Mr. Orhan Bislimaj

Imani dhe obskurantizmi laik

 

     Allahu i Lartësuar në Kur’an ka thënë:

الْيَوْمَ يَئِسَ الَّذِينَ كَفَرُوا مِن دِينِكُمْ فَلَا تَخْشَوْهُمْ وَاخْشَوْنِ

      “…Tashmë, ata që nuk besuan, humbën shpresën për fenë tuaj (se do të ndërroni), andaj mos u frikësonju atyre, por mua të më frikësoheni. Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju islamin fe…” (Kur’ani, El-Maide, 3).

 

Hyrje

      Besimi islam, prej fillimit ka pasur kundërshtarë. Por, në anën tjetër, po ashtu prej fillimit ka patur shumë njerëz që e kanë përqafuar, e kanë praktikuar dhe e kanë mbrojtur atë. Kështu ka rrugëtuar gjatë historisë. Ky antagonizëm vazhdon edhe sot e më ditë.

 

Antagonizmi në mes të imanit dhe kufrit

     Ajeti i sipërpërmendur (Kur’ani, El-Maide, 3), i cili ka zbritur me rastin e çlirimit të Mekkës, në vitin 630, në fakt flet për epilogun përfundimtar në mes të Islamit dhe kundërshtarëve të tij nga radhët e pabesimtarëve. Në momentin që e lexova këtë fjalë të Allahut, në mendje më paraqitej këmbëngulësia e pa lëkundur e muslimanëve të parë në krye me Resulullahin s.a.v.s., në njërën anë, dhe në anën tjetër më paraqiteshin përpjekjet e jashtëzakonshme të kundërshtarëve të tyre nga pabesimtarët e Mekës, të cilët nuk zgjedhnin mjet dhe as metodë për t’i ndaluar muslimanët nga feja e tyre islame. Historia na tregon se antagonizmi në mes tyre ishte i ashpër dhe i pa kompromis. Mekkasit pabesimtarë, me çdo kusht synonin ta mbanin kontrollin në vend, përfshirë traditën fetare politeiste dhe një varg traditash, që historia ka dëshmuar se kanë qenë të këqia, ndërsa muslimanët, duke e patur Kur’anin në dorë, domethënë duke qenë të udhëzuar nga Allahu, synonin ndryshimin e besueshmërisë politeiste në besimin në një Zot të vetëm dhe rrjedhimisht çrrënjosjen e shumë dukurive negative, që e kishin ngulfatur shoqërinë. 

      Në këtë gjendje, pa dyshim, pozicionimi i muslimanëve ishte paqësor, me koncept produktiv, dhe kjo bazohej drejtpërdrejt në doktrinën e tyre fetare islame. Jo, pse këtë mund ta themi, por sepse Muhamedi a.s. ishte i Dërguar i Allahut, dhe absolutisht nuk mund të ishte pjesë e ndonjë organizimi kriminal e të padrejtë, e veçmas kur vetë ai ishte protagonisti kryesor. I Dërguari i Allahut s.a.v.s., pati ardhur me parime të qarta, që i sfidonte të gjitha besueshmëritë ekzistuese: i ftonte njerëzit në besim në një Zot të vetëm, ndërsa besimi i politeistëve mekkas ishte “besim në shumë zotëra”; Islami i ftonte që ta braktisin alkoolin, ndërsa ata ishin robër të alkoolit; Islami i ftonte që ta lënë prostitucionin, ndërsa ata ishin prostitutë të vërtetë; Islami i ndalonte nga fajdeja, ndërsa ata ishin të zhytur në fajde e vëllavrasje; Islami i ftonte që ta lënë bixhozin, ndërsa ata ishin të dërrmuar nga dëmi i bixhozit; Islami i udhëzonte që të ruhej dinjiteti i gruas, ndërsa ata gruan e konsideronin si kafshë; Islami i ftonte që ta edukojnë vajzën, ndërsa ata i varrosnin të gjalla vajzat e posalindura. Këto dhe shumë e shumë porosi të tjera, që Islami i konsideron si fundamente të veta, Pejgamberi a.s. bashkë me muslimanët (sahabët) i promovonin publikisht. Islami nuk ftonte në ndonjë gjë tjetër, përveçse në të mira dhe me vlerë për shoqërinë, ndërsa për implementimin e tyre e kishte strategjinë përkatëse.

      Mirëpo, sikundër kësaj, kundërshtarët mekkas, ishin ata që kishin filluar një fushatë të egër ndaj tyre, me arsyen se Muhamedi a.s. dhe shokët e tij kanë ardhur me një fe të re, e sipas tyre, mendohej se është e keqe dhe e pa nevojshme. Mbi këtë bazë, pabesimtarët – politeistët, jo veç se e kundërshtonin Islamin dhe Pejgamberin a.s., por filluan t’i luftonin me të gjitha mjetet deri në tortura të egra e masakra barbare. Historia islame i mban mend mundimet që iu bënë Pejgamberit a.s. dhe muslimanëve, duke filluar, nga persekutimet më të këqija e deri te ekzekutimet më primitive të shqyerjes së njeriut në dy pjesë, për mes tërheqjes me kuaj.

      Domethënë, kundërshtarët e Islamit (pabesimtarët mekkas) ishin vetë problemi, sepse me qëndrimin e tyre përjashtues dhe luftues, i dhanë vetes së tyre të drejtë diktatoriale, dhe nuk treguan mirëkuptim për muslimanët dhe Islamin si fe, e që njerëzit të zgjedhnin sipas dëshirës së tyre, kush dëshiron mund ta pranojë Islamin, e kush nuk dëshiron le të qëndrojë në besueshmërinë e tij politeiste. Për këtë arsye themi se Islami ishte paqësor, ndërsa kundërshtarët e tij, ishin ata që kishin hapur front armiqësie dhe shkatërrimi kundër Islamit dhe muslimanëve. Për shkak të këtyre sulmeve fizike, Pejgamberi a.s., në vitin 622, u detyrua që ta lë vendlindjen (Mekkën) e tij të dashur, në të cilën ishte lindur e rritur, dhe të shpërngulet në një vend tjetër, në Medinë.

      Sikundër kësaj, shpërngulja e Pejgamberit a.s. për në Medinë, në të vërtetë nuk shënoi përfundimin e misionit Islam. Rrjedhimisht, antagonizmi në mes të imanit (besimit islam) që predikonin muslimanët, në njërën anë dhe politeizmit që predikonin kundërshtarët nga politesitët mekkas, veçse do të ashpërsohet edhe më shumë. Pejgamberi a.s. vazhdoi predikimin në Medinë, dhe feja Islame u forcua aq shumë sa që, çdo përpjekje për ta shuar atë, nga kushdo qoftë, ishte e kotë. Këtu fillon domethënia e këtij ajeti, që jemi duke e shpjeguar.

 

Imani dhe triumfi i përjetshëm

      Pas tetë vitesh të jetës në Medinë, Pejgamberi a.s. po kthehet në vendlindjen e tij të dashur në Mekkë, në të cilën i kaloi ëndërrat e rinisë. Po kthehet, në vendin ku i erdhi për herë të parë meleku Xhibril a.s. dhe i filloi shpallja e Kur’anit. Mirëpo, me këtë rast, nuk po kthehet i vetëm, sepse mund t’i ndodhte sikurse herën e parë. Kësaj radhe kishte ndërmarrë të gjitha përgatitjet e duhura, që hyrja në Mekkë, të ishte e sigurtë, njëherë e përgjithmonë. Ushtria muslimane, që numronte disa mijëra trupa hyri në Mekkë dhe e çliroi atë, pa asnjë rezistencë nga kundërshtarët që dikur ishin shumë të fuqishëm, aq sa e dëbuan Pejgamberin a.s. dhe shokët e tij. Kjo ngjarje e çlirimit të Mekkës, në mënyrë të përjetshme e qartësoi antagonizmin në mes të imanit dhe kufrit, pra në mes të muslimanëve dhe kundërshtarëve. Në të vërtetë, u vërtetua se Islami është i fuqishëm dhe kurrë nuk do të shuhet deri sa të ketë natë e ditë në këtë gjithësi, ndërsa “kufri” (mosbesimi) është i dobët dhe ai me rastin e çlirimit të Mekkës e ka pësuar disfatën e përhershme. Kjo është domethënia e fjalës së Allahut të Lartësuar, që jemi duke e shpjeguar, ku i Lartëmadhërishmi drejtpërdrejt iu drejtohet muslimanëve, duke u thënë: “…Tashmë, ata që nuk besuan, humbën shpresën për fenë tuaj (se do të ndërroni), andaj mos u frikësonju atyre, por mua të më frikësoheni. Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe…” (Kur’ani, El-Maide, 3).

     Prej këtij momenti, pra të çlirimit të Mekkës, pabesimtarët u demoralizuan dhe e pranuan se ky Islam është i pandalshëm. Me të vërtetë, atëherë e sot, të gjithë e dinë se nuk mund ta ndalin Islamin. Edhe ne shqiptarët e dijmë se feja Islame nuk mund të shuhet. Këtë e dëshmon toka e qielli. Veçanërisht në kohën bashkëkohore, kur rritja e Islamit është enorme. Për më shumë, kjo rritje nuk po ndodhë, për shkak të ndonjë imponimi apo dhune, siç janë mësuar armiqtë ta thonë për Islamin, por po ndodhë mbi bazën e vlerësimit të doktrinës së besimit islam. Ai që e lexon Kur’anin dhe hadithet e Pejgamberit a.s. e ka të pamundshme që të mos përfundojë në pranim të Islamit. Kjo është mrekulli prej Allahut, respektivisht natyrshmëri e vetë njerëzve, që e kanë të skalitur në qenien e tyre.

     Mirëpo, qëndrueshmëria e Islamit bazohet në vlerat që ka ai. Edhe kundërshtarët e Pejgamberit a.s., që e luftuan dhe synonin mbytjen e shkatërrimin e tij, kishin një bindje se Islami është vlerë dhe shpëtim për atë shoqëri. Kjo, do të vërtetohej në ndërkohë, kur shumë ish-kundërshtarë të përbetuar të Pejgamberit a.s., e pranuan Islamin, dhe u bën argatë të devotshëm të kauzës islame. Edhe sot, pra armiqtë bashkëkohorë e dijnë se Islami e ka këtë rol. Ai, i këtillë do të jetë përgjithmonë, sepse është i gatuar nga Krijuesi i njeriut. Allahu në Kur’an po thotë: “…Sot përsosa për ju fenë tuaj, plotësova ndaj jush dhuntinë Time, zgjodha për ju Islamin fe…” (Kur’ani, El-Maide, 3). I Lartmadhërishmi e ka zgjedhur Islamin, dhe feja Islame është dhuratë e Krijuesit. Për këtë arsye, ajo esencialisht dallon nga të gjitha fetë dhe ideologjitë e tjera.

Laicizmi model kundër Islamit

      Por, përkundër mirësive që përmban feja islame, në anën tjetër, përpjekjet kundër Islamit kanë qenë të vazhdueshme. Kuptohet, dallon vendi prej vendit dhe koha prej kohës. Pastaj, në secilën periudhë kanë ndryshuar mjetet. Armiqtë, sa herë që i kanë humbur shpresat për ndalimin e Islamit, ata janë koncentruar për ta dobësuar atë. Këtë fenomen e kemi prezent në realitetin bashkëkohor shqiptar dhe ndërkombëtar. Sot, në Republikën e Kosovës, si model i praktikave antifetare (antiislame) është laiciteti. Unë, e di që shumë kush e admiron këtë doktrinë, pjesë e së cilës është edhe kushtetuta e Republikës së Kosovës. Por,  laiciteti, i cili gjenezën e ka në Revolucionin borgjez-francez, në gjysmën e dytë të shekullit XVIII, nuk është doktrinë që ka për qëllim vetëm ndarjen e fesë nga shteti, siç propagandohet. Përveç kësaj, ai ka për qëllim të ndikojë me aq sa mundet, pra duke shfrytëzuar të gjitha mekanizmat institucional shtetëror, në dobësimin e ndikimit të fesë te qytetarët. Domethënë, synon ta fusë fenë në parantezë, ta abstragojë nga jeta shoqërisë dhe shtetit, duke e kufizuar vetëm me sferën e ngushtë të besimit dhe adhurimit. Si i këtillë ai interpretohet edhe si teori antifetare.[1] Ky është misioni kryesor i laicitetit. Me këtë qëllim është çpikur ky koncept, dhe për këtë qëllim shfrytëzohet sot e më ditë.

      Shumë prej restriksioneve që institucionet vendore ia bëjnë fesë dhe institucionave fetare, justifikohen në emër të laicitetit të shtetit. Në këtë kontekst, mund të themi se laiciteti është formë special modern kundër fetarësisë në përgjithësi, e në mënyrë të veçantë kundër fesë islame. Apo, më mirë të themi, në luftën e pa kompromis në mes të laicitetit dhe fetarësisë, feja Islame mbetet më e dëmtuar dhe më e luftuar se fetë e tjera. Ngase, fetë e tjera, nuk janë të lidhura shumë ngushtë me qytetarin. Ata, ritualin e kanë një herë në javë, edhe atë mjaft zbehtë, për dallim nga Islami, i cili është në kontakt të përditshëm me besimtarët, madje pesë herë në ditë. Po ashtu, fetë e tjera, përveç Islamit, në realitet janë me “doktrinë laike”, domethënë janë të kufizuara vetëm për çështjet e ritualeve fetare, dhe nuk kanë doktrinë të veçantë për udhëheqjen praktike të shtetit. Prandaj, edhe nuk mund të gjendet në botë një shtet me udhëheqje teologjike krishtere apo ortodokse. Mirëpo, kur bëhet fjalë për Islamin, e vërteta qëndron ndryshe. Islami është besim dhe shtet (akide dhe sheriah). Përveç normave të adhurimit, që mbase i kanë edhe fetë e tjera, feja islame e ka edhe sheriatin (jurisprudencën islame), i cili mbulon sferën praktike të jetës së një vendi, e të cilin nuk e kanë fetë e tjera. Për shembull, në rrethana hipotetike, po t’i thuhej institucioneve fetare të krishtera të Republikës së Kosovës, që ta marrin në qeverisje Kosovën, pra me ligje fetare, ata nuk do të mund ta bëjnë këtë, sepse nuk kanë doktrinë fetare qeverisëse. Gjatë Mesjetës, Kisha ka patur ndikim në shoqëri, por ky ndikim ka qenë frymëzues dhe ideologjik, përafërsisht siç ndikon sot Kisha Ortodokse te sllavët, dhe jo rregullues në planin praktik. Ndërsa, e njëjta gjë, po t’i thuhej institucionit të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, ky, në parim do ta pranonte, sepse e ka sheriatin (të drejtën islame), i cili në mënyrë absolute i rregullon të gjitha sferat e jetës, penale, civile, etj., respektivisht, legjislativin, ekzekutivin dhe gjyqësorin. Fundja, sheriati është model që praktikohet sot e më ditë në shumë shoqëri të botës islame.

      Për këtë arsye, themi se modeli i laicitetit, i cili synon që fenë ta kufizojë vetëm në objektet e kultit fetar, dhe ta ndërprejë ndikimin e saj në shoqëri, në mënyrë të veçantë i bën dëm Islamit, si fe reflektive në vetëdijën e qytetarëve. Të gjitha politikat shtetërore qeverisëse e kanë pikëreferim laicitetin, dhe e shfrytëzojnë si mbulesë për obskurantizëm në raport me fetarësinë. Bile, tolerimi, madje dhe mbështetja e disa kulturave të shthurura dhe dukurive negative në shoqëri, bëhet me qëllim të goditjes fetare. Kjo vërehet në të gjitha sferat e jetës qytetare në Republikën e Kosovës, në kulturë, art, politikë, ekonomi, arsim, etj. Për shembull, lakuriqësia publike në Kosovë i ka kaluar të gjitha kufinjtë e etikës publike. Kurrë nuk e harroj mesazhin e dy pjesëtarëve të KFOR-it, të cilët në vitin 2009, erdhën për një vizitë zyrtare në Këshillin e Bashkësisë Islame në Prizren. Gjatë bisedës, na thanë kështu: “Jemi të shokuar me zhveshurinë e femrave në Kosovë”. Me të vërtetë, një degradim moral. Ne, vetëm e morëm shembull këtë dukuri, përndryshe të tilla ka mjaftë shumë. Fatkeqësisht, këto janë pasojë e obskurantizmit të laicizmit dhe shekullarizmit dhe nuk janë pasojë e fesë. Sepse, laicizmi e shekullarizmi, duke vendosë mur në mes botës së shpirtit dhe fizikës së njeriut, e kanë ngurtësuar njeriun deri në tjetërsim total. Njeriun, e kanë shndërruar në njeri vegël, i cili nuk ka ndjenjë ta kuptojë njerëzoren dhe njerëzishmërinë. Shoqëria ka nevojë për edukim të mirëfilltë, e jo për moral të shthurur, ku lakuriqësia publike shkon deri në turp shtazarak. Kjo katandisje, mbase e vërteton teorinë filozofike se “njeriu është kafshë që flet”. E, pikërisht këto dukuri negative pa ndërprerë publikohen në televizionet publike të vendit. Nuk i jepet hapësirë edukatës fetare në mediumet publike, e cila e mbush njeriun me moral, qytetari e njerëzishmëri, por, i jepet përparësi proklamimit të dukurive degjeneruese të shoqërisë, dhe ato shndërrohen në “kulturë” të vendit. E, pra kjo është logjika e laicizmit, që të mbështesë të gjitha ato dukuri negative që a priori janë antitezë fetare, pavarësisht se sa janë të dëmshme për shoqërinë. Fatkeqësisht, që kjo është bërë pjesë e realitetit modern në Kosovë dhe botë. Me të drejtë, do të thoshte Alexis Carrel: “Qytetërimi modern ndodhet sot në një situatë të dëmshme, sepse nuk na përshtatet më. Ai është ndërtuar pa njohur natyrën tonë të vërtetë, është rezultat i tekave të zbulimeve shkencore; i orekseve të njerëzve, i iluzioneve, i teorive, i dëshirave të tyre. Edhe pse është ndërtuar për ne, nuk është bërë për shtatin tonë.[2]

 

Realiteti dhe koherenca e muslimanëve

      El-Hamdulil-Lah, që muslimanët e kanë Kur’anin dhe Sunnetin e Resululahit s.a.v.s., në të cilët e gjejnë krenarinë e tyre, po edhe ngushëllimin. Allahu, muslimanët i ka bërë vllezër, sepse e besojnë njësoj të vetmin Allah, dhe e kanë një rrugëtim të përbashkët. Ata, nuk e kanë asnjë dilemë rreth pasimit të fesë së Allahut. Tash, prej tyre nevojitet syçelësi kundrejt armiqve të tyre dhe armiqve të Allahut. I Lartëmadhërishmi në ajetin e sipërpërmendur, na ka ngazëlluar se armiqtë e kanë humbur shpresën që ta ndalin këtë Islam, që nga koha e çlirimit të Mekkës, dhe na ka thënë që mos t’i frikësohemi atyre, por vetëm Allahut. Por, në anën tjetër, Allahu nuk na ka siguruar nga dëmi i tyre. Këtë, ia ka lënë vetë muslimanëve, që e lexojnë Kur’anin dhe e ndjekin të njëjtin Pejgamber. Prej tyre kërkohet strategji veprimi, sinqeritet, këmbëngulësi dhe dëshirë për shpërblimin e Allahut. Këtë, e ka për obligimi besimtari, Bashkësia Islame dhe xhemati, në mënyrë që bashkërisht t’i kontribuojnë shoqërisë për pranadalimin e dukurive negative dhe përudhjen e saj në atë që është e mirë, e dobishme dhe e moralshme.


[1] Ali Pajaziti, Fjalor i Sociologjisë, Logos-A, Shkup, 2009, fq. 351.

[2] Alexis Carrel, NJERIU, kjo qenie e panjohur, përktheu Amik Kasoruho, BARGJINI, Tiranë, 2002, fq. 35-36.

 

(U botua në revistën “Dituria Islame”, Prill/2014)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *