1) E nisa më herët, e në këto dy vitet e fundit punova intenzivisht, kurse sot më datë 13 maj 2023, libri ‘Kobaja ndër shekuj (Monografi)”, e pa dritën e botimit.
Natyrisht u gëzova, e kam bërë me shumë përkushtim.
2) Nuk e bëra për avancim profesional, sepse si tematikë nuk më hyn në rrugë dot, as nuk e bëra për t’u lavduar, sepse e urrej këtë ves, e as nuk e bëra për të fituar, sepse kam investuar disa mijë euro të familjes time (prej librit sot vetëm humbet, fatkeqësisht), etj.
E bëra vetëm për riza të Zotit! Kam dashur që t’i shpaguhem vendlindjes edhe në këtë mënyrë.
E bëra për t’i kujtuar e për mos t’i harruar kurrë ata burra e gra të fshatit, ata njerëz të mirë;
E bëra, sepse ka ardhur koha që për veten tonë të shkruajmë vetë ne, ngaqë shkruajmë nga dashuria për origjinën si një pasion i lindur, shkruajmë ashtu siç jemi e siç kemi qenë gjithmonë, shqiptarë prej që na fali Zoti në këto troje.
3) Ideja ishte që t’i shkruajmë e t’i përshkruajmë rrënjët tona. Sepse, duke e evidentuar kulturën, traditën, ritet e zakonet e popullit, ne e ruajmë vazhdimësinë e identitetit kombëtar shqiptar në të gjitha profilet e tij.
Në të ardhmen, edhe nëse nuk ndikojnë në dukjen tonë, këto monografi megjithatë do të tregojnë për dukjen tonë dhe kështu i dalim zot atdheut.
4) Si në rrallë monografi të tjera, kjo monografi i përmban familjet dhe emrat e të gjithë banorëve të Kobit, nga themeluesi, Islami, e deri në ditët tona dhe kjo ka qenë mjaft e mundimshme.
5) Krejt në fund dua t’i falënderoj të gjithë ata që kontribuan, në një mënyrë a tjetër. Po i falënderoj shumë konsulentët shkencorë për sugjerimet e tyre tepër të dobishme:
– Dr. Nuridin Ahmeti, historian, këshilltar shkencor i Institutit Albanologjik të Kosovës në Prishtinë;
– Dr. Nexhat Çoçaj, etnolog, pedagog në UBT; dhe
– Dr. Parim Kosova, historian, përgjegjës i Kompleksit Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
– Një mirënjohje kolegut Ehat Spahiu, që e punoi trungun e fshatit në mënyrë grafike, e që do të jetë si shtojcë brenda librit.
– Falënderim shtëpisë botuese ‘Fidani’, Prizren, drejtorit, z. Berat Batiu.
– Falënderim të gjithë bashkëvendasve për bashkëpunimin e tyre, sidomos të moshuarve. Lista është shumë e gjatë, por këtu do të veçoja h.Miftar Rramanaj (86 vjeçar) e h.Ibish Bislimaj (79 vjeçar), prej të cilëve kam marrë më shumë.
Libri numëron 356 faqe, botim color!
Zoti i Madh, qoftë razi me punën tonë…!