Mos u mërzit për njerëzit…!
(Dersi i xhumasë)
Subhanallah, po jetojmë në një kohë, kur më shumë njerëzve u pengon pse shkojsh n’xhami, se sa pse dehesh me raki.
Në vend se ta përgëzojmë atë që ka filluar të falë namaz, që i është kthyer rrugës Zotit, e aq më shumë që i ka lënë maskarallëqet, ne çohemi kundër tij dhe e ofendojmë bigajrihak.
Kjo zhurmë, shpeshherë shkakton shqetësim te namaztarët e sidomos te të rinjtë.
Moti kohë, kur isha student, një profesor i Fakultetit Filologjik më tha hiqju atij Kur’anit, është përrallë s’ka gjë n’të…, edhe shumë më pati irituar. Pastaj, ma pat bërë Zoti tollusum atë insan…
Edhe pse pak në numër, megjithatë akoma ka të tillë që në orë mësimore tallën me studentët që falin namaz. Hajde ti ‘taliban’, hajde ti ‘baba haxhi’, hajde ti ‘hoxhë’, janë disa prej stigmatizimeve që profesorët ua bëjnë studentëve fetarë!?
Allahu e përmend në Kur’an talljen e nënçmimin e pabesimtarëve që ia kanë bërë Pejgamberit a.s., e thotë:
“Ne e dimë mirë se ti (o Muhamed) ngushtohesh shpirtërisht për atë që thonë ata. Po ti madhëroje me falënderim Zotin tënd e vazhdo me sexhde (namaz). Dhe, adhuroje Zotin tënd deri të vijë ty vdekja.” (El-Hixhr, 97-99).
Në këto tri ajete, Allahu ia tregoi ilaçin për qetësimin e shpirtit, përmes katër pikave:
– Et-tesbih, çdo herë kur ofendohesh, thuaj Subhanallah (Madhërimi i takon Zotit);
– Et-tahmid, çdo herë kur të nënçmohesh, thuaj Elhamdulilah (Falënderimi i takon Zotit që më udhëzoi),
– Es-Suxhud, çdo herë kur përbuzesh, ti vazhdo me sexhde – fal namaz, sepse sa më i nënshtruar para Allahut aq më i ngritur para njerëzve; dhe
– El-ibadetu, gjithmonë adhuroje Zotin e mos u dekurajo prej njerëzve.
Ky terapion vlen për secilin që përballet me siklete njerëzore dhe të tjera.
E kush e fiton razinë e Zotit, Ai i mjafton atij kundër armiqve, sikurse i tha Allahu Pejgamberit a.s.: “S’ka dyshim se Ne të mjaftojmë ty kundër atyre që tallen.” (El-Hixhr, 95).
Orhan Bislimaj
Korishë, Prizren
8 shtator 2023