Dr. Orhan Bislimaj
MURTAJA EPIDEMI E RREZIKSHME
1. Hyrje
Që nga marsi i këtij viti[1], kur në vendin tonë filloi paraqitja e pandemisë Covid-19, në mendjet tona solli murtajën, si një simbol i sëmundjeve ngjitëse shfarosëse. E, sa herë që të përmendet kjo sëmundje, kujtojmë tmerret e saj në periudha të ndryshme të historisë, gjithandej botës.
Me këtë rast, e shohim të arsyeshme të diskutojmë për ‘murtajën’, edhe për faktin se shumë njerzë po e quajnë me këtë emër pandeminë Covid-19. Fundja, për të ka folur edhe vetë Pejgamberi a.s. dhe këta e kanë trajtuar edhe shumë nga dijetarët islamë. Ideja është që të bëjmë shqyrtime, analiza e krahasime dhe të shohim se Covid-19, është apo nuk është ‘murtajë’.
2. Çka është murtaja?
Fjala ‘murtajë’ është në gjuhën shqipe, e huazuar nga latinishtja: ‘mortalia’, që lidhet me ‘mors’-‘mortis’, që do të thotë ‘vdekje’.[2] Diku e gjejmë edhe si ‘mortajë’, pra me ‘o’.
Në gjuhën arabe, i thuhet ‘taun’ (طاعون), në shumës ‘tavain’ (طواعين). Njësoj i thuhet edhe në gjuhën turke, si dhe ‘veba’. Njihet edhe si ‘vdekja e zezë’ (الموت اللأسود) dhe ‘vdekja e madhe’ (الموت العظيم). Në gjuhën angleze, i thuhet ‘plague’, ‘pestilence’, si dhe ‘bleack death’.[3]
Të gjithë fjalorët enciklopedik, murtajën e cilësojnë si sëmundje tipike, shumë e rrezikshme, ngjitëse e vdekjeprurëse. Në të gjithë ata, pothuajse përkufizimet janë të përafërta. Por, një përkufizim të qartë dhe konciz për murtajën, e gjejmë te fjalori ‘El-Muxhemul vesit’, i cili citon:
“Murtaja është një sëmundje neoplazike epidemike, e shkaktuar nga një mikrob / bakterie që infekton minjtë dhe transmetohet përmes pleshtave tek minjtë e tjerë e më pas te njeriu” (الطَّاعُونُ : داءٌ وَرَمِيٌّ وبائيٌّ سببه مكروب يصيب الفئران وتنقله البراغيث إلى فئران أخرى وإلى الإنسان).[4]
Ndërsa, në kuptimin praktik e terminologjik, “murtaja është një sëmundje infektive vdekjeprurëse, shumë vrasëse, që shkakton zjarrmi dhe dhembje shumë të forta. Ajo shkakton lunga, të cilat në shumicën e rasteve paraqiten me ngjyrë të zezë, jeshile ose kafe. Ato shumë shpejt çahen dhe krijojnë plagë të dhembshme. Këto xhunga të pezmatuara shfaqen shpesh nën sqetull, pas veshit dhe në vendet me mish të butë.[5]
Ky përkufizim, konvergjon me tipologjinë e sëmundjes, me provën historike, si dhe ka mbështetje në hadithin e Pejgamberit (a.s.) dhe rikonfirmimet e dijetarëve islamë. Në një transmetim nga Aisheja r.a., Pejgamberi a.s. ka thënë:
قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ: «لَا تَفْنَى أُمَّتِي إِلَّا بِالطَّعْنِ وَالطَّاعُونِ، قُلْتُ: يَا رَسُولَ اللَّهِ، هَذَا الطَّعْنُ قَدْ عَرَفْنَاهُ فَمَا الطَّاعُونُ؟ قَالَ: غُدَّةٌ كَغُدَّةِ الْبَعِيرِ»
“Ymmeti im do të përjetojë vdekje nga ‘et-tani’ (goditja nga brenda e xhinëve, pa simptoma jashtë) dhe nga ‘tauni’ – murtaja (infektimi nga jashtë i njerëzve, me siptoma jashtë). Unë thash: O i Dërguar i Zotit, këtë ‘et-tanu’ veçse e dijmë, por çfarë është ‘et-taun – murtaja’? Pejgamberi a.s. tha: “Ajo është një lungë e ënjtur, si gunga e devesë.”[6]
3. Murtaja në kontekstin historik
Dihet mirëfilli se pandemia Covid-19 nuk është pandemia e parë, e mbase nuk do të jetë as e fundit. Për gjatë historisë, ka pasur epidemi e pandemi të tilla.[7] Po ashtu, ka pasur edhe shumë herë murtajë. Prindërit, gjyshërit e stërgjyshërit mbajnë mend sëmundjet ngjitëse edhe në rajonet tona në Kosovë e ndër shqiptarë.
Pavarësisht të gjithave, murtaja bashkë me epidemi e pandemi të ndryshme, përbëjnë anën më të errët të historisë së njerëzimit. Ato, kanë marrë jetët e miliona njerëzve dhe vazhdojnë të marrin edhe më tutje. Në vazhdim, le të shohim disa prej murtajave që e kanë goditur njerëzimin, tokat islame dhe viset shqiptare.
4. Murtaja te Beni Israilët dhe popujt para tyre
Murtaja e parë, për të cilën kemi informacione nga Kur’ani dhe Sunneti është ajo që e ka goditur Faraonin dhe popullin Beni Israilë në Egjiptin e lashtë. Transmetohet nga Amir bin Sa’d bin Ebi Vekkas, se babai i tij e ka pyetur Usame bin Zejdin: “Çka ke dëgjuar prej Pejgamberit a.s., në lidhje me murtajën?” Ai tha: Pejgamberi s.a..s. ka thënë:
عَنْ عَامِرِ بْنِ سَعْدِ بْنِ أَبِي وَقَّاصٍ ، عَنْ أَبِيهِ ، أَنَّهُ سَمِعَهُ يَسْأَلُ أُسَامَةَ بْنَ زَيْدٍ : مَاذَا سَمِعْتَ مِنْ رَسُولِ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ فِي الطَّاعُونِ ؟ فَقَالَ أُسَامَةُ : قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ : الطَّاعُونُ رِجْزٌ أَوْ عَذَابٌ أُرْسِلَ عَلَى بَنِي إِسْرَائِيلَ أَوْ عَلَى مَنْ كَانَ قَبْلَكُمْ ، فَإِذَا سَمِعْتُمْ بِهِ بِأَرْضٍ ، فَلَا تَقْدَمُوا عَلَيْهِ ، وَإِذَا وَقَعَ بِأَرْضٍ وَأَنْتُمْ بِهَا ، فَلَا تَخْرُجُوا فِرَارًا مِنْهُ
“Murtaja është një ndëshkim apo dënim që i është dërguar Beni Israilëve ose popujve të tjerë para tyre. Nëse dëgjoni se në një vend ka rënë murtaja, mos hyni aty, e nëse ka ra aty ku jeni, atëherë mos ikni prej aty.”[8]
Siç shihet në këtë hadith, mundësia e ekzistimit të murtajës edhe tek popujt e tjerë para Beni Israilëve, mbetet e hapur, gjë që dëshmon për lashtësinë e kësaj sëmundje. Për këtë murtajë ka sinjalizuar edhe Kur’ani Famëlartë. Allahu i Madhëruar, duke folur për ndëshkimin e Faraonit dhe popullit të tij, thotë: “Pasi që i gjeti belaja (me ato masa dënimi) ata thanë: “O Musa, lute Zotin tënd për ne me atë meritë që ke (si pejgamber), nëse na e largon dënimin ne do të pranojmë ty (si të dërguar) dhe do t’i lejojmë Beni Israilët bashkë me ty (të shkoni ku të doni).” (El-A’raf, 134).
Komentuesit e Kur’anit, si imam Taberiu (v.310), Begaviu (v.516 h.), e të tjerë, fjalën ‘rixhz’, që ka ardhur në origjinalin e këtij ajeti (El-A’raf, 134), e përshkruajnë si ‘murtajë’ (taun).[9] Kjo bëhet akoma edhe më e qartë, pasiqë edhe në hadithin e lartëcituar përmendet e njëjta fjalë. Po ashtu, Seid bin Xhubejr, Atau dhe të tjerë, thonë: fjala ‘rixhz’ ka për qëllim ‘murtajën’ (et-taun).[10]
Sipas Taberiut, Beni Israilët u goditën shumë rëndë. Aq shumë kishte vdekje, sa që nuk mund t’i varrosnin, ishte tmerr i vërtetë. Me atë rast, Firaoni shkoi te Musa dhe kërkoi prej tij që ta lutë Zotin e vet, për largimin e këtij ndëshkimi, pra murtajës. E Allahu ia hoqi këtë dënim. Mirëpo, u hakmorr ndaj tyre, duke i fundosur në det, sepse nuk e mbajtën fjalën për besim, pas largimit të dënimit.[11] Ibn Haxheri, citon se kanë vdekur 20 mijë deri në 70 mijë njerëz brenda ditës.[12] Për këtë murtajë, mbase ka folur edhe Bibla.
5. Murtaja sipas krishterizmit (Biblës)
Në Dhjatën e Vjetër (hebraizëm), murtajës i thonë: ‘daber’ (דָּ֑בֶר) dhe ‘makkah’ (מַכָּה). Ndërsa, Dhjata e re (krishterizmi), i ka dy nocione për murtajën: ‘loimos’ (λοιμός), dhe ‘plege’ (πληγή). [13]
Sipas disa hulumtimeve edhe Bibla e ka përmendur murtajën kundër beni Israilëve, si një sëmundje epidemike që ka vrarë shumë njerzë, në kuptimin e përgjithshëm të një katastrofe ndëshkimore. Referencat e Ungjillit (Marku 3:10; 5: 29,34; Luka 7:21) e përdorin fjalën si sinonim të sëmundjes.
Në pjesë të ndryshme të Dhiatës së Vjetër, thuhet se sjellja rebele e Bijve të Izraelit tërhoqi zemërimin e Allahut dhe për këtë arsye ata u ndëshkuan me murtajë (Numrat, 16 / 44-48; Ligji i Përtërirë, 28 / 20-21; Psalmet, 78/50; 106 / 29).[14]
Krijuesi i gjithësisë, dërgoi dhjetë murtaja mbi egjiptasit para se izraelitët të largoheshin nga Egjipti. Këto murtaja: përfshijnë murtajën e gjakut, murtajën e bretkosave, murtajën e morrave (mushkonjat), murtajën e mizave, murtajën e bagëtisë, murtajën e çibanëve (lungave), murtajën e breshërit, murtajën e karkalecave, murtajën e errësirës dhe vdekjet e fëmijëve të sapolindur (Eksodi 7: 14–12: 36).[15]
Në ungjillin sipas Llukës (21/10-11), citohet se Jezusi (Isai a.s.), kur ka folur për Jerusalemin e ka përdorur nocionin e murtajës: “Do të ngritet një komb kundër një kombi tjetër, një mbretëri kundër një mbretërie tjetër, do të ndodhin termete të mëdha, në vende të ndryshme uri e murtaja, do të ngjajnë dukuri të përfrikueshme dhe shenja të mëdha nga qielli.”[16]
6. Pesë murtajat më të njohura në historinë islame
Imam Neveviu në Sahihu’l Muslim, po edhe shumë dijetarë të tjerë, konsiderojnë se janë pesë murtaja si më të njohurat në historinë islame:
1) Murtaja e njohur me emrin ‘shirevejhi’ (شِيرَوَيْهِ), që ka ndodhur në Medain[17], në kohën e Pejgamberit a.s., në vitin e 6 h / 627 m. Rreth kësaj murtaje nuk ka shumë informacione, për numrin e vdekjeve.
2) Murtaja e njohur me emrin ‘Amvas’ (عَمَوَاسَ), që ka ra në territoret e Sirisë (Shamit), në kohën e hilafetit të hazreti Omerit r.a., në vitin 17 ose 18 h / 639 m. Prej saj kanë ndërruar jetë 25.000 – 30.000 persona, afërsisht gjysma e popullsisë, përfshirë edhe sahabë të mëdhenj të Pejgamberit a.s., si Ebu Ubejd bin Xherah, që ishte guvernator, Muadh ibën Xhebel, Jezid ibën Ebi Sufjan, Harith ibën Hisham, etj.;
3) Murtaja e njohur me emrin ‘El-Xharif’ (الْجَارِفِ), që ka ra në kohën e Ibni Zubejrit r.a., në muajin sheval të vitit 69 h / 688 m. U quajt me këtë emër, sepse ka rrëmbyer jetët e njerëzve papritmas, sikurse vërshimet e ujërave. Flitet se ka vazhduar tre ditë dhe 70.000 persona vdisnin në çdo ditë. Vetëm nga familja e sahabiut Enes bin Malik, kanë vdekur 73 apo 83 persona, pastaj nga familja e Abdurrahman bin Ebi Bekrete afërsisht 40 anëtarë. Duhet thënë se dijetarët kanë divergjenca për sa i përket vitit të rënies së kësaj murtaje;
4) Murtaja e njohur me emrin ‘El-Fetejat’ (الْفَتَيَاتِ), që preku rajonet e Basras, Vâsitit, Damaskut dhe Kufes, në vitin 87 h / 706 m.;
5) Murtaja në Basra dhe rrethinën e saj, në muajin rexheb në vitin 131 h / 749 m. Ajo, u ashpërsua shumë gjatë muajit të Ramazanit, ndërsa shënoi rënie në muajin sheval. Për tre muaj sa zgjati, afërsisht 1.000 persona vdisnin çdo ditë. Ibni Kutejbe, përmend edhe dy murtaja të tjera para kësaj, një në vitin 100 h. dhe një tjetër në vitin 127 h. [18]
7. Murtaja në Kosovëdhe në viset shqiptare
Edhe në viset tona shqiptare ka pasur murtajë kohë pas kohe. Si më të njohura janë:
1) Murtaja e hershme që ishte paraqitur në Iliri, ajo e viteve 430-435 para erës sonë. Por, për të nuk kemi shumë të dhëna për dëmet e saj. [19]
2) Murtaja tjetër që pati prekur viset e Ilirisë është murtaja e ashtuquajtur e Justinianit, në vitin 545, që kishte lënë të vdekur gjysmën e popullsisë së Perandorisë Bizantine.[20] U paraqit në pjesën e dytë të vitit 541 dhe u përhap rrufeshëm në Perandorinë romake të Lindjes. Në vitin 542, u regjistrua edhe në Stamboll, asokohe Kostandinopojë. Sipas Prokopit të Çezaresë “vetëm në Kostandinopojë në një ditë vdisnin rreth 5000 deri 10000 veta”. Problem madhor ishte mungesa e hapësirave publike për të varrosur trupat. Pjesa më e madhe e tyre hidhej në det ose lihej në vend të hapur. Në fund, Prokopi jep një përmbledhje: “Murtaja që dëmtoi rëndë Perandorinë, nuk i mori të gjithë njerëzit, gjysma e tyre shpëtoi ose u ruajt.”[21]
3) Murtaja apo ‘vdekja e zezë’, që kishte prekur tërë Evropën në shekullin XIV, në vitin 1363 kishte përfshirë edhe trojet shqiptare.[22] U quajt ‘murtaja e zezë’ ose ‘vdekja e zezë’, sepse viktimave u dilnin në trup njolla dhe puçrra të fryra të zeza me madhësi gati të një veze. Bokaço, në librin e tij “Dekameroni”, që e mbaroi në vitin 1353, ia kushtoi pikërisht kësaj pandemie. Ai tregon për tmerret e sëmundjes, për të cilën thotë se ishte e pashërueshme. Dalja e gjakut nga hundët ishte një shenjë që tregonte vdekjen e sigurt, ndërsa këtu, në fillim të sëmundjes, pa dallim, si burrave dhe grave, u shfaqeshin ca xhumba të mëdha nëpër shalë ose nën sqetulla, disa prej të cilave ishin sa një mollë e zakonshme, disa sa një vezë, disa më të mëdha e disa më të vogla. Në pak kohë e sipër këto xhumba të mëdha, që populli i quante lunga, përhapeshin në tërë trupin. Kjo sëmundje e tmerrshme nuk shfaqej kurdoherë me të njëjtat simptoma. Ngandonjëherë shfaqej edhe me njolla të zeza, ose të zeshkëta, që u dilnin më të shumtëve, kujt të mëdha e të rralla, kujt të vockla e të dendura nëpër llërë, nëpër kofshë dhe pastaj në tërë trupin. Këto njolla, si dhe lungat që thamë, ishin shenjat e vdekjes së afërme.[23] Gjatë vitit 1363, pothuajse të gjithë nënshtetasit venedikas që jetonin apo ndodheshin në Vlorë, vdiqën si pasojë e murtajës, përfshirë edhe sundimtarin e saj, Jovan Komnen Asen, vëllai i mbretit bullgar Jovan Aleksandër dhe kunati i mbretit Dushan.[24] Me gjasë, duket të ketë qenë kjo murtajë, ajo për të cilën flasin banorët e Opojës së Sharrit, bazuar në rrëfimet e gjyshërve e stërgjyshërve, se e kishte shuar apo siç thotë populli e kishte faruar qytetin e ‘Zinovës’, një emërtim i vjetër për këtë trevë.[25]
Edhe Faik Konica thotë se “u munduam dhe gjetëm në do libra të moçme vitet e rënies së murtajës në Shqipëri. Më 1368, ra në Janinë një murtajë e madhe, e u hap deri në Berat. Më 1374, ra murtaja në Nartë, dhe vdiq kryezoti i vendit Pjetër Llosha. Më 1375, murtaja goditi prapë Janinën, dhe vdiq zonja Irena, e bija e Dukës së Janinës.”[26]
4) Në vitin 1689, një murtajë e rrezikshme e kishte përfshirë edhe Prizrenin. Ishte ky vit, kur ushtria e austriakëvë e komanduar nga gjenerali italian Eneo Pikolomini, erdhi nga Shkupi ku kishte murtajë dhe e invadoi Prizrenin. Ata, bënë kërdi mbi popullatën myslimane dhe trashëgiminë islame, e rrënuan edhe xhaminë në kalanë e Prizrenit. Tahir efendiu, i cili në vitin 1874 ishte Myfti i Prizrenit dhe myderriz në Medresenë “Mehmed Pasha”, në kronikën e tij të njohur, thotë se pabesimtarët, duke aluduar në ushtrinë austriake, gjatë asaj kohe vranë shumicën e banorëve të Prizrenit dhe rrënuan shumë xhami.[27] Ka të ngjarë se kjo epidemi lindi pikërisht nga prishja e kufomave, gjithandej.
Është interesant, vetë Pikolomini befas infektohet nga murtaja dhe më datë 9 nëntor 1689 vdiq në Prizren. Për dallim nga shumë historianë, Noel Malcolmi e përcakton karakteristikën e murtajës. Sipas tij, Pikolomini para se të arrinte në Prizren, atij i doli një xhungë nën sqetull[28], e që është tipar i murtajës bubonike. Por, ç’e do që, një muaj më vonë, pra më 08 dhjetor 1689 vdiq edhe Pjetër Bogdani, nga e njëjta sëmundje, në Prishtinë, që ishte infektuar gjatë përgatitjes së ceremonisë mortore të Pikolominit dhe i cili e kishte ndihmuar atë gjatë invadimit.[29] Sipas historianit prizrenas Muhamed Shukriu, Pikolomini është varrosur në oborrin e kishës së “Shën Premtës” në Prizren.[30]
5) Në vitin 1725 murtaja goditi Pejën me rrethinë me ç’rast mbyti 2/3 e popullsisë, ndërsa në maj të vitit 1730 epidemia kishte përfshirë edhe Gjakovën. Në një dokument tjetër të arkivit shtetëror të Kotorrit, thuhet se murtaja në vitin 1739 ishte paraqitur në Shqipëri, në Kosovë, në Sanxhak dhe në tërë Ballkanin.[31] Siç duket, për këtë valë të murtajës e ka pasur fjalën Konica: “Më 1736, ra në Janinë një murtajë e tutshme, të cilën e pruri nga Vllahia një gunar i emëruar Zamari. Vdisnin vetëm brenda në Janinë 50 a 60, e shpesh edhe 80 veta përditë.”[32]
6) Njëra ndër epidemitë e mëdha të mesjetës në trojet tona është regjistruar në vitet 1770-1771. Së pari u paraqit në Shkodër, prej ku kaloi në Tivar. Në shtator të vitit 1781, murtaja u paraqit në Prishtinë. Në një raport të vicekonsullit të Raguzës, Andrea Doda, në janar të vitit 1782 thuhet: Murtajën në një han të Prishtinës e solli një tregtar turk nga Shkupi, i cili vdiq aty dhe pas disa ditësh vdiqën të gjithë personat që kishin qëlluar në atë bujtinë. Prishtina ishte përfshirë në një epidemi të llahtarshme, me ç’rast aty vdiqën 20-50 persona brenda ditës.[33]
7) Faik Konica flet edhe për një murtajë tjetër. Sipas tij, më 1814, ushtarë shqiptarë të sulltanit, duke u kthyer nga Misiri, sollën një murtajë të madhe që ra, e rreptë e e tutshme, në Shkodër, në Ipek (Pejë), në Durrës, në Vlorë, në Janinë, dhe më tepër në Delvinë. U mbajt deri më 1819 dhe bota binin porsi miza. [34]
Natyrisht, mund të ketë pasur edhe të tjera murtaja apo epidemi të ndryshme, si kolera, lija ujit, gripi spanjoll, gripi i derrave, etj., që kanë bërë kërdi, por këto që u përmenden janë të evidentuara nën emërtimin e murtajës. Për shembull, kah mesi i shekullit XX, atypari kah lufta e dytë botërore, gjyshërit flasin për paraqitjen e murtajës në rajonin e Prizrenit. Nëna ime rrëfen se, ajo murtajë ia kishte mbytur nënës së saj, burrin dhe vëllanë.
(Botuar në revistën ‘Dituria Islame’, nr.359/2020, fq.40-43)
[1] Ky punim është vazhdimi i dytë i punimit: “Analet e pandemisë Covid – 19”, i botuar në këtë revistë, në numrin e kaluar!
[2] Shih: Kolec Topalli, Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe, Qendra e studimeve albanalogjike – instituti gjuhësisë dhe letërsisë, Tiranë, 2017, fq.1019; Fjalor enciklopedik shqiptar, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, vëll.2, fq.1778
[3] Shih: Fajalorin enciklopedik ‘Merriam-Webster’, fjala ‘plague’ (verzioni elektronik), sipas: https://www.merriam-webster.com/dictionary/plague; Shih: Enciklopedinë Britannica, fjala ‘plague’ dhe ‘black death’, sipas: https://en.wikisource.org/wiki/1911_Encyclop%C3%A6dia_Britannica/Plague, pastaj shih: https://ww.encyclopedia.com/medicine/diseases-and-conditions/pathology/black-death.
[4] Shih: “El-Mu’xhemu’l-vesit”- 1-2, (grup autorësh), Stamboll, Turqi, 1989/1410, fq.558; Po ashtu, shih: El-Meani, (verzioni elektronik), sipas: https://www.almaany.com/ar/dict/ar-ar/ طعنان /?page=3; Fjalori i gjuhës shqipe; http://www.fjalori.shkenca.org/. Po ashtu, shih: Fjalor i Shqipës së sotme, Akadamia e shkencave e Shqipërisë, botimi i dytë, Tiranë, 2012, fq.818.
[5] Ibnu’l Kajjim El-Xhevzijj, Zadu’l mead-Përgatitja për ahiret, Nektari, Tiranë, 2019, vëll. 4, fq. 26; Neveviu, Sherhu Sahihi’l-Muslim, Kitabu: Et-tibb; babu: et-tauun, vet-tjeretu, vel kehanetu, Daru’l-Marifeti, pa vit të botimit, Bejrut – Liban, vëll.14/425.
[6] Ahmedi në Musned, Hadithu Sejjideti Aishete, nr.24569.
[7] ‘Epidemi’ quhet sëmundja ngjitëse, ndërsa ‘pandemi’ kur ajo përhapet në përmasa botërore.
[8] Neveviu, Sherhu Sahihi’l-Muslim, po aty, Kitabut-tibb; babut-tauun, vet-tjeretu, ve’l kehanetu, hadithi nr.5733.
[9] Shih: Islam ansiklopedisi, botues: Turkiye Diyanet Vakfi, fjala ‘taun’ (verzioni elektronik), sipas: https://islamansiklopedisi.org.tr/taun, data e citimit: 04.10.2020.
[10] Shih: El-Begavij, Melaimut-tenzil, (verzioni elektronik), komentimi i ajetit: El-Araf, 134, sipas: www.altafsir.com.
[11] Et-Taberij, Xhamiul bejan fi tefsiril kur’an, (verzioni elektronik), komentimi i ajetit: El-A’raf, 133-134, sipas: www.altafsir.com.
[12] Shih: El-Askalanij, Fet’hu’l-Bari Sherhu Sahihi’l-Buhari, botimi i parë, daru’s-selam, Rijad, 2000, vëll.10, fq.225.
[13] Brandon Clay, Covid-19 – Biblical Plague?, verzioni elektronik, sipas: https://ansëersingenesis.org/coronavirus/covid19-biblical-plague/, datë e botimit:29.03.2020.
[14] Shih: Islam ansiklopedisi, botues: Turkiye Diyanet Vakfi, fjala ‘taun’ (verzioni elektronik), sipas: https://islamansiklopedisi.org.tr/taun, data e citimit: 04.10.2020.
[15] Shih: Brandon Clay, Covid-19 – Biblical Plague?, verzioni elektronik, sipas: https://ansëersingenesis.org/coronavirus/covid19-biblical-plague/, datë e botimit:29.03.2020.
[16] Bibla – Besëlidhja e vjetër dhe Besëlidhja e re, përktheu Simon Filipaj, Drita, Ferizaj, 1994, fq.1496
[17] Medain është një qytet që ndodhet, disa kilometra në juglindje të Bagdadit, Irak. Afër tij, ka qenë Medaini i vjetër, ish-kryeqytet i Sassanidëve persianë.
[18] Shih: Sherhun-Nevevij ala Muslim, babu: bejanu ennel isnade mined-dini (verzioni elektronik), sipas: https://islamweb.net/ar/library/index.php?page=bookcontents&ID=87&bk_no=53&flag=1. Po ashtu, shih: Islam ansiklopedisi, po aty, fjala ‘taun’.
[19] Shih: KOSOVA – vështrim monografik, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Prishtinë, 2011, fq.441-442.
[20] Shih: KOSOVA – vështrim monografik, po aty, fq.441-442.
[21] Shih: Niko Ferro, E ashtuquajtura “Murtaja e Justinianit”, sipas: https://www.botasot.info/kultura/405517/e-ashtuquajtura-murtaja-e-justinianit/, data e botimit dhe citimit: 16.05.2020.
[22] Shih: KOSOVA – vështrim monografik, po aty, fq.441-442.
[23] Shih: Ilir Hashorva, Pandemia e murtajës së zezë në Mesjetë, (verzioni ilektronik) sipas: http://www.respublica.al/2020/04/02/pandemia-e-murtajës-së-zezë-në-mesjetë, data e botimit dhe citimit:02.04.2020.
[24] Shih: Ardian Muhaj, Murtaja e Zezë në trojet shqiptare, sipas: https://flasshqip.ca/kulture/histori/3677-murtaja-e-zeze-ne-trojet-shqiptare-nga-ardian-muhaj;
[25] Po ashtu, shih: https://kosova.wikia.org/wiki/Diskutim:Bujar_Plloshtani.
[26] Shih: Faik Konica, Murtaja dhe sëmundjet e mëdha në Shqipëri, në kohët e kaluara, sipas: https://telegrafi.com/murtaja-dhe-semundjet-e-medha-ne-shqiperi-ne-kohet-e-kaluara/, data e citimit:26.03.2020
[27] Shih: Hasan Kaleshit dhe Ismail Eren “Mahmud Pashë Rrotlla nga Prizreni-përshpirtënimet dhe vakëfnameja e tij”, përgatiti Ismail Rexhepi & Sadik Mehmeti, botuar në revistën Edukata Islame – revistë shkencore, kulturore islame tremujore, Prishtinë, nr.81/2006, fq.152.
[28] Shih: Noel Malcolmi, Kosova një histori e shkurtër, përkth. Abdullah Karjagdiu, botimi i dytë, Koha, Prishtinë, fq.157.
[29] Shih: Grup autorësh, Historia e popullit shqiptar për shkollat e mesme, Prishtinë 1996 , f. 112; KOSOVA – vështrim monografik, po aty, fq.441-442.
[30] Muhamed Shukriu, Prizreni i lashtë, Prizren, 2001, fq.353; Abib Ahmedi, Theranda – Prizreni ndër shekuj, Prizren, 1996, fq.114.
[31] Shih: KOSOVA – vështrim monografik, po aty, fq.441-442.
[32] Shih: Faik Konica, Murtaja dhe sëmundjet e mëdha në Shqipëri, në kohët e kaluara, sipas: https://telegrafi.com/murtaja-dhe-semundjet-e-medha-ne-shqiperi-ne-kohet-e-kaluara/, data e citimit:26.03.2020
[33] Shih: KOSOVA – vështrim monografik, po aty, fq.441-442.