Mr. Orhan Bislimaj

Kurbani testim i devotshmërisë

(Shpjegim akaidologjik i fjalës së Allahut xh.sh.)

 

Allahu i Lartësuar në Kur’anin Famëlartë ka thënë:

لَنْ يَنَالَ اللَّهَ لُحُومُهَا وَلَا دِمَاؤُهَا وَلَكِنْ يَنَالُهُ التَّقْوَى مِنْكُمْ

“Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre (kurbanëve), por tek Ai arrin

devotshmëria e juaj…” (Kur’ani, El-Haxh, 37).

 

Hyrje

Ky ajet, flet pikërisht për kurbanin dhe synimin e tij. Fjala ‘kurban’ është fjalë e gjuhës arabe, dhe rrjedh nga folja ‘karibe’ (قَرِبَ) ‘jakrebu’ (يَقْرَبُ) dhe infinitivi bën ‘kurben’ (قُرْبًا) dhe ‘kurbanen’ (قُرْبَانًا), që do të thotë: ‘çdo gjë me të cilën synohet afrimi tek Allahu i Madhëruar, qoftë duke therur (kafshë) apo nëpërmjet formave të tjera’ (كلُّ ما يَتَقَرَّبُ به إلي الله عز و جل من ذَبِيحَةٍ و غيرها).[1] Ndërsa, ‘kurbani’ si term fetar, nënkupton flijimin e kafshës adekuate, duke e synuar me të devotshmërinë dhe afrimin tek Allahu i Lartësuar. Kjo bëhet në ditët e festës së ‘kurban bajramit’, dhe është obligim (vaxhib) për muslimanin e mençur, moshërritur, i lirë, vendës dhe që ka vlerën e pasurisë (nisabin[2]), po mund të bëhet edhe në çdo kohë tjetër si adhurim (ibadet) vullnetar.

 

Shpjegimi i ajetit dhe realiteti i ‘kurbanit’

Ajeti i lartëpërmendur, koncepton realitetin e vërtetë të flijimit të kurbanit dhe qëllimin e tij si akt fetar (ibadet). Fjala e Allahut se, “Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre (kurbanëve), por tek Ai arrin devotshmëria e juaj…”, reflekton domethënien e dyfishtë, dhe atë në kontekst të shkaqeve të zbritjes së ajetit dhe në kontekst të ibadetit të kurbanit.

 

1. Konteksti i zbritjes së ajetit

Sa i përket këtij aspekti, ajeti në fjalë ka ardhur për të sqaruar konceptin e drejtë të kurbanit dhe për të mohuar konceptet naive të periudhës së injorancës (periudha para Kur’anit apo xhahiljeti) përkitazi me kurbanin dhe destinimin e tij. Komentuesit e njohur të Kur’anit Famëlartë, në komentarët e tyre ofrojnë verzione të përafërta në lidhje me këtë ajet. Sipas tyre, transmetohet se mekkasit e periudhës së injorancës dhe të tjerë, flijonin kurbanë për zotërat e tyre, që i adhuronin. Mishin e atyre kurbanëve, e vendosnin mbi shtatin e idhujve, ndërsa me gjakun e tyre i lyenin idhujt dhe muret e Qabesë. Por, ç’e do që veprime të ngjashme donin të bënin edhe disa prej muslimanëve!? Në lidhje me këtë, transmeton Iben Ebi Hatim nga Ibni Xhurejxhi, i cili ka thënë:

“Njerëzit në periudhën e injorancës i zbukuronin muret e Qabesë duke vjerrur mishin e deveve dhe duke i spërkatur ato me gjakun e tyre. Shokët e Pejgamberit a.s. thanë: O i Dërguari i Allahut, ne kemi më shumë të drejtë ta bëjmë një gjë të tillë rreth Qabesë se sa ata (pabesimtarët) (فنحن أحق أن ننضح). Andaj, Allahu i Lartësuar e zbriti ajetin se “Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre (kurbanëve), por tek Ai arrin devotshmëria e juaj…” (El-Haxh, 37).” Duke vërtetuar se tek Ai arrin vepra e mirë, adhurimi, dhe aspektet e tij, e jo ato veprime të çuditshme, të iritueshme dhe iracionale, që bënin njerëzit injorantë. Ky ajet, në fakt e qartësoi esencën e kurbanit, se ai synon ngritjen e devotshmërisë dhe përsosjen e saj, e jo aspektin fizik të mishit dhe gjakut.

Veç kësaj, Allahu i Lartësuar me këtë citat kur’anor konfirmon rrugën e drejtë të besimit në Allahun, se Ai nuk është materje, nuk është i kufizuar në vend dhe hapësirë, e as nuk ka formë të përcaktuar, për dallim nga besimi devijant i mekkasve injorantë. Sipas bindjeve të tyre, Zoti duhet të jetë gjësend dhe në një vend, që shihet me sy, që preket me dorë, dhe ku ata mund t’ia servojnë kurbanin dhe t’i ofrojnë gjakun e tij.

Kundrejt këtyre bindjeve qesharake, Allahu i Lartësuar vërteton se Ai është i pastër nga ajo që ata i përshkruanin zotërave të tyre, dhe se Ai nuk ka nevojë për asgjë, e lëre më për gjakun apo mishin e kurbanëve. Ai është i Gjithëpasuri, ndërsa njeriu ka nevojë për flijimin e kurbanit dhe për Allahun.

 

2. Konteksti i ibadetit të kurbanit

Ndërsa në kontekst të ibadetit të kurbanit, ajeti në fjalë: “Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre (kurbanëve), por tek Ai arrin devotshmëria e juaj…”,  vërteton se manifestimi i kurbanit është tërësisht i lidhur me bindjen e njeriut, besimin e tij të drejtë, dhe sinqeritetin e tij në flijimin e kurbanit. Në fakt, flijimi i kurbanit, paraqet vetëm demonstrimin praktik të asaj që njeriu e ka në zemrën e tij. Sipas kësaj, mishi, gjaku, dhe aspektet tjera lëndore të ‘kurbanit’ nuk janë vetë ibadeti i kurbanit, por ato janë manifestim i atij ibadeti. Ngjashmërisht me këtë janë të gjitha ibadetet tjera në fenë Islame.

Ta marrim për shembull namazin. Falja e namazit themelohet në çiltërsinë e zemrës dhe vendosmërinë e saj imanore (besimore) për ta kryer atë. Kjo është e vërteta e synimit të namazit. Ndërsa aplikimi i tij sipas formës adekuate, me ‘kijam’, ‘ruku’, ‘sexhde’, etj., është vetëm një demonstrim praktik, që manifeston mënyrën e realizimit të namazit, në kuptimin e tij si adhurim dhe lidhje me Krijuesin. Kjo bëhet edhe më e qartë te namazi i të sëmurit, i cili për shkak të shëndetit të dobët, nuk mund ta realizojë formën fizike të namazit. Për kundër kësaj, vlefshmëria e namazit të tij, nuk lidhet as me rukun, as me sexhden, e as me kijamin, por me intensitetin e fortësisë së besimit të tij, dhe çiltërsinë e qëllimit të faljes së namazit.

Njësoj është edhe me kurbanin. Kur i Lartësuari po thotë se “Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre (kurbanëve), por tek Ai arrin devotshmëria e juaj”, konsiston se ato nuk janë vetë qëllimi, por janë në destinacion të mjeteve që e mundësojnë realizimin e qëllimit. Ato, mishi, gjaku dhe pjesët tjera të kurbanit, duke qenë se janë lëndore, janë në dispozicion të vendimeve besimore, dhe se flijimi i kurbanit është produkt i devotshmërisë, që buron nga fortësia e besimit në zemër dhe pastërtia e qëllimit. Kjo e veçon muslimanin që flijon kurban, kundrejt atij që nuk flijon kurban. Ata, nuk mund të krahasohen për nga intensiteti i fortësisë së imanit dhe vëllimi i devotshmërisë. Për këtë arsye, themi se zbatimi i flijimit të kurbanit, si një obligim për muslimanin përkatës, është “testim i devotshmërisë”.

 

Kurbani’ testim i devotshmërisë

Ibadeti i kurbanit është ibadet nëpërmjet pasurisë. Të gjitha ibadetet që manifestohen nëpërmjet pasurisë, kanë një pozitë të veçantë tek Allahu i Lartësuar, për arsye se pasuria është ndër më të dashurat e njeriut. Muslimanit, për ta përmbushur një ibadet trupor, sikurse është namazi, agjërimi, etj., i nevojitet përgatitje e njëfishtë dhe nuk humb asgjë, përpos angazhimit fizik. Mirëpo, për ta kryer një ibadet për të cilin nevojitet pasuria (عبادة مالية), sikurse është kurbani, zeqati, sadakatu’l-fitri etj., atij i nevojitet përgatitje e dyfishtë: gatishmëria e vetvetes dhe shpenzimi i pasurisë.

Në këtë konatacion, ibadetet që bëhen me pasuri, janë specifike dhe mbase të privilegjuara tek Allahu nga ibadetet e tjera. Secili njeri punon për të siguruar ekzistencën e tij, po edhe për t’u pasuruar. Për të ardhur deri te pasuria, atij i nevojitet kohë, mund dhe sakrificë. Për shkak të këtyre karakteristikave, dhe sepse pasuria përbën mjetin ideal për t’i arritur qëllimet dhe kënaqësitë në jetë, bën që ajo të çmohet tej mase nga njeriu. Prandaj, kur është fjala për pasurinë, njeriu shfaq rezervë dhe dhembshuri për shpenzimin e saj.

Kjo është arsyeja përse kurbani është një testim i devotshmërisë në mes të muslimanëve. Kurbani, duke qenë pasuri (mall) e dallon muslimanin e sinqertë në besim kundrejt muslimanit jo të sinqertë në besim. Ngase, për ta realizuar ibadetin e kurbanit, nevojitet shpenzimi i pasurisë, pikërisht i asaj që njeriu e do mjaftë shumë. Muslimani i sinqertë, pa marrë parasysh dashurinë për pasurinë, nuk heziton ta zbatojë këtë ibadet për hirë të Allahut dhe festën e kurban bajramit, e pret me gëzim, lumturi dhe kënaqësi të madhe. Mirëpo, në anën tjetër, muslimani që nuk është i sinqertë në imanin e tij, shpenzimin e pasurisë e përjeton shumë rëndë, dhe për pasojë i mungon gatishmëria për të flijuar kurban.

Përveç kësaj, kurbani, në cilësinë e tij si test i devotshmërisë, ka një rol të rëndësishëm dhe vendimtar edhe te vetë ata që flijojnë kurban. Sepse, disa e bëjnë me shumë kënaqësi, e ka të atillë, që flijimin e tyre e shoqërojnë me dhimbshuri koprracie apo implikime të tjera. Prandaj, edhe nëse të gjithë janë të barabartë nga aspekti i flijimit të kurbanit në cilësinë e tij si pasuri, ata kanë dallime nga aspekti i devotshmërisë në kontekst të flijimit të kurbanit. E, pikërisht, përse devotshmëria e ka këtë rol, ajo është e kërkuar nga Allahu dhe e vlerësuar prej Tij. Andaj edhe ka thënë:

وَلَكِنْ يَنَالُهُ التَّقْوَى مِنْكُمْ

por tek Ai arrin devotshmëria e juaj…” Pra, tek Ai arrin gjendja e besimit dhe niveli i dashurisë dhe sinqeritetit ndaj Allahut me rastin e flijimit të kurbanit.

Sipas këtij ajeti bëhet e qartë se tek Allahu është e rëndësishme cilësia shpirtërore e muslimanit dhe performanca e saj në flijimin e kurbanit. Zemra që pulson dashuri të vërtetë ndaj Allahut, e ka arritur pjekurinë e nevojshme, më se ajo pulson fuqishën për respektimin e flijimit të kurbanit, në cilësinë e tij si adhurim. Kjo arrin tek Allahu para se të flijohet Kurbani, apo çdo ibadet tjetër. Hadithi në vijim e vërteton atë që dëshirojmë ta themi:

إن الصدقة لتقع في يد الرحمن قبل أن تقع في يد السائل، وإن الدم ليقع من الله بمكان قبل أن يقع على الأرض

Sadaka arrinë tek Allahu para se t’i jepet nevojtarit. Po ashtu gjaku i kurbanit arrinë tek Allahu para se të bie në tokë.”

Pra, ky intensitet i devotshmërisë, që arrin tek Allahu, është matësi ideal që e peshon vlerën e aktit të kurbanit që e flijojnë muslimanët. Në lidhje me këtë Pejgamberi a.s. ka thënë:

قَالَ رَسُولُ اللَّهِ صَلَّى اللَّهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ إِنَّ اللَّهَ لَا يَنْظُرُ إِلَى أَجْسَادِكُمْ و لا إلي صُوَرِكُمْ وَلَكِنْ يَنْظُرُ إِلَى قُلُوبِكُمْ وَأَعْمَالِكُمْ التَّقْوَى هَاهُنَا، التَّقْوَى هَاهُنَا، َيُشِيرُ إِلَى صَدْرِهِ

 “Allahu nuk e vlerëson fizionominë tuaj e as formën tuaj, por Ai e vlerëson devotshmërinë e zemrës dhe sinqeritetin e veprave tuaj. Devotshmëria është këtu, devotshmëria është këtu, duke bërë shenjë me dorë kah zemra në gjoksin e tij.[3]

 

Kurbani’ sinonim i udhëzimit të drejtë

Kurbani, si një testim i devotshmërisë së muslimanit, është edhe arbitër që tërheqë paralelen ndërmjet të vërtetës dhe të pavërtetës. Sepse, në rrethana të barabarta, muslimani që pret kurban posedon merita të veçanta tek Allahu, kundrejt atij i cili ka mundësi, e nuk pret kurban. I pari, me veprimin e tij, e ka deklaruar udhëzimin e tij në rrugën e drejtë, për dallim nga i dyti që nuk ka reflektuar asgjë në këtë drejtim.

Madje, urtësia e zbatimit të obligimeve fetare, në këtë rast e kurbanit, është për të vërtetuar se kush do t’i bashkohet të vërtetës, e kush do t’i shmanget asaj. Këtë urtësi, Allahu i Lartësuar ia pati shpallur Ademit a.s., që t’i urdhërojë djemtë e tij të prejnë kurban, pikërisht për ta nxjerrë në shesh “të vërtetën e patundshme”. Në lidhje me këtë në Kur’an ka ardhur:

وَاتْلُ عَلَيْهِمْ نَبَأَ ابْنَيْ آَدَمَ بِالْحَقِّ إِذْ قَرَّبَا قُرْبَانًا فَتُقُبِّلَ مِنْ أَحَدِهِمَا وَلَمْ يُتَقَبَّلْ مِنَ الْآَخَرِ

Lexoju (Muhammed) atyre (jehudive e të tjerëve) ngjarjen e vërtetë të dy djemve të Ademit, kur të dy flijuan kurban, nga të cilët njërit iu pranua, ndërsa tjetrit nuk iu pranua…” (El-Maide, 27).

Pranimi i kurbanit tek Allahu, i njërit prej dy djemve të Ademit a.s., është e barabartë me aplikimin e prerjes së kurbanit, që e bën ymeti i Muhamedit a.s.. Nëse, në atë kohë, Ademi a.s. ka patur mundësi t’ia komunikojë lajmin e pranimit të kurbanit djemve të tij, brenda një kohe të shkurtër, e tëra për ta qartësuar të vërtetën e çështjes së tyre, kjo mundësi nuk është për ymetin e Muhamedit a.s.. Fjala është për kurbanin që flijohet vetëm për hirë të Allahut dhe me të cilin synohet arritja e devotshmërisë, e jo për një kurban që kryhet formalisht dhe pa vetitë e duhura. Por, në analogji me këtë, vetë akti i flijimit të kurbanit, sipas mënyrës të cilën e aplikojmë ne si ymet, bashkohet në esencë me aktin e kurbanit të djemve të Ademit a.s., në kuptimin e konfirmimit të së vërtetës dhe identifikimin e të drejtës. Domethënë, djalit të Ademit a.s. iu pranua kurbani, ngase ai ishte në të drejtën e kërkuar, e që konvergjon plotësisht me atë që pret kurban nga ymeti i Muhamedit a.s.. I tilli është në të drejtën. Ndërsa, djalit tjetër nuk i pranua kurbani, ngase nuk ishte në të drejtën, e që është sinonim me atë që nuk pret kurban prej ymetit të Muhamedit a.s. se i njëjti nuk është në të drejtën. Në lidhje me këtë Pejgamberi a.s. ka thënë:

مَنْ وَجَدَ سَعَةً فَلَمْ يُضَحِّ فَلَا يَقْرَبَنَّ مُصَلَّانَا

Ai që ka mundësi, e s’pret kurban, të mos afrohet në xhaminë tonë.”[4]

 

Kurbani’ ngjadhnjim i muslimanit

Po ashtu, kurbani është një ngadhnjim i vërtetë i muslimanit. Njeriu vazhdon të jetojë ndërmjet mendimeve konstruktive dhe atyre destruktive. Këto refleksione nuk mund të qëndrojnë indiferente edhe me rastin e vendosmërisë për të zbatuar obligimin e flijimit të kurbanit. Për një moment muslimani përballet me një sprovë ndaj vetvetes:  të respektojë urdhërin e Allahut për kurban, e ta fitojë sprovën, dhe të dalë faqebardhë tek Allahu, apo të mos respektojë urdhërin e Tij, e të ngel i koritur para Allahut.

Pikërisht devotshmëria e njeriut e ka këtë rol që t’i triumfojë mendimet e mira, e t’i eleminojë mendimet e liga. Në këtë rast, mendimi konstruktiv duhet të dominojë. Është e vërtetë se njeriu e lakmon pasurinë dhe dashuria e tij për të është shumë e madhe, por dashuria e muslimanit për Allahun duhet të jetë mbi të gjitha. Para një situate të tillë ishte gjetur dikur edhe Halilull-llahi – miku i Allahut, Ibrahimi a.s.. Madje ai qe sprovuar nga Allahu me sprovën më të rëndë, që ta bëjë kurban djalin e tij, atë që njeriu e do më shumë se pasurinë dhe çdo gjë tjetër. Ishte urdhëruar të vejë brisk mbi loçkën e zemrës së tij, mbi Ismailin a.s., që Allahu ia kishte falur në moshë të pleqërisë së thellë. Mbi atë, që ishte jeta e tij dhe mburoja e tij e vetme në kohën kur ai më së shumti do të kishte nevojë për të.    Ndonëse, e donte shumë djalin e tij, megjithatë dashuria e Ibrahimit a.s. ndaj Allahut ishte mbi të gjitha. Prandaj, kur iu kërkua që ta vejë në peshojë këtë dashuri, ai e vërtetoi dashurinë për Allahun me vepër, pra, duke e çuar në vend urdhërin e Tij, dhe pa mëdyshje iu drejtua djalit të vet:

يَا بُنَيَّ إِنِّي أَرَى فِي الْمَنَامِ أَنِّي أَذْبَحُكَ

“O djali im, unë kam parë (jam urdhëruar) në ëndërr të pres ty…” (Es-Saf-fat, 102). Fjalë e madhe kjo apo jo? Mirëpo, ç’e do që, as Ibrahimi a.s. e as Ismaili a.s. nuk e hezituan për asnjë moment këtë urdhër të Allahut. Që të dy iu dorëzuan urdhërit të Zotit. Kur Ibrahimi a.s. e shtriu në tokë djalin e tij për ta prerë, pra për ta bërë kurban, Allahu i Lartësuar, në moment i përgjigjet gatishmërisë së Ibrahimit a.s., respektivisht devotshmërisë së tij,  duke i thënë:

وَنَادَيْنَاهُ أَنْ يَا إِبْرَاهِيمُ قَدْ صَدَّقْتَ الرُّؤْيَا … إِنَّ هَذَا لَهُوَ الْبَلَاءُ الْمُبِينُ وَفَدَيْنَاهُ بِذِبْحٍ عَظِيمٍ

         “O Ibrahim, ti tashmë e zbatove ëndrrën!. (…) Vërtet, kjo ishte sprovë e qartë. Ne e shpaguan atë me një të therrur (kurban) të rëndësishëm.” (Es-Saf-fat, 104-105).

Allahu, nuk e la ta zbatojë ëndrrën gjer në fund, ngase nuk ishte caku përfundimtar flijimi i djalit. Por, ishte sprovimi i devotshmërisë së Ibrahimit a.s. dhe ngadhnjimi i tij ndaj saj. Domethënë, për Allahun nuk ishte e rëndësishme flijimi i djalit apo i kurbanit, sa ishte e rëndësishme vërtetimi i devotshmërisë ndaj Allahut. Ky është edhe konteksti i ajetit: “Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i tyre (kurbanëve), por te Ai arrin devotshmëria e juaj…”.

Për këtë akt sublim të Ibrahimit a.s., Allahu dëshmoi për të shpërblim të madh duke thënë:

سَلَامٌ عَلَى إِبْرَاهِيمَ كَذَلِكَ نَجْزِي الْمُحْسِنِينَ

“Selam (shpëtim e paqë) pastë Ibrahimi! Kështu në këtë mënyrë ne i shpërblejmë bamirësit! (Es-Saf-fat, 104-105). Ngjashmërisht me këtë, muslimani që e respekton flijimin e kurbanit, ka bërë një akt të bamirësisë dhe meriton shpërblim të madh tek Allahu i Lartësuar. Me të, ai ka bashkuar njëkohësisht: aktin e besimit të vërtetë dhe aktin e bamirësisë nëpërmjet shpërndarjes së mishit të kurbanit. Nga ky aspekt, edhe shpërndarja e mishit, njësoj sikurse edhe vetë akti i kurbanit, kanë një rrugëtim të përbashkët me një adresë të vetme, e që është devotshmëria, për të cilën i Lartësuari ka thënë se arrin tek Ai.

 



[1]El-Mu’xhemu’l Vesit” (grup autorësh), pjesa e parë dhe e dytë, Darud-da’veti, 1989/1410, Stamboll, Turqi, fq. 723. Me këtë kuptim, fjala kurban ka ardhur në ajetin: (El-Maide, 27).

[2] Nisabi nënkupton vlerën e pasurisë, e cila obligon prerjen e kurbanit.  

[3] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[4] Transmeton Imam Ahmedi dhe Ibni Maxheh.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *