaj shokëve të idealit të përbashkët. Ky është imani i vendosur në zemrën e njeriut. Apo të themi më mirë, kjo është ndërgjegja e njeriut e brumosur me imanin e sinqertë në Allahut Fuqiplotë. I mundëson njeriut qetësi dhe kënaqësi maksimale, atëherë kur e pason udhëzimin e Allahut Dhul Xhelal dhe rrugën e Muhamed Mustafasë a.s., dhe nuk e la të qetë atëherë kur e tradhton Allahun dhe të Dërguarin e tij.

     Kështu I pati ndodhur Ebu Lubabes r.a., këtij sahabi (shok) të Resulullahit s.a.v.s. Ebu Lubabe, me një rast e pati bërë një gabim, me vetëdije, por pa qëllim, të cilin ai vetë e kishte cilësuar dhe pranuar si tradhti ndaj Allahut dhe Pejgamberit a.s. Ndërgjegja e tij, e brumosur me iman të sinqertë në Allahun, nuk e pati lënë të qetë, deri në atë masë sa  u pajtua ta ndëshkonte veten e tij deri në vetëmbytje dhe pasurinë e tij ta lë vakëf.

     Në vitin 627 miladi, Pejgamberi (a.s.) ishte detyruar të luftojë kundër fisit jehudij Benu Kurejdha I cili jetonte brenda në Medinë, me të cilët kishte marrëveshje të paqës. Mirëpo, me rastin e luftës së Hendekut në vitin 627,  pabesimtarët, të bashkuar nga fisi Kurejsh, Gatafanë dhe shumë të tjerë patën organizuar ushtrinë më të madhe të mundshme, rreth 10.000 trupa, kundrejt muslimanëve që numronte rreth 3.000. në këto rrethana, fisi Beni Kurejdha mendoi se i erdhi fundi Pejgamberit dhe muslimanëve dhe e theu marrëveshjen e paqës dhe u pozicionua në krahun e ushtrisë kundërshtare, që veç patën ardhur afër Medinës. Ky ishte një moment shumë I vashtirë për Pejgamberin a.s., madje ndër më të vështirët, sepse rrezikohej nga jashtë dhe nga brenda. Po ashtu ishte sporovë për besimtarët, sepse armiku ishte shumë i madh në numër. Këtë, e përmend edhe Allahu: “Atje, në atë vend qenë sprovuar besimtarët, dhe qenë tronditur me një dridhje të fortë.” (El-Ahzabë, 11). Pejgamberi a.s. shumë brengosej për ndonjë disfatë të mundshme në këtë betejë, për arsye se nuk mund ta paramendonte që edhe njëherë të bëjë hixhret, kësaj radhe prej Medinës. Jo se i druhej vështirësive të hixhretit, por dilemave se ku mund të shkonte, ngase nuk shihte ndonjë vend më të përshtatshëm pas Mekkës dhe Medinës. Në këtë gjendje të vështirë, Allahu i premtoi Pejgamberit a.s. se do ta ndihmojë edhe në këtë betejë. Këtë premtim Pejgamberi a.s. ia konfirmoi shokëve të tij. Por, ç’e do që besimtarët e luhatur nuk i besuan premtimit të Pejgamberit a.s. dhe kërkuan lirim nga lufta. Premtimi i Pejgamberit a.s. doli i vërtetë, dhe e fitoi luftën e Hendekut me fare pak pasoja.

     Lufta e Hendekut mbaroi, por nuk mbaroi puna me fisin Beni Kurejdha, të cilat pa asnjë arsye e prishën njëanshën marrëveshjen e paqës, dhe ia kthyen pushkën Pejgamberit a.s.

عَنْ عَائِشَةَ رَضِيَ اللَّهُ عَنْهَا قَالَتْ لَمَّا رَجَعَ النَّبِيُّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ مِنْ الْخَنْدَقِ وَوَضَعَ السِّلَاحَ وَاغْتَسَلَ أَتَاهُ جِبْرِيلُ عَلَيْهِ السَّلَام فَقَالَ قَدْ وَضَعْتَ السِّلَاحَ وَاللَّهِ مَا وَضَعْنَاهُ فَاخْرُجْ إِلَيْهِمْ قَالَ فَإِلَى أَيْنَ قَالَ هَا هُنَا وَأَشَارَ إِلَى بَنِي قُرَيْظَةَ فَخَرَجَ النَّبِيُّ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ إِلَيْهِمْ

     Transmeton hazreti Aisheja r.a., e cila ka thënë se Pejgamberi a.s. kur është kthyer nga beteja e Hendekut i ka hequr armët dhe është pastruar, me atë rast i erdhi Xhibrili a.s., dhe i tha:

     “I paske lënë armët?! Pasha Allahun ne (melekët) akoma nuk i kemi lënë, dhe menjëherë shko tek ata? E, n’çvend të shkoj? – pyeti Pejgamberi a.s. Ja, këndej – u përgjigj Xhibrili a.s. dhe dëftoi në drejtim të fisit Benu Kurejdha. Atëherë – thotë Aisheja – Pejgamberi a.s. u nis në drejtim të atyre.[1] Kur doli Pejgamberi a.s. bashkë me ushtrinë myslimane, Beni Kurejdha, burra e gra, i madh e i vogël, nga frika u mbyllën nëpër kështjella. Aty mbetën të ngujuar për më se 25 ditë. Kur u ngushtuan nga uria shprehën interesim për rimarrëveshje me Pejgamberin a.s., por u refuzua. Pastaj u interesuan me Ebu Lubaben r.a., i cili ishte musliman, porse e kishin shok dhe ky kishte lidhje të hershme me ta, pasiqë shtëpinë dhe pasurinë e kishte në pjesën e tyre. Ata i thanë Ebu Lubabes, se nëse do t’i dorëzoheshin Pejgamberit a.s., çfarë e kishte ndërmend të bënte Pejgamberi a.s. me ta?

    Këtu fillon intenca e rastit Ebu Lubabe. Ebu Lubabe, ngase i dinte pak a shumë planet e Pejgamberit a.s. se çfarë do të bënte me ta po t’i dorëzoheshin, porse ishte i porositur që në lidhje me to, të mos ia tregonte asgjë atyre, sepse ende nuk kishte ndonjë vendim të prerë, dhe priste që këtë ta marrë pasi ata të dorëzohen. Me këtë rast, Ebu Lubabe duke iu përgjigjur pyetjes së tyre se çfarë do të bënte Pejgamberi a.s. me ta, bëri me dorë se ata i prêt vdekja, duke ua bërë me dije që të mos dorëzohen. Sapo e tha këtë fjalë, Ebu Lubabe e pa që rrëshqiti, por fjala doli prej gojës.

     Ebu Lubabe u pendua shumë për këtë që e tha. Imani i tij i sinqertë nuk e linte të qetë. Ra në një gjendje tejet të rëndë, dhe u dëshpërua me vetveten. Nuk dinte çfarë të bënte, ishte në gjendje që vetvetes së tij t’ia japë dënimin më të rëndë, për hirë të asaj që Allahu t’ia pranojë këtë pendim për këtë tradhti. Në zavallin e kësaj, Ebu Lubabe vendosi ta lidhë vetën e tij për njërën prej shtyllave të xhamisë së Pejgamberit a.s. në Medinë, dhe ashtu veproi. I vetëlidhur për shtyllë, qëndroi më se një javë, pa hëngër dhe pa pi. Ishte në një gjendje të mjerueshme dhe alivanosej nga uria. Sahabët i thonin se Allahu ia ka pranuar pendimin, dhe donin ta lironin, por ai nuk pranonte derisa këtë ta bëjë vetë Pejgamberi a.s. me dorën e tij. I Dërguari i Allahut e liroi, ndërsa Ebu Lubabe, në emër të pranimit të pendimit, i ofroi Pejgamberit a.s. tërë pasurinë e tij për në rrugën e Allahut, dhe tha se do të shpërngulet prej Medinës, por Pejgamberi a.s. i tha se mjafton 1/3 e pasurisë. Shtylla që përkujton këtë ngjarje historike, ndodhet ende sot nën emërtimin “Shtylla e Ebu Lubabes” në xhaminë e Pejgamberit a.s. në Medinën e Ndritshme.

     Për shkak të tij zbriti ajeti: “O ju që besuat, mos e tradhtoni Allahun dhe të dërguarin, e ashtu të tradhtoni amanetet tuaja, derisa e dini sa e keqe është kjo. Dhe dini mirë se pasuria e juaj dhe fëmijët tuaj janë vetëm një sprovë, dhe se te Allahu është shpërblimi i madh.” (El-Enfal, 27-28).[2]

     Ky është rasti i Ebu Lubabës që ka marrë një identitet të veçantë në historikun e kritikës ndaj vetvetes.

 

Impulsi i imanit dhe pranimi i gabimit

     Shembullin e Ebu Lubabes nuk e kemi sjellur këtu, për shkak se ai e ofroi tërë pasurinë e tij sadaka, por për motivet që e shtynë ta ndëshkojë vetveten. Këto motive, mbase janë të rëndësishme. Në veten e tij, ekzistonte diçka që nuk e linte të qetë. Fjalët e tij, nuk i kishte dëgjuar askush nga ana e Pejgamberit a.s., dhe pabesimtarët as që e dinin se përgjigja e Ebu Lubabes përbënte ndonjë gabim të tij. Por, ai vetë e dinte këtë dhe e cilësoi si një gabim.

     E, pra, ky është imani, që në kuptimin praktik do të thotë “kontrollim i vetvetes nëpërmjet vetvetes”. Prej zemrës së njeriut fillojnë të gjitha të këqiat, po edhe prej saj të gjitha të mirat. Pejgamberi a.s. ka thënë:

أَلَا وَإِنَّ فِي الْجَسَدِ مُضْغَةً إِذَا صَلَحَتْ صَلَحَ الْجَسَدُ كُلُّهُ وَإِذَا فَسَدَتْ فَسَدَ الْجَسَدُ كُلُّهُ أَلَا وَهِيَ الْقَلْبُ

     “… Në trupin e njeriut është një copë mishi, kur ajo përmirësohet, përmirësohet i tërë trupi, e kur ajo prishet, prishet i tërë trupi, ajo është zemra.”[1]

     Në momentin që imani e dominon zemrën dhe vetëdijën e njeriut, ai nuk e lë të keqën të zë rrënjë në vetë njeriun. Reagimi i tij është i shpejtë dhe konkret. Jo vetëm te Ebu Lubabeja r.a., por te secili besimtar, imani është mbrojtësi më i mirë i besimtarit nga tendencat e kqëia dhe destruktive që ekzistojnë në vetë njeriun. Sepse njeriu vazhdon të jetojë në mes të mendimeve të këqia dhe atyre të mirave. Në këtë mes, imani e jep fjalën e vetë vendimtare. Imani i fuqishëm i vëhet në mbrojtje besimtarit nga intrigat e mendimeve destructive, në njërën anë, dhe në mënyrë të prerë i mbështet prirjet e mira tek njeriu, në anën tjetër. Edhe djalli (shejtani), si symbol i forcave amorale dhe intriguese, ka një ndikim, madje të madh, në këtë drejtim. Për këtë arsye jemi të thirrur që në mënyrë të vazhdueshme të kërkojmë mbrojtje tek Allahu nga të këqiat e shejtanit të mallkuar. Si rezultat i kësaj, mund të ndodhin ndryshime tek besimtarët, dhe kjo varet nga fuqishmëria e imanit.

     Besimtari, i cili nuk reflekton iman të fuqishëm, është më pak imun në kritikimin e vetvetes, dhe më me lehtësi i pranon ndikimet rrëmbyese të epshit dhe kënaqësive egoiste të tij. Tek ky, nuk mund të pritet ndonjë rezistencë konsistente ndaj mendimeve destruktive, veçse një konformizëm që krijon rutinë të natyrshme në vetë individin. Tipa të këtillë ka mjaft në mjediset e muslimanëve, dhe ne i hasim për çdo ditë.

     Sikundër kësaj, besimtari i cili reflekton iman të fuqishëm është kritikues i vetvetes sa herë që gabon. Disponimi i tij ndryshon dhe ai mërzitet për një mëkat që e ka bërë. Nuk ndihet i lumtur, por i pikëlluar. Imani e akuzon për tradhëti ndaj rrugës së Allahut dhe rrugës së Resulullahit (s.av.s.), ashtu siç e kishte akuzuar Ebu Lubaben r.a. Imani, këtë akuzë e artikulon nëpërmjet gjuhës së vet tejet elekuente. Këtë e ndijnë shpirti, ndërsa zemra tronditet nga çortimi. Nëpërmjet shpirtit dhe zemrës e ndijnë të gjitha gjymtyrët, madje edhe çepallat e syve të njeriut, të cilat e tregojnë brengën. Kjo gjuhë është më e drejtpërdrejtë sesa gjuha që flasim. Për arsyen e thjeshtë, sepse në mes të imanit dhe zemrës nuk ka perde dhe pengesa. Ai, komunikon direkt dhe në çdo kohë, edhe në gjum. Bile, në qetësinë e gjumit dhe në errësirën e natës, atëherë kur besimtarët ngrihen nga shtrati i tyre për ta përkujtuar Allahun e Madhëruar, gjuha e imanit vazhdon të flasë edhe më qartë, e shpirti i njeriut i dorëzohet. Ky është momenti, kur kritika e imanit arrinë kulminacionin e vet, dhe besimtari, me zemër dhe shpirt të pikëlluar i drejtohet Allahut me pendim të sinqertë, ashtu siç iu drejtua Ebu Lubabe, i cili qe tronditur nga kritika e imanit. E pranoi gabimin, e pranoi edhe qortimin e zemrës dhe të shpirtit. E përjetoi edhe vetëndëshikimin. Ai, kërkonte shtegdalje nga labirinthet e zemrës së mërzitur për gabimin që e bëri.

 

Impulsi i imanit dhe besnikëria

     Në momentin që Ebu Lubabe r.a. e vetëpranoi gabimin, ai tregoi se në zemrën e tij është një rojtar vigjilent që e përjashton çdo të keqe që futet brenda. Mbi të gjitha e shpëtoi vteveten nga pasojat e mëkatit. Pendimi I tij, nënkupton kërkimfaljen ndaj Allahut, distancimin nga mundësia e përsëritjes së gabimit, dhe njëkohësisht përmirësimin e tij në të ardhmen. Ky është rezultat i imanit aktiv, i cili e motivon njeriun që t’i qëndrojë besnikë rrugës së Allahut dhe të Dërguarit të Tij (s.a.v.s.).

     Dhe, shembulli i Ebu Lubabes nuk ka mbaruar me vdekjen e tij. Jo, ai është shembull që flet në vazhdimësi dhe përgjithmonë. Muslimanët, ku do që janë, pra edhe tek ne shqiptarët, duhet ta dijnë se besnikëria ndaj Allahut dhe Pejgamberit duhet të jetë konsistente, pavarësisht vendin dhe kohën. Ata, duhet të jenë besnikë ndaj interesit të tyre të përgjithshëm, atëherë kur bëhet fjalë për atdheun, kombin dhe shoqërinë në përgjithësi. Sahabiu i famshëm, Ebu Lubabe, ndoshta nuk kishte bërë ndonjë gabim shumë të madh, kur i kishte thënë fisit Benu Kurejdha se “ata i priste vdekja”, por ai, edhe këtë e kishte cilësuar tragjike. Ku është arsyeja? Sepse, atij iu duk sikur e mbajti anën e armikut, dhe me këtë tradhtoi Allahun dhe Pejgamberin, pra sikur nuk i qëndroi besnik rrugës së tyre. Muslimanët, kudo në botë, sikur ta kishin parasysh këtë shembull, do t’i kishin punët shumë më mirë. Ne, shqiptarët e Republikës së Kosovës e dimë se sa dëm i madh i është bërë rrugëtimit tonë për liri dhe pavarësi nga kolaboracionistët shqiptarë, muslimanë dhe katolikë, që pa fije turpi ndaj Zotit, bashkëpunonin me regjimin serb. Nëpërmjet tyre, regjimi serbo-sllav e ka mbajtur në okupim të egër Kosovën tonë të dashur dhe shqiptarëve ua ka pirë gjakun me pambuk. Sa e sa të rinjë e të reja, djemë e vajza, kanë qenë viktimë e pritave tradhtare?!

     Përsëri, sikur, ne shqiptarët muslimanë të Republikës së Kosovës, ta kishim parasysh këtë shembull të Ebu Lubabes (r.a.), sot nuk do të vinte puna që vajzat tona të përzihen nga shkolla vetëm për shkak të mbajtjes së mbulesës islame. Nuk do të vinte puna, që motrat tona të largohen nga puna, për shkak të shamisë. Asnjëherë! Këtë tradhëti ndaj shamisë – si një obligim i Allahut për gjinin femëror, nuk e kanë bërë jomuslimanët, sepse, ne e dimë, që qeveria jonë e Republikës së Kosovës udhëhiqet nga vetë muslimanët. Këtë, pikërisht e kanë bërë muslimanët, respektivisht, ata, që nuk e kanë për brengë tradhëtinë ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij (s.a.v.s.). Por, Allahu është Gjykues I të gjithë neve. Shembulli i Ebu Lubabes, le të qëndrojë si një kurorë mbi kokat tona!   


[1] “Sahihu’l-Buhari”, Kitabu’l-imani, babu: Fadlu men istebree lidinihi, nr. 50.


[1] Sahihul Buhari, el-kitabu: El-megazi, el-babu: merxhiun-nebij minel ahzabi ve mahrexhuhu ila beni kurejdha, nr. 3808.

[2] Më gjerësisht për këtë ngjarje, përkitazi me komentimin e ajetit El-Enfal, 27-28,  shih komentarët e Kur’anit: Iben Kethiri, Tefsirul Kur’anil adhim; Samerkandi, Bahrul Ulum; Alusi, Ruhul meani;Taberaniju “Et-Tefsirul kebir dhe komentarët e tjerë. Po ashtu shih: Bekir Topaloglu, Biseda fetare, Stamboll, 1999, fq.210.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *