Shkruan: Dr. Orhan Bislimaj

Prizreni, unanimisht e do rindërtimin e xhamisë në kalanë e Prizrenit – (1)

 1. Hyrje

Çështja e rindërtimit të xhamisë në Kalanë e Prizrenit, ka qenë një tematikë që ka përshkuar aktualitetin e Prizrenit, duke filluar nga muaji tetor 2016 e këndej. Ajo, vazhdon të jetë e këtillë dhe në muajt në vijim, e deri në rindërtimin e saj. Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit dhe shoqëria civile kanë ngritur zërin publikisht, duke kërkuar rindërtimin e xhamisë. Ata, janë zotuar se nuk do të heqin dorë nga kërkesa dhe se do t’i shfrytëzojnë të gjitha format deri në rindërtimin e saj.

 

2. Problematika e çështjes

Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës – Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, që nga viti 2010 i drejtohet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe institucioneve relevante të Kosovës me kërkesën për rindërtimin e xhamisë në Kalanë e Prizrenit. Mirëpo, këto kërkesa të vazhdueshme, e që do t’i evidentojmë më poshtë, nuk janë trajtuar fare nga institucionet përkatëse, madje nuk është dhënë asnjë përgjigje. Kështu që, Minsitria për Kulturë Rini dhe Sport e Republikës së Kosovës, përgjegjëse për ruajtjen e trashëgimisë kulturo-historike të Kosovës, me rastin e restaurimit, konzervimit dhe rindërtimit të objekteve brenda hapësirës së Kalasë, nuk e ka paraparë fare rindërtimin e xhamisë, apo të themi më mirë e ka injoruar xhaminë, duke e dënuar që të mbetet gërmadhë përgjithmonë. Ky anashkalim i xhamisë dhe injorim i qëllimshëm i kërkesës ka ngjallur reagimin e Bashkësisë Islame, të imamëve dhe të qytetarëve të Prizrenit, të cilët janë ngritur në këmbë, dhe me ngulm kërkojnë ringritjen e xhamisë, në emër të ruajtjes së origjinalitetit historik të Kalasë, si një monument ekskluziv i trashëgimisë kulturo-historike e nacionale, në nivel të Prizrenit dhe Kosovës.

Në vazhdim, para se të flasim për xhaminë e Kalasë dhe zhvillimet rreth kërkesës për rindërtimin e saj, e konsideroj të arsyeshme që të japim disa informacione për Kalanë e Prizrenit, sipas të dhënave historike, që dihet se janë autentike.

 

3. Kalaja e Prizrenit në kontekstin historik

Pa dyshim, kalaja e Prizrenit është një monument me vlera të veçanta i trashëgimisë kulturore-historike të Prizrenit. Ajo, konsiderohet simboli i qytetit dhe një element me rëndësi në identitetin kulturor të Kosovës. E ndërtuar në një kodër të lartë, në një ambient piktoresk dhe në një pozitë jashtëzakonisht strategjike, Kalaja ngrihet mbi qytet sikurse edhe mbi luginën e thellë të Lumëbardhit dhe rrafshin e Dukagjinit.[1]

  

Foto-1:Pamja e Kalasë nga këndi veri-lindor

Pozicioni i saj topografik, dominues mbi qytetin, peisazhi natyror mjaft tërheqës dhe konfigurimi arkitektonik i menduar mjaft mirë, e bëjnë këtë lokalitet me vlera të padiskutueshme ambientale, shkencore, historike dhe turistike.[2] Është e vendosur në pjesën lindore të qytetit mbi një kodër me formë konike, me lartësi 525 m. mbi nivelin e detit. Muret fortifikuese ndjekin izohipset e terrenit duke rrethuar një sipërfaqe rreth 1.5 ha në trajte përafërsisht vezake me zgjatje veri-jug.[3]

  

Foto -2: Pamja e Kalasë nga këndi veri-perëndimor

 

Burimet e shkruara flasin shumë pak për Kalanë e Prizrenit. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit – Databaza e Trashëgimisë Kulturore të Kosovës, Kalaja e Prizrenit i përket periudhës romake, shekulli i IV.[4] Shënimi më i vjetër që e përmend Kalanë e Prizrenit, ëshët ai i kronistit bizantin, Prokopi i Cezares nga (Palestina), i shek. VI-të,  bashkëkohanik i Justinianit (527-565). Me sa duket Prokopi me kërkesë të Justinianit, ndërmjet viteve 558-560 e shkroi veprën “De aedificiis” (Mbi ndërtimet). Nga vepra shihet se për tu mbrojtur nga sulmet e popujve barbar Justiniani ka urdhëruar ndërtimin e fortesave të reja dhe meremetimin e të vjetrave. Duke e çuar në vend urdhrin e perandorit në Dardani u ndërtuan tetë fortesa të reja dhe u meremetuan 61 të tjera. Në mesin e të meremetuarave për të parën herë na paraqitet emri i qytetit P e t r i z e n, që konsiston emrin e sotshëm të Prizrenit, si dhe e zëvendëson emrin e mëparshëm Theranda.[5]

Në këtë kuptim, Kalaja e Prizrenit, si një pikë strategjike, ka qenë vend që ka tërhequr interesimin e pushteteve për gjatë historisë. Me ardhjen e Perandorisë Osmane në shekullin e XV dhe deri në vitin 1912, Kalaja shfrytëzohet, përveç tjerash, edhe si fortifikatë ushtarake. Por, rolin si fortifikatë ekskluzive ushtarake Kalaja e humbi pasi që mutesarifi i Prizrenit, Mushir Vejsel Pasha, ndërtoi kazermat ushtarake në pjesën perëndimore të qytetit në vitin 1882-1883.[6]

Pas vitit 1912, me ardhjen e pushtetit agresor serbo-malazez, Kalaja i nështrohet shkatërrimit të përgjithshëm. Të gjitha objektet që kanë ekzistuar deri në atë kohë, rrënohen dhe Kalaja shndërrohet në gërmadhë, duke dalur jashtë funksionimit të saj dhe duke u lënë pas dore. Tek pas vitit 1965 fillon një interesim i pushtetit, “që kishte për qëllim valorizimin dhe prezentimin e Kalasë në suazat e zhvillimit të ekonomisë turistike të Prizrenit dhe Kosovës. Për këto qëllime u bë financimi nga mjetet e buxhetit të Kuvendit të KSAK për vitin 1969, ndërsa kërkimet arkeologjike iu besuan prof.dr.Jovan Kovaçeviq nga Universiteti i Beogradit. Këto u zhvilluan prej 03.07.1969 – 05.09.1969, me pjesëmarrjen e 7 ekspertëve dhe 7 studentëve të arkeologjisë, si dhe 10 ekspertëve të lëmenjëve të ndryshëm të entit.[7]

 

 Foto-3: Pamja e Kalasë nga këndi jug-lindor

 

Me largimin e pushtetit serb nga Kosova, në vitin 1999, Republika e Kosovës ka filluar që të interesohet për fatin e Kalasë si një zonë arkeologjike, e cila përmban potencial të madh për zhvillimin e turizmit. Kështu, që nga vitit 2004, Ministria për Kulturë Rini dhe Sport, ka filluar projektet për revitalizimin e saj. Përveç hulumtimeve arkeologjike, aty janë rindërtuar disa objekte, ndërsa mbijetojat e disa objekteve të tjera të Kalasë, përfshirë muret rrethuese, i janë nënshtruar procesit të restaurimit dhe konzervimit. Punimet, edhe gjatë vitit 2017, janë duke vazhduar, ndërsa xhamia dhe hapësira përreth saj akoma nuk është trajtuar.

 

4. Fazat e Kalasë dhe zgjerimi i saj ndër shekuj

Siç dihet, një studim voluminoz rreth Kalasë së Prizrenit është bërë në vitin 1969 me ç’rast krahas gërmimeve arkeologjike është bërë edhe incizimi arkitektonik i Kalasë. “Gërmimet arkeologjike të bëra më 1969 dhe 2004 rezultuan me zbulimin e infrastrukturës, e cila prezentohet me muret (bedenat) e përforcuara me kulla, kazamatet, labirintet, depotë si dhe një varg objektesh në brendinë e saj.[8] Vazhdimi i gërmimeve arkeologjike të bëra në vitet 2004 dhe 2009/2011 nxori në pah një vendbanim parahistorik nga epoka e bronzit dhe periudha e hershme e hekurit i cili ka shërbyer si bërthama e parë e jetës në këtë vend.”[9]

Natyrisht, Kalaja nuk e ka pasur këtë formë, që e ka sot. Ajo ka pësuar metamorfoza arkitektonike nëpër shekuj, varësisht prej periudhave historike. “Në aspektin ndërtimor ndahet në tri komplekse të veçanta të quajtura: Qyteti i Epërm, Qyteti i Poshtëm dhe Qyteti Jugor, ndërsa në aspektin e fortifikimit ndër shekuj, ajo i përket periudhave të ndryshme: Periudha antike, Periudha e sundimit Bizantin, Periudha e zotërimit Nemanjid dhe Periudha e sundimit të Perandorisë Osmane. Kalaja e Prizrenit është njëra ndër monumentet më kapitale të trashëgimisë kulturo historike të Kosovës dhe njihet si një muze i hapur.” [10]

Në një hart, që studiuesi i njohur nga Prizreni, z. Muhamed Shukriu e ka vendosë në librin e tij Prizreni i Lashtë, pasqyrohen fazat dhe periudhat e Kalasë, sipas rezultateve të kërkimeve arkeologjike të vitit 1969.[11]

 Foto-4: Harta sipas rezultateve të kërkimeve arkeologjike të vitit 1969

 Sipas kërkimeve shkencore arkeologjike, në Kala, mund të supozohen shtatë faza të ndërtimit:

1) Faza I: shek. V-VI; 2) Faza II: shek. XI; 3) Faza III: shek. XII-XIII; 4) Faza IV: shek. XIV; 5) Faza V: shek. XVI; 6) Faza VI: shek. XVII; 7) Faza VII: shek. XVIII.[12]

Natyrisht, në fazën e parë, Kalaja ka qenë një hapësirë relativisht e vogël. Nëpër periudha të ndryshme historike, ajo i është nënshtruar transformimeve të vazhdueshme, varësisht prej interesave të pushteteve. Që nga ndërtimi i saj, Kalaja e Prizrenit, zgjerimin më të madh hapësinor e përjeton gjatë kohës së Perandorisë Osmane. Aty, ndërtohet Xhamia dhe disa objekte të tjera për nevojat e banorëve të saj. Në ndërkohë, ndërtohet edhe Sahatkulla.

 

5. Statusi pronësoro – juridik i Kalasë së Prizrenit

Parcella e Kalasë, për nga aspekti pronësoro-juridik, është e regjistruar në organet kadastrale të Prizrenit dhe Kosovës. Sipas çertifikatës mbi njësinë kadastrale, të lëshuar nga Republika e Kosovës, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Zyra Kadastrale Komunale në Prizren, datë 12.12.2016, Kalaja e Prizrenit evidentohet si në vijim: Zona Kadastrale: Prizren; Numri i njësisë kadastrale: P-71813068-07675-2; Lloji i njësisë: Parcelë; Lloji i pronës: Pronë shoqërore; Sipërfaqja: 15776 m2; Pronari: P.SH.KK PRIZREN.

Sipas ligjit Nr. 04/L-066 Për Qendrën Historike të Prizrenit, neni (7), Kalaja e Prizrenit konsiderohet pjesë e Qendrës Historike të Prizrenit dhe mbrohet me të njëjtin ligj. Por, në anën tjetër, edhe pse Kalaja është e shpallur si zonë arkeologjike, megjithatë ajo nuk është zonë e veçantë e mbrojtur, siç janë disa zona të tjera në nivel të Kosovës, e sidomos zonat e kishave ortodokse.[13] Mendoj, se këtu është bërë një lëshim, duke patur parasysh vlerat që përmban Kalaja e Prizrenit, si një monument mjaft ekskluziv për trashëgiminë kulturo-historike të Prizrenit dhe Kosovës.

Po ashtu, Kalaja e Prizrenit deri në muajin tetor 2016 ka qenë e evidentuar në listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtjen e përkohshme, sipas vendimit nr. 116/15, dt.09.10.2015, i cili vlen për një vit, me mundësi të ripërtrirjes për çdo vit. Në këtë listë, Kalaja e Prizrenit, evidentohet si në vijim: Emërtimit: Kalaja e Prizrenit; Komuna: Prizren, Kategoria: Trashëgimi arkeologjike – Lokalitet arkeologjik / rezervat; Periudha: Parahistori / koha e re; Numri i vendimit: 1585/48; Numri unik në databazë:1967.[14] Ndërsa, më datë 07.10.2016, Këshilli i Kosovës për Trashëgiminë Kulturore (KKTK), sipas propozimit të Ministrisë së Kulturës, ka bërë shpalljen e 23 aseteve nën mbrojtjen e përhershme në nivel të Republikës së Kosovës. Në këtë fazë, fatmirësisht Kalaja e Prizrenit ka fituar statusin e monumentit nën mbrojtjen e përhershme. Të njëjtin status, nga Komuna e Prizrenit e kanë fituar edhe: Kalaja e Korishës, Xhamija e Sinan Pashës, Hamami i Gazi Mehmed Pashës, Kisha e Shën Premtës si dhe Hidroelektrana.[15]

(Punim i botuar në: “Dituria islame”, nr.317, mars, 2017)

 (vijon…)



[1] Shih: Wikipedia – Enciklopedia e lirë, (verzioni elektronik), https://sq.wikipedia.org/wiki/Kalaja_e_Prizrenit, pa datë të publikimit, data e citimit: 25.12.2016

[2] Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit – Databaza e Trashëgimisë kulturore të Kosovës, sipas faqës zyrtare në internet: http://dtk.rks-gov.net/tkk_objekti.aspx?id=6229, pa datë të publikimit, data e citimit 24.12.2016.

[3] Shih: Wikipedia – Enciklopedia e lirë, (verzioni elektronik).

[4] Shih: Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit – Databaza e Trashëgimisë kulturore të Kosovës, po aty.

[5] Shih: Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit – Databaza e Trashëgimisë kulturore të Kosovës, po aty; Po ashtu, shih: Ilirët dhe iliria I,II, Prishtinë, 1978, fq.441, sipas: Salajdin Krasniqi, Prizreni – udhëtim nëpër kohë, Prizren, 2002, fq.17.

[6] Muhamed Shukriu, Prizreni i lashtë, Prizren, 2001, fq. 270.

[7] Muhamed Shukriu, Prizreni i lashtë, po aty, fq.278.

[8] Milot Berisha, Guidë arkeologjike e Kosovës, Ministria për Kulturë Rini dhe Sport, Prishtinë, 2012, fq. 94-95, sipas: http://www.mkrs-ks.org/repository/docs/shqip_final.pdf, data e citimit:10.02.2017.

[9] Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit – Databaza e Trashëgimisë kulturore të Kosovës, po aty.

[10] Milot Berisha, Guidë arkeologjike e Kosovës, po aty, fq. 94-95.

[11] Muhamed Shukriu, Prizreni i lashtë, po aty, fq.277.

[12] Muhamed Shukriu, Prizreni i lashtë, po aty, fq.285.

[13] Shih: Kuvendi i Republikës së Kosovës, Ligji Nr. 03/L-039, Për Zonat E Veçanta Tё Mbrojtura, sipas: http://www.kuvendikosoves.org/common/docs/ligjet/2008_03-L039_al.pdf, data e citimit 22.01.2017.

[14] Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit e Kosovës, Departamenti i Trashëgimisë Kulturore, sipas:

http://www.mkrs- ks.org/repository/docs/LISTA_E_TRASHEGIMISE_KULTURORE_NEN_MBROJTJE_TE_PERKOSHME_2015.pdf, publikuar më datë 09.10.2016, data e citimit:22.01.2017.

[15] Shih: “Gjashtë (6) Monumentet në mbrojtje të përhershme janë nga Prizreni”, sipas: https://www.gazetaere.com/6-monumentit-ne-mbrojtje-te-perhershme-jane-nga-prizreni/, data e publikimit 09.10.2016, data e citimit: 22.01.2017. 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *