Me lejën e Zotit, sot më 20 janar 2023 e falëm xhumanë në Poslisht, xhamia (1).
E shpjeguam një hadith, ku Pejgamberi a.s. e kishte thënë si rezultat i një ngjarje që pati ndodhur në prezencë të tij.
Me një rast, një pabesimtar iu vërsul Ebu Bekrit (Allahu qoftë i kënaqur me të), shokut të ngushtë të Pejgamberit a.s., duke e ofenduar rëndë me fjalë e shprehje nga më të ndryshmet.
Ebu Bekri r.a. e mbante qetësinë dhe fare nuk i kundërvihej. Këtë zhvillim nga afër e përcillte edhe vetë Pejgamberi a.s., që rrinte ulur dhe buzëqeshte.
Por, telashja ndodhi kur Ebu Bekri e humbi durimin dhe filloi t’i kundërvihet me fjalë pabesimtarit që nuk prënte me ofendime…
Pejgamberi a.s. nuk u pajtua me këtë reagim, u bë nervoz dhe u largua. Pas tij u çu edhe Ebu Bekri dhe i tha: O Pejgamber i Zotit, çka ndodhi, pse u largove?
Pejgamberi a.s. tha: Gjersa ti heshtje, pranë teje ka qenë një melek, që ia kthente pabesimtarit, e në momentin që t’i fillove t’ia kthejsh, aty erdhi shejtani, e unë nuk rri në atë vend ku është shejtani.
Pikërisht për këtë rast, Pejgamberi a.s. e tha hadithin që neve po na intereson:
O Ebu Beker, tre vetë kanë hak te Zoti:
1) Një person që për hirë të Allahut duron përballë një padrejtësie, në mënyrë që t’i iket fesatit (edhe pse ka fuqi), Zoti i Madhërishëm atë njeri ka për ta lartësuar e ndihmuar dhe ajo padrejtësi assesi nuk do ta nënçmojë;
2) Një person që për hirë të Zotit jep dhurata (sadakë) duke synuar lidhjet farefisnore e ndërshoqërore, Zoti i Madh do t’ia shtojë bereqetin akoma më shumë; dhe
3) Një person që i lutet Zotit për shtimin e pasurisë me qëllim që të akumulojë pasuri për t’u mburruar para njerëzve, Allahu do t’ia pakësojë pasurinë.
Nëse njerëzit do ta kishin parasysh pikën e parë të këtij hadithi, shumë fesate do të shuheshin dhe njerëzit do ta ruanin paqen ndërnjerëzore maksimalisht.
Prandaj, ai që mbështetet në Allahun, Ai i mjafton atij…!
Për më shumë kliko këtu