Dr. Orhan Bislimaj

Vota është hise në pushtet…! (2)

 1) Duke ditur se vota jonë prodhon një pushtet politik, që e merr n’dorë fatin tonë, e kuptojmë se ajo bartë përgjegjësi të madhe. E, përgjegjësia bartë edhe konsekuenca para vetvetes, para popullit e para Krijuesit. Por, këto konsekuenca i përjetojnë ata që kanë ndërgjegje të çiltër e të pakorruptuar. Mbi këto premisa, ndërgjegjja jonë, shpeshherë na çorton dhe e prishë qetësinë shpirtërore. Na shfaqet si kritikuese e ashpër se, përse e bëre këtë veprim apo atë veprim!? Nga këtu rrjedh edhe pendimi për veprimet e kaluara. Nëse, për një veprim tonin, jemi të vetëdijshëm se e dëmton vetveten tonë, siç janë, për shembull dukuritë negative, pjesëmarrja në akte kriminale, etj., dhe përsëri e veprojmë atë, atëherë jemi përgjegjës e fajtorë. Tek e fundit, në këtë gjithësi, ka disa standarde uniforme të lojës, njësoj për të gjithë njerëzit, e të cilat i ka caktuar Krijuesi i gjithësisë. Ato, janë të dashura për të gjithë, sepse janë të skalitura në shpirtin e njeriut. Mbi të njëjtat standarde, njeriu e do të mirën, ndërsa e urren të keqen. Rrjedhimisht, nëse, në vlerësimin tonë, e dijmë se një parti apo kandidat është i dëmshëm, apo është dëshmuar se është i tillë, qoftë në institucione apo jashtë tyre dhe, krahas kësaj përsëri e mbështesim, atëherë, votuesi në fjalë nuk ka justifikim për këtë veprim të vetëdijshëm. Nuk mund të sillet, sikur nuk ka bërë asgjë. Përkundrazi, ka bërë shumë, ai bartë përgjegjësi, për dëmet e shkaktuara ndaj vendit, sepse me votën e tij është hisedarë në pushtet. Njësoj është edhe për të kundërtën, pra për mbështetjen e të mirës e të dobishmes së përgjithshme, për të cilën, votuesi meriton lëvdatë e shpërblim, para njerëzve e para Zotit.

2) Kam vërejtur, se populli jonë ka shumë nevojë për t’u vetëdijësuar rreth rolit të votës. Në të shumtën e rasteve, qytetarët, zgjedhjet i shohin si një festival, tifozëri, defilim e besnikëri partiake, pa menduar mirë për peshën e tyre. Nuk po flas, për atë ketegori, që I përkasin partive, e shpresojnë dhe në përfitime apo karrierë personale, por për atë shtresën e gjerë të popullatës. Fatkeqësisht, ajo, po thuajse asnjëherë nuk sillet si deleguese e pushtetit, e që në fakt është e këtillë, por si vartëse e tij!? Më shumë i dhimbsen kandidatët, se sa vetja, fati i vendit e i popullit. Taman, vetëdije kolonialiste! Kemi shumë nevojë, që ta kuptojmë se, ne qytetarët, jemi sovrani, jemi pronarët e pushtetit. E, gjersa jemi të këtillë, duhet t’i prijmë proceseve, duke bërë analiza të hollësishe, se kush mund të jetë meritor potencial, për votën e mbështetjen tonë. Ne dhe vetëm ne, duhet t’i vendosim standardet, duke mos lejuar asnjëherë që partitë ta tërheqin për hunde qytetarin, e kështu të përfundojë në tutelën e regjimeve apo diktaturave.

3) Përsëri, nuk pajtohem me ata qytetarë të ndershëm, të cilët mendojnë se nuk duhet ndërruar partinë apo nuk duhet ndryshuar bindjen politike. Ky është një gabim mjaft i madh, që e dëmton në palcë procesin zgjedhor dhe, në periudha të caktuara, mund t’i hakmerret të ardhmes. Në fakt, zgjedhjet i bën process rutinor, e jo efektiv, pra për mundësi të reja zhvillimore. Tek e fundit, partitë nuk janë fe, e liderët Zot, e medet bëhet kijameti nëse ndërrohen. Bile, ndonjëherë, ndërrimi e ndryshimi është obligativ e domosdoshmëri. Gjithmonë po flasim, për ato pikëpamje qytetare, të cilët, para së gjithash pranojnë që të mos dalin fare në zgjedhje, se sa që ta ndërrojnë një qëndrim politik, që në një të kaluare, ndoshta krejt aksidentalisht, e ka përbrendësuar si bindje politike. E nuk po flasim, për ndonjë ndryshim si domosdoshmëri, sepse, mund të ndodhë që njeriu nuk ka fare nevojë për të ndryshuar bindje e botëkuptim, po që se vlerëson se akëcila parti ka bërë punën e duhur, në zhvillimet e përgjithshëme. Në esencë, kjo është pasojë e logjikës kolonialiste apo diktatoriale, në të cilat, populli e ka humbur ndjesinë e zgjedhjes, por vetëm pasimin e mbështetjes. Mundësia për të votuar në çdo katër vjet, ka për qëllim, faktorizimin e qytetarëve, të cilët, pasi të bëjnë analizat për veprimtarinë e formacioneve partiake e politike, për të kalaurën e tyre, pastaj për sjelljen e tyre kundrejt popullit si dhe për gjendjen ekzistuese zhvillimore të vendit, vendosin për t’i ndërruar apo për t’i dhënë mbështetje. Gabimi i pa falshëm për qytetarët është kur besnikërinë ndaj partisë, e shenjtërojnë. Kjo, përbën një lloj ‘idhujtarie’ tipike. Kur’ani e ka sanksionuar këtë mendësi, madje urdhëron që njerëzit, ta luftojnë të keqen dhe t’i pengojnë të këqinjtë, po qofshin ata edhe prindërit e tyre, fëmijtë, apo të afërmit e tyre. Kjo do të thotë se në epiqendër të pikëpamjeve tona përzgjedhëse votuese, duhet të mbetet interesi i përgjithshëm. Rreth tij, duhet të sillemi të gjithë dhe jo e kundërta. Duke vepruar kësisoji, tregojmë se, ne, populli, jemi zoti i këtij vendi dhe njëkohësisht i detyrojmë partitë apo kandidatët e pa denjë, që të avancojnë drejt vlerave tona unike, e jo që ne të degradojmë drejt devijimeve të tyre, siç ndodh në vendet totalitare…!

 Vazhdon…!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *