Dr. Orhan Bislimaj
ANALET E PANDEMISË COVID-19 (1)
1. Hyrje
Kosova, bashkë me shumë shtete të tjera të botës, akoma vazhdon të përballet me pandeminë Covid-19, e njohur si coronavirusi (SARS-CoV-2). Kjo sëmundje, që fillimisht u përhap në Wuhan të Kinës në fund të vitit 2019, shumë shpejt u shpërnda në mbi 150 vende të botës, përfshirë Ballkanin dhe Evropën. Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH), më 12 mars 2020 e shpalli pandemi globale.
E një ditë pas këtij vendimi, pra më datë 13 mars 2020, u konfirmuan dy rastet e para në Kosovë me covid-19. Ndërsa, tani, më 30 shtator 2020, kur po e shkruajmë këtë punim, numri total i rasteve pozitive është 15.620 dhe 625 raste të vdekjes. Ndërsa, në nivel të botës janë 33.902.257 raste pozitive dhe 1.013.705 raste të vdekjes.[1]
2. Buçima botërore e pandemisë
Koha po ecën e bashkë me të edhe pandemia ka filluar të zbehet. El-hamdulilah. Aktualisht, gjendja është më stabile, numri i infektimeve dhe vdekjeve është në rënie e sipër e qytetarëve ka filluar t’u kthehet shpresa. Le të shpresojmë, se së shpejti do të kthehet normaliteti.
Por, ky vit do të mbahet në mend gjatë. Ai, veçse ka hyrë në histori si vit i coronavirusit, që prodhoi krizë shëndetësore, sociale dhe ekonomike, si asnjëherë tjetër. Ndoshta, pak jemi adaptuar e relaksuar, por para disa muajve, më saktësisht prej muajit mars, atëherë kur u ndeshëm për herën e parë me këtë pandemi vdekjeprurëse, në Kosovën tonë mbretëroi heshtje mortore. Pothuajse, të gjithë, për një moment u bëmë kandidat potencial për ahiret. Secili hyri në hallin e vetvetes. Në mendjet tona, silleshin tmerret e pandemive të kaluara, që kanë rrëmbyer jetën e miliona njerëzve, brenda një kohe të shkurtër, që kanë shuar vendbanime e kanë rrëzuar perandori.
Pas marsit erdhi muaji prill, e ditët sikur u bënë më të gjata. Pandemia shkonte duke u bërë më agresive. Në fakt, ky muaj, veçse po shënonte buçimën botërore të saj. Lajmet nga Italia, ishin tmerruese. Mbi një mijë persona gjenin vdekjen brenda ditës. U bë problem serioz varrimi i njerëzve, e mos të flasim për varrim të dinjitetshëm me rite fetare. Edhe pse konsiderohet shtet me mirëqenie sociale dhe ekonomi stabile, megjithatë u përballë me mungesë respiratorësh, që ishin nevojë e domosdoshme për trajtimin e sëmundjes. Erdhi puna deri te selektimi i pacientëve, ashtu që pacientët me moshë më të re kishin përparësi në respirator kundrejt më të moshuarve, sikurse që kishte përparësi, njëri prej dy anëtarëve të prekur nga e njëjta familje.
Edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), gjendja kishte marrë përmasa shqetësuese. Infeksioni shpërndahej me të madhe. Njësoj edhe në Rusi e shtetet sovjektike. Po ashtu, edhe në Turqi, filloi vala e pandemisë. Bile kjo e fundit organizoi menjëherë ndërtimin e një kamp-spitali, enkas për trajtimin e pacientëve me Covid 19, si dhe i ndihmoi shumë shtete me medikamente e logjistikë mjekësore, përfshirë ShBA-të, Kosovën, etj. Edhe Gjermania e Franca nuk ishin hiq më mirë. Ndërsa, gjendja në Spanjë ishte alarmante, po aq sa në Itali.
Çështja, vërtet u bë shumë serioze. Rajoni po kërcënohej seriozisht, e Evropa u bë epiqendra e pandemisë. Të gjitha shtetet u detyruan që t’i ndërmarrin preventivat ekstreme, i mbyllën kufijtë tokësor dhe ajror, e ndaluan qarkullimin e lirë, i pezulluan marrëdhëniet ekonomike e tregtare, etj. Llahtari e vërtetë. Njerëzit e quanin luftë e tretë botërore.
Secili shtetet, e kishte dertin e vetvetes.
Erdhi nëj moment, kur paraja e pozita nuk të ndihmonte dot, për t’u mjekuar jashtë vendit. Madje, aq ishte rigoroze mbyllja e kufinjve, sa që nuk lejohet kthimi i njerëzve nëpër vendet e tyre.
3. Alarmimi i Kosovës
Institucionet e Kosovës u alarmuan menjëherë. I ndërmorën veprimet e duhura, brenda kapaciteteve ekzistuese, përfshirë dhe masat preventive, si bartja e maskave, distanca sociale, higjiena, karantina, pezullimi i punës nëpër institucione apo reduktimi në staf esencial, mbyllja e ordinancave private, etj. Ndërsa, më datë 15 mars 2020 e shpalli emergjencën shëndetësore.
‘Kujdes po, panikë jo’ – ishte parulla më e përhapur e këtyre muajve. Por, kjo nuk ofronte kurrfarë relaksimi real. Sepse, qytetarët e dinin shumë mirë potencialin e dobët të Kosovës dhe brishtësinë e sistemit shëndetësor. Gjersa, shtetet e fuqishme sfidoheshin nga pandemia, pyetja e thjeshtë ishte, çfarë do të ndodhë me Kosovën, nëse do të goditej nga një valë e tillë. Ankthi shtohej gjithnjë e më shumë, teksa rastet me Covid-19, shtoheshin nga ditë në ditë. Asokohe, Kosova dispononte 95 respiratorë. Pra, shumë pak. Kjo shifër mund të arrihej brenda një dite, siç ndodhi më vonë (muaji korrik 2020), ku numri i të infektuarëve me Covid-19, shkoi në mbi 200 brenda ditës. Njerëzit e shihnin vdekjen me sytë e tyre, edhe për shkak të paaftësisë së sistemit shëndetësor.
Bëhej fjalë për një situatë të paparashikuar! Shoqëria ishte në hall, frikë nga armiku i padukshëm, pasiguri shëndetësore, nevojë për ekzistencë, izolim në shtëpi, mbyllje e qyteteve, mbyllje e kufinjve, etj. Për më keq, nuk dihej se sa do të zgjasë kjo gjendje, thjesht, nuk dukej akoma ndonjë dritë në fund të tunelit. Në fakt, kjo vazhdon akoma, gjersa nuk zbulohet vaksina anti covid.
E, stresin e qytetarëve e stërngarkonte acarimi i klimës politike në mes të partive politike. Gjersa, shtetet e tjera ua vazhduan mandatin qeverive, duke i shtyrë zgjedhjet për shkak të pandemisë, në Kosovën tonë ndodhi e kundërta. Parlamenti i Kosovës, më datë 25.03.2020, në kulmin e kërcënimit të pandemisë, kur populli ishte i ngujuar në karantinë në shtëpitë e tyre, e rrëzoi qeverinë, duke e shtuar edhe krizën institucionale e politike. Bashkimi Evropian reagoi ashpër kundër këtij veprimi në kohë të pandemisë.
4. Roli i madh i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës
Në këtë mes të krizës shëndetësore, institucionale, politike e ekonomike, pra, kur klasa politike, të gjithë pa dallim, silleshin të papërgjegjshëm ndaj qytetarëve, kur nuk mund të zbatonin pakon emergjente ekonomike të trumbetuar, siç bënin shtetet e botës, ishte Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës (BIRK) me strukturën e saj nëpër komuna, që dha kontribut të jashtëzakonshëm në zbutjen e krizës sociale, ekonomike e psikologjike. Ajo u bë zë i qytetarëve, adresë e shpresë e tyre. Sepse, njerëzit kishin nevoja nga më të ndryshme.
Bashkësia Islame operoi në disa drejtime, duke filluar nga pezullimi i aktiviteteve nëpër xhami, ndihmat humanitare derë në derë, ligjëratat e shumta shpresëdhënëse e deri te varrimi i qytetarëve me dinjitet e rite islame. Mund të themi se kontributi i saj, gjatë kësaj krize pandemike është i pamatshëm.
4.1. Pezullimi i aktiviteteve fetaro-arsimore
Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës, bashkëpunoi ngushtë me institucionet kompetente të Kosovës për menaxhimin e pandemisë. Ajo, respektoi në plotëni rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë të Kosovës, Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) dhe protokollet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ashtu që, nëpërmjet vendimit nr.427/20, dt.14.03.2020, pezulloi përkohësisht: namazin me xhemat nëpër xhamitë e Kosovës, namazin e xhumasë, mësimin në Medrese e në Fakultet, mësim – besimin në mekteb, ceremonitë e ngushëllimeve, etj. Në ndërkohë, pezulloi edhe faljen e teravive, si dhe namazin e Fitër Bajramit (24 maj 2020) dhe atë të Kurban Bajramit (31 korrik 2020).[2]
Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, në adresimin e tij publik para qytetarëve të Kosovës, datë 14.03.2020, në emër të Kryesisë së BIRK-ut, shprehu keqardhjen për pezullimin e namazve në xhami, por tha se jeta e qytetarëve është prej prioriteteve kryesore në Islam. Po ashtu, u bëri thirrje, që t’i respektojnë masat pandemike të Qeverisë së Kosovës dhe t’i kryejnë namazet ditore dhe ibadetet e tjera nëpër shtëpi.
Kjo, ndihmoi shumë në parandalimin e zgjerimit të infektimit, pasiqë xhamitë e ritet fetare grumbullojnë mjaft njerzë.
Nga të gjitha aktivitetet, mbeti në fuqi, thirrja e ezanit, i cili sadopak, në baza ditore manifestonte sekuencën e normalitetit të munguar. Po ashtu, mbeti në fuqi, varrosja e muslimanëve sipas riteve fetare, që do të flasim pak më poshtë.
4.2. Mobilizimi i shoqatës humanitare “Bereqeti”
Bashkësia Islame e Kosovës, shpalli mobilizimin humanitar për t’i ndihmuar njerëzit me gjërat e nevojshme ekzistenciale ushqimore, sanitare, etj. Ajo, përmes adresimeve të ndryshme në televizionet qendrore, locale dhe në internet, e mbi të gjitha përmes imamëve në terren, ftoi qytetarët për solidaritet dhe kontribut në zbutjen e krizës.
Në prill 2020, e shpalli aksionin ‘sofra e ramazanit’ në vlerë prej 25 euro, me gjëra ushqimore. Qytetarët ofruan ndihma të jashtëzakonshme, dikush një pako, dikush dy pako, e dikush shumë e më shumë. Numri i pakove të grumbulluara, shkoi në disa dhjetëramijëra të evidentuara, e shumë e shumë të tjera, që qytetarët i dhuruan vetë, dorë në dorë.
Po ashtu, shoqata Bereqeti, organ i Bashkësisë Islame, u kujdes edhe për shpërndarjen e veshmbathejeve, medikamenteve e strehimin e qytetarëve që i kishte zënë pandemia në Kosovës, me rastin e mbylljes së kufijve. KBI-Prizren, strehoi qytetarë të zonave të Shqipërisë, duke iu ofruar edhe gjërat ushqimore, për disa muaj radhazi, deri në lirimin e kufijve.
4.3. Ligjëratat shpresëdhënëse të imamëve
Bashkësia Islame e Kosovës, bashkë me imamët cep e n’cep Kosovës, e ka dhënë një kontribut të madh përmes ligjëratave motivuese e shpresëdhënëse. Ngase, pandemia, përveç pasojave shëndetësore e socio-ekonomike, prodhoi edhe gjendje depresive.
Bile, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Departamentin e Psikologjisë, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, më datë 01.05.2020, filluan ofrimin e shërbimeve psikologjike pa pagesë për të gjithë qytetarët që ndihen të shqetësuar si pasojë e situatës me pandeminë Covid-19. Qytetarët mund të thirrnin pa pagesë në numrin 038-200-808-90 në orarin 11:00-22:00 në çdo ditë të javës.
Gjithashtu, Departamenti i Psikologjisë në bashkëpunim me Komunën e Prizrenit ka lansuar faqen https://shendetimendor.uni-pr.edu/, ku qytetarët mund të përcjellnin disa seanca psikologjike online për pakësimin e ankthit, stresit, mendimeve brengosëse dhe depresionit.[3]
Por, një gjë të tillë, imamët e bënë prej fillimit të krizës pandemike. Në xhumanë e datës 13 mars 2020, të gjithë imamët e Kosovës, e lexuan para xhematit ligjëratën e gatshme prej BIRK-ut, që jepte udhëzime praktike anti Covid-19, si dhe kishte përmbajtje shpresëdhënëse për tejkalimin e situatës.
Në këtë kuptim, kryesia e BIRK-ut e përcillte gjendjen nga afër dhe i jepte udhëzimet e nevojshme për strukturën e vet nëpër komuna, në baza ditore. Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, çdo të premte, në kohën e drekës, e mbante ligjëratën e xhumasë, e cila transmetohej drejtpërdrejt në faqen zyrtare të BIRK-ut në ‘facebook’, e përmes saj edhe në televizionin RTV-BESA me seli në Prizren, që shikohej në gjithë Kosovën dhe në mërgatë.
Pastaj, secili Këshill i Bashkësisë Islame (KBI) nëpër komunat e Kosovës, në bashkëpunim me imamët, si dhe këshillin e xhematit të secilës xhami, ndërmorën iniciativa vetëdijësuese për ta përballuar krizën pandemike me sa më pak pasoja.
Ne, në KBI-Prizren, organizuam ligjërata të shumta me imamët, për çdo ditë, që i quajtëm ‘ligjërata nga karantina’. E, në mungesë të xhumasë, imamët e Prizrenit, sipas radhës, kanë mbajtur ders në xhaminë ‘Sinan Pasha’, çdo të premte, prej datës 27.03.2020 deri në 28.05.2020. Përveç ligjëratës (dersit), ka pasur lexim të Kur’anit dhe në fund një dua (lutje) tek Allahu për largimin e pandemisë. Ndërsa, gjatë muajit të Ramazanit, që filloi më 24 prill 2020 e mbaroi më 23 maj 2020, çdo ditë kemi organizuar dy emisione, njëri para iftarit dhe tjetri pas jacisë ‘Karvani i Ramazanit’, si dhe mukabele (lexim të Kur’anit) në kohën e drekës. Të gjitha këto dhe shumë aktivitete të tjera, janë transmetuar direct në faqen zyrtare në facebook dhe në televizionin RTV-BESA.
Xhemati kanë qenë shumë të kënaqur. Personalisht kam pranuar shumë urata. Ka pasur rast, kur akëcili më kanë thënë se na keni bërë që ta harrojmë edhe këtë farë pandeminë, me derset e ligjëratat e mira.
Ajo që meriton të theksohet është duaja (lutja) e organizuar në të gjitha xhamitë e Prizrenit. Të gjithë imamët e KBI-Prizren, qytet e fshatra, më datë 27.03.2020, pas ezanit të drekës, përmes altorparlantëve të minareve të xhamive, e bënë duanë (lutjen), ku iu lutën Allahut, që ta largojë këtë pandemi nga mesi ynë dhe shoqëria mbarë. U lutëm edhe për shëndetin e mjekëve, policëve, ushtarëve, zjarrfikësve dhe të gjithë të tjerëve që ishin në ballë të rrezikut. Në fund të duasë, u lexua tri herë tekbiri i teshrikut dhe tri herë salavate. Vërtet, ishte diçka madhështore. Unë, e bëra këtë dua (lutje) prej xhamisë ‘Sinan Pasha’, në Prizren, e që u transmetua nëpërmjet televizionit BESA. Xhemati, e përcolli prej oborreve të shtëpive apo ballkanëve të banesave me përgjërim, mall, nostalgji e lot në sy.
Po ashtu, KBI-Prizren, iu përgjigj kryetarit të komunës së Prizrenit, i cili kërkoi ndihmë për vetëdijësimin e qytetarëve. Kështu që, të gjithë imamët e komunës së Prizrenit, më datë 10.04.2020 (e premte), pas ezanit të drekës, përmes altoparlantëve të minareve, u bënë thirrje qytetarëve, që të respektojnë masat pandemike, pra që të qëndrojnë në shtëpi (karantinë), për të shpëtuar veten dhe të tjerët. Kjo pati efekt të madh.
4.4. Varrosja e qytetarëve me Covid-19
Një kontribut tjetër, që e ka dhënë Bashkësia Islame është varrimi i qytetarëve me rite fetare. Thonë, historia përsëritet. Të moshuarit na tregonin për rastet nga e kaluara, ku filan hoxha, ka hyrë e ka marr xhenazën e infektuar në shtratin e vdekjes dhe e ka varrosur, edhe pse anëtarët e familjes nuk kanë mundur ta bëjnë një gjë të tillë. Njësoj ka ndodhur edhe gjatë Covid-19. Imamët kanë qenë në ballë të kësaj lufte. Asnjëherë nuk kanë hezituar për të shkuar në varrime, e për ta kryer vdekjen edhe pse mundësia e infektimit ishte e mundshme plotësisht.
Telashja më e madhe ka qenë me vdekjet në shtëpi, ku nuk dihej sakt shkaktari i vdekjes, nëse është prej Covid-19 apo jo. Jo me këto që kanë ardhur prej spitalit, sepse vinin të mbyllura në arkivol hermetikisht. Në këto raste, imami pa pasur fare pajisje adekuate, ta zëmë siç i kishin mjekët, personalisht e ka kryer varrimin, duke filluar prej larjes e deri te talkini. Vërtetë guxim i madh e sakrificë, gjithashtu.
Fusnotat:
[1] Shih: Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), publikimi i të dhënave për datën 30.09.2020. Po ashtu, shih: https://www.trt.net.tr/shqip/covid19
[2] Këto masa pjesërisht u liruan më datë 28 prill 2020 nëpërmjet vendimit 601/20, dt.27.05.2020, kur u lejua falja e namazit në xhami. Ndërsa, u lejuan të gjitha aktivitete fetare, tek përmes vendimit nr. 1129/20, dt. 28.09.2020, natyrisht duke respektuar edhe më tutje masat panemike dhe protokolet e OBSH-së.
[3] Shih: Njoftimi elektronik i IKSHPK-së, në faqen zyrtare në ‘facebook’, datë 01.05.2020.