Altruizmi kuptimplotë…!
Në përgjithësi, populli i Kosovës është popull solidar dhe altruist. Këto tipare, tashmë i përmban të shtresuara thellë në vetëdijën e përgjithshme qytetare.
Edhe pse afarizmi është në krizë, madje shumë biznese fare nuk hapen, për shkak të kësaj pandemie globale, megjithatë njerëzit bamirës nuk e ndalin dorën.
Populli thotë, ‘i pasur është ai që ka shpirt të pasur e jo ai që ka pasuri’. Xhymerti, kafshatën e fundit e ndanë me tjetrin.
Më ka prekur në shpirti rasti i tre shokëve të Pejgamberit a.s., të cilët, edhe pse të plagosur dhe kishin shumë etje për ujë, nuk pinë para tjetrit. I ofruan ujë Harith bin Hisham, por nuk pranoi të pijë para shokut (Ikrame). Kur i afruan këtij, edhe ky nuk pranoi para shokut tjetër (Aj-jashit). Kur shkuan tek i treti, veç ndërroi jetë n’dakik, e kur u kthyen te dy të parët, panë se edhe këta kanë ndërruar jetë. Subahanallah!
Për këtë rast, Allahu e zbriti ajetin: “ …Madje edhe sikur të kishin vetë nevojë për të, ata u jepnin përparësi atyre para vetvetes. Kush është i ruajtur prej lakmisë së vet, të tillët janë të shpëtuar.” (Kur’ani, El-Hashr, 9)
Ky është altruizmi kuptimplotë! (Fjala ‘altruizëm’- gatishmëria për të flijuar të mirën vetjake për të mirën e të tjerëve)
Si gjithmonë, edhe kësaj radhe, Bashkësisë Islame e Republikës së Kosovës, përmes shoqatës Humanitare Bamirëse “Bereqeti”, është mobilizuar në shkallë vendi. Ka ndihmuar e po ndihmon, gjithandej. Edhe në këto momente kur po shkruajmë, kjo shoqatë, e ka aksionin e hapur: “Sofra e Ramazanit – një pako 25 euro”.
Në këtë mes, çdo lavdatë u takon bamirësve (shqiptarë, boshnjak, turq, ashkalinjë, romë, egjiptianë), që ndajnë prej pasurisë së tyre, por s’do mend se një mirënjohje meritore u takon edhe imamëve, që po operojnë në terren dhe po ushtrojnë autoritetin e tyre. Sepse, thënë të drejtën, puna e bamirësisë është çështje besueshmërie, pra punë ‘amaneti’.
Dr. Orhan Bislimaj
Prizren, 19 Prill 2020
(Nga karantina, #Covid-19)