“Mos se shejtani e mbush…!”
(Dersi i xhumasë)
1) E mbaj mend si fëmijë, kur një djalë ia mori armën e gjuetisë (llovaqkën) një gjahtarit për arsye të kurreshtjes, e pastaj ia drejtoi tytën, kurse gjahtari i reagoi me nxitim “mos se shejtani e mbush…”
Në të vërtetë, kjo thënie popullore buron nga Pejgamberi a.s. kur ka thënë:
“Le të mos ia drejtojë ndokush vëllait të vet armën sepse ai nuk e di, mbase djalli bën që arma t’i lëvizë në dorë e kështu të bie në një gropë të ferrit.”
Sot, me rekomandim të BIRK-ut, të gjithë imamët kemi ligjëruar kundër fenomenit të armëve nëpër ahengje familjare, me apelin “Gëzimet tona mos t’i shndërrojmë në tragjedi”.
Tashmë ka raste e raste, qofshin nëpër ceremoni familjare apo festa, që kanë përfunduar në tragjedi, për shkak të armëve apo mjeteve të rrezikshme.
2) Saherë përdoret arma ndezet alarmi i frikës. Posaçërisht kur armën ia shohish në dorë dikujt që është i pakujdesshëm, që nuk di të manovrojë, gjuanë lartë dhe tytën pastaj e drejton kah njerëzit, pa qenë i vetëdijshëm se mund të ketë mbetur edhe ndonjë plumb.
3) Gjatë kohës në UÇK, dy herë kam rastisur të jem afër kur i ka ikur plumbi nga kallashnikovi ushtarit.
Herën e parë në fshatin “Babinë” të Bajram Currit, kur ushtarit i shkrepë arma, kurse ushtari tjetër përballë e ka dëgjuar flladin e plumbit që i ka shkuar rreth veshit, për pak në lule t’ballit.
Herën e dytë, në Nashec të Prizrenit, kur i shkrep arma dhe e godet shokun e tij përballë në abdomen, duke i dalë tej e përtej, por shyqyr ka shpëtuar…
Inshallah nuk përjetojmë kurrë ndonjë rast tjetër!
Orhan Bislimaj
18 gusht 2023
Saraçhane, Prizren