1.
Gratë, gjithmonë kanë menduar se janë qytetare apo njerzë të rendit të dytë, pas burrave, tek Allahu. Këtë dilemë e kishin edhe në kohën e Pejgamberit a.s.
Për më shumë, edhe ajetet e Kur’anit kur zbritnin, iu drejtoheshin njerëzve në gjininë mashkullore.
Nisur nga kjo, një ditë, Ummu Suleme, bashkëshortja e Pejgamberit a.s., e pyet Pejgamberin a.s., se përse vetëm burrat po përmenden në Kur’an, kurse gratë jo?
Si përgjigje ndaj saj, Allahu e zbriti ajetin e Kur’anit, ku i përmend paralelisht burrat e gratë, për të njëjtën gjë:
“Nuk ka dyshim se për muslimanët e muslimanet, besimtarët e besimtaret, adhuruesit e adhurueset, të sinqertit dhe të sinqertat, durimtarët dhe durimtaret, të përulurit dhe të përulurat, sadakdhënësit dhe sadakdhënëset, agjëruesit dhe agjërueset, ruajtësit e nderit dhe ruajtëset e nderit, shumë përmendësit e Allahut e shumë përmendëset e Allahut, Allahu ka përgatitur për të gjithë ata falje (mëkatesh) dhe shpërblim të madh. (El-Ahzab, 35).
Jo veç që i ka përmendur edhe në shumë vende tjera, por Allahu një kaptinë në Kur’an e ka quajtur ‘En-Nisa’ (Gratë), kurse për burrat nuk ka një të ngjashme.
Ky ajet, vërteton se për nga aspekti qeniesor, burrat e gratë janë njësoj, kurse ata dallojnë për nga aspekti i roleve dhe përgjegjësive.
Punët që i bëjnë burrat nuk mund t’i bëjnë gratë dhe anasjelltas, ashtu që e kompletojnë njëri tjetrin në mozaikun familjar e ndërshoqëror.
2.
Në ligjëratën lamtumirëse të tij, para 100,000 njerëzve, Pejgamberi a.s. i kishte kushtuar vëmendje të posaçme trajtimit të grave, në një kohë kur ato trajtoheshin si mall pazari në nivel të botës, e jo si njerëz:
“O bashkëshortë, silluni mirë me gratë, sepse ato janë nën mbikqyerjen tuaj dhe nuk posedojnë asgjë prej tyre. Ato janë amanet i Zotit tek ju.”
Ngase gratë, e lënë familjen e tyre e shkojnë te burri, Pejgamberi a.s. i ka cilësuar si amanet i Zotit dhe kjo flet shumë për kujdesin që duhet treguar ndaj tyre.
(Allahu e shpërbleftë me xhennet Liridona Ademaj – Murseli, e cila u varros më datë 01.12.2023, ku i dyshuari kryesor për këtë vrasje tepër të keqe, i mirëvërtetuar, doli të jetë bashkëshorti i saj, e Zoti e marroftë).
Orhan Bislimaj
Xhamia “Saraç’hane”, Prizren
8 dhjetor 2023

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *