“Jeto si jabanxhi ose si kalimtar rasti!”

(Dersi i xhumasë)

Pejgamberi a.s. ia kishte çit dorën mbi supe Ibni Omerit (r.a.) dhe i kishte thënë: “Jeto në këtë dynja si me qenë jabanxhi ose si kalimtar rasti.” (كُنْ في الدُّنْيا كأَنَّكَ غريبٌ، أَوْ عَابِرُ سبيلٍ)

Me të vërtetë, këtë hadith sa herë që e kam lexuar më është dukur tepër interesant dhe domethënës.

Është inspirues, sepse direkt ia qartëson njeriut konceptin real për dynjanë dhe ahiretin.

1) “Jeto si me qenë jabanxhi (garib).” Jabanxhia nuk e njeh vendin mirë, andaj edhe nuk lidhet shumë emocionalisht me atë vend.

Përkundrazi, preokupim kryesor e ka kthimin në vendin e tij.

Ky hadith ma çon mallin e kurbetçarëve tanë, të cilët, edhe pse kanë jetuar gjatë në kurbet, madje më shumë se sa në vendlindje, megjithatë kanë jetuar si jabanxhi, pra me idenë për kthim përfundimtar në vendlindje.

Për këtë arsye edhe e kanë dashtë shumë vendlindjen.

(Fatkeqësisht, tash kanë ndryshuar gjërat…)

E Pejgamberi a.s. po na këshillon që mos të rrafshohemi shumë në dynja, ashtu siç nuk rrafshohet jabanxhia. Destinacioni i njeriut është ahireti. Sepse, dynjaja është e poshtër, e egërson zemrën e njeriut dhe shndërrohet në torturë agresive.

Këtu përthyhen të gjitha belatë mes njerëzve.

Hazreti Ademi a.s., kishte rënë në kurthin e shejtanit kur e kishte hëngër pemën e ndaluar, nga lakmia se do të bëhet i përgjithmonshëm.

Edhe sot shumë njerëz nga lakmia për dynjanë, prishen me të gjithë.

Ibni Omeri tha: “Kur të biesh në mbrëmje, jeto me idenë se nuk të çelë sabahi dhe e kundërta.”

2) “Ose si kalimtar rasti (abiru sebil).”

Për shembull, nëse një i huaj ka ardhur në Prizren, sado që mund të kënaqet me bukuritë e Prizrenit, megjithatë ai e di se është kalimtar dhe nuk mund ta marrë me vete Prizrenin.

Pejgamberi a.s. në një hadith tjetër thotë: “Puna ime me dynjanë është sikur e një kalimtari, i cili pushon nën hijen e një peme, relaksohet, por pastaj çohet edhe e lë atë.”

Njeriu që e kupton kësisoji pozicion e tij me dynjanë, ndërgjegjësohet dhe bëhet autokritik. Sado që mund da dojë dynjanë, megjithatë më shumë e do ahiretin…!

Orhan Bislimaj

25 gusht 2023

Terxhuman Iskender, Prizren

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *