1.
Dje, më datë 12 qershor 2023, në Ditën e Çlirimit të Prizrenit, me prezencë të Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava e të shumë imamëve e shehlerëve, si dhe me prezencë të shumë xhematlinjve, e përuruam xhaminë e Planesë.
Kjo xhami, që nga ndërtimi i saj (1785) ka qenë SHENJË në këtë anë të Hasit, rrëzë bjeshkës së Pashtrikut.
Axha Nezir (87 vjeçar) tregon se kur ka qenë Sheh Tahiri (1900-1974) imam në këtë xhami, vinin për ta falur xhumanë krejt fshatrat përreth: Planejë, Gorozhup, Milaj, si dhe fshatrat e brezit kufitar andej Shqipërisë. Gjatë Ramazanit, vinin me fener për ta faluar teravinë.
Fatkeqësisht, kjo xhami pati një fat tragjik, njëherë u mbyll (1968), pastaj u tjetërsua në depo / dyqan si pjesë e Kooperativës në Rugovë (1968-1984), e në pjesën tjetër mbeti e shkretë (1984-1999), gjersa në fund e përjetoi rrënimin gjatë luftës 1999.
Për më shumë se dy dekada pas luftës mbeti gërmadhë (1999-2022).
2.
Por ç’e do, falë bamirësave, më datë 29 qershor 2022 filloi rindërtimi i saj në të njëjtin vend.
E me kismet të Zotit, më datë 12 qershor 2023, pikërisht në Ditën e Çlirimit të Prizrenit që shënoi ndarjen e epokave, ndodhi hapja solemne.
Dje i falënderuam shumë të gjithë ata që kontribuan me mjete financiar apo material. Po ashtu, i falënderuam edhe ata që e përkrahën, duke filluar nga Sheh Tahiri, banorët e fshatit, fëmijët e fshatit, e deri te kryetari i fshatit, mësuesi Zenun Shehu…
E falënderuam Urim Hoxhën që e ndërtoi i vetëm minaren (mbi 20,000 euro), pastaj Genc Besimin (G-Project shpk) që e dhuroi betonin e punë të tjera mbi 7,000 euro, e të tjerë e të tjerë…
E falënderova edhe shokun e bashkëluftëtarin Ylli Rashkaj nga Milaj që na ofroi një përfytyrim se si ka qenë xhamia e vjetër.
Por, kam harruar t’i përmendi edhe tre të tjerë, që kontribuan shumë:
– Xhemë Shehu, pronari i dyqanëve përanë xhamisë (SHEHU);
– Imer Maloku, pronar i dyqanëve përballë xhamisë (LISI), që shumë janë kujdesur për mjeshtrit gjatë kësaj periudhe, si dhe
– Xhematin e xhamisë ‘Sinan Pasha’ (haxhi Raif Shamliu dhe Ali Berisha), që dha kontribut mbi 10,000 euro.
Një mirënjohje për talebet e mektebit, që ekzekutuan program fantastik: Omer Krasniqi, Ajan Kryeziu, Affani dhe talebet e mektebit të Zhurit.
Krejt në fund, Allahu i Madhërishëm i shpërbleftë të gjithë ata që kontribuan për rindërtimin e kësaj xhamie brilante…!
Orhan Bislimaj