Dr. Orhan Bislimaj
Prizreni, unanimisht e do rindërtimin e xhamisë në kalanë e Prizrenit – (4)
1) Xhamia e Kalasë së Prizrenit dhe vendosmëria e Bashkësisë Islame
Për shkak të okupimit të gjatë serb mbi Kosovën, xhamia e Kalasë pati mbetur një vend i shkretë, përplotë me mbeturina. Natyrisht, kjo gjendje ishte irituese për të gjithë qytetarët, që e dinin se aty janë muret e xhamisë, sepse vendet e kultit, pavarësisht fenë, duhet respektuar dhe nderuar. Kështu që për ta evituar këtë gjendje nënçmuese ndaj objektit të xhamisë, ku muslimanët deri vonë kishin bërë sexhde për Krijuesin e Madhërishëm, Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, më datë 12.04.2009 (e diel) ndërmori iniciativën për kthimin e dinjitetit të xhamisë, së paku duke pastruar brendësinë dhe hapësirën përreth saj. Në këtë aksion, e të cilin e kam të freskët në kujtesën time, xhemati i Prizrenit, me vullnet të madh, larguan të gjitha gjësendet (mbeturinat, etj.), që e kishin mbuluar hapësirën e xhamisë. Morën pjesë disa imamë dhe shumë besimtarë të tjerë, madje edhe të moshuar, prej të cilëve disa këndonin “ilahi” e disa të tjerë sillnin ujë për aktivistët. Pas një pune konsistente, mbi tri orë, arritëm që t’i shpalosim mbijetojat e mureve që kishin ngelur, deri një (1) metër lartësi mbi tokë. Po ashtu, doli në sipërfaqe formati i xhamisë, përfshirë bazamentin e minaresë, mihrabin në mes të xhamisë, si dhe pragun e derës së hyrjes. Në këtë gjendje, xhamia është edhe sot kur po i shkruajmë këto rreshta.
Në të vërtetë, atë ditë, Bashkësia Islame dhe qytetarët e Prizrenit (xhemati), përveç që ia kthyen xhamisë dinjitetin e nëpërkëmbur, e cila deri në këtë kohë dukej një grumbull gurësh dhe shumë pak apo fare pak mund të dallohej, në anën tjetër, dhanë sinjalet e qarta se xhamia duhet t’i rikthehet Kalasë si një dëshirë qytetare. Pas përfundimit të aksionit, u bë thirrja e ezanit mbi themelet e minaresë dhe të gjithë të pranishmit e falën namazin e drekës me imam brenda xhamisë. Ky namaz, njëherit është i pari, që nga rrënimi i xhamisë në vitin 1912, sikurse që pastrimi i saj, është i pari i këtillë pas atyre gërmimeve arkeologjike të vitit 1969. Pas namazit të drekës, Këshilli i Bashkësisë Islame, u kujdes për aktivistët që të drekojnë së bashku, si vëllezër, me nga një shujtë mjaft modeste (topli) të Prizrenit, në ambientin piktoresk përreth xhamisë së Kalasë.
Por, ky organizim rreth xhamisë së Kalasë, nuk do të mbetet i vetëm, do të pasojnë edhe organizime të tjera. Kemi parasysh, ishte viti 2009, kjo kohë kur patën filluar punimet e revitalizimit të Kalasë si një pikë zhvillimore e turizmit, ndërsa Ministria e Kulturës, nuk e pati futur në kuadër të projektit edhe rindërtimin e xhamisë. Natyrisht, Bashkësia Islame, ishte në ngjarje për të gjitha zhvillimet që ndodhnin, sepse ishte në pyetje fati i xhamisë si objekt islam, e mbi të gjitha si një dëshirë e qytetarëve. Në fillim, menduam se rekonstruimi i xhamisë ka ngelur për fazën e ardhshme të punimeve, pasiqë punohej faza-faza, por kjo nuk ndodhi asnjëherë, e që vërtetoi se mospërfshirja e xhamisë, nuk ishte lëshim i rastësishëm.
Pavarësisht anshkalimit të xhamisë nga Ministria e Kulturës, Bashkësia Islame do të tregojë interesimin e duhur për xhaminë, në mënyrë që ajo mos të lihet në harresë. Nisur nga kjo, tri vite më vonë, pra më datë 30 mars 2012, Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, organizoi faljen e namazit të xhumasë në xhaminë e Kalasë, ndërsa për imam e autorizoi imamin e xhamisë Emin Pasha, hfz. Daut ef. Lezi. Edhe pse moti ishte me shi, në këtë xhuma të veçantë dhe mjaft nostalgjike, pati shumë xhemat.
Foto -1: Xhumaja e parë, 30 Mars 2012
Këto dy aktivitete simbolike, në të vërtetë e përçonin vërejtjen e Bashkësisë Islame dhe të qytetarëve të Prizrenit në adresë të organeve të Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prizrenit, që xhaminë mos ta injorojnë, por t’ia japin vendin meritor në Kala, ashtu siç e ka pasur në origjinë.
2) Kërkesa e Bashkësisë Islame, 2010
Bashkësia Islame e Kosovës, pasi vërtetoi se xhamia e Kalasë nuk është përfshirë në kuadër të projektit për revitlizimin e Kalasë, e që kishte filluar në vitin 2009, menjëherë i drejtohet organeve kompetente për ta trajtuar xhaminë në mënyrë meritore. Në vitin 2010, Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, nëpërmjet shkresës, nr.16/10, dt.15.02.2010, i drejtohet me shkresë Ministrisë për Kulturë Rini dhe Sport në Prishtinë, duke kërkuar direkt, që xhamia e Kalasë të rindërtohet dhe jo të konzervohet. Edhe pse kërkesa ishte bërë nga niveli qendror, pra nga Myftiu i Kosovës, megjithatë, Ministria e Kulturës, asnjëherë nuk e vlerësoi që të kthejë përgjigje.
Vetë heshtja dhe hezitimi për të kthyer përgjigje në kërkesën legjitime të Bashkësisë Islame, ishte sinjalizim i qartë, se ekzistojnë paragjykime serioze ndaj xhamisë. Natyrisht, përballë kësaj gjendje, për Ministrinë e Kulturës ishte shumë e vështirë që subjektivizmin e saj anormal ta shndërrojë në përgjigje me shkrim, pasiqë a priori do të biente në kundërshtim me argumentet historike autentike të xhamisë, prandaj zgjodhi heshtjen si një formë asnjënëse.
Absurdi bëhet akoma më i madh, kur e dijmë se kërkesa e Bashkësisë Islame ka qenë mjaft parimore dhe, pa asnjë tendencë apo motive të fetarësisë. Në fakt, kishte kërkuar që xhamia të barazohet me objektet e tjera që do të rikonstruoheshin, dhe atë si në vijim:
1) Xhamia, të rindërtohet në vendin ku ka qenë dhe sipas përmasave që i ka pasur;
2) Në mungesë të fondeve, Bashkësia Islamemerr për sipër sigurimin e të gjitha shpenzimeve të projektit dhe rekonstruimit / rindërtimit të xhamisë;
3) Rekonstruimi i xhamisë nuk ka pretendime fetare, duke saktësuar se xhamia, pas ringritjes do të shërbejë ekskluzivisht si monument kulturo-historik, ku mund të ekspozohen eksponate të ndryshme të traditës dhe aspekte të tjera;
Këto tri pika përmbajtësore, i kanë përshkuar të gjitha kërkesat, që i ka bërë Bashkësia Islame në adresë të Ministrisë së Kulturës apo institucioneve të tjera relevante.
3) Kërkesa e Bashkësisë Islame, 2014
Kaluan tri vite dhe, MKRS nuk ktheu asnjë përgjigje në kërkesën e Bashkësisë Islame, të vitit 2010. Ndërkohë, që idetë për rindërtimin e objekteve të tjera, përveç xhamisë, veçse po fillonin të aplikoheshin. Kjo, do të vendoset përfundimisht, me rastin e zyrtarizimit të momerandumit të bashkëpunimit për konservimin dhe restaurimin e Kalasë së Prizrenit, në mes të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ambasadës Amerikane në Prishtinë, Institutit Arkeologjik të Kosovës (IAK) dhe Organizatës Trashëgimia Kulturore Pa Kufij (CHËB). Ky momerandumi është nënshkruar në kalanë e Prizrenit, më datë 25.09.2014, nga:
Memli Krasniqi – Ministër i MKRS-së;
Jennifer Bachus – Zëvendës ambasadorja amerikane;
Enver Rexha – Drejtori i IAK-së; dhe
Sali Shoshi – Drejtor i CHWB-së.
Fatkeqësisht, këto institucione më të larta kulturore të vendit nuk e kanë përfshirë në listën e restaurimit xhaminë e Kala, duke e privuar nga e drejta e saj për restaurim si të gjitha objektet e tjera.
Foto -2: Nënshkrimi i momerandumit të bashkëpunimit, Kala, 25.09.2014
Për shkak të këtij injorimi evident, Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, në vitin 2014, nëpërmjet shkresës nr.951/14, dt.29.09.2014, vendosi t’i drejtohet Ministrisë për Kulturë Rini dhe Sport, me kërkesën e njëjtë: rikonstruimi i xhamisë. Kërkesa iu dërgua edhe dy faktorëve të tjerë relevant: Kuvendit Komunal të Prizrenit dhe Qendrës Rajonale për Trashëgiminë Kulturore – Prizren (QRTK), që kanë ingerenca ligjore mbi hapësirën e Kalasë.
Përsëri, asnjëri prej këtyre institucioneve nuk ktheu përgjigje. Veçse, pas kësaj kërkese, një delegacion i lartë në kuadër të Ministrisë së Kulturës (MKRS), më datë 09.10.2014 e pati vizituar Këshillin e Bashkësisë Islame të Prizrenit me qëllim të diskutimit të kërkesës së parashtruar. Delegecioni, kryesohej nga znj. Vjollca Aliu (Drejtoreshë, Departamenti i Trashëgimisë Kulturore të Kosovës), Enver Rexha (Drejtor, Instituti arkeologjik i Kosovës – IAK), Shafi Gashi (Mbikqyrës i punimeve në Kalanë e Prizrenit dhe anëtar i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore – KKTK), Osman Gojani (Drejtor i Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore – Gjakovë, QRTK), Agim Gërguri (nuk më kujtohet pozita e tij) dhe Samir Hoxha (drejtor i Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore – Prizren, QRTK). Ata u pritën nga Lutfi ef. Ballëk ish-kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, Mr. Orhan Bislimaj – Sekretar i Këshillit të BI-së Prizren dhe Mr. Faruk Ukallo – zyrtar për ekonomi dhe financa i Këshillit të BI-së Prizren.
Zyrtarët e Ministrisë e njoftuan Këshillin e BI-së në Prizren, se e kanë pranuar kërkesën e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, duke thënë se të njëjtën do ta shqyrtojnë në mënyrë meritore në një të ardhme të afërt. Zonja Vjollca Aliu, në emër të delegacionit deklaroi se për momentin, punimet në Kala janë në fazën e hulumtimeve arkeologjike, e të cilat pritet të vazhdojnë edhe disa muaj, afërsisht deri kah pranvera e vitit 2015 dhe sapo të përfundojnë këto hulumtime brenda Kalasë, atëherë do të jepet përgjigje në kërkesën e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit.
Nga prespektiva e tanishme, vizita e tyre asokohe, më shumë ka qenë një hap për të neutralizuar iniciativat e mundshme për ndonjë protestë qytetare, e që do të shkaktonte mjaft telashe në lidhje me implementimin e projektit për restaurimin e kalasë, se sa një interesim i mirëfilltë për trajtimin e kërkesës së Këshillit të BI-së.
Në fakt, kjo vizitë pune, e demanton vetë znj. Vjollca Aliu, e cila më datë 14.12.2016, duke u përgjigjur para gazetarit të RTV-BESA, kishte deklaruar se “nuk ka pranuar ndonjë kërkesë të adresuar, ashtu siç e përcakton ligji për Qendrën Historike të Prizrenit…”, duke konstatuar se “kërkesa duhet t’i adresohet Komisionit për shqyrtimin dhe vlerësimin e projekteve të konservimit restaurimit…”[1]. Pa dyshim, kjo është lojë fjalësh dhe ikje nga përgjegjësia. Vetë znj. Vjollca Aliu është e bindur se kjo arsye fiktive nuk është satisfaksion për mosdhënien e përgjigjes në kërkesën e Bashkësisë Islame, sidomos për katër arsye:
1) Në vitin 2010, kur është parashtruar kërkesa e parë, përgjegjës për vlerësimin e kërkesave ka qenë pikërisht Departamenti i Trashëgimisë Kulturore, drejtoreshë e të cilit është zj.Vjollca Aliu;
2) Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Kulturës, ky komision, për të cilin flet znj. Vjollca Aliu se është përgjegjës për shqyrtimin e kërkesave, ka marrë këtë detyrë me ardhjen Ministër i MKRS, z. Kujtim Shala, praktikisht prej vitit 2015;
3) Nëse thuhet se Departamenti i Trashëgimisë Kulturore, nuk ishte përgjgjës për shqyrtimin e kërkesës, atëherë përse znj. Vjollca Aliu erdhi në Këshillin e Bashkësisë Islame të Prizrenit, më datë 09.10.2014, dhe temë diskutimi ishte pikërisht kërkesa e Bashkësisë Islame për rindërtimin e xhamisë!?;
4) Nëse kërkesa nuk ka qenë e adresuar si duhet, atëherë, Departamenti i Trashëgimisë Kulturore, mbi bazën e obligimit ligjor, do të duhej të kthente një përgjigje udhëzuese ndaj palës, në këtë rast Këshillit të Bashkësisë Islame, dhe atë jo më largë se brenda 15 ditësh nga dita e pranimit të kërkesës. Tek e fundit, e njëjta kërkesë i është drejtuar edhe Ministrisë së Kulturës, që është ombrellë e të gjitha departamenteve në kuadër të saj, përfshirë edhe Komisionet përkatëse. Kjo, bëhet akoma më e qartë, kur dihet se kërkesa i është dërguar edhe Qendrës Rajonale për Trashëgiminë Kulturore – Prizren (QRTK), e cila zyrtarisht e ka adresuar kërkesën në adresën e saktë në kuadër të Ministrisë (MKRS).
Tek e fundit, mjafton që Ministria ka pasur dijeni për ekzistimin e xhamisë, ajo ka mundur vetë ta inicojë rindërtimin e saj sikurse i ka inicuar edhe objektet e tjera që tashmë janë rindërtuar në Kala. E dihet se për ato objekte nuk ka pasur asnjë kërkesë prej qytetarëve.
Prandaj, problemi i mospërgjigjes është më i thellë dhe lë shumë për të thënë.
4) Kërkesa e Bashkësisë Islame, 2016
Tashmë kishin kaluar 5 vite dhe, Ministria e Kulturës nuk ktheu asnjë përgjigje në dy kërkesat e mëparshme të Bashkësisë Islame, 2010 dhe 2014. Injorimi i Ministrisë veçse po trashej. Këshilli i Bashkësisë Islame i Prizrenit, përsëri detyrohet që të parashtrojë kërkesën e radhës, sipas shkresës, nr.311/16, 12.05.2016, e cila përmbante kërkesën e njëjtë: rekonstruimin / rindërtimin e xhamisë. Kësaj radhe, e njëta kërkesë, i dërgohet edhe institucioneve qendrore të Republikës së Kosovës, si:
– Kryeministrit të Republikës së Kosovës (z. Isa Mustafa);
– Kryetarit të Parlamentit të Republikës së Kosovës (z. Kadri Veseli);
– Drejtoreshës së Departamentit për Trashëgimi Kulturore (DTK) (znj. Vjollca Aliu);
– Drejtorit të Institutit Arkeologjik të Kosovës (IAK), Prishtinë (z. Enver Rexha);
– Drejtorit të Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore – Prizren (QRTK), (z.Samir Hoxha).
Arsyeja e dërgimit të kërkesës në adresë të titullarëve të përmendur kishte karakter të njoftimit me përmbajtjen e kërkesës, po edhe të njoftimit për injorimin e vazhdueshëm ndaj kërkesave të Bashkësisë Islame. Edhe kësaj radhe, asnjë përgjigje nga asnjëri prej drejtuesve të institucioneve!?
5) Kërkesa e Bashkësisë Islame për takim me Ministrin e Kulturës
Duke pa këtë injorim, Këshilli i BI-së i Prizrenit i orienton përpjekjet për të realizuar një takim me Ministrin e Kulturës, apo me personin e autorizuar të tij, për të parë se çfarë është duke ndodhur me çështjen e xhamisë dhe me kërkesat e Bashkësisë Islame. Kështu që, sekretari i Këshillit të BI-së Prizren, më datë 11.05.2016 i drejtohet zyrtarisht Ministrisë së Kulturës në e-mailin zyrtar:info@mkrs-ks.org për një takim të mundshëm, duke informuar paraprakisht se në takim do të marrë pjesë kryetari dhe zyrtarët e tjerë të Këshillit të Bashkësisë Islame BI-Prizren. Nuk ka përgjigje! KBI-Prizren, përsëri i drejtohet, më datë 02.11.2016, po edhe disa herë të tjera.
Tek pas gjashtë muajsh, personi kompetent i MInistrisët, më datë 02.11.2016, ora 1:38 PD, e kthen një përgjigje të shkurtër nëpërmjet formës internetike “facebook”, në faqen personale të sekretarit të Këshillit të BI-së Prizren, Orhan Bislimaj, duke thënë se dikush nga Minsitria t’ju kontaktojë.
Mjerisht, edhe pas kësaj përgjigje, askush nga Ministria e Kulturës nuk ka gjetur kohë, që së paku njëherë, ta presë në takim delegacionin e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit. Me të vërtetë, kjo është pa përgjegjësi totale! Është për keqardhje në çfarë niveli ka degarduar llogaridhënia para qytetarëve. Ne, nuk e dijmë ku qëndron arsyeja e këtij injorimi, por, kjo, sigurisht tregon mosgatishmërinë e zyrtarëve të Ministrisë që xhaminë ta trajtojnë objektivisht në kuadër të revitalizimit të Kalasë. Paragjykimet e tyre, tashmë të vërtetuara kundër saj janë thellësisht naive. Tek e fundit, Minsitria e Kulturës, pra vetë Ministri si organ përgjegjës, sipas detyrës zyrtare do të duhej të interesohej për xhaminë, siç është interesuar, ta zëmë, për objektet e tjera në Kala. Të gjitha janë rindërtuar në bazë të vlerësimit të lirë të këtyre njerëzve të Ministrisë, pa pasur ndonjë kërkesë nga qytetarët. Ndërsa, kur është në pyetje xhamia, rregullat ndryshojnë dhe nuk veprohet me të njëjtin arshin. Fatkeqësisht!
Ky qëndrim injorues i Ministrisë, kundrejt realitetit të xhamisë, ka prodhuar dy relacione:
1) Vendosmërinë e Bashkësisë Islame për ta mbrojtur të vërtetën e xhamisë dhe interesin e qytetarëve; si dhe 2) zhgënjimin e qytetarëve në drejtësinë e shtetit.
Si rezultat i kësaj gjendjeje, Bashkësia Islame dhe qytetarët e Prizrenit janë mobilizuar maksimalisht në përkrahje të xhamisë dhe kjo është vërtetuar edhe nëpërmjet peticionit voluminoz, e që do të flasim në vazhdimet e ardhshme.
(Punim i botuar në: “Dituria islame”, nr.321/322, korrik-gusht, 2017)
(Vijon…)
[1] Shih: Deklarata e Vjollca Aliut, datë 14.12.2016, sipas: https://www.facebook.com/pg/TVBESA/videos/?ref=page_internal, publikuar:14.12.2016, cituar:25.02.2017.