Për këto vite, shumëkush ka pyetur për numrin e saktë të xhamive që kanë shërbyer si objekte shkollore, në kushte të jashtëzakonshme, gjatë okupimit serb.
Pas një hulumtimi të zgjeruar, në vazhdim po sjellim emrat e xhamive – shkolla (1991 – 1999):
1) Xhamia “Bajraklia” (Gazi Mehmet Pasha), ka lëshuar një klasë për mësim. Ka mësuar Shkolla e Lartë Pedagogjike (SHLP), Grupi Fizikë – Kimi dhe pjesërisht Grupi i Mësimit Klasor. Po ashtu, Shoqata ‘Motrat Qiriazi’, nëndega “7 Shtatori”, në Prizren, ka mbajtur kurset për arsimimin e 130 analfabetëve, nga mosha të ndryshme. Te xhamia e Bajraklisë, mësimi është mbajtur në selinë e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, në katin e parë.
2) Xhamia “Ebu Bekri r.a.”, ka lëshuar pesë klasë për mësim. Ka mësuar Shkolla e Mesme Ekonomike ‘Ymer Prizreni’, 10 paralele, në dy ndërrime, pesë në ndërrimin e parë e pesë të tjera në ndërrimin e dytë, duke filluar nga viti 1991 deri në vitin 1999;
3) Xhamia e vjetër e “Kurillës”, ka lëshuar disa klasë për mësim. Ka mësuar Shkolla e Mesme Teknike ‘Gani Qavdarbasha’, Prizren, mbi 15 paralele, në disa ndërrime. Po ashtu, në xhaminë e Kurillës kanë mësuar edhe nxënësit e Qendrës shkollore për rehabilitimin e personave në zhvillim me të meta dëgjimi, gjatë vitit 1993/1994 dhe 1994/1995; pastaj nxënësit e QSH “Nënë Tereza”, Prizren, 1996-1999; si dhe nxënësit e shkollës Qendra e Kompetencës “11 Marsi” Prizren;
4) Xhamia “Emin Pasha”, ka lëshuar një klasë për mësim. Ka mësuar Shkolla e Lartë Pedagogjike (SHLP), Grupi i Matematikës dhe pjesërisht Grupi i Mësimit Klasor;
5) Xhamia “Mehmet Terziu” (Terzi Mëhallë), ka lëshuar një klasë për mësim Ka mësuar Shkolla e Lartë Pedagogjike (SHLP), Grupi i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe;
6) Xhamia “Haxhi Ramadan” (Qorragë), ka lëshuar një klasë për mësim. Ka mësuar Shkolla e Lartë Pedagogjike (SHLP), Grupi i Anglishtes;
7) Xhamia “Terxhuman Iskender” (Dragoman), ka lëshuar një klasë për mësim. Ka mësuar Shkolla e Lartë Pedagogjike (SHLP), Grupi Fizikë – Kimi dhe pjesërisht Grupi i Mësimit Klasor;
8)Xhamia “Myderris Ali Efendi”, ka lëshuar dy klasë për mësim. Ka mësuar Shkolla e Lartë Pedagogjike (SHLP), Grupi i Matematikës dhe një pjesë e Grupit Fizikë – Kimi;
9) Xhamia “Mesxhidi”, ka lëshuar një klasë për mësim. Ka mësuar Shkolla e Lartë Pedagogjike (SHLP), Grupi Fizikë – Kimi;
10) Xhamia “Sinan Katibi” (Levishë), ka lëshuar një klasë për mësim. Ka mësuar Shkolla e Lartë Pedagogjike (SHLP), Grupi i Anglishtes;
11) Xhamia “Haxhi Kasëm”, ka lëshuar një klasë për mësim. Ka mësuar Shkolla e Lartë Pedagogjike (SHLP), Grupi i Mësimit Klasor;
12) Xhamia “Xhafer Efendi” (Jeni Mahallë), ka lëshuar dy klasë për mësim. Në këtë xhami kanë mësuar nxënësit e SHFMU “Mati Logoreci” (ish-17 Nëntori), gjatë vitit 1992. Shqiptarët, pasi e refuzuan vendimin për plan-programet mësimore serbe, dy policë serbë, më datë 09.02.1992 e djegin objektin e shkollës, ashtu që nxënësit e zhvillojnë mësimin në pesë xhami përreth: Xhamia ‘Sinan Katibi’ (Levishë), ‘Emin Pasha’, ‘Haxhi Ramadan’ (Çorragë), ‘Xhafer Efendi’ (Jeni Mahalla) dhe Mesxhidi. Asokohe, shkolla numronte rreth 1300 nxënës;
13) Xhamia e fshatit Mushnikovë, ka lëshuar disa klasë për mësim. Në këto hapësira të xhamisë mësonin rreth 200 nxënës në gjuhën shqipe. Shkolla Fillore e Mesme e Ultë (SHFMU) ‘Mushnikova’, në Mushnikovë, në hapësirat e xhamisë ka mësuar prej datës 30.01.1992 deri më datë 04.11.2000;
14) Xhamia e fshatit Malësi e Vërrinit (ish-Lubeqevë), ka lëshuar disa klasë për mësim. Pas Betejës së Vërrinit që u zhvillua më datë 1-4 shator 1998, në mes të forcave serbe dhe UÇK-së, ky fshat u shkatërrua mbi 95 %, përfshirë edhe shkollën. Kështu që, Shkolla Fillore e Mesme e Ulët (SHFMU) ‘Mic Sokoli’, mësimin e ka mbajtur në mektebin e fshatit (1998-2000);
15) Xhamia e vjetër e fshatit Lubizhdë e Prizrenit. Në këtë xhami kanë mësuar nxënësit e shkollës së fshatit. Por, duhet përmendur edhe një gjë, se në këtë xhami ka nisur shkolla shqipe në Lubizhdë, në vitin 1945. Në mungesë të objektit shkollor, në këtë xhami kanë mësuar nxënësit, afërsisht 13 vjet, deri në vitin 1957. Në vitin shkollor 1945/1946, shkolla kishte dy klasë dhe numronte 34 nxënës; në vitin 1947/1948 kishte katër klasë dhe 44 nxënës, kurse në vitin 1957 kishte katër klasë dhe numronte 44 nxënës.
Për kontributin e rëndësishëm, Universiteti i Prishtinës në Prishtinë, rektori Dr. Ejup Statovci i jep mirënjohje çdo vit Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, nga viti 1992 deri në vitin 1997. Po ashtu, pas luftës, më datë 18.10.1999, mirënjohje i jep edhe Shkolla e Lartë Pedagogjike ‘Xhevdet Doda’ (ShLP), drejtori i saj prof. Daver Mashkulli.
Orhan Bislimaj
P.S.
(Shkëputje nga kumtesa, Dr.Orhan Bislimaj “Xhamitë e Prizrenit vatër e rezistencës dhe e shkollave shqipe 1989-1999”, në kuadër të Konferencës Shkencore ndërkombëtare: “Xhamia te shqiptarët – histori, mision, identitet”, Prishtinë, 9-10 dhjetor 2023)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *