Ndoshta nuk na bën përshtypje, por rreshtimi në përkrahje të një projekti, të një lideri, të një ideologjie apo edhe partie politike është një lloj sakrifice, sepse njeriu po identifikohet / etiketohet me diçka, domethënë po jep prej dinjitetit të vet.
P.sh., kur thuash se je anëtar i një partie apo ideologjie, në fakt ke dhënë prej vetes dhe nuk do të jesh njësoj si më parë në sytë e njerëzve.
E dinjiteti është gjëja kryesore te individi.
Për dallim nga njerëzit që nuk qajnë kokën për sakrificat e të tjerëve, në anën tjetër, Allahu nuk e harron një besimtar që identifikohet me fenë e Tij, po qoftë ai edhe mëkatar i madh.
Përkrahja e Allahut fillon në dynja, e kurorizohet në ahiret, me xhennet, inshallah.
Pejgamberi a.s. në një hadith të gjatë e shpjegon bisedën që do të zhvillohet në Xhehennem në mes të jo besimtarëve, në njërën anë, dhe besimtarëve mëkatarë, që gjenden përkohësisht në xhehenem në vuajtje të dënimit për mëkatet e tyre në dynja, në anën tjetër.
Jobesimtarët, kur i shohin se në xhehennem kanë hyrë edhe besimtarët, do të çuditen dhe do t’u thonë: More, ju keni qenë besimtarë në dynja me tamam edhe keni thënë se jeni të dashurit e Zotit, çka ka ndodhë me ju, pse ju në xhehennem?
Eh, kjo po na intereson, me këtë rast, Allahu kur e dëgjon këtë bisedë, menjëherë do t’i nxjerrë nga xhehenemi (për hatër të imanit) dhe do t’i fusë në xhennet, përmes shefatit të ndonjë meleku, pejgamberi apo besimtari, duke mos lejuar nënçmimin e tyre karshi jobesimtarëve.
Ndërsa, jobesimtarët, kur i shohin besimtarët që dolën prej xhehennemit dhe kaluan në xhennet, do të thonë: “Ah, sikur të kishim qenë myslimanë.” (El-Hixhr, 2).
Mirëpo, këta besimtarë, edhe pse hyjnë në xhennet, megjithatë te banorët e xhennetit do të njihen me nofkën “xhehenemli’ (الْجَهَنَّمِيِّينَ), ngase në fytyrat e tyre mbeten shenjat e zeza, nga djegia e xhehenemit. Pas lutjes së tyre, Allahu do t’ua shpërlajë këto njolla në lumin e xhennetit.
Ky është Allahu, i cili robin e Vet, nuk e lë pa përkrahje, ia heq etiketimet e njollat e zeza, dhe herdokur do t’ia shpaguajë çdo skarificë, në dynja e ahiret…!
Orhan Bislimaj
Xhamia ‘Mbret’, Prizren
22 dhjetor 2023
Për më shumë foto kliko këtu: