Me nasib të Zotit, sot më datë 10 shkurt 2023, e falëm xhumanë në Billushë të Prizrenit.
Gjatë dersit folëm për tërmetin shkatërrimtar që ndodhi këto ditë në Turqi e Siri dhe që na tronditi të gjithëve. Zotit i qofshim falë për çdo gjë.
Zoti ka folur në Kur’an në shumë vende për tërmetet që i kanë goditur popujt e kaluar.
1) Duhet ditur gjithmonë se tërmeti dhe çdo gjë tjetër në gjithësi, ndodh me krijimin e caktimin e Zotit. Një prej emrave në Kur’an që Allahu e posedon është ‘El-Kahir’ – Mbizotëruesi i rreptë i gjithësisë. (Kur’ani: 6/18).
Në fakt, ‘El-Kahir’ quhet ai që e pengon tjetrin të veprojë në kundërshtim me vullnetin e Tij.
Pra, aq është rigoroze kjo punë, saqë jo vetëm toka, por edhe gjethi kur bie prej pemës bie vetëm me vullnetin e Krijuesit. (Kur’ani: 6/59).
Shembulli konkret që dëshmon mbizotërimin e tokës është ai me rastin e tufanit, në kohën e hazreti Nuhit a.s., kur pati ndodhur përmbytja e madhe. Me atë rast, Allahu i ka dhënë urdhër direkt tokës e qiellit:
“Oj tokë, përbije ujin tënd, dhe o qiell, ndërpreje (shiun), uji u tërhoq, urdhëri u zbatua dhe ajo (anija) u ndal në (kodrën) Xhudij…” (Kur’ani:11/44).
Pa këtë urdhër, toka nuk do ta kishte përbi ujin dhe as qielli nuk do ta ndalte shiun.
2) Pavarësisht të gjithave, fenomenet natyrore janë ‘shenja’ të Zotit (ajat), andaj kërkohet që t’i lexojmë sakt e drejt, pra ta kuptojmë mesazhin e tyre.
Majde, jo vetëm fenomenet natyrore, por edhe taksiratet që ndodhin në përditshmërinë tonë, duhet t’i lexojmë.
Paramendo, Zoti na jep shëndet, e ne hiq s’e falënderojmë; na jep pasuri na përsëri hiq, na shpëton prej ndonjë të keqeje, na përsëri hiq, bile për më keq meritat ia lëm dikujt tjetër…
Fenomenet natyrore sjellin mesazh. Përtej planetarës, Zoti i çon ato për t’i frikësuar njerëzit, porse në funksion të përmirësimit të tyre. (Kur’ani: 59/17).
Në fakt ua çon për t’i këndellë nga dehja e dynjasë, me qëllim që ata të kthehen kah Zoti. (Kur’ani:59/21)
Thjesht, a ka sot njeri që nuk është tmerruar nga tërmeti në Turki e Siri, nga ato skena të llahtarshme!?
Sa herë që flejmë në mbrëmje, na shkon ndërmend se e nesërmja mund të na çelë nën gërmadha…
Prandaj, duhet të bindemi njëherë e përgjithmonë se jeta jonë, para se të jetë në shërbimin tonë, ajo është nën jurdiksionin e Zotit, andaj nuk kemi të drejtë të sillemi si Zot i vetvetes.
Musai a.s., kur pati ndodhur një tërmet në kohën e tij, menjëherë e kishte kuptuar mesazhin, pra e kishte lexuar sakt dhe kërkoi uzdajë te Zoti për të këqijat e popullit të vet: “O Zot, a do të na shktërrosh për atë që e bënë mëndjelehtët nga mesi ynë (…) ne vërtet jemi kthyer kah Ti”. (Kur’ani:7/155-156)
Njësoj edhe hazreti Omeri r.a., kishte reaguar, kur tha, nëse edhe njëherë bie tërmeti në Medinë, unë nuk do të jetojë në mesin e juve!
Njësoj duhet të veprojmë edhe ne, duke i lexuar fenomenet natyrore në funksion të kthimit kah Zoti.
Zot i Madhërishëm mëshiroji të vdekurit e tërmetit, shëroji të lënduarit, sabër familjeve dhe kompenzoje këtë humbje me shumëfishim…!