Në këtë ditë të mirë e me diell, sot me datë 24 shkurt 2023 e falëm xhumanë në xhaminë e Epërme të Nashecit.
Allahu e porositi Pejgamberin a.s.: “Publiko haptas atë për të cilën urdhërohesh, e hiqu idhujtarëve.” (Kur’ani, 15/94).
Ka plotë prej të rinjve e të rejave, burrave e grave, që e duan fenë shumë, e falin namazin, po ashtu dijnë shumë prej mësimeve të Kur’anit e haditheve të Pejgamberit a.s., por të gjitha këto i mbajnë fshehtë dhe sikur u vjenë marre t’i publikojnë në shoqërinë e tyre.
Kjo qasje nuk është e mirë. Vlerat siç është feja, duhet t’i publikojmë, kurse të këqijat duhet t’i mbulojmë.
Madje, në këtë kohë të krizës së thellë morale, kur degjenerimi është bërë brend kohor, çështja e pompozitetit të fesë është një akt patriotik apo thënë me gjuhën e fesë ‘xhihad’.
Së paku për dy arsye: e para, njerëzit përfitojnë nga këshillat e Kuranit, dhe e dyta, në këtë mënyrë i kundërvihemi antivlerave që e kanë pllakosur fare shoqërinë gjithandej.
Paramendo, i gjithë populli e shikon emisionin ‘Big Brother’ dhe të tjera të ngjashme, i shikojnë ato marrëzira të turpshme dhe për më keq i cilësojnë si emancipim.
Çka është duke ndodhur me këtë popull!?
E kemi rrënuar frymën e mësimit, të leximit, të moralit, të mirësjelljes, të familjes, të gjitha i kemi rrënuar që dikur i kemi pasur për krenari.
Intelektualët janë strukur në kabinete, shkrimtarët gjithashtu, kurse orientimin e popullit e ka marrë rruga, e kanë përmbledhur profiterët e antivlerat.
Fryma e antivlerave është bërë aq kategorike, saqë njerëzve po u vjen turp të thonë se e falin namazin.
Kësaj errësire shpirtërore duhet t’i hapim front dhe këtë mund ta bëjmë qoftë edhe duke u mburrur me vlerat fetare.
Sepse, pa ndriçimin e diellit, errësira e natës nuk do zhdukej kurrë.
Nëse njeriu e zbuloi poçin elektrik për ta zdritur ambientin fizik, Kur’ani është ai Dielli i Zotit që e zdrit shpirtin.
Nuk ka alternativë tjetër…!