Dr. Orhan Bislimaj
Prizreni, unanimisht e do rindërtimin e xhamisë në kalanë e Prizrenit – (3)
1) Xhamia e Kalasë së Prizrenit ka qenë funksionale deri në vitin 1912
Xhamia e Kalasë, që nga ndërtimi i saj në shekullin e XV, dhe pas rindërtimit të saj në vitin 1828 dhe gjerë në vitin 1912 i ka shërbyer qëllimit për çfarë është ndërtuar. Aty janë falur vaktet e namazit dhe ka qenë në funksion të plotë sikurse xhamitë e tjera të qytetit të Prizrenit. Ajo ka qenë e hapur për faljen e namazit për çdo qytetar të interesuar dhe jo vetëm për banorët e Kalasë. Prejudikimet se xhamia ka qenë e dedikuar vetëm për ushtrinë, është tërësisht anakronik dhe i pa saktë. Në të vërtetë, ajo ka mundur ta ketë këtë rol vetëm në fazën fillestare të saj, shekulli XV-XVI, kur pranimi masovik i Islamit nga shqiptarët ka qenë në proces e sipër. Por, nuk mund të themi se xhamia ka qenë e tillë përgjithmonë, e sidomos pas shekullit XVI, kur feja Islame bëhet fakt përfundimtar në Prizren dhe më gjerë. Pra, ne po flasim për periudhën afatgjate të xhamisë, deri në vitin 1912. E vërteta është se xhamia, absolutisht, ka qenë e hapur prore për të gjithë besimtarët islamë, jo vetëm për ushtrinë dhe, vetë pozita e saj në mes të Kalasë dhe afër derës kryesore të saj, e dëshmon një gjë të tillë. Banorët e Prizrenit i transmetojnë fjalët e gjyshërve të tyre, që janë falur në xhaminë e Kalasë, sidomos ata që i kanë pasur pronat në pjesën mbi Kala.
Përveç këtij fakti, në dokumentet historike autentike, gjejmë të dhëna se për funksionimin normal të xhamisë janë kujdesur disa punëtorë, dhe pagimi i tyre është bërë nga buxheti i Vakfit (Bashkësisë Islame), sikurse edhe për xhamitë e tjera të Prizrenit. Përveç imamit dhe muezinit, në xhami kanë qenë të angazhuar edhe dy punëtorë të tjerë: Shërbyesi dhe Mbikqyerësi i xhamisë (mutevelia).
Në vakëfnamenë e Mahmud Pashë Rrotllës, e cila ruhet në zyret e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizenit jepen shumë detaje rreth jetës fetare të asaj kohe si dhe mirëmbajtjes të shumë xhamive të Prizrenit përfshirë edhe xhaminë e Kalasë. Në këtë dokument, Mahmud Pasha, Allahu e mëshiroftë me xhenneti firdevs, vë kushte rreth ndarjes së mjeteve nga pasuria e lënë vakëf, dhe atë: “Myezinit të xhamisë në Kala 60 groshë, shërbyesit të xhamisë në Kala 40 groshë; orëtarit të orës së Kalasë, gjatë vitit 60 groshë…” Në të njëjtën vakufname, Mahmud Pasha, ndanë mjete nga pasuria e tij edhe për mutevelinë në mënyrë që: “në haremin e xhamisë së Kalasë, le t’i shtrijë shtrojat” si dhe “për ndriçimin e (…) xhamisë në Kala, le të vendosë gazin në kandila, e në dritare letër. Përveç kësaj, Mahmud Pasha e ka paraparë edhe zbukurimin e xhamisë së Kalasë me kandila ndriçues, gjatë netëve të Ramazanit, bajramave, mevludeve, Regaibeve dhe Beratit. Kështuqë, mutevelia e ka patur obligim që të vendosë “në haremin e xhamisë në kala shtatë kandila” si dhe kur “xhamia në kala ka nevojë për hasra, myteveliu le t’i ofrojë për shtruarje.” Po ashtu, Mahmud Pasha, e obligon muteveliun që “të kujdeset për meremetimin e xhamisë së Kalasë”, e nëse bëhet fjalë për ndonjë shumë të madhe, atëherë duhet të gjejë ndonjë formë tjetër për meremetim.[1]
2) Xhamia është menaxhuar nga Bashkësia Islame
Të dhënat e lartëcekura nga Vakufnameja e Mahmud Pashë Rotllës, mund të themi se kanë një rëndësi të veçantë, pasiqë përgjithësisht na ofrojnë një përfytyrim ekzakt rreth funksionimit të xhamisë asokohe, përfshirë edhe juridiksionin mbi menaxhimin e saj. Në këtë aspekt, nga ky dokument vakufnor, i lënë nga Mahmud Pasha, mund të nxjerrim disa përfundime:
1) Emërtimi: Xhamia e Kalasë njihet si “xhamia në Kala”, e që dëshmon se në atë kohë nuk ka pasur ndonjë emërtim të veçantë;
2) Pronësia: Xhamia ka qenë në pronësi dhe administrim të institucionit të Bashkësisë Islame. Kjo vërtetohet, sidomos nga dy arsye: E para, kur pushteti serb më 1912 kishte shkatërruar xhaminë e Kalasë, imam dhe hatib në ditën e xhumasë ishte ish-Myftiu i Prizrenit, haxhi Rrystem efendiu[2]; dhe e dyta: Me vetë faktin që Mahmud Pasha (Allahu ia faltë xhennetin) ka lënë pasurinë e tij vakuf – pronë e xhematit (bashkësisë myslimane), dhe ka vë kusht, duke kërkuar nga udhëheqësia fetare e asaj kohe, që të ardhurat nga kjo pasuri të dedikohen për punonjësit fetarë, në këtë rast edhe për punonjësit e Kalasë, jep të kuptojmë se xhamia ka funksionuar nën juridiksionin dhe strukturën e Bashkësisë Islame të Prizrenit. Në rastin e kundërt, Mahmud Pasha nuk do kishte nevojë që të lente pasurinë e tij “vakuf – hajrat” në Bashkësinë Islame, për një objekt që nuk e ka në pronësi apo menaxhim. Mbi këtë argument, Këshilli i Bashkësisë Islame – Prizren, detyrimisht shpallet trashëgimtar ligjor i xhamisë së Kalasë, sipas parimit të automatizmit, pavarësisht titullarin e pronësisë;
3) Organizimi i brendshëm: Nga aspekti i brendshëm organizativ, xhamia ka funksionuar normalisht, sikurse që funksionojnë edhe sot xhamitë e qytetit të Prizrenit. Bile, në xhaminë e kalasë, përveç imamit, muezinit, mutevelisë, ka qenë i angazhuar edhe një punëtor tjetër i quajtur si “shërbyes”;
4) Manifestimet fetare. Në xhami janë shënuar festat fetare dhe janë organizuar tubime fetare. Kujdesi i veçantë për ndezjen e kandilave ndriçues, gjatë netëve të Ramazanit, bajramave dhe netëve të mëdha, argumenton funksionimin normal të xhamisë, madje edhe si një xhami e privilegjuar.
5) Shumësia e xhematit. Besohet se xhamia ka pasur shumë xhemat. Me vetë faktin që mutevelia është këshilluar për shtruarjen e hasrave, kjo do të thotë se xhamia ka pasur mjaft shumë xhemat, pra edhe jashtë xhamisë. Sepse, “hasrat” zakonisht shtrohen në oborrin e xhamisë, për t’u falur xhemati, në rastet kur nuk ka hapësirë të mjaftueshme brenda në xhami. Një gjë e tillë aplikohet edhe sot në xhamitë e Prizrenit.
6) Meremetimi i xhamisë nga vakfi. Xhamia është mirëmbajtur teknikisht nga pasuria e lënë hajrat (vakfi), e sipas nevojës edhe nga donacionet e tjera, zakonisht që i dhurojnë besimtarët islamë, pra, jo nga buxheti i shtetit.
3) Rrënimi i xhamisë herën e fundit (1912)
Xhamia e Kalasë ka qenë funksionale gjatë periudhës së Perandorisë Osmane, dhe ka vazhduar deri në largimin përfundimtar të saj nga Prizreni, në vitin 1912, kur nga Kalaja tërhiqet ushtari i fundit osman Jashar Hoda, të cilin prizrenasit e quanin Karajashari,[3] që do të thotë Jashari i zi.[4]
Sikurse dihet, më datë 21.10.1912, ushtria serbe e riokupoi Prizrenin dhe bëri krime të pa para deri atëherë. Lazër Mjeda – arqipeshkvi katolik i Shkupit, në një raport dërguar Romës, më 24 janar 2013 shkruante se në Ferizaj kishin mbetur gjallë vetëm tre shqiptarë myslimanë të moshës 15 vjeçare, se popullata shqiptare e Gjilanit ishte masakruar, kurse Gjakova ishte shkretuar tërësisht. Ndërsa kur flet për Prizrenin, ai thotë: “Rasti më i tmerrshëm kishte ndodhur në Prizren, i cili si Gjilani ishte dorëzuar në mënyrë paqësore. Qyteti duket si një mbretëri e vdekjes. Ata trokasin në dyertë e shtëpive shqiptare, i marrin meshkujt dhe i pushkatojnë menjëherë. Para disa ditësh numri i të vrarëve arriti në 400. Sa u përket grabitjeve, plaçkitjeve dhe dhunimeve më mirë të mos përmenden, që atëherë urdhëri i ditës ishte: kundër shqiptarëve lejohet çdo gjë – jo vetëm që lejohet por edhe kërkohet dhe urdhërohet. Dhe, me gjithë këto tmerre të llahtarshme, komandanti ushtarak, Bozho Jankoviq, e detyroi parinë e qytetit, me revole në dorë, që t’i dërgonte mbretit Petër një telegram falënderimi.” Arqipeshkvi konstatoi se numri i përgjithshëm i shqiptarëve të vrarë deri në atë kohë ishte 25.000.[5] Përveç, këtyre tmerreve të llahtarshme kundër shqiptarëve, serbo-sllavët ushtruan edhe kulturocid kundër trashëgimisë kulturo-historike të shqiptarëve të Kosovës. Në shënjestër ka qenë, sidomos institucioni i Bashkësisë Islame – Myftinia e Prizrenit, përfshirë pronën dhe kulturën islame në përgjithësi, të cilin e konsideronte si burim shpirtëror për shqiptarët në frontin e rezistencës kundër serbëve. Një raport i hollësishëm i konsullit austriak në Prizren, i janarit të vitit 1914, bën një rezyme të kushteve në Kosovën e asaj kohe. Konsulli shkruante: “Nga të 32 xhamitë në Prizren, 30 sosh u shndërruan në baraka ushtarake, depo municioni dhe stalla…”[6] “Vetëm nga Myftinia e Prizrenit u konfiskuan 60 hektarë tokë.”[7] Në shënjestër kanë qenë edhe paria fetare, hoxhallarët, të cilët janë përndjekur njësoj si xhamitë. Shkatërrimet kanë qenë të gjithanshme. Pronat u janë dhënë serbëve.
Në kuadër të shkatërrimeve të përgjithëshme, një kulturocid shfarosës e ka përjetuar edhe Kalaja e Prizrenit dhe xhamia. Disa studiues thonë se xhamia e kalasë është rrënuar në vitin 1913[8], porse një gjë është e sigurt, se ushtria okupatore serbe, menjëherë pas okupimit të Prizrenit, pra në vitin 1912, e shkatërroi xhaminë si dhe objektet e tjera në Kala. Nuk ka të dhëna se kush ishte imam i fundit në xhaminë e Kalasë për kohët e namazeve ditore, por ajo që dihet, natyrisht sipas mbamendjes kolektive, se në kohën e rrënimit të xhamisë, imam – hatib për namazin e xhumasë ka qenë haxhi Rrystem ef. Shporta. Po ashtu, dihet se më 1913, me urdhërin e gjeneralit Bozho Jankoviç, komandant i Armatës II serbe u hoq ora nga Sahat Kulla në Kala.[9]
Por, ç’e do që minareja e xhamisë, ka mbijetuar për disa vite pas rrënimit të objektit të xhamisë. Si dëshmi e kësaj është një foto e minaresë, e vitit 1917, në të cilën duken qartë rrënojat e objektit të xhamisë, gjersa minareja qëndron e padëmtuar, me përjashtim të kulmit të saj (piramidës), që është punim nga druri.
Foto 1: Xhamia e Kalasë 1917[10]
Mendoj, se kanë qenë dy arsye për mbijetesën e saj edhe për disa vite më vonë. E para është vetë kompleksiviteti për rrënimin e saj, pasiqë një gjë e tillë ka ndodhur, ta zëmë, edhe me minarenë e xhamisë “Arasta” në pjesën urbane të Prizrenit, gjersa, sot, fatmirësisht ekziston minareja. Dhe, e dyta, me rrënimin e objektit të xhamisë, në fakt ishte përmbushur aspirata kulturocide e pushtuesit, e çështja e minaresë, megjithatë ka mundur të mos jetë preokupim urgjent, për shkak të luftrave ballkanike, ku secili shtet ishte kapur për brengën e vet dhe kishte prioritete të tjera mbrojtëse. Ky konstatim, mund të jetë relevant, me vetë faktin që serbët, pas një kohe të shkurtër, pra më 26 nëntor 1915 u detyruan të largohen dhunshëm nga Prizreni, duke e lënë teritorin nën okupim të bullgarëve.
4) Rrënimi i minaresë në vitin 1917
Sakaq, fati i keq për minarenë e Kalasë, fillon pas vitit 1915, kur Prizreni bie nën okupimin e bullgarëve. Nismën shkatërrimtare të çdo gjëje shqiptare dhe islame, që e nisën serbët, në vitin 1912, e vazhduan bullgarët me intenzitet të njëjtë dhe më shumë. Periudha prej vitit 1912 deri në vitin 1918, kur është vendos “armëpushimi” rajonal, që i hapi rrugë mbajtjes së Konferencës së Paqës, në Versajë të Parisit, 8 qershor 1919, ka qenë periudha më e errët e historisë për shqiptarët e Kosovës. Gjatë kësaj kohe nuk është kursyer asgjë nga pushtuesit serbë dhe bullgarë. Përshkrimet e autorëve të huaj për gjenocidin dhe kulturocidin e ushtruar mbi popullin shqiptar janë marramendëse.
Qytetarët e vjetër të Prizrenit, transmetojnë informacionet e të parëve në lidhje me pushtimin e Prizrenit nga bullgarët, duke e përshkruar si një pushtet jashtëzakonisht barbar, ku njerëzit kanë vdekur nga uria dhe, në mungesë të ushqimit kanë hangër lëvozhgat e drunjëve. Sipas tyre, minarenë e xhamisë e kanë shkatërruar pikërisht bullgarët, në vitin 1917. Në të vërtetë, kjo vërtetohet edhe në bazë të një dokumenti arkivor, i cili nuk ka qenë i ditur deri vonë. Studiuesi Marenglen Verli, sjell raportin e majorit turk “ Subhi”, që mban titullin “Informacion për reprezaljet e ushtrisë bullgare ndaj popullsisë shqiptare në zonën e tyre të pushtimit, gjatë luftës së parë botërore”, e që flet drejtpërdrejt për rrënimin e minaresë. Në këtë raport sekret, datë 25 maj 1917, Majori jepte informacione të zgjeruara, e në mesin e të tjerave, ai e thotë edhe këtë: “Kur hynë në Prizren bullgarët thyen gati të gjitha dyqanet dhe i grabitën (…). Shembën në Prizren minarenë e xhamisë së Kalasë dhe bën grabitje. Komandanti i lajmëruar s’mori asnjë masë.”[11]
Që nga ajo kohë, pra nga viti 1912, përkatësisht 1917, xhamia dhe minareja e saj kanë vazhduar të qëndrojnë të rrënuara përtokë. Le ta themi edhe këtë se në ato vite të shkatërrimit, mbijetojat e mureve të xhamisë, megjithatë kanë qenë të larta. Mirëpo, si një hapësirë e pambrojtur, këto mure i nënshtrohen rrënimit të mëtutjeshëm përtokë.
Foto -2: Xhamia e kalasë, 1969
Sipas transmetimeve të njerëzve të kohës, besohet se shkatërrimi rapid i xhamisë dhe Kalasë në përgjithësi bëhet sidomos gjatë viteve 1930-1933, kur gurët e gdhendur – çmueshëm merren dhe shfrytëzohen për ndërtimin e objektit të gjimnazit të Prizrenit, i cili që nga viti 1943, njihet si gjimnaz real “Gjon Buzuku”. Këtë fakt e përmend studiuesi nga Prizreni, Muhamed Shukriu, i cili edhe ka qenë në krye të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve në Prizren. Ai në librin e tij, Prizreni i Lashtë, sjellë dëshminë e mjeshtrit Shefik Palla, i cili thotë se gurët lëshoheshin nga muret fortifikuese të Kalasë te bregu i majtë i Lumbardhit të Prizrenit, e pastaj barteshin me qerre kuajsh në lokacionin në Terzimahallë, ku ndërtohej godina e Gjimnazit. Marrja e gurëve nxitoi shkatërrimin e Kalasë, andaj me rastin e kërkimeve arkelogjike më 1972, u gjetën fare pak materiale arkeologjike, të cilat sot gjenden në Muzeun Arkeologjik të regjionit të Prizrenit.[12] Pra, prej kësaj kohe, niveli i mureve të xhamisë, gradualisht është ulur gjithnjë e më shumë. Sipas një fotografie të vitit 1969, mbijetojat e mureve kanë qenë më të larta se ç’janë aktualisht. Fatkeqësisht, ky degradim i xhamisë dhe kalasë ka vazhduar edhe pas hyrjes së Kalasë nën kujdesin shtetëror, në vitin 1948, për të vazhduar deri në vitin 2009, kur fillojnë punimet e restaurimit, të cilat janë duke vazhduar edhe gjatë vitit 2017.
(Punim i botuar në: “Dituria islame”, nr.320, qershor, 2017)
(Vijon…)
_________________________________
[1] Shih: Hasan Kaleshit dhe Ismail Eren “Mahmud Pashë Rrotlla nga Prizreni-përshpirtënimet dhe vakëfnameja e tij”, përgatiti Ismail Rexhepi & Sadik Mehmeti, botuar në revistën Edukata Islame – revistë shkencore, kulturore islame tremujore, Prishtinë, nr.81/2006, fq.183-186.
[2] Resul Rexhepi – Sadik Mehmeti, H. Rrystem ef. Shporta, jeta dhe vepra (1864-1937), monografi, Prishtinë, 2010, fq.38.
[3] Muhamed Shukriu, Prizreni i lashtë, Prizren, 2001, fq. 270.
[4] Faik Miftari, Pse duhet të rindërtohet xhamia në Kala të Prizrenit?, sipas: http://www.gazetaimpakt.com/lajm/14966/pse-duhet-te-rindertohet-xhamia-ne-kala-te-prizrenit/, publikuar më datë:08.11.2016, data e citimit:10.11.2016.
[5] Noel Malcom, Kosova një histori e shkurtër, Koha, Prishtinë, 2001, fq. 265.
[6] Noel Malcom, Kosova…, po aty, fq. 269.
[7] Marenglen Verli, “Orientimi i reformës agrare kolonizuese të mbretërisë jogusllave mbi fshatarësinë shqiptare myslimane dhe pasojat e saj”, kumtesë e botuar në: Feja, kultura dhe tradita islame ndër shqiptarët (simpozium ndërkombëtar i mbajtur në Prishtinë më 15, 16, 17 tetor 1992), Kryesia e Bashkësisë Islame e Kosovës, Prishtinë, 1995, fq.467.
[8] Abib Ahmedi, Theranda – Prizreni ndër shekuj, Prizren, 1996, fq.127.
[9] Shih: Resul Rexhepi – Sadik Mehmeti, H. Rrystem ef. Shporta, jeta dhe vepra (1864-1937), monografi, po aty, fq.38.
[10] Historiani nga Prizreni, prof. Afrim Topqideri, thotë se kjo foto i përket vitit 1917 dhe është zbuluar në arkivin e Shkodrës. Shënim nga biseda me Afrim Topqideri, datë 19.10.2016.
[11] Arkivi Qendror i Shqipërisë, Fondi i Komitetit të Kosovës, viti 1917, dos.25, dok.50744, cituar sipas: Marenglen Verli, Shqipëria dhe Kosova – historia e një aspirate, Tiranë, 2007, vëll.I, fq.189.
[12] Shih:Muhamed Shukriu, Prizreni i lashtë, po aty.