Dr. Orhan Bislimaj

Prizreni, unanimisht e do rindërtimin e xhamisë në kalanë e Prizrenit – (5)

1) Xhamia e Kalasë dhe Iniciativa Qytetare e Prizrenit (IQP)

Brenda gjashtë vitesh, pra 2010 – 2016, Bashkësia Islame e Kosovës tri herë pati bërë kërkesë me shkrim në Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport (MKRS) për rekonstruimin e xhamisë së Kalasë së Prizenit, por akoma nuk kishte marrë asnjë përgjigje. Me të vërtetë rrethanë e keqe dhe zhgënjyese! Hoxhallarët e Prizrenit, që ishin në dijeni për të gjitha zhvillimet, u revoltuan maksimalisht për këtë trajtim jo meritor. Tek e fundit, Bashkësia Islame e Kosovës tok me hoxhallarët, meritojnë më shumë konsideratë, jo vetëm për shkak të aspektit fetar, e që do të ishte shumë normale, por, për hirë të kontributit që kanë dhënë për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës. Rrallë kush do të besonte, se do të vijë një moment, kur luftëtarët e vendit të vet, siç janë hoxhallarët, nuk do t’i kenë dyertë e hapura në institucionet e shtetit, për të cilin bën aq shumë sakrificë.

Në anën tjetër, Ministria e Kulturës, duke injoruar kërkesën e Bashkësisë Islame, veçse po fitonte në kohë, pasiqë, projekti i nisur për restaurimin, rekonstruimin dhe konzervimin e objekteve në hapësirën e Kalasë, që sponzorizohet nga donacioni i Ambasadës Amerikane dhe Ministrisë së Kulturës, do të përfundonte gjatë vitit 2017. Gjendja, ndërlikohej çdo ditë e më shumë, sepse, pas përfundimit të këtyre punimeve, nisja e punimeve të tjera të mundshme, do të jetë më e vështirë, ngase vetë Kalaja është terren i papërshtatshëm.

Përballë kësaj situate faktike, shqetësimi për gjendjen e mjerë të xhamisë rritej dhe, detyrimisht kjo problematikë u bë pjesë e pandashme e momenteve ditore nëpër ambiente të ndryshme në Prizren dhe rrethinë. Personalisht, kam qenë mjaft i zëshëm në këtë drejtim. Njerëzit, që sa do pak ishin në ngjarje me zhvillimin e punimeve në Kala, vazhdimisht na pyesnin se çfarë është duke ndodhur me xhaminë e Kalasë!? Përse Bashkësia Islame nuk po shfrytëzon forma të tjera, deri në organizimin e protestave, gjersa MKRS nuk është duke kthyer përgjigje në kërkesat e shtruara. Këtij tensionimi në rritje i kontribuonte edhe vetë gjendja e mjerë e xhamisë, e cila, fare nuk u trajtua në kuadër të punimeve që zhvilloheshin në të gjitha anët e Kalasë. E, nervozizmin, do ta shtonte edhe më shumë përurimi i Kishës në Llapushnik të Drenicës, që ndodhi në tetor 2016, si një objekt me shumë dyshime dhe i vlerësuar si gjeopolitik. Pastaj, të gjitha skutat e kalasë, iu nënshtruan restaurimit, konzervimit apo rekonstruimit dhe se shumë objekte që kishin mbijetoja të vogla historike apo fare nuk kishin, u rindërtuan, gjersa edhe ahuret e kuajve! Fatkeqësisht, mbeti e shkretë vetëm xhamia dhe hapësira e ngushtë përreth saj. Kjo gjendje injoruese, dashje e pa dashje, i sprovoi ndjenjat e besimtarëve, e të cilët, në një farë aspekti ndijnin fajësi për mbetjen e xhamisë në këtë gjendje. Të gjitha rrugët çonin drejt një mobilizimi gjithëqytetar.

Në këtë kontekst, Ministria e Kulturës me qëndrimin e saj injorues ndaj xhamisë dhe kërkesave të Bashkësisë Islame, në fakt, ishte shndërruar në sponzor të një kryengritjeje qytetare dhe atë për disa arsye:

1) Injorimi i kërkesës së Bashkësisë Isame, lexohej si një nënçmim i dyfishtë: për Bashkësinë Islame si institucion kredibil i komunitetit, dhe për xhaminë si institucion emblematikë i fesë Islame;

2) Injorimi i xhamisë ishte krejtësisht politik dhe aspak ligjor, gjersa shumë objekte në kala, veçse u rekonstruktuan, dhe në fakt ishte thyer tabuja e paprekshmërisë në zonat arkeologjike, siç është Kalaja, e që shumë kundërshtar të xhamisë fshiheshin pas këtij principi;

3) Punimet e nisura në vitin 2009, respektivisht 2011, tashmë shkonin drejt përmbylljes dhe, xhamia rrezikohej të mbetej gërmadhë, përfundimisht.

Për shkak të këtyre arsyeve, niveli i durimit të Bashkësisë Islame dhe të qytetarëve kishte rënë në pikën zero.

 

2) Vendimi i imamëve të Prizrenit

Tani, kishte ardhë koha, që për fatin e xhamisë të interesohen atyre që u takon të interesohen, ashtu siç ka thënë i Madhi Allah në Kur’an: “Me të vërtetë, xhamitë e Allahut i mirëmbajnë vetëm ata të cilët besojnë All-llahun dhe botën tjetër, e që falin namazin, japin zeqatin dhe që nuk i frikohen askujt, përveç Allahut. Këta janë ata, që janë në rrugën e drejtë.” (Et-Tevbe, 18).

Natyrisht, Këshilli i BI-së Prizren, gjatë takimeve dhe mbledhjeve të rregullta, i kishte njoftuar imamët e Prizrenit për të gjitha detajet dhe kërkesat e Bashkësisë Islame, po edhe për mospërgjigjen e Ministrisë. Një diskutim tjetër i radhës, u mbajt me të gjithë imamët e Prizrenit, në mbledhjen e datës 05 maj 2016.

  

Foto -1: Mbledhja me imamët e KBI-Prizren, 05.05.2016

Pas një debati të gjatë, imamët morën vendim që t’i drejtohen Ministrisë me kërkesën e radhës, e nëse përsëri nuk përgjigjet, atëherë, si domosdoshmëri, duhet filluar, me format e tjera këmbëngulëse, duke shfrytëzuar edhe ndihmën e xhematit. Dhe, kështu ndodhi. Bashkësia Islame, pasiqë nuk mori përgjigje edhe në kërkesën e fundit, nr.311/16, 12.05.2016, çështjen e xhamisë së Kalasë, e ngriti si një shqetësim publik, në mënyrë që qytetarët ta marrin në dorë fatin e saj, ngase trashëgimia kulturore u takon atyre.

 Senzibilizimi i opinionit filloi me elaborimin e çështjes së xhamisë, në emisionin e mëngjesit në TV-Prizren dhe të mbrëmjes në RTV-BESA,[1] më datë 21.10.2016, ku u dhanë të gjitha sqarimet në lidhje me kërkesën e Bashkësisë Islame, në njërën anë dhe injorimin e saj nga ana e Ministrisë së Kulturës, në anën tjetër. Pjesë e këtij injorimi ishte edhe Kuvendi Komunal i Prizrenit, i cili mban përgjegjësi juridike për pjesën e Kalasë, si territor në zonën e përgjegjësisë. Për më keq, Komuna asnjëherë nuk e kishte e thënë asnjë fjalë të vetme për këtë padrejtësi ndaj xhamisë, edhe pse ishte njoftuar me të gjitha kërkesat e Bashkësisë Islame.

Qytetarët e Prizrenit u zgjuan dhe me plotë gojën e duan xhaminë e Kalasë. Nëse deri më tani dikush kishte akuza në adresë të Bashkësisë Islame për neglizhencë, tashmë, të gjithë u njoftuan se fati i xhamisë është bllokuar nga Ministria e Kulturës dhe Komuna e Prizrenit. Mund të themi se çështja e xhamisë së Kalasë, ishte preukopim për të gjithë, në të gjitha nivelet, media, internet, ndeja, dhe ku mos tjetër. Besa, dikush që nuk kishte ditur asnjëherë për xhaminë, kësaj radhe pati rastin të njoftohet.

Sipas radhës, duke qenë të vetëdijshëm për peshën e çështjes, Këshilli i BI-ë, organizoi një mbledhje urgjente me të gjithë imamët e KBI-së, e cila u mbajt më datë 27.10.2016 (e enjte), në amfitetatrin e Institutit të Hifzit pranë xhamisë “Emin Pasha” në Prizren dhe, rendi i ditës ishte një pikë: “Çështja e rindërtimit të xhamisë së Kalasë”. Pas mbledhjes, e cila zgjati disa orë, Këshilli i Bashkësisë Islame lëshoi një komunikatë për publik, në të cilën, pos tjerash thuhej:

Të gjithë imamët, në mënyrë unanime deklaruan këmbëngulësinë për ringritjen e xhamisë së Kalasë, duke thënë se në këtë çështje nuk ka alternativë tjetër. Ata, u zotuan se kjo punë do të kryhet me izzën e Zotit, pasiqë xhamia ka qenë në Kala dhe është vullnet i xhematit të Prizrenit, të cilët 99% i përkasin besimit islam. Ata, e fajësuan Ministrinë e Kulturës dhe Kuvendin Komunal të Prizrenit, të cilët e kanë lënë objektin e xhamisë së Kalasë në gjendje të mjerueshme, dhe se me refuzimin e tyre po dëshirojnë që edhe më tutje ta lënë xhaminë gërmadhë e mbeturinave. Mirëpo, sipas tyre, kjo është e pa pranueshme, dhe xhemati i Prizrenit, nuk do të pranojnë me asnjë çmim, që xhamia të mbetet gërmadhë. Po ashtu, imamët thanë se, gjendje e mjerueshme e xhamisë ka ngritur debate të tensionuar në terren, si dhe ka shkaktuar një revoltim te besimtarët islamë.[2]

 

3) Mbështetja e Myftiut të Kosovës

Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava dhe Kryesia e BIRK-ut, i kanë dhënë përkrahje interesimit të Këshillit të BI-së Prizren, për çështjen e xhamisë së Kalasë. Edhe pse kjo tematikë ishte biseduar në të kaluarën, megjithatë, në një takim me Myftiun dhe zyrtarët e lartë të BIRK-ut, i mbajtur më 21.10.2016, në selinë e Kryesisë së BIRK-ut në Prishtinë, patëm rastin që ta informojmë Myftiun, më në detaje me çështjen e xhamisë së Kalasë, që nga fillimi. E njoftuam, se janë rindërtuar shumë objekte në Kala dhe, po thuajse, ka mbetur vetëm xhamia. Po ashtu, e njoftuam për shqetësimin e besimtarëve islamë të Komunës së Prizrenit, etj. Myftiu, Naim ef. Tërnava dhe bashkëpunëtorët e tij, i dhanë mbështetje përpjekjeve publike të Këshillit të BI-së Prizren, në lidhje me rindërtimin e xhamisë, kështu, duke fajësuar për neglizhencë organet e Ministrisë së Kulturës, e cila, për më se 6 vite nuk po jepte përgjigje në tri kërkesat e Bashkësisë Islame.[3]

 

4) Iniciativa Qytetare e Prizrenit (IQP)

Krahas paraqitjes publike të Këshillit të Bashkësisë Islame, në zyret e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, filluan të vijnë shumë qytetarë, të cilët interesoheshin për fatin e xhamisë. Të revoltuar nga injorimi i Minsitrisë, ata ofronin ndihmë të parezervë, nga çdo aspekt. Bile, disa filluan të sjellin edhe të holla, duke menduar se sigurimi i mjeteve është vetë problemi. Kështu, në bazë të konsultimeve të gjera, u pa e arsyeshme që përpjekjet e qytetarëve të organizohen në një trup, i cili, do të jetë zë i qytetarëve, përkitazi me rindërtimin e xhamisë.

Dhe, në tubimin e mbajtur më datë 02.11.2016, në zyret e Këshillit të BI-së në Prizren, u themelua “Iniciativa Qytetare e Prizrenit”, bordi i së cilës përbëhej prej 15 anëtarëve, që vinin nga shtresat e ndryshme të shoqërisë: shoqëria civile, Bashkësia Islame, Parlamenti i Studentëve të Universitetit Publik të Prizrenit, media, OJQ-të, intelektualë, bota e biznesit, organizatat e dalura nga lufta e UÇK-së, etj. Të gjithë anëtarët, janë njerzë të suksesshshëm me kredenciale të larta qytetare, intelektuale, familjare, atdhetare dhe me profesione të ndryshme. Koordinator i bordit, u zgjodh, z. Ilir Gashi, aktivist i shquar nga shoqëria civile, ndërsa selia e Iniciativës, përkohësisht u vendos në një zyrë në objektin e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit.

Iniciativa Qytetare, menjëherë ka përgatitur strategjinë për senzibilizimin e opinionit në lidhje me rindërtimin e xhamisë së Kalasë, natyrisht, në konsultim të ngushtë edhe me Këshillin e BI-së Prizren. Bashkë me kërkesën për xhaminë, Iniciativa mori vendim që të inicojë edhe rindërtimin e Sahat Kullës, si një prej objekteve mjaft simbolike për Kalanë dhe Prizrenin.

Po ashtu, Iniciativa, në kuadër të diskutimit të gjerë, kishte shumë vërejtje për punët që janë duke u zhvilluar në hapësirën e Kalasë, nga Ministria e Kulturës. Për më keq, kjo Ministri, fare nuk e kishte konsultuar komunitetin prizrenas për punimet e zhvilluara, e që një gjë e tillë parashihet me konventat ndërkombëtare, sidomos me atë të FARO-së. Sepse, trashëgimia kulturore, pasqyron të kaluarën e komunitetit, dhe në këtë rast, qytetarët e komunës janë më meritorët për të vendosur rreth monumenteve të trashëgimisë. Ministria dhe organet kompetente, do të duhej që çdo projekt i propozuar, në formën përfundimtare t’i nështrohet diskutimit me publikun. Sepse, nëpërmjet sugjerimit dhe disktuimeve, mund të arrihet modeli më i mirë i mundshëm.

Mbyllja e projekteve për Kalanë, siç ka vepruar Ministria e Kulturës, ka ngritur shumë pikëpyetje dhe dyshime. Mbi të gjitha ka krijuar mosbesim te qytetarët. Ekspertët që e kanë punuar planin, pavarësisht kush janë dhe sa janë, nuk mund të bëjnë përzgjedhjen më të mirë për trashëgiminë kulturo-historike, sepse, siç thamë më lartë, ajo pasqyronë historinë origjinale të qytetarëve. Shtrohet pyetja, çka ndodh nëse ekspertët e planit kanë ngarkesa subjektive për ndonjë kulturë të caktuar, fetare apo etnike!? E që, besojmë se një gjë e tillë është duke ndodhur në raport me xhaminë. Nuk po respektohet fuqia e argumentit, por po respektohet apatia e njerëzve që vendosin për këto projekte të revitalizimit. Xhamia është viktimë e këtij diskursi fatkeq e destruktiv. Prandaj, qytetarëve duhet t’i jepet vendimmarja për objektet e tyre të trashëgimisë. Për shembull, të gjithë e dimë se ringritja e xhamisë së Kalasë do të jetë mjaft atraktive për vizitorët, e që është njëri prej synimeve të revitalizimit. Njësoj e dimë se edhe funksionalizimi i topi dhe Sahat Kulla e kanë këtë rol. Mirëpo, këto sygjerime të qytetarëve të Prizrenit, që tashmë janë bërë edhe publike, njerëzve të Ministrisë, u duket tërësisht anakronike, sepse janë të ngarkuar me mision për ta denigruar akëcilën kulturë. Në këtë nuk ka asnjë mëdyshje. Jo rastësisht, projekti i revitalizimit të Kalasë është mbajtur larg vendimmarrjes së qytetarëve!? Po, edhe jo rastësisht, qytetarët anembanë Prizrenit, po flasin se Prishtina e shkatërroi Kalanë, duke aluduar në organet kompetente të Ministrisë.

Kjo mënyrë e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore duhet të ndalohet, sepse ka pasoja afatgjate dhe të pariparueshme për komunitetitn. Për shembull, shtrohet pyetja, kush i dha të drejtë Ministrisë së Kulturës që një pjesë të konsiderueshme të hapësirës së Kalasë ta shndërrojë në amfiteatër të hapur, duke vendosur materiale të vrazhda, që nuk konvergjojnë aspak me infrastrukturën dhe konstruksionin e kalasë!? Për kënd po bëhet!? Nëse është për qytetarët, atëherë ata duhet të vendosin! Tek e fundit, edhe kjo le të bëhej, por pasi të vendosin qytetarët nëpërmjet diskutimit publik, sepse sigurisht do të jepnin edhe alternativa të tjera, mjaft interesante. E njëjta gjë duhet të veprohet me teleferikun, që është menduar si projekt. Prizreni ka njerzë të përgatitur që kanë shije dhe vizion për të bukurën dhe më të bukurën. Në këtë drejtim, kemi shumë për të thënë…!

Prandaj, përjashtimi i qytetarëve nga vendimmarrja për vlerat e tyre të trashëgimisë kulturore, ishte edhe një arsye më shumë, që Iniciativa Qytetare e Prizrenit, të ndërmarrë fushatën për vetëdijësimin e qytetarëve për pasojat e shkatërrimit të trashëgimisë kulturo-historike në hapësirën e Kalasë. Por, jo vetëm kaq, ajo, do të jetë një zë mjaft i dobishëm edhe për adresimin e shumë problemeve të tjera në nivel të Komunës së Prizrenit. Sot e më ditë, qytetarët e Prizrenit i vajtojnë kubzat e gurit, të cilat, qeveria komunale, para disa vitesh i kishte hequr për gjatë rrugës kryesore “Adem Jashari” në Prizren dhe, në vend të tyre kishte shtruar asfalt. Me këtë shkatërrim, Prizreni e humbi historinë dhe e reduktoi qendrën e vet. Nëse, ky veprim ka qenë i mirë, atëherë, përse kubëzat e njëjta nuk po i heqim edhe nga shadërvani i Prizrenit, dhe ta shtrojmë asfalt!? Prizreni është simpatik me monumentet e tij kulturore dhe jo me ato moderne. Më vjen keq, që askush nuk ka dhënë përgjegjësi për këtë largim të kubëzave emblematike dhe shkatërrim të qendrës historike të Prizrenit. Përfundimisht, qytetarët e Prizrenit, njëherë e përgjithmonë duhet ta ruajnë kulturën e tyre, nga ata që kanë marrë “mision” për ta tjetërsuar atë.

 

(Punim i botuar në: “Dituria islame”, nr.323, shtator, 2017)

 

(Vijon…)



[1] Në emisionin “Aktualitet” në RTV BESA, të drejtuar nga Burim Shpejti, kanë qenë të ftuar Vjollca Aliu -drejtoreshë e Departamentit të Kulturës në MKRS dhe Shafi Gashi mbikqyrës i punimeve në kala, por asnjëri prej tyre nuk ka pranuar të marrë pjesë në emision. Emisioni është zhvilluar me mysafirët: Orhan Bislimaj (KBI-Prizren) dhe Faik Miftari – jurist dhe publicist.

[2] Njoftimi i KBI-Prizren, në faqen zyrtare në facebook, datë 27.10.2016.

[3] Pas një kohe, Myftiu Naim ef. Tërnava, e vizitoi Këshillin e Bashkësisë Islame të Prizrenit dhe i ka dhënë mbështetje xhamisë së Kalasë, edhe nga vetë qyteti i Prizrenit, në fjalimin e tij para mediumeve publike.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *