Edhe disa orë mbyllen votimet dhe pastaj dihet fituesi. E, unë kam bërë dua te Zoti i Madhërishëm që ai të jetë Rexhep Tajip Erdogan.
1.
Kësaj radhe nuk po shkruaj për Erdoganin si kryetar i Turqisë, sepse pak ka rëndësi;
As nuk po shkruaj për Erdoganin si politikan, sepse nuk ia vlen;
As nuk po shkruaj për suksesin e hovshëm që i bëri Turqisë, sepse puna e tij është për mejdani;
As nuk po shkruaj për dashurinë e tij ndaj neve shqiptarëve, sepse na quajti vëllezër e që nuk na quajti asnjë tjetër.

Por po shkruaj sikundër atyre që e urrejnë Erdoganin për të njëjtën arsye që ne e duam atë, e kjo është fetarësia e Erdoganit dhe kauza e tij islame në zhvillimin e jashtëzakonshëm të Turqisë.
2.
Po shkruaj kundër kësaj mendësie në Kosovë e ndër shqiptarë që i janë turrur Erdoganit, thuajse ne ia kemi pa sherrin për gjatë këtyre viteve të Qeverisjes, ndërsa dihet se ai e njohu i pari Kosovën tonë të pavarur dhe na ndihmoi në çdo aspekt…

Cili president në botë, nga e kaluara dhe e tashmja, është më i ngrohtë me Kosovën e shqiptarët se sa Erdogan?
Cili president i shteteve të botës ka popullaritet përtej vendit të tij, më shumë se sa Erdogan?
Cili shtet është më i afërt me Kosovën se sa Turqia!?
Cili popull na quan vëllezër neve shqiptarëve, përveç turqëve!?
Cili popull e nderoi Adem Jasharin, siç bëri Stambolli duke e emëruar një shesh të madh me emrin ‘Sheshi Adem Jashari’!?

Prandaj, sinqerisht nuk mund ta kuptoj këtë urrejtje ndaj Erdoganit!?
3.
E quajtën diktator, kurse ai i humbi zgjedhjet lokale në Ankara e Stamboll; e quajtën autoritar e autokrat islam se i bëri 20 vjet pushtet, por askush nuk e quajti Angela Merkelin që qëndroi gati po aq dhe ishte kryetare e Unionit Demokristian të Gjermanisë.

Turqia është shtet demokratik, me një sistem të zgjedhjeve të përsosur, gjersa askush nuk i konteston ato.
4.
Duke e njohur konceptin islam të Erdoganit, moti kam thënë se synimi i tij është shndërrimi i Turqisë në Perandori dhe kjo tani po ndodhë, duke ia kthyer asaj lavdinë e osmanlinjve. Sot, bota i ka katër Qendra: Amerika, Rusia, Kina dhe Turqia.

Erdogan e bëri Turqinë të Pavarur e të Mëvetshme, në rrafshin ekonomik, politik, e ushtarak.
E kjo do të thotë se Turqia tashmë nuk është nën sqetullën e askujt, as të Amerikës, as të Perëndimit e aq më pak të Rusisë e Kinës.

Po ashtu, turqit e dinë shumë mirë krizën ekonomike që e ka goditur Turqinë, për shkak të devalvimit enorm të lirës turke në raport me dollarin.
Por ata e dijnë se kjo është një luftë e padrejtë e Perëndimit për gjunjëzimin e Turqisë, andaj kanë vlerësuar se më mirë një Turqi e Mëvetshme e me këtë krizë të përkohshme, se sa një Turqi me lehtësira ekonomike, por koloni e përhershme e Perëndimit.

E pra, këtu është dallimi që tashmë Turqia nuk është as si Gjermania e as si Franca.
5.
Kurrë Turqia nuk mund të bëhet mik me Rusinë e as me sllavët, sikurse Kosova që nuk mund të bëhet me Serbinë. Sepse Turqia nuk ia harron Rusisë goditjen fatale që e rrëzoi Perandorinë Osmane, duke e detyruar të nënshkruajë marrveshjen e Shën Stefanit, me 3 mars 1878.
6.
Këto zgjedhje 2023 për parlament e president të Turqisë, janë më shumë se zgjedhje. Sepse, po vendoset në cilën rrugë do të shkojë Turqia, në rrugën e osmanlinjve përmes Erdoganit apo në rrugën e Ataturkut përmes Kiliçdaroglut.

Në metafizikën fetare kjo është Lufta e Bedrit për Erdogan dhe Turqinë…!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *