1. E kam thënë dhe njëherë tjetër, Serbia nuk është duke biseduar me Kosovën në lidhje me të drejtat e qytetarëve serbë në Kosovë, se të drejtat i kanë si asnjë komunitet tjetër në botë, por ajo është duke biseduar me qëllim të shkatërrimit të shtetit të Kosovës.
Nga çlirimi në vitin 1999, Bisedat e Vjenës 2006, Pakoja e Ahtisarit 2007, Statusi Special për Mitrovicën Veriore 2011, Asociacioni 2013 e 2015, imponimi i Gjykatës Speciale të Hagës 2015, e deri te Marrëveshja e Normalizimit 2023, lufta e Serbisë është zhvendosur në këtë terren.
Edhe sikur të ndodhte shkëmbimi i territoreve, që qarkullonte si ide, Serbia përsëri nuk do ta njihte Kosovën e nuk do të pushonte, sepse ajo e ka të qartë rrugën.
E, Asociacioni është karta e fundit diplomatike e saj për të arritur atë, aq sa mund të arrihet.
2. Asociacioni monoetnik Serb në Kosovë, që e kishte pranuar Kosova në vitin 2013 e 2015 dhe së fundmi të ripranuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës 2023, nuk është tjetër veçse format i ‘Republika Srbska’ në Kosovë.
Shto këtu edhe ‘Vetëmenagjimin’ sipas nenit (7) të Marrëveshjes Bazike të Normalizimit Kosovë – Serbi të datës 27 shkurt 2023 dhe Aneksin e Ohrit të datës 19 mars 2023, atëherë përfundimisht Serbia do të ketë një instrument juridik, tepër të rrezikshëm, për ta luftuar shtetësinë e Kosovës nga brenda.
Tash, Zoti na ndihmoftë, me mençuri e diplomaci!
3. Kosovën, dy herë e ka shpëtuar ‘Fati Historik’, e inshallah ky Fat na shpëton edhe kësaj here, për hirë të vuajtjeve e gjakut të derdhur:
– Herën e parë, na ka shpëtuar në Rambuje, në vitin 1999, kur Serbia fatmirësisht nuk e nënshkroi Marrëveshjen dhe ndodhi bombardimi i NATO-së mbi Serbinë. Nëse do ta nënshkruante, sot akoma do të ishim duke biseduar për lirinë dhe çlirimin e Kosovës!?
– Herën e dytë na ka shpëtuar në Betejën e Bajnskës, me 24 shtator 2023. Poqë se do të realizohej skenari i Banjskës deri në fund, pasojat për Kosovën do të ishin të paimagjinueshme. Por, aq është kthyer në favorin tonë, sa që veç i Madhi Zot e ka bërë këtë mrekulli.
Në një situatë kur diplomacia ndërkombëtare ishte pozicionuar kundër Kosovës, akti i Banjskës i poshtëroi të gjitha kurthet në mënyrën më të qartë, e shpalosi fytyrën reale të Serbisë, kurse të drejtën e Kosovës e lartësoi si asnjëherë tjetër.
(E me shprehjen ‘Fati Historik’, kam për qëllim ndihmën e Zotit të Madhërishëm, Atij i qofshim falë.)
4. Meqë na ka mundur e liga e s’kemi çka bëjmë, atëherë përsëri ymytin e kemi te ‘Fati Historik’, se do të na shpëtojë edhe herën e tretë, kundër efekteve të Asociacionit famëkeq.
Kësaj radhe kjo do të mund të ndodhë përmes ‘faktorit kohë’, e që do të nënkuptonte abstrahimin e efekteve të Asociacionit, përmes Integrimit me prioritet të Kosovës në NATO e BE…!
Orhan Bislimaj
12 nëntor 2023