Dr. Orhan Bislimaj
Vota, përzgjedhja dhe ndëshkimi…! (3)
1) Qytetarët duhet të votojnë ndershëm dhe vetëm ndershëm, sepse kështu votojnë për të gjithë. Skena jonë politike, ka shumë nevojë për idealistë e profesionistë, që në angazhimin e tyre public e institucional, mbrojnë subjektivitetin tonë si popull. Po ashtu, që respektojnë diversitetin fetar dhe etnik, duke promovuar bashkëjetesën e multikulturalizmin. Fatmirësisht, në shoqërinë tonë, kemi njerzë të tillë dhe janë pjesë e listave të kandidatëve. Sikundër kësaj, në të njëjtat lista, me gjithë respektin, ka edhe të atillë, që nuk i posedojnë disa tipare apo cilësi adekuate. Ata mund të jenë të njerëzishëm, por, përfaqësimi public, e ka gjuhën e vet.
2) Një pjesë e qytetarëve votues, nuk e kanë të vështirë për t’i identifikuar kandidatët meritorë, për votim. Por, një pjesë e madhe, këtë e kanë problem. Në këto raste, votuesi duhet të marrë edhe opinionin e njerëzve të besueshëm, të komunitetit vet, sepse, ata mbase mund të kenë informacione më të sakta rreth partive, programeve e kandidatëve. Sa më shumë informacione aq më mirë.
3) Për të qenë një kandidat i mirë, mendoj se duhet t’i posedojë së paku disa cilësi bazike:
a) Fetar / besimtar në Zotin. Njeriu që beson në Zot, i përmban në nivel të mjaftueshëm premisat konkurruese, sepse njerëzit jo besimtar, nuk i do as Zoti;
b) Prejardhja e mirë familjare. Familjet e mira, kanë qenë akademi, që kanë nxjerrur fëmijë me karakter të fuqishëm, që i kanë shërbyer shoqërisë me devotshmëri;
c) Përgatitja shkollore. Kjo e ka rëndësinë e madhe, sepse është çelës për t’i kuptuar proceset zhvillimore. Sa më e madhe dija, aq më të mëdha mundësitë kontribuese;
d) Suksesi në veprimtarinë profesionale. Suksesi, nuk arrihet ndryshe, veçse me punë. Përveç konsistencës e përkushtimit në punë, në të kaluarën, kjo jep një siguri se mund të jetë i tillë edhe në të ardhmen; dhe
e) Aftësia shëndetësore. Shëndeti, është i domosdoshëm, pasiqë detyrat publike kërkojnë angazhim e lodhje.
Këto tipare, që të gjitha kanë rëndësi në plotësimin dhe kompletimin e një kandidati. Natyrisht, duhet marrë parasysh edhe disa të tjera, pra suplementare, siç janë drejtësia, guximi, atdhedashuria, bëmirësia dhe veti të tjera të mira. Pejgamberi a.s., kur i kishte treguar vetitë në përzgjedhjen e bashkëshortes, fetarinë e ka favorizuar kundrejt vetive të tjera. Edhe në këtë rast, mendoj, se fetaria është një kurorë e mirë, për ta mbrojtur njeriun nga të ligat private e publike. Hiq-hiq, njeriu fetar / besimtar i ruhet haramit e veprave turpëruese, për dallim prej shumëkujt, që nuk e ka fare gajle.
4) E, kandidatët që nuk janë opsioni më i mirë, janë ata, të cilët, përveçse nuk janë intelektualë, në anën tjetër, nuk janë familjarë të mirë, bëjnë jetë të shthurur, kanë sjellje të këqia, nuk janë të dëshmuar për të mirë, përkundrazi njihen si profiterë e keqpërdorues, janë të pasinqertë, etj. Po ashtu, nuk janë opsion i mirë edhe ata kandidatë, që me deklaratat e tyre publike mbjellin urrejtje fetare dhe etnike, apo që dalin kundër të drejtave fetare, që janë të garantuara me Kartën Univerzale të OKB-së, mbi liritë dhe të drejtat njerëzore. Populli i njeh mirë ata! Ardhja e tyre në skenën publike vendimmarrëse, nuk reflekton unitet dhe qetësi, së paku te komunitetet e caktuara, të indinjuara nga qëndrimet e tyre. Për këtë arsye, sjellja publike, nuk është e lidhur me shijën personale, por me karakteristikat heterogjene të shoqërisë.