Me nasib të Lumit Zot, sot më datë 6 janar 2023, në këtë ditë me diell në midis dimri, e falëm xhumanë e parë të këtij viti në xhaminë ku u mbajt Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit.
Pasi hyri në Islam, Urveh bin Mesud e ftoi edhe popullin e tij, por e gjuajtën me gurë deri sa e mbytën.
Kur dëgjoi për këtë rast, Pejgamberi a.s. shumë u pikëllua dhe tha:
“Rasti i Urves është si rasti i pronarit të Jasinit, edhe ai e ftoi popullin e tij në rrugën e Zotit, por e mbytën.”
Ndërsa, u quajt me nofkën ‘pronar i Jasinit’, ngaqë në suren Jasin, Allahu e tregon ngjarjen e tij, përndryshe emri i tij ishte Habib En-Nexhar, nga Antakija që i bie diku në pjesën e Azisë dhe ka jetuar disa qindra vite para Pejgamberit a.s..
Në fund të ditës, Habib En-Nexhar e ndante fitimin në dy pjesë, një për familjen kurse tjetrën e jepte sadakë.
Dhe, një ditë, kur njerëzit iu ngërmuan pejgamberëve për t’i mbytur (thuhet kanë qenë tre: Sadku, Maduku dhe Shemuni), ky ndërhynë në mbrojtje të tyre: “Dhe prej skajit më të largët të qytetit erdhi një njeri që ngutej e tha: “O populli im, dëgjoni pejgamberët!” (Kur’ani, 36:20).
Por ç’e do populli i poshtër e mbyti Habib En-Nexharin me një mbytje tepër të keqe, e Allahu ka dëshmuar se ai është në gradat më të larta të xhennetit.
Ama, në shenjë hakmarrjeje, Allahu e çiti fare atë milet të keq me një britmë të tmerrshme, që e lëshoi pikërisht meleku i shpalljeve dhe të gjithë u ngrinë të vdekur.
Abdullah ibën Abasi thotë: “Habib en-Nexhari e këshilloi popullin e tij me jetën dhe vdekjen e tij.”
Këshilla e tij ishte tepër e qartë, dëgjoni pejgamberët, kjo do të thotë dëgjoni mësuesit e fesë.
Një gjë duhet ta dijë secili, imamët nuk janë vetëm profesionistë lëmish, siç janë të tjerët.
Përtej kësaj, ata janë njerzë që kanë për detyrë misionin e pejgamberëve të Zotit.
Për shembull, ushtarët e UÇK-së nuk kanë qenë vetëm ushtarë si të tjerët, por luftëtarë me mision çlirimi.
E, misioni i pejgamberëve dihej.
Ai është më i rëndësishëm se çdo pozitë shtetërore a funksion shoqëror që mund të jetë në dynja, po edhe është më i vështiri e më i rëndi.
Edhe aty ku nuk shihet fare drita në fund të tunelit, imami duhet të luftojë për ta varur një të tillë…
Luftë kundër shkëmbinjëve të së keqës që barrikadohen rrugëve.
Pa zërin e fesë, pa zërin e fesë islame, nuk mund të mendohet një shoqëri e qetë dhe e shëndoshë, kështu ka qenë gjithmonë.
Ideja është që të gjithë njerëzit të bashkohen në një front të përbashkët për mbrojtjen e vlerave morale e qytetare.
Prandaj, kur folin imamët, duhet dëgjuar. E, nëse nuk pajtohesh, megjithatë mos i jep të drejtë vetes për kundërshtim, disa gjëra leja kohës!
Mbajeni mend, në atë moment që mbesim pa zërin e imamëve, ose më mirë të themi e mbysim zërin e imamëve, siç bënë populli i Habib En-Nexhar, kemi mbetur pa zërin e pejgamberëve, e atëherë mos u çudit me mbrapshtinë e tërë shoqërisë…!