Kemi edhe shumë rrugë…!
(Dersi i xhumasë)
1.
Bashkë me nxënës të Mektebit të xhamive të Komunës së Prizrenit, shkuam në Prekazin legjendar, për t’i kujtuar sakrificat e mëdha që i kemi kaluar si popull deri te liria e Pavarësia.
Nga aty, kaluam në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë, për ta parë nga afër rezultatin e sakrificave të këtij pupulli. Pyetjeve interesante të nxënësve iu përgjigjën deputetët z. Eman Rrahmani dhe z. Visar Korenica, që dikur edhe këta ishin nxënës të mektebit.
Ideja ishte që t’u tregojmë nxënësve se ky shtet, është ndërtuar me gjak, vuajtje e shumë sakrifica, andaj duhet ruajtur më mirë se dy sytë e ballit.
2.
Në kthim nga Prekazi, bashkë me Besim ef. Berisha e z. Ehat Spahiu, u ndalëm për ta falur xhumanë në fshatin Zabel i Ultë dhe nuk mujta ta refuzoj teklifin e imamit të respektuar, njëherit kryetar i KBI-Drenas, Valon ef. Bequku, për ta mbajtur dersin e xhumasë.
Ishte një xhemat i mrekullueshëm…
Tema jonë ishte hazër, përvjetori i Pavarësisë së Kosovës. E thash atë që duhet thënë në këto përvjetore:
– Së pari duhet ta falënderojmë Allahun që na mundësoi ta arrijmë Lirinë e Pavarësinë;
– Së dyti, duhet t’i kujtojmë të gjithë ata burra e gra, nga të gjitha kategoritë e shoqërisë, që luftuan e sakrifikuan ndër vite e shekuj, dhe të lutemi për shpirtin e tyre;
– Së treti, nëse e kqyrim ku kemi qenë, e shohim se kemi qenë në skëterrë, nëse e kqyrim se ku jemi, e dijmë gjendjen e tanishme, e nëse e kqyrim se ku duhet të mbërrijmë, atëherë themi se kemi edhe shumë rrugë…!
Orhan Bislimaj
Zabel i Ultë, Drenas
16 shkurt 2024