Tallja me Islamin (el-istihzau) dhe deklarimet publike

    Allahu i Lartësuar në Kur’an ka thënë: “E s’ka dyshim se ata janë, të cilët e fyejnë All-llahun dhe të Dërguarin e Tij, ata i ka mallkuar All-llahu në Dynja e në Ahiret dhe për ta ka përgatitur një dënim të dhembshëm.” (Kur’ani, El-Ahzab, 57).

      Domethënia e talljes (el-istihzau)

      Prej atyre veprimeve të muslimanit, që cilësohen si mohuese ndaj besimit islam është edhe tallja me Islamin. Në Kur’an dhe në hadithe të Pejgamberit a.s., si nocion për talljen ka ardhur fjala “el-istihzau”, që do të thotë, përqeshje, tall dikë, sillet me përbuzje, mospërfillje ndaj dikujt, etj. (shih: Kur’ani, Et-Tevbe:65-66), si dhe nocioni “es-suhrijjetu” (përqeshje, tallje, ironi, sarkazëm) (shih: Kur’ani, El-Bekare, 212). Po ashtu, me këtë kuptim përdoret edhe nocioni “el-ihtikar” (përbuzje, injorim), dhe nocione të tjera.[1] Fundja, shprehjet nuk kanë rëndësi, sepse tallja mund të jetë edhe me zemër (nij-jet), por më e rëndësishme është domethënia semantike dhe terminologjike e talljes, e cila, në këtë rast konsiston fjalët, sjelljet dhe qëndrimet e një muslimani, të cilat qartë duken se janë tallje, mohuese, nënçmuese, zhvlerësuese, përqeshje ndaj fesë Islame apo të një parimi bazik të besimit islam. Me një fjalë, myslimani që flet kundër Islamit, që tallet pa fije turpi, që e kundërshton një ritual fetar me të cilin obligohemi prej Allahut, etj., a është akoma musliman apo lidhja e tij me Islamin ka marrë fund!?

     Dijetarët islamë, këtë çështje e kanë trajtuar gjerë e gjatë, pasiqë si veprim është shumë i ndijshëm dhe I rrezikshëm, edhe për faktin se autorin e nxjerr nga feja. Ata, talljen e ndajnë në atë që është e qartë dhe jo krejtësisht e qartë. Pastaj, bëjnë dallim në mes të talljes me parimet bazë të Islamit (el-aslijjetu), dhe talljes me parimet dytësore të fesë (el-fer’ijjetu); pastj dispozitat e talljes me Allahun dhe me të Dërguarin e Tij s.a.v.s., etj. Ndoshta, do të ishte mirë ta trajtojmë talljen në mënyrë të gjithanshme, dhe nëse do Allahu këtë duhet ta bëjmë, por kësaj radhe do ta trajtojmë talljen që ka të bëjë me parimet bazike të fesë dhe që është e qartë.

      Feja Islame është nga Allahu

     Feja Islame nuk është lojë e as lodër, që njeriu të tallet si të dojë dhe kur të dojë. Ajo nuk është as ideologji, që të ndryshojë përditë. Jo, Islami është fe dhe doktrinë e shpallur nga Allahu dhe ka ardhur për të udhëzuar njeriun në çdo aspekt të jetës së tij. E vetmja gjë, që është produkt i Allahut, po flas në kuptim të esencës së vlerës së vërtetë si platformë udhëzuese, e që njeriu mund ta bëjë pjesë të jetës së tij, është Islami. Allahu në Kur’an ka thënë: “(Kjo fe jona është) Njgyrosje e All-llahut, e kush ngjyros (me fe) më mirë se All-llahu? Ne vetëm atë e adhurojmë.”(Kur’ani, El-Bekare, 138). Madje, Feja Islame është dhurata e vetme që është dërguar për sojin njerëzor pa dallim. Njeriu që e pranon dhuratën e Allahut nuk nënçmohet, veçse nderohet.

     Feja Islame, respektivisht, çdo parim bazik i besimit islam është shpallje nga Allahu dhe argumentohet me Kur’an dhe Sunnet. Këtu, kam për qëllim ato parime, që përbëjnë subjektin e çështjeve, për të cilat ka konsenzus i gjithë ymmeti islam (ehlu’lkible), se janë domosdoshmëri besimore dhe parime të shenjta të Fesë (el-malumu mine’d-dini bi’d-darureti). Ato fillojnë me deklaratën islame, domethënë dëshmia (shehadeti) se Allahu është Një I Vetëm I pa rival, dhe se Muhamedi a.s. është i Dërguari i Tij, pastaj besimi në ekzistimin e melaikëve, besimi në Librat e shpallura, besimi në pejgamberët, besimi në ringjallje, besimi se e mira dhe e keqja ndodhin me krijimin e Allahut. Besimi se, falja e namazit, dhënia e zekatit, kryerja e haxhit, dhe agjërimi i Ramazanit janë obligim për muslimanin. Të besuarit se mbulimi i femrës dhe veshja e dinjitetshme e saj, është obligim nga Allahu dhe nuk është traditë kombëtare e një vendi. Po ashtu, të besuarit se muslimani është i obliguar të jetë i moralshëm, dhe të largohet nga ato që i ka ndaluar Allahu (haramet), siç janë vjedhja, amoraliteti, droga, alkooli, bixhozi, kamata, mishi i derrit, rrena, mashtrimi, hipokrizia, padrejtësia ndaj fqinjit, padrejtësia ndaj tjetrit, dhe parime të tjera.

      Nëse njeriu beson sinqerisht me zemër në këto parime dhe të tjera që nuk i kemi përmendur, dhe beson se ato janë parime të shpallura prej Allahut, dhe këtë besim e deklaron me gjuhë, ai njeri konsiderohet se hynë në islam. Mbi këtë besim, ky musliman obligohet që ato parime t’i zbatojë në jetën e tij.

       Ky është një përkufizim i thjeshtë dhe i shkurtër i përkatësisë islame të njeriut. Në këtë kontekst, njeriu vazhdon të qëndrojë në Islam, për derisa nuk e mohon një parim prej parimeve të Islamit, që u përmendën më lartë. Mirëpo, në momentin që e mohon një parim, p.sh. thotë se namazi nuk është obligim, pastaj e mohon Kur’anin, apo agjërimin, apo thotë se mbulimi i femrës nuk është obligim fetar, apo e lejon alkoolin, etj, ai konsiderohet se ka bërë një veprim të mosbesimit (kufrit) dhe organet kompetente islame obligohen ta akuzojnë, me procedurë të rregulltë për dalje nga feja islame.

 

       Tallja me Islamin është mosbesim (kufr)

       Gati harrova ta them se motivet që të shkruaj për këtë çështje, janë pikërisht deklarimet publike të disa muslimanëve të hapësirave tona, e të cilat a priori cilësohen si nënçmim, degradim apo mohim të fesë (islame). Kuptohet, tallje dhe fjalë kundërshtuese ndaj Islamit, së paku me vetëdije, nuk thonë ata që kanë iman (besim) dhe ndihen mysliman. Por, gjeste të këtilla, zakonisht bëjnë dhe po bëjnë, ata mysliman që Islamin nuk po e konsiderojnë tipar të tyre, madje e konsiderojnë si një pengesë. Këta tipa myslimanësh, që dua të besoj se janë pak në numër në nivel të bashkësisë myslimane, sikur bëjnë garë se cili prej tyre do të tallet më shumë me Islamin. Fatkeqësisht, që këtyre njerëzve, mediumet publike, në Kosovë e Shqipëri po u japin shumë hapësirë. Prandaj, sot, nuk po konsiderohet e çuditshme, kur një mysliman shqiptar, i familjes myslimane, në televizion flet se Islami është prapambeturi, se mbulesa është degradim shoqëror dhe primitivizëm, se Muhamedi është vetëm një njeri i arabëve, apo se namazi është vetëm fiskullturë dhe asgjë tjetër, apo se shkuarja në haxh është vetëm shpenzim, etj, etj. Akoma më keq, disa të tjerë thonë se janë agnostikë, më se vetë ata e pohojnë një distancim nga të qenurit mysliman. Të gjitha këto fjalë i thonë me sarkazëm dhe nënçmim për Islamin, dhe qëndrojnë krenarë për qëndrimet e tyre. Në anën tjetër, thonë se i përkasin besimit islam

       Pa dyshim, këtu fillon dhe mbaron problematika e çështjes, pasiqë myslimani që i thotë këto fjalë, ia pamundëson vetvetes së tij, që edhe më tutje të jetë mysliman – anëtar i Islamit, për faktin se ka mohuar me vetëdije një parim prej parimeve të Fesë. Ky është një standard dhe kriter që i përshkon të gjitha llojet e anëtarësimit, jo vetëm atë fetar. Nëse një militant tallet me partinë e vet, apo publikisht e zhvlerëson atë, do të thotë se veç është larguar nga partia, pavarësisht nëse është marrur vendimi për largimin e tij apo jo. I njëjti, mund të kthehet në parti, por pasi të pendohet. Diç e ngjashme është edhe me fenë, ku një person mund të kthehet në fenë e vet (Islame), por pasi të bëjë “teube istigfarë” (pendim dhe kërkimfalje tek Allahu).

      Të gjithë dijetarët islamë janë unikë, se tallja me fjalët e Allahut (ajetet e Kur’anit) apo nënçmimi I namazit, haxhit, xhenetit, xhehenemit, pejgamberëve, fikhut islam në përgjithësi, ose tallja me ndonjë element prej shenjave të njohura të Islamit siç janë ezani, xhamitë, lutjet fetare, etj., janë veprime të mosbesimit (kufrit), duke u bazuar në ajetin, si në vijim:[2]

وَلَئِنْ سَأَلْتَهُمْ لَيَقُولُنَّ إِنَّمَا كُنَّا نَخُوضُ وَنَلْعَبُ قُلْ أَبِاللَّهِ وَآَيَاتِهِ وَرَسُولِهِ كُنْتُمْ تَسْتَهْزِئُونَ لَا تَعْتَذِرُوا قَدْ كَفَرْتُمْ بَعْدَ إِيمَانِكُمْ

“E nëse ti i pyet ata (përse tallen), do të thonë:Ne vetëm jemi mahitur e dëfruar. Thuaju:A me Allahun, Kur’anin dhe të dërguarin e Tij talleni? Mos kërkoni fare ndjesë, ju pasi që (shpallët) besuat, keni mohuar.”(Kur’ani, Et-Tevbe:65-66).

       Në këtë ajet, Allahu shpalos të vërtetën e disa njerëzve, që Pejgamberit a.s. ia patën deklaruar besimin, porse në anën tjetër u talleshin me Allahun, me Kur’anin dhe Pejgamberin a.s.. Për shkak të këtyre veprimeve, Allahu i drejtohet Pejgamberit a.s. që t’u thotë se ndonëse e kanë shpallë besueshmërinë, pra kanë thënë se janë mysliman, sikurse që thonë sot disa njerëz, në anën tjetër, ata në të vërtetë nuk janë mysliman, sepse kanë mohuar me zemër. Ndërsa, nënçmimi që buron nga zemra determinon ekzistencën e mosbesimit si nga aspekti i zemrës ashtu edhe nga aspekti i gjuhës.[3] Në kontekst të këtij ajeti, Ibni Hazmi r.h.: “Allahu e ka shkruar se tallja me Allahu xh. sh. ose me ajetet e tij ose me ndonjë pejgamber prej pejgamberëve të Tij, konsiderohet kufër prej kufrit, i cili nxjerr nga imani. I Lartëmadhërishmi nuk u ka thënë atyre: “Unë e di se ju e ruani kufrin në zemrat e juaja”, por i ka bërë mosbesimtarë (كفارا), pikërisht për shkak të talljes (ألإستهزاء)”[4]

 

      Tallja me Islamin tipar i munafikëve

      Tallja me fenë Islame, ka qenë një tipar identitar i munafikëve (hipokritëve në Islam). Myslimani, që beson sinqerisht, asnjëherë nuk tallet me Islamin, dhe as nuk e kundërshton me fjalë a vepër. Sepse, fryma e Islamit është fryma e shpirtit të njeriut, andaj nuk mund të tallet me të apo të ngritet kundër tij. Nuk ka ndodhur që një musliman i mirëfilltë, të largohet nga Islami, siç ndodhë për shembull me fetë e tjera, ku madje një klerik e lë fenë e vet dhe kalon në Islam. Avantura të këtilla, në kohët e fundit ka mjaft shumë. Si kundër kësaj, unë asnjëherë nuk kam dëgjuar e as lexuar që një hoxhë e ka lënë Islamin dhe ka kaluar në fe tjetër. Kjo, mbase nuk do të mund të ndodhte as nga një njeri i çmendur.

      Mirëpo, gjatë rrugëtimi të Islamit, historia ka njohur munafikë (hipokritë) dhe njerzë të ligjë, që kanë deklaruar se janë myslimanë, por kanë punuar kundër myslimanëve. Zakonisht, kjo kategori ka shprehur talje me myslimanët dhe me Islamin. Kur’ani përmend munafikët e kohës së Pejgamberit a.s., të cilët talleshin me të dhe i patën shkaktuar shumë telashe dhe probleme kauzës së Islamit. Ishte shumë vështirë për t’I njohur, ngase shtireshin se janë mysliman, por në zemrat e tyre e ruanin kufrin (mosbesimin). Për më keq, llogariteshin si njerzë të shpisë, dhe njeriu nuk ka se si të mbrohet prej njeriut të vet. Për shkak të këtij pozicioni të fshehtë, mendohet se dëmi I munafikëve për Islamin është shumë më i madh se sa dëmi I mosbesimtarëve. Po edhe dënimi I Allahut ndaj tyre është shumë I dhembshëm,pikërisht për këtë.

     Por, ç’e do që Allahu, në shumë raste e ka lajmëruar Pejgamberin a.s. për munafikët dhe kurthat e tyre, sikurse është demaskimi i munafikëve në luftën e Hendekut, etj. Pejgamberi a.s. ka ndërmarrë masa, në rastet konkrete, në mënyrë që ta largojë dëmin e tyre. Në secilin rastë,munafikët nuk kanë pranuar se nuk janë musliman, dhe e kanë refuzuar akuzën për tradhëti ndaj myslimanëve. Përgjigjjen e munafikëve e përmend Allahu në Kur’an:

يَحْلِفُونَ بِاللَّهِ مَا قَالُوا وَلَقَدْ قَالُوا كَلِمَةَ الْكُفْرِ وَكَفَرُوا بَعْدَ إِسْلَامِهِمْ

Ata betohen në Allahun se nuk kanë thënë (asgjë te keqe), e në të vërtetë, kanë thënë fjalë që nuk përkojnë me besimin, dhe pasi patën shprehur besimin ata e mohuan (bën kufr)…” (Kur’ani, Et-Tevbe, 74).[5]

      Thuajse ky ajet ka zbritur pikërisht për këta munafikët e kohës tonë. Gjithë kohën flasin fjalë të vrazhda për parimet bazike të fesë Islame, po edhe për Islamin në përgjithësi, e në anën tjetër, me gojën plotë deklarojnë se janë musliman, madje me emër, me mbiemër e me familje. Në të vërtetë, tipat e këtillë, e trasojnë të njëjtën rrugë të munafikëve të kohës së Resulullahit s.a.v.s., veçse në rrethana moderne dhe me forma të kohës. Ata vepronin kundër Pejgamberit dhe talleshin me të, e këta të sodit veprojnë kundër Islamit dhe tallen me të. Ata, i shtinin gishtërinjtë në vesh, për të mos e dëgjuar fjalimin e Pejgamberit a.s., ndërsa këta nuk dëshirojnë ta shohin Islamin të gjallë.

     Është shumë hipokrite dhe ironike, kur dëgjojmë prej disa vetjeve publike se “beson në Allahun”, por nuk beson në obligueshmërinë e namazit, agjërimit apo mbulesës islame për femrat. Bile, i konsideron si diçka të huaj dhe prapambeturi?! Këto pikëpamje, janë bindje hipokrite ndaj Allahut, po edhe ndaj deklarimit për besim në Allahun. Ta sqarojmë edhe më shumë këtë çështje. Myslimani i këtillë, nuk e pranon obligimin e namazit, agjërimit, mbulesës, etj., ndërsa thotë se beson në Allahun!? Si mund të jetë e drejtë kjo, kur dihet se obligimi me namaz, agjërim, mbulesë është prej Allahut. Më lartë e kemi cituar ajetin, ku Allahu thotë: “A me All-llahun, librin dhe të dërguarin e Tij talleni?”. Në këtë ajet, vërtetohet lidhshmëria në mes të Allahut, Kur’anit dhe Pejgamberit. Shpjegimi i thjeshtë i kësaj është se Allahu ka obliguar me namaz, agjërim mbulesë, dhe këto i ka urdhëruar nëpërmjet Kur’anit, i cili është dërguar te Pejgamberi a.s.. Tani, nuk mund të themi se besoj në Allahun Krijues, por nuk besoj në Kur’an, apo në dërgimin e Muhamedit a.s., sepse besimi në Allahun, në njërën anë, kurse refuzimi i Kur’anit apo Muhamedit, është tallje dhe plojë. Kjo i bie, për shembull, njeriu thotë se beson në ekzistencën e diellit, por nuk beson në ekzistencën e dritës, apo e kundërta. Ebu Hanife këto lloje të bisedave i quante biseda të atyre që i shkarravisin gjërat. Prandaj, tallja me Kur’an është tallje me Allahun, sikurse tallja me Pejgamberin a.s. është tallje përsëri me Allahun. Rrjedhimisht, kur myslimani e mohon një parim, siç është namazi, apo agjërimi, apo zekati, apo mbulesa, ai është duke u tallur me Pejgamberin, Kur’anin dhe me Allahun, dhe i tilli ka bërë veprime të mosbesimit (kufr).

 

       Tallja me Islamin shkakton mallkimin nga Allahu

       Me të vërtetë, tallja me një parim të Islamit është fyerje ndaj Allahut. Ne jemi njerëz, dhe nëse dikush e kritikon veprën tonë, nuk do t’na vijë mirë. Por, nëse ai tallet me veprën tonë, kjo na shqetëson dhe shkakton hidhërimin ndaj atij personi. Në parim, ky është një realitet në mesin e njerëzve, ndonëse të gjithë ata janë të barabartë si qenie, dhe asnjëri prej tyre nuk është i mbizakonshëm. Në këtë rrafsh, edhe kritikat edhe talljet mbase kanë vend. Por, kur bëhet fjalë për Allahun Krijuesin absolut të gjithësisë, kush jemi ne që të tallemi me fjalën e Allahut!? Me çfarë të drejte morale apo aftësie ne mund të refuzojmë diçka që Allahu e ka vlerësuar se është e dobishme për njerëzimin. Kush është ai, që mund t’i bëhet rival Allahut!? Prandaj është shumë e natyrshme që Allahu të hidhërohet ndaj atij personi që thotë se i beson Atij, por po ashtu thotë se nuk e pranon faljen e namazit, agjërimin, mbulesën islame, etj. Kjo, nuk mund të shpjegohet ndryshme, veçse tallje me Allahun. E, Allahu në Kur’an ka thënë:

إِنَّ الَّذِينَ يُؤْذُونَ اللَّـهَ وَرَسُولَهُ لَعَنَهُمُ اللَّـهُ فِي الدُّنْيَا وَالْآخِرَةِ وَأَعَدَّ لَهُمْ عَذَابًا مُّهِينًا

E s’ka dyshim se ata janë, të cilët e fyejnë All-llahun dhe të dërguarin e Tij, ata i ka mallkuar All-llahu në Dynja e në Ahiret dhe për ta ka përgatitur një dënim të dhembshëm. (Kur’ani, El-Ahzab, 57). Ndërsa, në një vend tjetër, Allahu i Lartësuar, duke tërhequr vërejtjen që mos ta mundojnë Pejgamberin a.s. me intriga të hipokrizisë, sepse i pret dënim i dhembshëm:

وَمِنْهُمُ الَّذِينَ يُؤْذُونَ النَّبِيَّ وَيَقُولُونَ هُوَ أُذُنٌ ۚقُلْ أُذُنُ خَيْرٍ لَّكُمْ يُؤْمِنُ بِاللَّـهِ وَيُؤْمِنُ لِلْمُؤْمِنِينَ وَرَحْمَةٌ لِّلَّذِينَ آمَنُوا مِنكُمْ ۚ وَالَّذِينَ يُؤْذُونَ رَسُولَ اللَّـهِ لَهُمْ عَذَابٌ أَلِيمٌ

“Ka prej tyre që e ofendojnë Pejgamberin e thonë: “Ai është bërë vesh (beson çka dëgjon)”. Thuaj: “Ai është vesh I të mirës suaj (dëgjon të mirën dhe vepron e jo të keqen), ai beson All-llahun (çka i thotë), u zë besë besimtarëve dhe është mëshirues për ata që besuan nga mesi juaj, e ata që nuk e lënë të qetë të dërguarin e All-llahut, ata kanë dënim të dhëmbshëm.” (Kur’ani, Et-Tevbe, 61).

      Prandaj, tallja me një element qenësor islam, është rrzik për vetë besimtarin. Allahu ka premtuar se atë besimtar do ta mallkojë, në këtë botë dhe në botën tjetër. Myslimani duhet të mendojë pozitivisht për ardhmërinë e Islamit. Pejgamberi a.s. ka bërë lutje (dua) që ndihma e Allahut të jetë me atë dhe muslimanët dhe jo kundër tyre. Tallja me Islamin është shpallje e luftës ndaj Allahut, e është e sigurtë se në këtë luftë njeriu është i humbur, dhe mbi të bie dënimi i Allahut dhe mallkimi i Tij. E, ai që bëhet shkak për ta fituar mallkimin e Alahut, unë them se i mjerë ai!


[1] Sylejman Tomçini, FJALOR arabisht-shqip, Instituti shqiptar i mendimit dhe qytetërimit islam, Tiranë, 2009, fq, 182, 382, 1036.

[2] Abdul Aziz bin Rejjis Er-Rrej-jis, El-Ilmamu bi sherhi nevakidi’l islami, darul bejjineti, botimi i parë, Rijad, 1427 / 2006, fq.172.

[3] Abdul Aziz bin Rejjis Er-Rrej-jis, po aty.

[4] El-Imamu Ebi Muhamed Alij bin Ahmed el-ma’ruf bi Ibni Hazmi El-Endelusi, El-Fisalu fil mileli vel-ehvai ven-nihali, daru’l-kutubi’l-ilmijjeti, botimi i dytë, Bejrut – Liban, 1420 / 1999, vëll. II, fq. 224; Po ashtu shih: Alij El-Kari, Sherhun ala kitabi ‘El-fadhul kufri’ li al-lameti Bedrur-Rreshid, darul fedileti, botimi i parë, Rijad, 1423 / 2002, 167.

[5] Ibën Hazmi, duke u bazuar në këtë ajet, argumenton se kufri është edhe nga aspekti i fjalëve. (shih: Ibni Hazmi, El-Fisalu fi’l-mileli…, po aty, vëll. 2, fq. 224).

Mr. Orhan ef. Bislimaj

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *