Sot, më datë 29 shtator 2023, e pata për nder që ta mbaj ligjëratën e xhumasë në xhaminë e Malishevës, me titull “Muhamedi a.s., ai që bëri ndarjen e epokave”, në kuadër të programit me rastin e shënimit të Mevludit – Datëlindjes së Muhamedit a.s., organizim nga KBI-Malishevë.

1.

Me lindjen e Pejgamberit a.s. bota ndryshoi e në shoqërinë njerëzore filloi një epokë e re.

Brenda 23 viteve, arabët e shkretëtirës u shndërruan në qytetar të rendit të parë, gjersa i dhanë botës, dije, kulturë e civilizim.

Perandoritë e kohës, ajo bizantine e persiane, shumë shpejt e lëshuan frontin e kontrollit.

A na ka shkuar ndërmend të pyesim ndonjëherë, se kush ndikoi në këtë ndryshim rrënjësor e gjithëpërfshirës.

Po flasim për shekullin e VII-të, ku Pejgamberi a.s. e ndërtoi shtetin dhe e nxori kushtetutën e Medinës që konsiderohet e para në nivel të njerëzimit.

Pa dyshim, këtë ndryshim e bëri feja dhe vetëm feja.

Sot, e gjithë bota bazohet në metodat e Pejgamberit a.s., sociale, politike, diplomatike e të lidershipit.

Edhe “Pakoja e Ahtisarit” për statusin e Kosovës, pothuajse e ka kopjuar metodologjinë e Pejgamberit a.s. që e kishte aplikuar me komunitetet fetare dhe etnike në ndërtimin e qytet – shtetit të Medinës, në vitin 622. (shih:http://www.orhanbislimaj.com/ob/?p=100 )

2.

Si sot që njerëzit shkojnë për t’u shkolluar në Universitetet prestigjioze të botës, asokohe njerëzit shkonin te Pejgamberi i Zotit, në Mekkë e Medinë, nga e gjithë bota.

Edhe hebrenjtë dhe të krishterët e dinin se feja Islame e bënte dallimin e madh, ngase nuk ishte e limituar vetëm në rituale, siç ishin fetë e tjera, por ishte sistem në çdo sferë të jetës.

Në këtë mes, një histori interesante e ka shoku i Pejgamberit a.s., Selman Farisiu (Persiani).

Në Persi nuk kishte mundur t’i durojë njerëzit e pafe dhe kishte shkuar në Midyat (asokohe në Siri, kurse sot në Turqi), ku e kishte pranuar krishterizmin. Por, para vdekjes, Prifti i kishte thënë: Unë po vdes, por ti shko në Mekkë, se atje ka dalur një Pejgamber, që është në fenë e Ibrahimit, ia kishte përshkruar karakteristikat, po edhe i kishte thënë se ai nuk “e pranon lëmoshën (sadakën), por vetëm dhuratën (hedijen)”.

Pas një kohe të shkurtër, me një grup të tregtarëve, Selmani shkoi në Medinë dhe në takimin e parë, aty te xhamia Kuba, Selmani i ofroi disa hurma nga sadakatë për të varfërit, e Pejgamberi a.s. nuk ia pranoi. Kur ia ofroi për së dyti i tregoi se këto hurma janë dhuratë për ty, e Pejgamberi a.s. ia pranoi, me atë rast Selmanit iu kujtua ajo porosia e Priftit!

Përndryshe Selman Farisiu është prej shokëve të mëdhenj të Pejgamberit a.s. dhe ideator i mbrojtjes së Medinës përmes Hendekut…!

Xhamia e Malishevës

29 shtator 2023

Për më shumë kliko këtu:

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *