Ditën e mërkurë, më datë 27 shtator 2023 (12 Rebiu’l-Evvel 1445) do të jetë Mevludi – Datëlindja e Muhamedit a.s.

Dijetarët kur flasin për kategoritë e bindjes, thonë se bindja e shpirtit (hakku’l-jekin) është më e fuqishme se sa bindja e të pamurit (ajnu’l-jekin) apo e dijes (ilmu’l-jekin).

Prandaj, nëse jo bash çdoherë, së paku në këtë Ditë, duhet ta përjetojmë vlerën e Pejgamberit a.s., ta duam sikur me pa e sikur me ndejtë me të.

Paramendo, sot njerëzit menzi e presin një moment për ta takuar një liderë, sportist, artist, etj., e ai ishte lider përmbi liderët, dijetar mbi dijetarët e akademik përtej akdemikëve, ishte Pejgamber i Zotit.

Shokët e tij nuk e deshtën vetëm për arsye shoqërie apo nacionaliteti, por për arsye vlerore.

Edhe pse nuk ishte shkencëtar, vetë shkencëtarët e vendosën emrin e tij në krye të listës.

Pa Kur’anin e pa Muhamedin a.s. nuk e di se si do të dukej bota!? Ai, me urdhër të Zotit e bëri ndarjen e epokave.

Mos ta presim ahiretin për ta pa, por takimin ta ndjejmë në këtë ditë, në Datëlindjen e tij. Trungu i thatë i hurmës lotoi nga largimi i Muhamedit a.s.

Thevbani ishte shok i ngusht që e donte pa masë Muhamedin a.s. Një ditë ishte mahzun, e Muhamedi a.s. e pyeti çfarë ke o Thevban, t’paska ndryshuar diçka çehrja!

Thevbani i tha: “O i Dërguar i Zoti, nuk e kam asnjë telashe, por kur po jam larg teje shumë po përmallohem gjersa po ju takoj, e sot mu kujtua ahireti, e po mendohem se atje me siguri nuk kam me ju taku fare, ngase ju do të jeni në pozitë të lartë bashkë me pejgamberët e tjerë, e unë edhe nëse do të hyj në xhennet do të jem diku poshtë, ku nuk do t’ju shoh juve, e nëse nuk hyj fare në xhennet, atëherë ky do të jetë kulmi ngase nuk do t’ju shoh përgjithmonë.”

Si përgjigje për këtë dashuri të Thevbanit, Allahu e zbriti ajetin e Kur’anit:

“Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, ai do të jetë me ata të cilëve, Allahu u ka dhënë shumë dhunti: me pejgamberët, me besnikët e dalluar, me dëshmorët dhe me njerëzit tjerë të mirë. E sa shokë të mrekullueshëm janë këta!” (En-Nisa, 69).

Prandaj, ai që e do Pejgamberin a.s. me tamam, një ditë do ta takojë atë…!

Për hajr Muaji i Mevludit – Datëlindja e Muhamedit a.s.!

Allahum-me sal-li ala Muham-medin ve ala ali Muham-med!

Orhan Bislimaj

Xhamia ‘Pavarësia’, Prizren

22 shtator 2023

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *