Sot, më datë 16 qershor 2023 e falëm xhumanë në xhaminë e sapo përuruar të Planesë.

Më thanë se ezani e ka ushtuar bjeshkën e Pashtrikut, jo përse unë e thirra, por sepse terreni e kishte përplasur asisoji.

Gjatë dersit, folëm për haxhin si shtyllë e pestë e Islamit…

Kur e kam pa Qabenë për herën e parë në vitin 2007, më është dukur sikur kam dalur nga kjo botë, pra si në xhennet. Për të njëjtin përjetim më kanë folur edhe të tjerët.

Dikujt, ndoshta s’i bën përshtypje, por kjo ka të bëjë me prejardhjen qiellore të Qabesë dhe efektin linear të saj te të gjithë njerëzit. Nuk është në pyetje vetëm përjetimi subjektiv. Edhe jo muslimanët kur e shohin Qabenë kënaqen. Edhe ateistat, gjithashtu.

Veç me mendu me shku në Qabe, njeriu kënaqet, e lëre më të shikohet.

Përse?

Sepse, Qabeja e parë e ka prejardhjen prej qiellit, e të cilën e kanë zbritur melekët në tokë, në kohën e njeriut të parë. Hazreti Ademi a.s. e kishte kërkuar, si një xhelozi ndaj melekëve që bënin tavaf rreth Arshit të Zotit.

(Këtë Qaben që e shohim, është në të njëjtat dimensione të saj, por e rindërtuar nga hazreti Ibrahimi a.s.).

Por, vendi i Qabesë ka qenë i veçantë edhe para hazreti Ademit a.s.

Pejgamberi a.s. ka thënë: “Meka (Qabeja) është bërë e shenjtë, në kohën e krijimit të qiejve e tokës.”

Pra, Qabeja nuk është sikurse çdo vend tjetër në sipërfaqën e tokës. Ato klishetë allashqiptarqe, se nuk ka nevojë me shku në Qabe, kinse ato mjete m’i dërgu për bamirësi, janë shkarravitje lokaliste…

Muslimani kur e shikon Qabenë e përjeton thellësisht ëmbëlsinë e imanit në shpirt, saqë kush e di sa libra do t’i lexonte apo sa ligjërata do t’i dëgjonte, nuk do të mund ta arrinte dot atë përjetim.

Në analogji me këtë, mund ta sjellim shembullin e pamjes së Allahut në xhennet nga ana e besimtarëve.

Edhe pse do t’i kenë të gjitha mirësitë në xhennet, pra nuk do t’u mungojë asgjë, bash asgjë, megjithatë të shikuarit në Allahun e Madhërishëm do të jetë kulmi i përjetimit të shpërblimeve të xhenetit.

Prandaj, shikimi i Qabesë buron si dëshirë kongnitive në sekretet autentike të shpirtit. Realizimi i këtij shikimi lë gjurmë konstruktive, saqë e rrotullon shpirtin e njeriut për së mbari, në mënyrë të paimagjinueshme…!

Haxh të pranuar për të gjithë haxhinjtë e botës…!

Orhan Bislimaj

Për më shumë kliko këtu

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *