Sot, më datë 12 shtator 2023, me mulla Fetin folëm për veprimtarinë e tij, burgosjen, për kontributin e xhamisë “Ebu Bekri r.a.”, e cila shërbeu si objekt shkollor për Shkollën e Mesme Teknike “Gani Qafdërbasha”, si dhe shërbeu pikë logjistike e UÇK-së, për Shtabin e Vërrinit.

1.

13 dhjetor 1992 Policia serbe e bastisin dhe e arrestojnë në shtëpinë e tij në lagjën Tusuz të Prizrenit, ia gjetën një kallashnikovë, kurse 9 të tjerë të fshehur në vendin e quajtur ‘mugillë’.

I mbajti 38 ditë paraburgim në qelinë e burgut të Prizrenit, e malltretuan dhe në fund e dënuan me 3 vjet burgim efektiv, kurse i vuajti 2 vjet në Dubravë të Istogut, 1994-1996.

Këto dhe shumë të tjera i biseduam me Mulla Fetin, që dha kontribut të shquar në vitet e vështira, 1989 – 1999.

Ai tregon se si avokati serb, me porosi shkoi në burgun e Dubravës dhe i tha: Nëse ia bëjsh një kërkesë Kryepeshkopit serb, Pavles, derisa të arrijë kërkesa tek ai, ti veç mbërrijsh në shtëpi, lirohesh prej burgut. Përgjigjja e hoxhës ishte, nikada / kurrë edhe çohet e shkon në dhomën e tij të burgut.

2.

Pas xhamisë së Bajraklisë, ku u mbajt Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit, xhamia “Ebu Bekri r.a.”, konsiderohet prej xhamive që ka dhënë më së shumti kontribut, gjatë dekadës së përgjakshme të Kosovës 1989 – 1999.

Në këtë xhami, ku mulla Fetiu ishte imam shumëvjeçar, u mbajtën:

– Referendumi i vitit 1991 për Pavarësinë e Republikës së Kosovës;

– Zgjedhjet e para parlamentare të Republikës së Kosovës, 24 maj 1992;

– Depo logjistike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Shtabi Lokal në Vërri të Prizrenit;

– Për çdo 28 Nëntor është përkujtuar Pavarësia e Shqipërisë, kurse ShKA “Çamëria”, ka mbajtur program artistik me këngë frymëzuese patriotike, me sharki e çifteli, për çlirimin e Kosovës e Bashkimin Kombëtar;

– Për çdo vit është përkujtuar përvjetori i demonstratave të 11 marsit 1981;

– Tribunë historike, 1993, me Hakif Bajramin, për masakrën e Tivarit, për figurën e Hasan Prishtinës, Bajram Currit e Shaban Polluzhës;

– Takime me nxënësit e shkollave të mesme për vetëdijësim dhe mbrojtje nga dukuritë negative, e posaçërisht nga droga;

– Janë mbajtur orë letrare të shumta e të shpeshta me tematika patriotike;

– Aty është shfaqur drama “Procesi i Jusuf Gervallës”;

– Votimet për presidentin e Kosovës, në vitin 1998, etj.

Në këtë xhami, Shkolla e Mesme Teknike “Gani Qafdërbasha”, e ka mbajtur procesin mësimor prej vitit 1990-1999. Aty kanë mësuar 10 paralele, 5 paradite e 5 pasdite.

E mulla Fetiu, është ai që u kujdes fund e krye për të gjitha këto aktivitete, me rrezikshmëri për vetë atë e familjen.

Dhe në fund, për këtë xhami Komuna e Prizrenit nuk ka lëshuar asnjë mirënjohje, gjersa ka lëshuar për shtëpitë e tjera që kanë shërbyer si shkolla…!

Orhan Bislimaj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *