Dr. Orhan Bislimaj

Haxhi i ndaluar dhe Covid – 19! 

Sivjet, nuk do të ketë haxh për askë, përveç se për banorët që gjinden brenda Arabisë Saudite. Natyrisht, ndjenjë jo e mirë, por e kemi pranuar me mirëkuptim, të gjithë. Pengesat e telashet që ka shkaktuar në terren pandemia Covid-19, vërtet janë tronditëse. Ato, përngjasojnë me rrethanat e luftës reale, duke filluar nga frika, depresioni, izolimi, çakordisja e rendit social e ekonomik, karantimi i qyteteve e deri te mbyllja e kufijve në nivel të shteteve. Luftë e përtej luftës!

Është hera e dytë, brenda dy dekadave, që kosovarët nuk shkojnë në Qabe. Herën e parë, në vitin 1999, për shkak të luftës dhe tani në vitin 2020, për shkak të Covid-19. 

Nderimi i Qabes dhe haxhi i banorëve 

E mira e vetme në tërë këtë llahtari pandemike, është organizimi i haxhit për vendasit, banorët e Arabisë Saudite. E rëndësishme është që Qabeja mos të mbetet e vetmuar në këtë muaj të veçantë. Pasiqë, haxhi e ka kohën e limituar, njësoj sikurse Ramazani. Në rastin e kundërt, pra, nëse askush nuk do ta nderonte me tavaf, atëherë, do të ishte një përmbysje e përbotshme e ndërgjegjës muslimane!

Sepse, Qabja nuk është një objekt, si çdo objekt tjetër fizik. Sikurse që haxhi, nuk është vetëm një vizitë e thjeshtë në një vend. Përkundrazi, Qabja është më shumë se kaq. Ajo është shenjë e Allahut në sipërfaqën e tokës. Është amanet në duartë e të gjithë njerëzimit.

Nëse e vështrojmë historinë, do të shohim se shoqëria njerëzore, që nga antikiteti i thellë, e ka nderuar Qabenë si ‘alamet’ i Zotit në tokë edhe nëse akëcila shoqëri ka qenë idhujtare apo politeiste. Kur ka qenë në pyetje Qabeja, kanë pasur konsideratë të padiskutueshme. Njësoj, kanë vepruar edhe arabët, para ardhjes së Kur’anit. Edhe pse kanë qenë në devijim të thellë, megjithatë, Qabenë e kanë konsideruar si ‘vend’ i Zotit në sipërfaqën e tokës. Në muret e saj, vjerrnin mish të kurbanëve, si dhe i spërkatnin me gjak, me bindjen se janë duke e ushqyer Krijuesin. Në fakt, këtë konsideratë për Qabenë, ata e kanë pasur trashëgimi nga gjyshërit e stërgjyshërit, brez pas brezi.

Këtu, fillon rëndësia e çështjes. Të gjthë komentatorët e Kur’anit, kur flasin për Qabenë dhe parahistorinë e saj, insistojnë në një prejardhje qiellore të saj. Madje, asnjë prej tyre nuk e konteston. Dhe, vetëm si e tillë, ajo e ka nderuar, jo vetëm Mekën, por njerëzimin në përgjithësi.

Ideja është që ne, ta kuptojmë relacionin qiellor të Qabesë. Kur e kuptojmë këtë relacion, atëherë arrijmë ta përjetojmë madhështinë e saj edhe nga distanca, apo edhe kur nuk mund të udhëtojmë deri tek ajo, sikurse sivjet. Sepse, Qabja ka vlerë e rëndësi të përbotshme e të përhershme, e jo vetëm gjatë haxhit. 

Prejardhja qiellore e Qabesë 

Dijetarët islamë, sa herë flasin për Qabenë, i referohen ajetit të mëposhtëm, që dëshmon se ajo është shtëpia e parë në sipërfaqën e tokës.

إِنَّ أَوَّلَ بَيْتٍ وُضِعَ لِلنَّاسِ لَلَّذِي بِبَكَّةَ مُبَارَكًا وَهُدًى لِّلْعَالَمِينَ ﴿٩٦

“Shtëpia (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz, është ajo në Bekë (Mekë), është e bekuar dhe udhërrëfyese për mbarë njerëzimin.” (El-Maide, 96).

Përveç se është shtëpia e parë, Allahu po thotë se është e dobishme dhe udhërrëfyese për mbarë njerëzimin. Ne, sado që mund t’i zbërthejmë këto vlerësime prej Allahut, megjithatë, nuk mund t’i perceptojmë dot të gjitha detajet. Por, në mos agjë tjetër, këto dy veti që Allahu i ka përmendur për Qabenë, duhet t’i ketë si pretendim secili njeri, në përmasa jetësore. Madje, edhe vetë rituali i haxhit i promovon ato.

Pra, njeriu, së pari, duhet të jetë i dobishëm si individ, e pastaj, duke qenë i tillë, mund të jetë edhe përçues i udhëzimeve të Allahut, në sipërfaqen e tokës. E, nuk mund të jetë e kundërta, nuk mund të japë dije, ai që nuk ka dije, apo të japë moral ai që nuk ka moral. Këtë frymëzim, më së miri e kuptojnë ata që shkojnë në haxh. Në momentin e parë që njeriu e sheh Qabenë, menjëherë, sikur i kujtohet xhenneti. Apo, në ato çaste, njeriut i duket sikur ka dalë në një botë tjetër, jashtë fenomenales. Pra, i kujtohet diçka, që është hyjnore e jo njerëzore.

Për këtë qasje pozitive, njeriu ka shumë nevojë. Vetë imazhi i saj magjepsës, është udhërrëfyes për të gjithë zemrat e njerëzve. Fundja, kjo është empirike dhe e dëshmueshme. Sepse, në rastin e kundërtën, njerëzit, nuk do të shpenzonin shuma marramendëse, sa për ta kryer një vizitë të thjeshtë. Përkundrazi, këtë e bëjnë, në rastin e parë që u jepet mundësia, ngase madhështia e Qabesë është përtej tokësorës. Ajo, i flet shpirtit me gjuhën e vet. E gjuhën e saj e kupton shpirti, ashtu sikurse që etja jonë e konfirmon ekzistimin e ujit, apo, ashtu siç i duam vetitë e mira, edhe nëse nuk i kemi shijuar asnjëherë. Për shembull, dikush mund të mos japë asnjëherë sadaka, por e do bujarinë ndaj tjerëve. Kjo do të thotë se narracioni i Qabesë, i tavafit dhe haxhit, është nevojë e natyrshme e vetë njeriut, në përmasa ontologjike.

Prandaj, pas haxhit, të gjithë haxhinjtë, kthehen me pikëpamje të shëndosha për jetën, punën, familjen dhe shoqërinë në përgjithësi. Rrënjët e këtij frymëzimi, burojnë pikërisht tek ana qiellore e Qabesë.

Sipas transmetimeve që sjellin dijetarët islamë, Qabenë, për herën e parë e kanë ndërtuar melaikët. Por, para se të flasim për këtë, është me rëndësi të theksojmë se vendi i Qabesë, ka qenë i shenjëzuar apo rezervuar, që nga koha e krijimit të qiejve e tokës, pra përpara ndërtimit të Qabesë, siç do të flasim pak më poshtë. Disa komentatorë të Kur’anit, si Ismail Hakiu, (v. 1127), Begaviju (v. 516 h.), Zemahsheriu (v. 538 h.), Kurtubiu (v. 671 h) e të tjerë, ofrojnë të dhëna interesante për prejardhjen e Qabesë.

Sipas tyre, historia e Qabesë ka lidhshmëri me Bejtu’l Ma’murin. Allahu e ka vendosur nën Arsh, një shtëpi, që quhet ‘Bejtul Ma’mur’ dhe i ka urdhëruar melaikët që të bëjnë tavaf rreth saj, në shenjë madhërimi të Allahut. Dhe, kur e zbriti Ademin a.s. në tokë, ky i fundit u ankua, e Allahu ia lëshoi prej qiellit Bejtu’l Mamurin në vendin aktual të Qabesë, i tëri i dekoruar me xhevahirë nga xhenneti, që i kishte dy dyerë prej smeraldi (gurë i çmuar me ngjyrë të gjelbër të ëmbël e të tejdukshme), nga ana lindore dhe perëndimore. Zoti i tha Ademit a.s.: “Ta zbrita ty këtë shtëpi, që të bëhet tavaf rreth saj, ashtu siç bëhet tavaf rreth Arshit Tim dhe që të falen aty, ashtu siç falen tek Arshi Im!” Pastaj ia zbriti gurin e zi (el-haxherul esved), i cili ishte i bardh, por u nxi nga prekjet e ndyta në periudhat e injorancës. Ademi a.s., nga India u nis drejt Qabesë, në këmbë, kurse një melek ia ka treguar rrugën dhe e ka udhëzuar për të kryer haxhin sipas rregullave të tij. Pasi e kreu, melaikët e takuan dhe i thanë: “Qoftë i pranuar (me bereqet) haxhi yt, o Adem, ne e kemi vizituar këtë shtëpi, dy mijë vjet para teje!” Ibni Abbasi r.a. thotë: Ademi e ka bërë haxhin dyzet herë nga India në Mekë duke ecur këmbë. Kështu, vazhdoi tavafi rreth Qabesë nga Ademi a.s. dhe ata që kanë ardhur pas tij, deri në ndodhjen e përmbytjes së përgjithshme (tufanit) në kohën e hazreti Nuhit a.s. Kur ndodhi përmbytja, Allahu e mbarti Qabenë në qiellin e katër dhe ajo është Bejtu’l Mamuri, ndërsa Xhibrili e strehoi ‘haxheru’l esvedin’, në kodrën Ebi Kubejs.[1] 

Lidhja në mes Qabesë dhe ‘Bejtu’l Mamurit’ 

Pas përmbytjes së përgjithshme (tufanit), vendi i Qabesë pati mbetur zbrazur. Kështu, Allahu e urdhëroi hazreti Ibrahimin a.s., i cili e rindërtoi Qaben në të njëjtin vend ku ka qenë më herët. Me rastin e fillimit të punës, Allahu e dërgoi kryemelekun Xhibrilin a.s. i cili ia tregoi Ibrahimit a.s., vendin e Qabesë, vendin e themeleve dhe dimensionet e sakta, përmes hijezimit në lokacionin actual, duke e porositur që të mos e zmadhojë apo zvogëlojë dimenzionet e saj. Ajo, u ndërtua në përmasa të njëjta me Bejtu’l Ma’murin.

Ibni Abbasi thotë: Qabeja është ndërtuar nga materiali i pesë kodrave: Turi Sina, Turi Zejten, Lubnan, Xhudij, kurse themelet janë nga kodra Hira në Mekkë. Kur arriti puna te guri i zi, Ibrahimi a.s. i tha Ismailit, ma sill një gur, që njerëzit e njohin si më të mirë. Ismaili ia solli një të mirë, por Ibrahimi a.s. i tha, ma sill një tjetër. Ismaili, filloi të gjurmojë një tjetër, por me atë rast kodra Ebi Kubejs, kumtoi: O Ibrahim, unë e kam një të tillë, e Ibrahimi a.s. e mori gurin ‘haxheru’l esved’, që e kishte strehuar meleku Xhibril a.s. dhe e vendosi në vendin e caktuar. Ka mendime që thonë se gurin e zi, e ka sjellur Xhibrili prej qiellit. Kështu që, urdhërdhënës për ndërtimin e Qabesë është Allahu, arkitekt është Xhibrili a.s., mjeshtër i ndërtimit është Ibrahimi a.s., ndërsa punëtor – shërbyes i materialit ndërtimor, është Ismaili a.s.[2]

Prandaj, Qabeja, përveçse është urë lidhëse në mes tokës e qiellit, në anën tjetër, ajo është pikë kulmore në sipërfaqën e tokës, që përbashkon katër anët e globit. Kjo, manifestohet gjatë haxhit dhe umres, por manifestohet edhe çdo ditë gjatë namazit, ku secili besimtar, drejtohet në drejtim të saj. Këto veçori, i gjejmë në ajetin në vijim, ku Allahu ka thënë në Kur’an:

جَعَلَ اللَّـهُ الْكَعْبَةَ الْبَيْتَ الْحَرَامَ قِيَامًا لِّلنَّاسِ

“All-llahu e bëri Qaben, shtëpinë e shenjtë, epiqendër për njerëzit…” (El-Maide, 97).

Në këtë ajet, kemi dy urtësi kryesore:

Urtësia e parë, ka të bëjë me ‘shenjtërinë’ e Qabesë (El-Bejtu’l Haram). Në disa vende të tjera, Allahu e ka quajtur “Mesxhidu-l harami’ – Xhamia e shenjtë. Domethënë, I Madhi Zot, e ka vlerësuar Qabenë, si vend i veçantë në sipërfaqën e tokës. Ajo, nuk krahasohet as me xhaminë e Pejgamberit a.s. në Medinë, e as me Mesxhidu’l Aksanë në Jerusalem. Po ashtu, nuk krahasohet me asnjë vend tjetër në botë, çfarëdo qoftë ai vend, i heronjëve apo ngjarjeve të rëndësishme historike.

Për më shumë, këtë veçanti, Qabeja nuk e ka rifituar në ndërkohë, por e ka pasur që nga zënafilla e gjithësisë. Këtë e vërteton Pejgamberi a.s., në hadithin e mëposhtëm, ku thotë:

ان الله تعالى حرم مكة يوم خلق السموات والارض

“Allahu e bëri të shenjtë Mekkën (Qabenë), në ditën kur i krijoi qiejtë e tokën”(Transmeton Muslimi).

Për këtë arsye, Qabeja i ka mbijetuar të gjitha furtunave të historisë dhe tendencave të armiqëve. Allahu e ka mbrojtur dhe nuk ka pasur fuqi njerëzore që ka mundur ta dëmtojë apo shkatërrojë. Kur’ani e përmend disfatën e pronarit të elefantit, i cili ishte nisur në drejtim të saj, me një ushtri të fuqishme, për ta rrënuar. Kjo ngjarje tregohet në kaptinën ‘El-Fil’. Por, Allahu e shkatërroi atë ushtri nëpërmjet zogjëve. Ngjarja ka ndodhur në vitin e lindjes së Pejgamberit a.s., 571.

Urtësia e dytë, ka të bëjë me Qaben si epiqendër e njerëzimit (kijamen lin-nasi). Ulematë thonë se Qabeja është epiqendër, si për çështjet e fesë, ashtu edhe të jetës në përgjithësi. Sa i përket aspekteve të fesë, dihet, aty ka filluar të zbresë Kur’ani dhe prej aty ka dalur Muhamedi a.s., që janë bazamenti i fesë Islame.

Ndërsa, sa i përket atyre të jetës, dijetarët citojnë se njerëzit kanë dobi, qoftë duke bërë tavaf rreth saj, qoftë duke iu lutur Allahut për mirësi të dynjasë dhe ahiretit. Në këtë kuptim ishte edhe lutja e Ibrahimit a.s., me rastin e ngirtjes së themeleve të Qabesë: “Zoti im, bëje këtë një qytet sigurie dhe banorët e tij, që besuan All-llahun dhe jetën tjetër, furnizoj me lloje të frutave!” (El-Bekare, 126). Allahu e pranoi lutjen e tij dhe pas kësaj lutje, ky vend u begatua me ujë e fruta, gjersa më parë ishte shkretëtirë.

Edhe më tej, Qabja, si vend i shenjtë, i përbashkon të gjithë muslimanët, pavarësisht ngjyrave, racave, etnive, kombësive, gjuhëve, gjinive, etj.. Muslimanët, edhe pse kanë dallime, ata janë unikë rreth Qabesë. E kjo do të thotë se vetë Qabja i mban muslimanët në idealet e tyre islame dhe është pritë kundër pavarësimeve apo mëvetësimeve ideologjike fetare, ashtu siç është edhe vetë emri Islam. Pa dyshim, kjo është një mirësi e madhe, në nivel të njerëzimit. 

‘Haxhi’ në mungesë dhe ‘hakku-l jekin’! 

Le t’i kthehemi përsëri çështjes, atje ku e nisëm në fillim, pra te haxhi i ndaluar. Pavarësisht rrethanave, Qabja mbetet Qabe. Ajo, mbetet unikate, për të gjithë muslimanët, e jo vetëm për ata që kanë mundësi udhëtimi deri tek ajo. Fundja, edhe viteve të kaluara, nuk kanë mundur të shkojnë të gjithë njerëzit. Prandaj, të gjithë besimtarët, mbi të gjitha duhet të kultivojnë një përjetim të thellë ndaj saj, akoma pa shkuar deri tek ajo. Feja Islame i kushton shumë rëndësi përjetimit të normave fetare se sa kryerjes teknike të tyre apo besimit rutinë.

Për shembull, dijetarët, kur flasin për namazin, rëndësinë e tij e përkufizojnë me një idiomë të shkurtër: ‘Namazi është miraxh i besimtarit’ (الصلاة معراج المؤمن). Që do të thotë, gjersa Pejgamberi a.s. e ka kryer miraxhin me trup e shpirt, besimtarët e përjetojnë atë, përmes namazit, si një produkt i atij udhëtimit qiellor. Apo, ajo idioma për vlerën e xhamisë së Gazi Mehmet Pashës në Prizren, që figuron në rrasën e mbishkrimit në hyrje të saj: “Allahu e ka bërë Qabe për të varfërit” (جدد الله كعبة الفقراء). Pavarësisht, se këto shkronja kanë edhe vlera numerike, megjithatë, simbolika kthehet tek përjetimi i namazit në këtë xhami, si xhami kryesore për Prizrenin, ashtu sikurse që Qabja është e tillë për gjithë botën.

Pra, ideja e gjithë kësaj është tek përjetimi i Qabesë, si një shenjë e Allahut në tokë. Ajo përjetohet si e tillë, sepse, dashuria ndaj saj, ngjizet ne konceptin e imanit në Zot. E besimi i sinqertë, e bën njeriun ta përjetojë një vlerë fetare, akoma pa e pa apo pa e shijuar. Këtij përjetimi, akaidologët i thonë ‘hakku’l jekini’ – bindja e patundshme. Zemra, kur e arrinë këtë bindje, për një çështje apo ekzistencë, ajo fare nuk ndryshon edhe kur e sheh me sy atë çështje apo ekzistencë. Për shembull, besimtarët e besojnë ahiretin edhe pse nuk e kanë pa me sy. Por, edhe kur do ta shohim me sy, bindja e tyre është e njejtë, pa pasur nevojë për përplotësim. Që do të thotë se, ‘hakku’l jekini’ e identifikon rezultatin, ndërsa ‘shikimi’ konsiston detajet apo mënyrën e rezultatit.

Në këtë kuptim ka qenë kërkesa e Ibrahimit a.s., kur kërkoi prej Allahut, që t’i tregojë se si i ngjall të vdekurit (shih: El-Bekare, 260). Ai, nuk kishte fare dilemë, por nga kurreshtja dëshironte ta dinte mënyrën. Ashtu edhe ne, duhet ta përjetojmë në plotëni madhështinë e Qabesë, si një shenjë e Zotit në sipërfaqen e tokës, akoma pa e parë. Ndërsa, kur arrijmë të shkojmë e ta shohim, atëherë, kjo përbën bashkëdyzimin në mes bindjes mbi bazën e dijes dhe bindjes mbi bazën e të shikuarit konkret, e që përbën përmbylljen kulmore.

Fare në fund, e lusim Allahun e Madhërishëm, që ta largojë pandeminë Covid-19 nga shoqëria jonë dhe të kthehet normaliteti i jetës. Ndërsa, ata që u penguan sivjet, inshallah Zoti ua bën nasib që të shkojnë në Qabe, vitin e ardhshëm.

 

(Punim i botuar në ‘Dituria Islame’, nr. 356, revistë shkencore, fetare, kulturore, mujore)

 



[1] Shih: Ismail Hakiu, (v.1127), ‘Ruhu’l bejan fi tefsiri’l Kur’an’, El-Begavij, ‘Mealimut-tenzil’, Ez-Zemahsherij, El-Kesh-shaf; El-Kurtubij Xhamiu liahkami’l Kur’an, (verzioni elektronik), komentimi i ajetit El-Bekare, 127 dhe Ali Imra, 96, sipas www.altafsir.com, data e citimit:22.07.2020.

[2] Shih: Po aty.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *