Mirënjohës vetëm Zotit që na bëri nasib me falë xhumanë në xhaminë ‘Sinan Pasha’, në Prizren.
Për trajtim i patëm dy ngjarje që kanë rastisur në të njëjtën ditë:
1) Israja e Miraxhi – udhëtimi qiellor
Përmes ndërhyrjes direkte në ligjet e gjithësisë, Zoti i Madhërishëm ia mundësoi Pejgamberit a.s. udhëtimin qiellor, me trup e shpirt, brenda një pjese të natës, nga Qabeja në Mekë gjer në Mesxhidi Aksa në Jerusalem dhe prej aty deri në përmbi shtatë qiej e deri te ‘Sidretul Munteha’, atje ku nuk shkoi asnjë krijesë tjetër asnjëherë.
Asokohe ka qenë absurd për t’u perceptuar, por sot në kohën e anijes kozmike e të airoplanit është fare e kapshme kjo mrekulli.
Në këtë udhëtim, Muhamedi a.s. u takua me Allahun dhe e mori obligimin e namazit për ymetin, si dhe i pa nga afër shenjat më mëdhështore të Zotit.
Të nesërmen kur Pejgamberi a.s. ia tregoi ngjarjen familjes, ata i thanë mos iu thuj njerëzve (pa besimtarëve) se ata hala ma shumë kanë me ta shtu zullumin. Ai tha: Vallahi kam m’iu thënë, patjetër.
Tashmë e kishte fituar një fuqizim që nuk njeh frikë e as lodhje. Ishte në pyetje mbështetja direkte prej Zotit, andaj edhe sukseset më të mëdha në misionin e shpalljes, Pejgamberi a.s. i ka arritur pas Israsë dhe Miraxhit; dhe
2) 17 Shkurti – Pavarësia e Kosovës, Dita më e madhe pas vitit 1912.
Sa herë vjen kjo Ditë duhet ta falënderojmë Zotin shumë, ngaqë shënon përmbylljen e zullumit serb mbi Kosovën.
Në shenjë falënderimi ndaj Zotit, Musai a.s. e agjëronte ditën e dhjetë të muajit Muharrem, ngase Zoti i Madhërishëm në këtë ditë e kishte shpëtuar prej Faraonit. Në shenjë falënderimi, njësoj veproi edhe Muhamedi a.s.
Andaj, le ta falëndërojmë Allahun sa s’bën për këtë ditë, për këtë nimet të madh. T’u flasim fëmijëve që edhe ata ta përjetojnë begatinë e kësaj lirie!
Mirënjohës gjithmonë atyre burrave e grave që dhanë gjak për atdheun. Mirënjohje luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mirënjohje NATO-s…!