I kishte rrobat tepër të bardha e flokët tepër të zeza…!
(Dersi i xhumasë)
Nuk e zbuluan hoxhallarët, e as dijetarët apo sahabët (shokët e Pejgamberit a.s.), por besimin islam e përcaktoi Allahu në Kur’an dhe e qartësoi Pejgamberi a.s. në hadithet e tij.
1.
Omeri ibn Hattab, e tregon një ngjarje, hadithi i Xhibrilit, e thotë (parafrazim):
“Me një rast kemi qenë ulur me Pejgamberin a.s., kur papritmas, u shfaq një person me rroba tepër të bardha e me flokë tepër të zeza. Askush nuk e njihte edhe plus asaj nuk kishte ndonjë gjurmë të udhëtimit, që tregon se ka qenë udhëtar rasti.
Erdhi dhe u ul shumë afër Pejgamberit të Zotit, gjersa i mbështeti gjunjët e tij me gjunjët e Pejgamberit a.s. dhe i vendosi duart mbi kofshët e veta.
Edhe filloi me ia ba disa pyetje Pejgamberit a.s., si:
Çka është Islami; çka është imani, çka është Ihsani, pastaj kur do të ndodhë Kijameti, etj. Dhe për të gjitha këto, Pejgamberi a.s. përgjigjej, kurse ai ia aprovonte.
Kur i mbaroi pyetjet, personi në fjalë u çu dhe shkoi. Pejgamberi a.s. tha: O Omer, a e kuptove se kush ishte? Omeri tha: Jo.
Pejgamberi a.s. tha: “Ai ishte meleku Xhibril, erdhi për t’ju mësuar çështjet e fesë tuaj.”
2.
Ky hadith, përtej kornizimit të besimit islam, i jep edhe dy mësime:
– E para, ka të bëjë me ihsanin – përjetimin e fesë. Asnjë punë nuk ka vlerë, nëse nuk përjetohet.
Fundja, edhe ushqimin që e hamë, po e hëngrëm pa shije e pa lezet, nuk e shuan dot urinë.
Ibadeti apo vepra që përjetohet lë gjurmë dhe e përmirëson shpirtin e njeriut.
Çdo gjë që bëjmë, duhet ta bëjmë për hir të Zotit, sepse vetëm atëherë e përjetojmë me shpirt.
Për shembull, nëna apo prindërit sakrifikojnë prej kafshatës së gojës për fëmijtë e vet, por asnjëherë nuk e përjetojnë si sadakë, e Pejgamberi a.s. ka thënë se “sadaka më e vlefshme e njeriut është ajo për familjen”.
Prandaj, kur u pyet Pejgamberi a.s. për përjetimin e fesë (ihsanin) tha: “Ta adhurosh Allahun sikurse je duke e parë, edhe pse nuk e sheh Atë, Ai të sheh ty.”
– E dyta, tregon se melekët mund të personifikohen në formë të njeriut dhe kjo është përmendur dhe në Kur’an…!
Orhan Bislimaj
Xhamia “Osmani r.a.”, Prizren
23 shkurt 2024

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *